Nga shumë anë thuhet se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bashkësinë Evropiane apo në Aleancën e Atlantikut verior është e kushtëzuar nga një seri reformash të sistemit të saj zgjedhor, juridik e kushtetues. Sado që nuk janë shumë të qarta domethëniet e këtyre kushtëzimeve, sidomos përsa i përket sistemit zgjedhor, miratimi i një ligji të ri u bë një kërkesë e ngutëshme për t’u plotësuar edhe në dritën e votimeve të ardhëshme, nga të cilat na ndan më pak se një vit. Ishte pikërisht kjo kërkesë që hapi një rrugë të re në jetën politike, atë të ballafaqimit të hapur e pa paragjykime mes shumicës në pushtet dhe pakicës në opozitë, apo më saktë forcës së saj kryesore, PS. Për herë të parë u la mënjanë fjalori i mejhaneve i përdorur rëndom në vetë sallën e Kuvendit, për t’i lënë vendin bisedave të qeta e brënda disa normave të pranueshme. Por ai ballafaqim mes kundërshtarëve të papajtueshëm deri dje, qe si një tërmet i fuqishëm në krahun e majtë, që solli humbjen e drejtpeshimit të aleancës, e cila dukej se ishte rimëkëmbur mbas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005. Ka muaj që ligji zgjedhor, i lakuar në të gjitha rasat, është bërë “mollë sherri” e politikës, mbasi është i lidhur me mbijetesën e disa segmenteve të saj.
Çdo ligj zgjedhor ka anët e tij të mira e të këqija, përsosmëria n’atë drejtim nuk ekziston e, për pasojë, të githë ligjet mund të kritikohen nga këndvështrime të ndryshme. Ligjet zgjedhore janë shprehje e mendësive të ndryshme që spikasin në popujt dhe shoqëritë e larmishme për nga tradita dhe formimi. Por ajo që përbën ndryshimin thelbësor mes dy grupeve të ligjeve zgjedhore, atij maxhoritar e atij proporcional, të dy të zbatuar me sukses në demokracitë më të përparuara të botës, është mënyra e pjesëmarrjes së votuesve në përcaktimin e përfaqësuesve të tyre. Ndërsa në sistemin maxhoritar populli, masa e votuesve, shprehet drejt për së drejti për emrin e përfaqësuesit të tij në organin ligjvënës, në sistemin proporcional ai e “humbet” këtë të drejtë, duke i a dhuruar atë partive për të cilat voton. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një demokraci të drejtpërdrejtë ndërsa në të dytin me një demokraci të tërthortë. Nuk është thjesht një rastësi që klasat politike, në pjesën më të madhe të botës, parapëlqejnë sistemin proporcional, ndërsa maxhoritari zbatohet në Vendet me një opinion publik të fuqishëm e të pjekur e me një traditë demokratike të provuar. Sistemi maxhoritar i jep përparësi marrëveshjeve e bashkimeve parazgjedhore, ndërsa ai proporcional i hap shtegun atyre paszgjedhore që, jo rrallë, çojnë në kriza qeverish e ndërrime aleancash pushtetore që, herë herë, ndyshojnë kryekëput edhe vetë përfundimet e prirjeve politike të zgjedhësve.
Zakonisht ligjet zgjedhore maxhoritare krijojnë një bipolarizëm që, në Vende si SHBA , Anglia e të tjerë kthehet në një bipartitizëm që garanton qëndrueshmëri në kuadrin politik dhe i jep mundësi forcave në fushë të kenë fizionominë e tyre, të paraqiten me të para zgjedhësve, të fitojnë votbesimin, të qeverisin e të dalin përsëri në fund të mandatit para gjykimit të popullit. Në këtë proçedurë kandidatët për deputet i nënështrohen në vetë të parë gjykimit të zgjedhësve, janë më të lidhur me problemet e tyre, pra më të ndjeshëm ndaj humorit të tyre. Ndërsa në sistemet proporcionale partitë paraqiten me lista të parapërgatitura nga sekretaritë e tyre e votuesit duhet zgjedhin vetëm simbolet, pa mundur të ndikojnë tek zgjedhja e individëve, që mbetet detyrë dhe prerogativë e burokracive partiake.
