Duke shfletuar gazetat në internet më datën 17 dhjetor të këtij fund viti në “Metropol” më tërhoqi vëmëndjen një intervistë e Kryetarit të Institutit të ish të Përndjekurve Politikë në lidhje me ligjin e dëmshpërblimeve, propozimet për ndryshime, interpretimet dhe zbatimin e tij në praktikë. Tema më intereson drejt për drejt, por nuk do të përbënte objektin e një shkrimi po të mos hasja në një pohim që më tronditi, konceptin e të cilit nuk do ta kisha besuar po të mos mbante autorësinë e një institucioni zyrtar : “…. kemi rastin e revoltës së Qafë Barit, ku u vranë katër veta- Tom Ndoi, Sokol Sokoli, Sandër Sokoli- dhe familjet e tyre nuk përfitojnë nga ligji i dëmshpërblimit, pasi veprimi i tyre është konsideruar “akt terrorist”.
Mendimi më ktheu menjëherë tridhjetë vjet mbrapa, në vjeshtën e vitit 1980, në kampin famëkeq të Spaçit, ku isha dërguar të vuaja dënimin prej tetë vitesh, që gjykata e rrethit Lushnjë më kishte dhënë për “agjitacion e propagandë”, simbas nenit 55 të Kodit Penal t’asaj kohe. Kampi i Spaçit i asaj periudhe ishte kthyer në një vënd përqëndrimi i të dënuarve me punë të detyruar, ku makina e burgjeve sillte çdo dy – tri ditë “klientë” të rinj. Vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë, për të shtuar e përforcuar armatën “zulmëmadhe” të nxjerrësve të bakrit e piritit, që shërbente për të “thyer bllokadën imperialisto – revizioniste”. Ata luftonin çdo ditë me rrezikun e jetës në galeritë e nëndheshme, ku teknologjia e përdorur besoj se i afrohej parametrave të një prapambetjeje proverbiale.
Çdo muaj bëhej organizimi i grupeve të punës, që përbëheshin nga një minator e dy puntorë. Nuk mbaj mënd mirë muajin e saktë, tetor apo nëndor, që më bashkuan me Sokol Sokolin, një djalë tropojas, trupmadh e i bëshëm. Ishte dënuar 15 apo 20 vjet për tentativë arratisje. Ishte një djalë i urtë, shpirtbardhë, që i pëlqente shoqëria, që ishte i gatshëm të sakrifikohej për të. Vrulli i moshës bënte t’i merrte me lehtësi shumë gjëra. Ndonjë fjalë e papeshuar mirë e bënte të shkëmbente ndonjë fjalë të tepërt me rojet e burgut. Ishte i gatshëm të ballafaqohej me ta kur bëhej fjalë për t’i ardhur në ndihmë ndonjë shoku që futej në birucë sepse nuk kishte realizuar normën, ishte një shembull solidariteti me ata që kishin nevojë. Ishte një i ri i thjeshtë, pa ndonjë horizont kulturor të gjërë, pak i ngathët në lëvizje, të kujtonte “malsorin” e Migjenit, atë copë shkëmbi mbi dy këmbë të drejta.
U zgjata pak në përshkrimin e figurës së këtij djali që, më vonë, mbas katër vitesh, u dënua me vdekje si “terrorist” në Qafë Bari. Kam punuar tre muaj me të dhe mund të ve dorën në zjarr se ai djalosh nuk ishte në gjëndje t’i bënte keq as edhe një mize. Nuk e di me saktësi se si përfundoi në dënimin me vdekje, por e marr me mënd se me natyrën e tij prej babaxhani ndoshta u ekspozua më shumë në revoltën e të burgosurve të Qafë Barit dhe komanda e kampit e bëri fli duke i a dorëzuar xhelatëve të Sigurimit të Shtetit, për t’i vënë etiketën e “terroristit” e për t’a çuar n’atë jetë si trofe e “vitorjes” mbi “ kundërevollucjonin” e skllevërve të diktaturës komuniste.
Deri këtu historia tragjike e djaloshit tropojas është një nga episodet e shumta e mizore të krimit komunist në Shqipëri e do t’ishte arkivuar thjesht si mijra të tjerë që nxinë jetën e shqiptarëve në gjysëm shekullin më të zi të historisë së tyre. Por mbas pothuaj njëzet vitesh të shëmbjes së diktaturës e të vendosjes së një sistemi që vetëquhet demokratik e që me fjalë synon të imitojë modelet e demokracisë liberale perëndimore, nga institucionet e këtij sistemi, çuditërisht, Sokol Sokoli nxiret nga varri e pushkatohet përsëri si “terrorist”, mbasi në tefterët e Ministrisë së Drejtësisë e në mendësinë e zyrtarëve të saj përligjet plotësisht një vendim i marrë nga një gjykatë kukull në duart e krimit të organizuar parti – sigurim. Po t’i shtojmë kësaj konsiderate faktin që Kuvendi i Shqipërisë, me një vendim historik të vitit 1992, i ka shfuqizuar të gjitha proçeset politike të periudhës së diktaturës komuniste, absurditeti i qëndrimit t’asaj Ministrie është i dukshëm e pa asnjë bazë logjike, por mund të gjejë spjegim vetëm në tezën se revoltat, në burgjet e diktaturës, ishin të paligjëshme, ishin shprehje e dhunës, e si të tilla të dënueshme. Këtu argumenti juridik, ndoshta i huazuar nga ligjet e Evropës, bie ndesh me argumentin moral e shoqëror, që i trajton ato ngjarje dhe protagonistët e tyre si heroj që nuk kursejnë asgjë për të shprehur kundërshtimin e hapur ndaj një regjimi lirivrasës.
Përgjigja që Ministria e Drejtësisë i jep familjarëve të njerëzve të dënuar me vdekje në burgjet e diktaturës për revoltë që nuk ka shkaktuar asnjë viktimë, meriton një bateri epitetesh që shkojnë nga absurditeti në vetvete tek bashkëpunimi në krim. Vetvetiu secilit prej nesh, sidomos të mbijetuarve të Spaçit, Burrelit, Qafë Barit e plot “Aushvicëve” të tjerë shqiptarë na lind pyetja: a jemi në ëndërr apo zhgjëndërr? A mos njëzet vite kalese “demokratike” nuk kanë qënë gjë tjetër veçse mbjellje iluzionesh gënjeshtare, mbi ndërtimin e një shoqërie të shkëputur nga diktatura e dogmat e saj dhe sot një vendim i Ministrisë së Drejtësisë na zgjon nga letargjia e na bën të shohim në sy ringjalljen e një të shkuare, të cilën shumkush e dënon vetëm për formë?
T’i mohohet familjes së Sokol Sokolit, apo të tjerëve në kushtet e tij, e drejta e dëmshpërblimit, e atij dëmshpërblimi qesharak e hipotetik që jep Shteti për punën e papaguar të të dënuarve të diktaturës, duke u justifikuar ky veprim me motivin e termit “terrorist”, që ka ekzistuar në vendimet e gjykatave komuniste, nuk është vetëm një përdhunim zyrtar i kujtimit të herojve të vërtetë të këtij Vendi, por edhe një poshtërim cinik e djallëzor i të gjitha viktimave të komunizmit. Në Shqipëri terroristët e vërtetë, ata që terrorin e kishin profesjon, duke e ushtruar në të gjitha nivelet e duke shkaktuar me bindje e vetëdije të plotë dhjetra mijra tragjedi shqiptarësh të pafajshëm, jo vetëm që nuk janë përgjigjur para asnjë gjyqi për krimet e tyre, por zenë poste edhe të larta në administratën e shtetit, marrin pensione të majme e bëjnë biznese të frytshme, madje jo rrallë edhe shpërblehen e dekorohen.
Duke shfletuar një fjalor të njohur të italishtes gjeta këtë përkufizim të fjalës terrorizëm : “ Metodë e luftës politike e bazuar në dhunën frikësuese ( vrasje, sabotime, atentate me dinamit etj ) të përdorura nga organizata të fshehta revolucionare.” Akt-akuzat e gjyqeve të diktaturës janë plot me shprehje të tilla të trilluara me mjeshtëri nga arkitektët e dhunës e të mashtrimit, por një i burgosur në pranga, i futur në burg vetëm e vetëm se ka dashur të largohet nga mizoria e një shteti tiran, nëse shpreh protestën në forma të ndryshme, deri në revoltë që mbetet në kuadrin e një veprimi simbolik, si pasojë e së cilës torturohet e pushkatohet me ato akuza, edhe në logjikën më të thjeshtë të një demokracie nuk mund të klasifikohet si terrorist. Ai term moralisht e ligjërisht duhet t’i vishet xhelatëve të tij, por nëse Shqipëria zyrtare ende sot, mbas njëzet vjet purgatori demokratik, vazhdon të mos e pranojë këtë vizion, provon pa mëdyshje se, në thelbin e saj, mbetet komuniste, madje enveriste, se nuk ka forca të dalë nga errësira e dogmave të së shkuarës, se pavarësisht nga demagogjia e termave “demokratike” dhe “evropiane” nuk është as njëra dhe as tjetra.
Nëse ligjet e botës demokratike sot dënojnë me forcë terrorizmin që mbjell qindra e mijra viktima në të katër anët e planetit, pa dënuar me vdekje asnjë idhtar të tij, legjislacioni ynë që mundohet të përshtasë e të huazojë atë të Evropës, në rastin tonë e njëjtëson atë me vendimet e mendësinë e ligjeve të komunizmit shqiptar. Fakti përbën një absurditet në vetvete që mund të spjegohet ose me paaftësinë për të kuptuar ndryshimet e kuadrove politikë e shoqërorë që prodhojnë ligjet në fjalë ose, në rastin më të keq, me prirjen për të ruajtur në forma të kamufluara ligjet e mendësinë e diktaturës. Ai komision Kuvendi dhe ajo Asamble, që kanë miratuar një ligj që i mohon familjarëve të të pushkatuarve të Qafë Barit të drejtën e dëmshpërblimit, mund të jenë shprehje e një forme të sofistikuar neokomunizmi, por, sigurisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet e me moralin e një demokracie.
Dua të ushqej iluzionin, se ajo përgjigje kobzezë e ndonjë funksionari apo komisioni të Ministrisë së Drejtësisë të jetë vetëm një “lajthitje” burokratike, ose fryt i ndonjë keqinterpretimi juridik të ligjit apo dispozitave. Nëse nuk është kështu, i bëj thirrje njerëzve të politikës e të institucioneve, që nëse kanë për zemër sado pak imazhin e këtij Vëndi dhe idealin e demokracisë, të veprojnë menjëherë, pa asnjë ngurim për të shfuqizuar një ligj të tillë të llahtarshëm, që është një turp për Shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Nëse nuk do të jetë kështu, nëse kjo thirrje nuk do të gjejë jehonë në tryezat e vendim marrjes, nëse familjet e të pushkatuarve nuk do të marrin atë që u takon, duhet të pranoj me keqardhje se njëzet vite iluzionesh e shpresash u shkrinë si vesa në diell e se ne, fatkeqësisht, qënkemi të dënuar të mos shohim kurrë dritën e demokracisë së vërtetë.
Dhjetor 2010
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet