Më 20 korrik Kuvendi i Shqipërisë, në votimin e tij të katërt, shpalli të zgjedhur me 85 vota (aq sa i duheshin) Kryetarin e katërt të Shtetit paskomunist shqiptar, në personin e Bamir Topit, ish nënkryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar të asaj partie.
Zgjedhja duket se i bindet një projekti të hartuar kohë më parë në kryesinë e PD. Nuk paska qënë i rastit refuzimi i kandidaturës për Kryetar Bashkie i kryeqytetit nga z. Bamir Topi në një kohë kur sondazhet e jepnin të vetëm në gjëndje të merrte më shumë vota se sa tri herë i zgjedhuri në atë post, Kryetari i PS, z. Edi Rama. PD sakrifikonte postin, aq shumë të dëshiruar, të qytetarit të parë të Tiranës për të ngjitur “yllin” e saj në majën e piramidës shtetërore shqiptare. Ishte një synim që, duke parë raportin e numurave në Kuvend dhe rregullat kushtetuese, kishte pak gjasë të sendërtohej. Që në fillim u quajt një kandidaturë e fortë, që nuk pranonte të tjera në krahun e saj, e që i shtynte kundërshtarët e majtë të vinin si kusht të bisedimeve, për të ashtuquajturin “konsensus”, përjashtimin e saj. Çuditërisht manovrat dhe pelivanllëqet e Opozitës së majtë bënë të mundur jo përjashtimin por triumfin e saj.
Zgjedhja e Kryetarit të ri të Shtetit u prit me simpati e mirëbesim jo vetëm në PD dhe shumicën në pushtet, por dhe në qarqet ndërkombëtare të lidhura me Shqipërinë, në Kosovë dhe në pjesën më të madhe të opinionit publik të përfaqësuar nga mas mediat. Personalisht isha shprehur në një shkrim të disa ditëve më parë për zgjedhjen e një Kryetari jashtë politikës, duke shënuar emrin e një juristi të mirënjohur edhe në Evropë, si më i përshtatëshmi për atë detyrë, duke marrë parasysh gamën e gjërë të problemeve të drejtësisë me të cilat ballafaqohet Shqipëria dhe ndërlikimet e ndërthurjet e interesave në trekëndshin korrupsion-politikë-drejtësi, për zbardhjen e të cilave pak ose aspak duket në horizont. Por politika bëri katror ndaj përfaqësuesve të saj dhe u mblodh si iriqi për të mos lejuar depërtimin në krye të Shtetit të një personi jashtë rradhëve të saj. Duke marrë parasysh këtë fakt mendoj se zgjedhja e kryer ishte më e mira e mundëshme e, si e tillë, pati pasoja pozitive.
Në rradhë të parë shmangu zgjedhjet e parakohëshme, që do të ishin mjaft negative për jetën ekonomike të Vendit ashtu edhe për imazhin e Shqipërisë, kryesisht në institucionet evropiane. Ndërprerja e legjislaturës në Shqipëri me motivin e paaftësisë së Kuvendit për të zgjedhur Kryetarin e Shtetit do të kishte qënë një thikë mbas shpine për projektin e pavarësisë së Kosovës dhe një argument më shumë për ata qarqe antishqiptare që, prej gati një shekulli, nuk bëjnë tjetër veçse të theksojnë “paaftësinë kronike” të shqiptarëve për t’u vetqeverisur. Jo rastësisht urimi i parë që mori në telefon Presidenti i ri i Shqipërisë qe ai i Kryetarit të Kosovës, z. Sejdiu.