Në Shqipëri ligji zgjedhor, i trashëguar nga komunizmi, qe një përzierje maxhoritari e proporcionali që kënaqte qoftë zgjedhësit që votonin deputetin e tyre, qoftë partitë që gjenin përfaqësimin në Kuvend. Ky ligj krijoi një bipolarizëm që, mirë a keq, funksionoi në këta 17 vite të pambaruara kalimi e që u përqëndrua rreth dy partive të mëdha, PD e PS. Këto ishin “diejt”, në orbitën e të cilëve vërtiteshin partitë e tjera që, herë herë shkëputeshin për të kaluar nga një fushë tërheqjeje tek tjetra, simbas çasteve politike e rrethanave të tyre. Si të gjitha hibridet, edhe ky ligj i bërë për të kënaqur etjen gjysëm qindvjeçare për shprehje dhe organizim politik, gjatë zbatimit të tij mori mbi vete gjynahe që nuk ishin krejtësisht të tijtë, por të vetë organizimit të jetës politike e të zgjedhjeve. Në vitin 2001 doli në pah dukuria Dushk, që mori emrin nga një fshat i Lushnjës, i cili u bë emblemë e një marrëveshjeje të hapur mes partive e votuesve për votimin e kandidatit të përbashkët, që ishte i partive të mëdha, por duke vënë kryqin mbi partitë e vogla në proporcional. Kështu partitë satelite të PD apo PS dolën me një numur më të madh deputetësh se sa ishte trupi zgjedhor i vërtetë i tyre e kjo, në një farë mënyre, tjetërsonte vullnetin politik të zgjedhësve. Gjatë gjithë këtyre viteve Dushku u bë tabelë qitjeje e politikës dhe opinionit publik, duke u kërkuar me forcë mos përsëritja e tij. Çuditërisht në bangën e t’akuzuarit u vu ligji zgjedhor, madje edhe nga ata përfaqësues të politikës që kishin qënë nismëtarët e dukurisë Dushk. U kërkua edhe nga ndërkombëtarët ndryshimi i tij e drejt proporcionalit përkuan të gjitha synimet e partive.
Kështu filluan diskutimet në Komisionin e Ligjeve, që në sajë të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha sollën si përfundim votimin e 21 prillit 2008 për një t’ashtuquajtur ligj proporcional rajonal, një huazim nga legjislacioni spanjoll. Ajo ditë nga PD dhe PS u quajt një ditë e shquar që na çon n’Evropë, kurse nga partitë e vogla si një atentat kundër demokracisë. Është një gjë e zakonshme që në politikë të ketë mendime të kundërta e madje vlerësime të ndryshme të ngjarjeve, vendimeve apo ideve, por kundërveprimet ndaj paketës së ndryshimeve të 21 prillit më duken vërtetë jashtë logjikës së thjeshtë. Nuk është ligji zgjedhor, mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të Shtetit apo shtimi i kompetencave të Kryeministrit që çojnë në Evropë, por mendësia e duhur që respekton e vë në jetë vlerat dhe idetë që përbëjnë bazën e organizimit të shoqërisë dhe të Shtetit simbas modelit evropiano-perëndimor. Nga ana tjetër nuk ka asnjë cënim të demokracisë për të ngritur barrikada, mbasi asnjë ligj zgjedhor nuk mund të sjellë diktaturën në një Vend që respekton vullnetin e zgjedhësve, janë gjithmonë këta të fundit që vendosin n’atë drejtim nëse autoriteti i ndonjë personaliteti politik u duket i denjë për t’i udhëhequr. Nuk besoj se kjo mundësi ekziston sot në Shqipëri.
Partitë e vogla sot ndihen të kërcënuara nga ligji i ri zgjedhor. Ato kanë kërkuar gjatë gjithë këtyre viteve një ligj proporcional që do t’u epte mundësi, në sajë të pragut t’ulët, të kishin një rol më aktiv në jetën politike dhe institucionale. Sistemi shumëpartiak është me të vërtetë një shprehje themelore e demokracisë, por një e tillë, që të funksionojë si duhet, ka nevojë të shartohet në një shtet që ka një qëndrueshmëri institucionesh, sidomos ekzekutive. Shqipëria, me probleme të shumta të pazgjidhura, do të ishte një katrahurë nëse do të zotërohej nga një partitokraci, që do të kushtëzonte rëndë qëndrueshmërinë e qeverive dhe realizimin e programeve të tyre. Një thjeshtim i kuadrit politik do të ishte një farë kure e shëndetëshme për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare.
