Ka disa ditë që punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në sajë të transmetimeve satelitore televizive, shqiptarëve që jetojnë jashtë Shtetit por që ende ruajnë mendërisht e shpirtërisht interesin për Vendin e lindjes, po u ofrojnë pamje të denja për mejhane apo filma kaubojsh.
Institucioni përfaqësues i vullnetit politik të zgjedhësve shqiptarë është kthyer në një “Këshill ndrikullash”. Në vend të rrahjes së mendimeve mbi problemet e panumurta të Vendit zotërojnë shamatat e fyerjet ndërmjet deputetëve, në vend të mirësjelljes shpaloset harbutllëku, në vend të arsyetimit të qetë e të shëndoshë zotëron arsyeja e mosarsyes që zgjon njëkohësisht frikë dhe neveri.
Zakonisht në një zënkë të çfarëdo përmase është e vështirë që faji të jetë vetëm në një anë. Në përqindje të ndryshme ai ndahet, simbas rastit, në të dy grindavecët. Në rastin konkret këto përqindje priren të shkojnë drejt skajeve. Arsyeja është e thjeshtë: në një institucion të lartë përfaqësues të shtetit nuk mund të zotërojë improvizimi i çastit por respektimi i rregullave të pranuara nga shumica e të detyruara për t’u zbatuar nga të gjithë. Këto janë parimet më fillestare të institucioneve të një shteti demokratik që parashikon edhe ndryshimin e rregullave, por edhe kjo në bazë të një kriteri të përcaktuar mirë.
Në Kuvendin e Shqipërisë duket se këto parime nuk u pëlqejnë të gjithëve. Kështu ndodh që një ditë të bukur i lind ideja dikujt të shkarkojë nga detyra Kryetaren e Kuvendit dhe organizon proçedurën e mundëshme. Ideja bëhet objekt politik i partisë më të madhe të opozitës e, më pas, i saj. Objektivi synohet nëpërmjet kërkesës së votbesimit, i cili bëhet simbas rregullave të miratuara nga Kuvendi parardhës, në të cilin e majta kishte shumicën , nëpërmjet votimit të hapur. Votimi la në fuqi Kryetaren Jozefina Topalli e që në atë çast “kjo botë u çthur!…”, po të perifrazojmë princin e Danimarkës. Opozita kërkon votim tjetër, këtë herë të fshehtë!!! Rregullorja e Kuvendit nuk e parashikon, por Opozita kërkon me forcë të ndryshojë rregullorja e të kryhet votimi. Qeveria dhe Kryesia e Kuvendit nuk pranojnë kërkesën e menjëherë një pjesë e Opozitës, “trimat e xha Jahos”, kalojnë në veprime huliganësh duke e kthyer sallën e Kuvendit në një “teatër absurd”, ku nuk kanë të numuruar shfaqjet më të pahijshme e më të papranueshme për etikën më fillestare politike. Të gjithë e dinë se çfarë ndodhi më pas me ndërhyrjen e oficerëve të gardës dhe përjashtimin për 15 ditë të katër deputetëve nga punimet e Kuvendit.
Cilido vëzhgues i paanshëm i kësaj tragjikomedije parlamentare nuk mund të mos verë re se e gjitha kjo zallamahi, që peshon mbi imazhin e Vendit dhe besueshmërinë e tij në një çast delikat të traktativave me Evropën, ka në pikënisje një premisë të gabuar, që i ka rrënjët në mendësinë e vjetër komuniste se “partia është mbi të gjitha” e se “ç’thotë partia bën populli..”. Ёshtë për të ardhur keq që drejtuesit e rij të PS e veçanërisht z. Majko, me një përvojë tashmë të konsiderueshme në jetën politike, nuk ka kuptuar ende se kërkesa e grupit të tij në një demokraci të vërtetë është një paradoks që bën “ të qeshin edhe pulat”.
Kam pesëmbëdhjetë vite që ndjek me interes jetën politike të Italisë, Vendit ku jetoj, por edhe të demokracive të tjera të Perëndimit. Mocione mosbesimi ndaj kryetarëve të Parlamenteve , me përjashtim të ndonjë skandali të bujshëm, nuk kam dëgjuar. Më duket se ky mocion është i pajustifikuar politikisht, ligjërisht e, mbi të gjitha, moralisht. Për herë të parë në historinë e tij Kuvendi i Shqipërisë ka në krye një grua dinjitoze që besoj se e ka fituar dhe e meriton respektin e shumicës së shqiptarëve e që është në gjëndje t’a përfaqësojë Vendin në lartësinë e duhur. I gjithë ky sulm vulgar kundër kësaj zonje të nderuar më duket një vepër e pahijshme dhe e papranueshme, më duket një autogol i autorëve edhe për një arsye tjetër. Sulmi kundër saj filloi që kur ajo u shpreh për dorëheqjen dhe zëvendësimin e kryeprokurorit Sollaku. A ishte me vend propozimi i zonjës Topalli?
Cilido që ndjek nga afër gjëndjen e Shqipërisë në kontekstin global të situatës së brëndëshme e të pozitës së saj ndërkombëtare është i vetëdishëm se atje ka diçka që nuk shkon, që paragjykon ecjen e Vendit drejt forcimit të shtetit ligjor. Ka vite që Shqipëria konsiderohet nga Evropa dhe institucionet ndërkombëtare si një Vend me një nivel të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar. E kanë paditur këtë gjëndje prej vitesh partitë, atëhere në Opozitë e sot në pushtet, madje dhe vetë LSI, që sot është në Opozitë. Shëndoshja e kësaj gjëndjeje është kusht vendimtar për të hyrë në bashkësitë e Nato-s dhe Evropës. Të gjithë me fjalë janë për luftën kundër korrupsionit, por rezultati deri tani është mjaft i mangët. Cila është arsyeja? A është në lartësinë e detyrës pushteti gjyqësor e, veçanërisht Prokuroria e përgjithëshme që ka barrën më të rëndë të luftës?
Rezultatet e deritashme nuk janë inkurajuese e të shtyjnë të mendosh se një pjesë e mirë e krimeve nuk hetohen por mbulohen. Më duket se qytetarët kanë të drejtë të shprehin rezervat e tyre ndaj organit dhe atij që e drejton e nuk duhet të përbëjë ndonjë çudi fakti që Kryetarja e Kuvendit të bëhët zëdhënëse e dyshimeve të tyre. Kundërveprimi i Opozitës mund të ngjallë dyshimin se ekziston një lidhje e fshehtë ndërmjet krimit të organizuar, organit hetues dhe ndonjë force politike, një kupolë e mallkuar dhe famëkeqe që pengon normalizimin dhe përparimin e Vendit. Dëshëroj dhe uroj që kjo hamëndje të mbetet e tillë, por autogoli i socialistëve në çështjen Topalli nuk është aspak qetësues.
Ngulmimi i Opozitës për të ndryshuar rregulloren e votimit, të miratuar kohë më parë prej vetë asaj, në funksion të arritjes së qëllimit për të shkarkuar zonjën Topalli, është një veprim i papajtueshëm me normat më parësore të një demokracie për dy arsye: e para se rregullat dhe ligjet nuk bëhen për situata të caktuara e nuk janë funksion i ndyshueshëm i tyre dhe e dyta se nuk ka kurrfarë justifikimi ligjor fakti që pranohet një votim, por kur përfundimi nuk i përgjigjet pritjes, kërkohet një tjetër, po për të njëjtën çështje, për më tepër duke këmbyer rregullat. Një institucion që do të vepronte në këtë mënyrë nuk do të kishte asnjë lloj besueshmërie tek zgjedhësit dhe partnerët ndërkombëtarë, do të ishte një kopje e institucioneve të diktaturës, ku ligjet dhe rregullat ishin vetëm një formalitet e ku vendimtar ishte vullneti i diktatorit dhe i nomenklaturës së tij. E shkuara, prej nga vijnë mendërisht e fizikisht opozitarët e sotëm është tepër elokuente n’atë drejtim.
I habitshëm është fakti që këto arsyetime të thjeshta të cilat, për pasojë ndikojnë në imazhin e vetë Opozitës, nuk arrijnë t’i bindin të heqin dorë nga bllokimi i punimeve të Kuvendit, madje të shkojnë edhe më tej, duke kërcënuar skenarët famëkeqë të vitit 1997. I habitshëm është fakti që eksponentë të shumicës në pushtet si Ndoka e Lesi shprehen me forcë për “tolerancë” në këtë rast e për bashkëpunim me opozitën për të realizuar reformat. Do të ishte një rrugë e lëvdueshme dhe e urueshme, treguese e një demokracie të arrirë, por nuk shkohet n’atë drejtim nëpërmjet lëshimesh ndaj kërcënimeve e kompromisesh pa parim që dëmtojnë e venë në rrezik impiantin demokratik të Shtetit. Mund të bëhet marrëveshja për rregullat e ecurisë së Kuvendit, mund të ndryshohen ato me pëlqimin e forcave politike, por ndryshimet nuk mund të pranohen si automatizma që do të kënaqin një palë për të zhbllokuar punimet e Kuvendit në dëm të imazhit e besueshmërisë së tij. Po të vazhdohet me këtë frymë nuk është çudi që këta zotërinj të pranojnë edhe kërkesën për zgjedhje të parakohshme që ndonjë “autoritet” i Opozitës, i majmur nga qëndrimi në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, e bën që tani, kur nuk është mbushur ende një vit nga votimet. Çdo forcë politike e përgjegjëshme duhet të ndërgjegjësohet se demokracia e vërtetë është ndërtimi i një rendi ku ligji është sovran e ku respektimi i tij është kusht i domosdoshëm për mbarëvajtjen e saj. Çdo lëshim ndaj këtij parimi, çdo kompromis në dëm të tij nuk i shërben aspak shoqërisë drejt së cilës duhet të priren shqiptarët.
Duke u kthyer tek rivotimi për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit uroj që PS dhe Kryetari i saj të përsiasin më thellë qëndrimin e tyre, duke mbajtur para sysh proverbin “Gabimi është njerëzor, ngulmimi në të është djallëzor”.
Mars 2006
*Marrё nga vёllimi “Demokratura shqiptare nw vwshtrimin e njw tw mwrguari”
Komentet