Zgjedhja e z. Topi qe pasojë e mosmarrëveshjeve në gjirin e së majtës, që nuk qe në gjëndje as të shprehë as të mbështesë një kandidaturë bindëse të saj, mbasi që në fillim synoi në mënyrë të papërgjegjëshme skenarin e zgjedhjeve të parakohëshme, duke shfrytëzuar një absurditet të Kushtetutës që parashikon një eventualitet të tillë. Votat përcaktuese të gjashtë deputetëve të ashtuquajtur “nanoistë”, që u “ vunë në kryq” nga Rama, Gjinushi, Ceka etj. duke shkaktuar krizën e nervave të së majtës, zgjidhën një situatë që rrezikonte një gangrenizim të rrezikshëm për fatet e Vendit. Duke mos mbajtur parasysh prapaskenat e atij veprimi, duke gjykuar thjesht faktin e pasojat e tij, mendoj se kundërveprimet e socialistëve dhe jo vetëm të tyre janë të pamotivuara. Përjashtimi i tyre nga partia na kthen mbrapa disa dhjetëvjeçarë në mendësi e praktika, në atmosferën e terrorit enverist, të cilin mendojmë se e kemi lënë përgjithmonë mbrapa. Vendimmarrësit nuk marrin parasysh se, në një demokraci liberale, deputetët nuk kanë detyrim partie apo grupi në votimin e tyre, se vënia e interesave të Vendit mbi ato të partisë, cilado qoftë ajo, është një praktikë që na afron nga demokracia perëndimore se, nëse ata e konsideruan kandidatin për president “përfaqësues të politikës së re” dhe votuan me bindje për të, nuk ka asnjë kod moral, etik apo ligjor t’i dënojë. Akoma më absurde tingëllojnë kërkesat për t’i ndjekur penalisht ata gjashtë deputetë, ndërsa do të thosha se nëse ka një shkelje për t’u ndëshkuar është vendimi për të mos marrë pjesë në votimet për kreun e Shtetit.
Po, zotërinj deputetë, zgjedhja e Kryetarit të Shtetit nuk është një gjë fakultative për ju, por një detyrim që u a imponon mandati që u ka dhënë populli. Mënyra se si votoni është fakultative, por prania dhe proçesi i votimit kurrsesi jo. Nëse ju nuk e ndjeni veten të detyruar para Vendit tuaj t’i jepni atij Presidentin e republikës cili është kuptimi i mandatit tuaj?
Kryetari Topi e filloi pesëvjeçarin e tij me pragmatizmin e politikanit. U tregua i kursyer në fjalë, por vuri menjëherë pikat mbi “i” përsa i takonte parimit themelor të funksionimit të institucionit që merrte në dorë, duke hapur një librezë kredie tek Opozita e befasuar dhe e ndërkryer nga zgjedhja e tij. ” Do të punoj me të gjitha forcat për të qënë President i të gjithë shqiptarëve, duke patur si bazë ndershmërinë, vlerat qytetare dhe transparencën…” është premtimi solemn që bëri ai para auditorit të Pallatit të brigadave. Janë fjalë të thjeshta por kuptimplote, që i bëjnë jehonë një kërkese të ngutëshme të Vendit, asaj të moralizimit të politikës e të institucioneve. I vetëdijshëm për rolin që e pret Presidenti Topi zhvesh zyrtarisht rroben e përkatësisë partiake për t’u bërë “kryeplaku” i bashkatdhetarëve të tij, të cilët duhet t’i shohë të gjithë me të njëjtin sy e ndaj të gjithëve të mbajë të njëjtin qëndrim, pa paragjykime të asnjë lloji. Uroj që të mos mbetet vetëm një premtim e, nëse do të jetë kështu, do të kemi me të vërtetë diçka të re që jep shpresë për ditë më të mira.
Kjo nuk është gjithshka. Si qytetar e si shtetar Kryetari i ri e din mirë se me sa probleme të pazgjidhura, edhe mbas 16 vitesh ndërrimi sistemi, përballohen ende shqiptarët. Ai e di mirë se retorika e premtimeve të pambajtura nuk ka më efekt, se shqiptarëve nuk mund t’u serviret më luga e zbrazur, se ende nuk është bërë shkëputja e plotë nga e kaluara diktatoriale, se ende nuk janë njohur e kthyer pronat, se ende ish të përndjekurit e regjimit komunist vazhdojnë të mashtrohen, se ende jeta e përditëshme gjymtohet nga mungesa e korentit, e ujit të pijshëm, nga papunësia, nga çmimet gjithënjë në rritje, nga tarifat telefonike më të larta në Evropë, nga….
Të gjitha këto, si vetëtima, i dalin para syve të mëndjes kur takon, mbas shpalljes së rezultatit ish kolegët, duke filluar nga Kryetari Berisha e deri tek opozitarët Nano, Majko, Islami, Ruçi, Meta e ndonjë tjetër që, në këtë rast nderojnë veten dhe detyrën e tyre, e po ashtu kur merr fjalën për të falënderuar e për të shpalosur idetë.
“Shqiptarët presin nga politika që të jetojnë më mirë, të ndihen më të sigurtë e më të integruar dhe është detyrim i të gjithëve të përmbushim këto aspirata. Ne nuk kemi kohë për të humbur…” Janë të tjera fjalë të thjeshta por lapidare. Në sfondin e tyre ndihet autokritika e pjesës më të shëndoshë të politikës për ato gjëra që ka bërë e, më shumë, për ato që nuk ka bërë gjatë këtyre viteve në dobi të Vendit e të popullit të saj, për rezultatet e pakta, për krahasimet me të tjerët. Kryetari i Shtetit hyn shpejt në rolin e tij: tani nuk ka më interesa e rivalitete partiake, ka vetëm një qëllim, integrimi në Evropë që do të thotë jo vetëm reforma por edhe ngritje standarti jetese për mbarë popullsinë.
Detyra është e vështirë, e madhe. Atë nuk mund t’a sendërtojë një politkë konfliktuale që nuk respekton idetë e parimet, por që i kthen ato në subjekte të interesave të çastit, të ditës, të mërive e humorit vetiak, që din vetëm të verë shkopin në rrotat e qerres së kundërshtarit politik edhe nëse ajo mbart interesat e mëdha të Vendit. Shqipëria nuk është ende një vënd normal që të mos ndjejë peshën e tekave të politikës, problemet e e saj janë ende themelore e përballimi i tyre nuk mund të bëhet pa impenjimin e përgjithshëm. Kryetari i ri e din se i bie atij tashmë barra e paqtuesit, e koordinatorit të fuqive të shqiptarëve, për t’i futur ato në hullinë e sendërtimit të aspiratave për zhvillim, mirëqënie, hyrje në Evropë e në Aleancën Atlantike. Gjen rastin të verë theksin pikërisht mbi këtë aspekt aq shunë përcaktues në historinë e popullit të tij.
“Vlerat dhe interesat që na bashkojnë janë shumë më të mëdha se ato që na ndajnë. Le të punojmë të gjithë së bashku për të çuar përpara reformat, duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e atdheut tonë.”
Mesazhi është i qartë e i plotë: për të shkuar përpara, për t’u shkëputur nga vend-numuroja duhet ndihmesa e të gjithëve. Mund të kemi mendime të ndryshme, mund të jemi mbartës të mbeturinave të ideologjive të kundërta, mund të jemi ende në borxh me të kaluarën, mund t’a shohim botën nga kënde të ndryshme vështrimi, por jemi të gjithë bij të këtij Vendi që shëmbëllen me një anije në det të hapur. Ne jemi pasagjerët dhe ekuipazhi i saj e varet nga ne të gjithë nëse do t’a përballojmë furtunën, duke lundruar drejt steresë, apo të fundosemi të gjithë së bashku me të. Në këtë kuadër hyjnë edhe gati një milion shqiptarë që punojnë e jetojnë në botën e madhe. Presidenti i ri nuk i përmend ata, mund të jetë një harresë e çastit, por mendoj se duhet të përpiqet t’u ofrojë dhe atyre mundësitë në fushën e politikës për t’i inkuadruar në jetën e atdheut. Përvoja, dijet, njohjet, kualifikimi i disa prej tyre janë një rezervë e paçmuar për Shqipërinë sikur një ligj cmirëzi të mos u ndalonte atyre pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në politikën aktive. Çfarë kuptimi ka qëndrimi i detyruar për dhjetë vite brënda Vendit për të patur të drejtën me hye në jetën politike te tij?
Presidentit të ri duket se i pëlqejnë ritmet e larta të punës, gjë për t’u çmuar. Në këto pak ditë që nga zgjedhja ka inkuadruar sferën e veprimtarisë nëpërmjet takimeve kokë më kokë me krerët e partive, si të shumicës në pushtet ashtu edhe të Opozitës, me formimin e stafit bashkëpunues të tij, me garancitë për diplomatët e huaj. Para tij qëndron, si Sfinksi, problemi i Drejtësisë, i funksionimit dhe rregullave të saj. Kryetari i ri i Shtetit nuk është ekspert i fushës e aftësia e tij, në këtë rast, do të tregohej jo vetëm në vendosmërinë për të firmosur ndryshimet e nevojshme, por edhe në zgjedhjen e bashkëpuntorëve e këshilltarëve, profesionalisht e moralisht, në lartësinë e detyrës.