Më 1991 strategjia paskomuniste e Ramiz Alisë bëri të mundur krijimin e një numuri të pakufizuar partish, duke ndaluar me çdo mjet vetëm krijimin e një partie të vërtetë bashkëkohore të viktimave të komunizmit, mbasi ajo duhej të mbahej gjithmonë në karantinë. Dobiprurja e dhjetra partive, në shumicën e rasteve, ishte baraz me zero. Këto parti, të majta e të ashtuquajtura të djathta, nuk arritën të krijonin një alternativë PD e PS që mbetën dy forcat kryesore në fushë, megjithë gabimet, mangësitë e dështimet e punës së tyre. Qënia e shumë partive i shërbeu vetëm stafeve të tyre, që përfituan për të marrë subvencionet financiare, pa dhënë asnjë farë ndihmese të dukëshme në jetën politike të Vendit. Bëjnë përjashtim këtu vetëm PR, e cila prej vitesh çon përpara një diskutim tepër të rëndësishëm si ai i kthimit të pronave apo Legaliteti që u bë nismëtare e referendumit të formës institucionale të shtetit.
Natyrshëm lindin pyetjet : A do t’a dëmtonte pluralizmin politik pakësimi i numurit të partive në Shqipëri?A duhet të jetë i blinduar pragu prej 2,5% që përcakton Kushtetuta? A është një gjetje me vend mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të Shtetit simbas Kushtetutës? A rrezikon një rrjedhë autoritare shtimi i kompetencave të Kryeministrit? A ishte ligji zgjedhor i sapo miratuar më i përshtatëshmi për Vendin tonë? A duhet të kenë një miratim popullor nëpërmjet një referendumi ndryshimet në Kushtetutë? Dialogu Berisha – Rama a duhet quajtur tradhëti, komplot interesash të ndërsjellta për të nxjerrë jashtë loje kundërshtarët apo marrëveshje e domosdoshme për të shkruar rregullat e reja? A janë ndryshimet kushtetuese përparësitë e padiskutueshme të shoqërisë shqiptare sot?
Mënyra se si shumica e qytetarëve i përgjigjet këtyre e të tjera pyetjeve tregon se sa i ndjeshëm është pulsi i tyre në lidhje me politikën e sa fuqi ka kjo e fundit për të kapërxyer dertet e përditëshme, duke zotëruar psikën e tyre.
Po kalojnë reth njëzet vite nga ndrrimi i sistemit e motivet ideologjike shkojnë duke u zbehur, pavarësisht mallit të një pakice të vogël të lidhur pagjidhshmërisht me regjimin komunist e plagëve ende të hapura të asaj pjese të popullsisë, mbi të cilën mizoria e tij peshoi më shumë. Larmia e partive kishte një farë kuptimi më 1991, por koha bëri zgjedhjen e saj e ligji i ri do të plotësojë kuadrin. Tani Shqipërisë i duhen njerëz t’aftë intelektualisht, të pastër moralisht e të guximshëm për të mbrojtur vënien në jetë të ideve të reja, si një ndihmesë themelore në modernizimin e Shtetit dhe të shoqërisë. Këta elementë duhet të militojnë në partitë e mëdha, duke luftuar brënda tyre për programe të përparuara e në një hap me synimin për të arritur objektivin evropian. Pjesëmarrja e tyre në parti që nuk arrijnë as të përfaqësohen në Kuvend do të ishte një shpërdorim i rezervave njerëzore të Vendit.
Një kuadër i thjeshtuar në masën e duhur do të ndihmonte proçeset vendimarrëse të politikës e do të shmangëte vetot e ndërsjellta me të gjitha pasojat e tyre. Prandaj më duket e domosdoshme ngritja e pragut në ligjin e ri zgjedhor, mbasi kuota 2,5% është shumë e ulët. Por proporcionali rajonal, me kuotat e ndryshme të pragjeve simbas qarqeve administrative, nuk më duket se është përgjigja më e mirë kësaj domosdoshmërie të kohës sonë. Është pak e kuptueshme logjika që mbështet faktin se në Tiranë pragu mund të jetë 6% ndërsa në Kukës 25%. Mund të gjindej një tjetër ligj proporcional, si shembull ai gjerman, me një prag prej 5% në shkallë kombëtare, që të garantonte një thjeshtim t’arsyeshëm të kuadrit politik, ose të pranohej një maxhoritar i pastër si ai anglez që do të jepte të njëjtin rezultat si ligji i sapo miratuar. Është detyrë e ekspertëve të partive të mëdha të shpjegojnë në mënyrë bindëse motivet e zgjedhjeve te tyre, për të mos lënë të hedhë rrënjë në opinion ideja e një marrëveshjeje fatale për shortet e demokracisë, siç mëtojnë partitë kundërshtare të projektit, të vendosura për të mbledhur firmat e nevojshme për një referendum bllokues të ligjit, që është jo kushtetues. Zyrtarisht ata kanë të drejtë, mbasi Kushtetuta parashikon pragun prej 2,5 % në proporcional, por ai prag i referohet një tjetër ligji, atij të zbatuar deri tani. Me ndryshimin e atij ligji ai prag nuk është më i vlefshëm. Nëse Kushtetuta nuk e parashikon këtë është një e metë e hartuesve të saj, siç ka dhe të meta të tjera që duhen rishikuar me gjakftohtësi e pa pasion.
Kushtetuta e hartuar dhe miratuar në bllok nga një referendum popullor në një periudhë tepër të trazuar nuk duhet të konsiderohet një tabu e paprekëshme, mbasi në të ka gjëra që mbajnë vulën e periudhës së lindjes e kërkesave të veçanta të saj. Ndryshimet në të nuk janë favore që i bëhen njërit apo tjetrit, siç mëtohet këto ditë nga vala e kundëreformave, mbasi rregullat janë të vlefshme për të gjithë e asnjë prej atyre që zënë sot skenën e pushtetit nuk është si Kashei i pavdekshëm. Ai shpejt a vonë do t’i nënshtrohet gjykimit të zgjedhësve e, nëse atyre u pëlqen dhe e votojnë nuk ka asgjë për të bërë, ky është ligji i demokracisë që një shtetar i madh e quante si “të keqen më të vogël”.
Stina e reformave, e kërkuar me forcë nga ndërkombëtarët, po shënohet nga një bashkëbisedim ndërmjet dy partive të mëdha dhe drejtuesve të tyre. Është një dukuri për t’u përshëndetur, tregon se po hyjmë më së fundi në një fazë normale të marredhënieve mes forcave politike, duke lënë mbrapa atë psikozë mesjetare të “mprehjes së shpatave” e të të quajturit “armik” të kundërshtarit politik. Në këtë kuadër, veç ndikimit përcaktues të institucioneve evropiane, i duhet njohur merita edhe drejtuesve të partive kryesore që kanë kuptuar se, në këtë fazë të veçantë, “mëria e Akilit” duhet lënë mënjanë, për të marrë së bashku vendime për pritjen e të cilëve Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur.
Berisha dhe Rama kanë marrë përsipër një kthesë të rëndësishme në kursin e politikës shqiptare paskomuniste. Por dialogu për reformat nuk duhet të mbetet monopol i dy partive të mëdha, në të duhet të marrin pjesë edhe të tjerët, jo thjesht për të mbrojtur interesat e tyre vetiake, por për të gjetur rrugën që i shkon më për shtat interesave madhore të Vendit. Kjo nuk do të thotë heqje dorë nga programet e platformat politike dhe as nga identiteti, nuk do të thotë as kthim mbrapa në partinë e të gjithëve, por një ndihmesë e dobishme për të shkruar apo ndryshuar “rregullat e lojës” në një kontekst krejt të ri që sjell koha. Ballafaqimi i ideve duhet të jetë i hapur e pa paragjykime, pa komplekse epërsie apo nënështrimi, duhet të mbështetet mbi argumenta e të mbajë parasysh edhe përvojat e të tjerëve. Shmangia e disa partive nga ky ballafaqim, për më tepër krijimi i një fronti kundëreformash nuk i sjell asnjë dobi Vendit, institucioneve, s’ardhmes bashkëkohore të Shqipërisë dhe as imazhit të saj në lenten evropiane.
Një pikë e rëndësishme e stinës së reformave është mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të Shtetit. Kushtetuta parashikon një proçedurë që le shumë për të dëshiruar. Që Kuvendi të zgjedhë me 3/5 e votave Kryetarin e Shtetit është diçka normale, por që të shpërndahet e të organizohen zgjedhje të reja nëse nuk arrihet ky cak, më duket një gjetje aspak e përshtatëshme. Që këtu lind nevoja e domosdoshme e ndryshimit në Kushtetutë, por mënyra se si e zgjidhi Kuvendi problemin nuk më duket se është më e mira. Psikoza e thjeshtimit të kuadrit politik nuk duhet të shtrihet tek zgjedhja e Presidentit. Ai përfaqëson jo vetëm qytetarin e parë të Shtetit, por edhe simbolin e bashkimit kombëtar, garantin e institucioneve apo të vetë qytetarëve dhe kryeson dy organizma jetike për Vendin si Këshillin e Lartë të Mbrojtjes dhe atë të Drejtësisë. Si i tillë ai duhet të jetë nbi palët, jo shprehje e kompromiseve apo pazarllëqeve politike dhe as e fituesve të garës zgjedhore. Vendimi për t’a zgjedhur atë me 71 vota më duket jo vetëm një thjeshtësim i nxituar i proçedurës kushtetuese por, në një farë mënyre, një mungesë respekti për të gjitha atributet që ka roli institucional.
Mënyra më e mirë do të ishte zgjedhja e Presidentit drejt për së drejti nga populli. Politika, në këtë rast, humbi një mundësi që u krijua për të fituar besueshmëri n’opinionin publik, gjë për të cilën ka shumë nevojë. Nisma e 28 deputetëve të PD, çuditërisht, nuk gjeti përkrahjen e duhur në Kuvend. Nuk i falet as drejtuesve të PD dhe as deputetëve të partive të tjera, sidomos të socialistëve, kjo mungesë vullneti për t’i kthyer “sovranit” të drejtën për të zgjedhur në kutitë e votimit emrin e Kryetarit të Shtetit, duke ushtruar sovranitetin drejt për së drejti, siç thuhet në nenin 2 të Kushtetutës. Vota popullore do t’i jepte atij më shumë autoritet, më shumë prestigj, më shumë pavarësi në kryerjen e detyrës e do të shmangëte një proçedurë të bazuar në kompromise apo pazarllëqe të padenja, që mund të përsëriten sa herë do të ketë mbarim mandati. Presidenti nuk duhet të jetë një noter i thjeshtë, por një gjymtyrë themelore barazpeshash në impiantin institucional të Shtetit. Jemi ende në kohë për të bërë ndryshimin e nevojshëm kushtetues n’atë drejtim, pa kthyer sistemin në republikë presidenciale. Në panoramën politike t’Evropës nuk mungojnë shembujt e tillë.
Shporta e reformave përmban edhe çështje të ekzekutivit e të gjyqësorit. Në nenin 103 të Kushtetutës thuhet se “Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.” Në pamje të parë krijohet përshtypja se ministri duhet të jetë pa tjetër edhe deputet. Nëse është kështu ka vend për ndërhyrje mbasi në praktikë nuk vërtetohet gjithmonë ky fakt. Kushtetuta i njeh imunitetin të gjithë antarëve të Këshillit të Ministrave. Edhe këtu ka vend për ndryshim mbasi imuniteti mund të jetë një mburojë për prirje korruptive të elementëve të veçantë. Nëse ky është i vlefshëm për deputetët nuk mund të shtrihet edhe deri tek zv. ministrat. Fakti që lufta kundër korrupsionit nuk ka rezultatin e duhur në sferat e larta buron edhe nga ky lloj imuniteti. Sa i përket kompetencave të Kryeministrit më duket se janë të mjaftueshme, mjafton që të ushtrohen me rigorozitet.
Planeti drejtësi është një tjetër fushë që ka nevojë për vëmëndjen e ligjvënësve. Për të siguruar një pavarësi më të madhe të sistemit, duke shmangur lidhjet komprometuese me politikën, mendoj se emërimet e organeve të larta duhet të bëhen, në përqindje për t’u përcaktuar, jo vetëm nga Presidenti dhe Kuvendi por edhe nga Konferenca Gjyqësorë Kombëtare, pra nga vetë gjykatësit. Por pavarësia e drejtësisë nuk duhet të kalojë caqet e kompetencave të saj. Në nenin 145, paragrafi 2, thuhet shprehimisht:” Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato….” Ndoshta ky paragraf ka dashur t’i bëjë pritë ndonjë rasti tepër të veçantë, mbasi është e pakonceptueshme një mundësi e tillë, që nga filtrat e panumurt të ekspertëve, komisioneve, parlamentit, presidencës, gjykatës kushtetuese të dalin ligje që një gjyqtar i thjeshtë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, t’i zbulojë si të pazbatueshme. Kudo misioni i gjyqtarit është të zbatojë ligjet e kjo kompetencë që i lihet, t’i diskutojë ato, nuk më duket normale në një shtet ligjor. Për të shmangur sa më shumë ndikimin e politikës tek sistemi i drejtësisë mendoj se edhe prokurori i përgjithshëm duhet të zgjidhet nga konferenca e prokurorive të republikës. Mund të jetë një gjë e re, por besoj se shkon në drejtimin e duhur.
Këto ishin disa mendime e bindje mbi stinën e reformave dhe çështjet që kanë të bëjnë me to. Koha do të tregojë sa të vlefshme do të jenë ndryshimet e ndërmarra në përmirësimin e realitetit shqiptar që vazhdon të paraqesë problemet e tij të mprehta.
Maj 2008
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet