Policia greke vijon operacionet për bllokimin e sasive të marijuanës që arrijnë të depërtojnë nga territori shqiptar.
Operacioni më i fundit u zhvillua mëngjesin e së martës në rrugën Janinë – Gumenicë ku u bllokua një autoveturë e mbushur me marijuanë. Policia greke tha se një 20 vjeçar nga Athina dhe një 17 vjeçar u ndaluan për transportimin e lëndës narkotike. Policia greke tha se lënda narkotike ishte e paketuar në 96 pako që peshonin gjithësejt 132 kilogram.
Departamenti i Narkotikëve të Janinës dhe Departamenti i Kufirit të Konicës, zona kufitare me Shqëpërinë kanë vlerësuar se trafikantët e drogës po përfshijnë tani edhe të miturit në transportimin e sasive të marijuanës.
Sipas ligjeve greke të miturit kanë dënime më të buta nëse arrestohen nga policia. Ata përdoren, kryesisht, sipas burimeve policore greke, si korrierë narkotikesh nga kufiri tokësor por edhe në brendësi të vendit.
Hetimet e policisë greke janë përqëndruar kohët e fundit edhe në goditjen e grupeve e të vogla të shpërndarjes së narkotikëve në qytetet në Veri të Greqisë. Edhe në këto rrjete sipas burimeve të shtypit grek të miturit kryejnë shpesh aktivitet në shpërndarjen e drogës, kundejt shpërblimeve nga trafikantët.
Aktiviteti kriminal i të miturve shihet me shqetësime dhe në territorin shqiptar. Një Raport i Sektorit të Çështjeve shoqërore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve publikuar në nëntor të vitit 2015 vlerësonte ardhjen në rritje të përfshirjes së të miturve në krime, përfshirë trafikun e lëndëve narkotike. Sipas raportit gjatë vitit 2015 ishin 15 të mitur të ndaluar për këtë aktivitet. Raporti vlerëson se në vitin 2015 u përfshinë 204 të mitur ne vepra kriminale nga 124 që ishte në vitin 2007.
Komentet