Pa u futur në qëndrimet e partive dhe rrjeshtimeve politike në lidhje me problemet e Drejtësisë e figurën e Prokurorit të përgjithshëm, qëndrime krejt të kundërta me njëri tjetrin, pa asnjë mundësi marrëveshjeje së paku deri tani, një pyetje spontane e logjike i vjen çdo qytetari shqiptar në mëndje. Thuhet se Shqipëria është një nga Vendet me tregues korrupsioni nga më të lartat në Evropë. Është një pohim i bërë nga institucionet ndërkombëtare, nga drejtuesit politikë të shumicës apo të pakicës, nga shtypi e nga çdo qytetar i thjeshtë, të cilit për nevojat më parake i duhet të krijojë një buxhet shtesë të veçantë, për të paguar rushfetin ndaj çdo nëpunësi, mjeku, infermieri apo cilitdo me të cilin ballafaqohet çdo ditë për probleme jetike. Flitet shumë për luftën kundër korrupsionit, por rezultatet janë të padukëshme.
Në Rumani janë nën proçes hetimor e gjyqësor rreth 1470 vetë për korrupsion, duke filluar nga ish kryeministri Nastaze, tek ish ministra e funksionarë të lartë të Shtetit e deri tek “peshqit e vegjël”. Në Shqipëri në rrjetë bie vetëm ndonjë nga këta të fundit. Ministreja e Drejtësisë, zonja Makovei, është bërë proverbiale për rreptësinë e saj në luftën për moralizimin e politikës. Po tek ne ç’bëhet? Pak ose aspak. E kujt është përgjegjësia? Ky është Sfinksi që qëndron sot para Presidentit të Republikës si Kryetar i Këshillit të lartë të Drejtësisë.
Mendoj se problemi nuk mund të reduktohet vetëm tek kryeprokurori dhe kohëzgjatja e mandatit të tij, por rrok një gamë të gjërë problemesh e dukurish për t’u analizuar. Analizat duhet të jenë të thella e komplekse, të kryera nga kopetentë që nuk duhet të ndjejnë mbi supe peshën e trysnisë së politikës të një krahu apo të një tjetri, por të punojnë në bashkëpunim me organet e larta të Drejtësisë, nën mbikqyrjen e Kryetarit të Shtetit. Përfundimet e një pune të tillë së bashku me rekomandimet përkatëse duhet t’i kalojnë pastaj Qeverisë e Kuvendit për të ligjëruar ndryshimet e nevojshme. Mbasi të jetë gjendur diagnoza e saktë, terapia duhet të jetë radikale dhe e plotë. Nëse duam të shëndoshim një gjëndje që paragjykon t’ardhmen e Vendit këtë duhet t’a bëjmë me rigorozitet e gjakftohtësi. Presidenti i ri do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në këtë operacion, Zoti e ndihmoftë të jetë në lartësinë e detyrës.
Ky ishte një aspekt, ndër më të rëndësishmit, e veprimtarisë së Kryetarit të ri të Shtetit. Por, si qytetar i parë i Republikës së Shqipërisë, ai bart shqetësimet e një populli që, megjithë entuziazmin e tij për demokracinë e vlerat e saj, ndjehet i tradhëtuar në pritjet e tij, duke trashëguar derte e probleme të cilat duhet të ishin fshirë nga jeta e tij e përditëshme. Ndoshta një stil tjetër pune i Presidencës mund të japë shtysat e nevojshme për përballimin më të dobishëm të problemeve. Besoj se shumë shqiptarë, brënda e jashtë Atdheut, i kanë lidhur shpresta e tyre me emrin dhe figurën e Presidentit të ri. Koha do të provojë nëse shpresat do të gjejnë ndonjë farë sendërtimi, apo vargu i zhgënjimeve do të zgjatet më tej.
Duke dëshëruar të shohim tek Kryetari Topi jo shkopin magjik imagjinar, që ndreq gjithshka, por vullnetin, këmbënguljen e vendosmërinë për të patur si busull drejtuese vetëm përparimin e Kombit, i urojmë atij, me gjithë zemër, punë të mbarë e suksese në detyrën e tij sa të vështirë aq dhe të nderuar.
Gusht 2007
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet