Nga njësia Nr.9 në kryeqytet, ku zhvilloi një takim me banorë të saj, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi, shpalosi planin për transportin publik falas, dhe paketën për biznesin e vogël dhe të mesëm.
Para qytetarëve, ai tregoi taksat dhe tarifat që do të hiqen apo reduktohen, ku pritet të përfitojnë mbi 41 mijë biznese.
“Masa e parë do të jetë, zero e taksës së arsimit. E dyta, taksa për tokën bujqësore do të bëhet zero për pjesën që i takon bashkisë. Taksa e fjetjes në hotel do të reduktohet me 30%. Taksa e tabelës informuese do të reduktohet po me 30%. Taksa e truallit do të reduktohet me po 30% dhe taksa mbi ndërtesën do të reduktohet me po 30%. Këto janë të gjitha masa që ndihmojnë biznesin e vogël. Kam dhe dy tarifa që do t`i ulë me 50%. 1-tarifa e pastrim gjelbërimit. 2-Taksa më korruptive që është në kryeqytet është taksa për hapësirën publike, që çdo taksidar dhe çdo tatimor i bashkisë Tiranë e bën korrupsion, do të përgjysmohet” – u shpreh Këlliçi.
Këlliçi u shpreh se lufta ndaj korrupsionit në bashkinë e Tiranës, do të rrisë të ardhurat që do të mblidhen nga taksat dhe tarifat vendore me rreth 60 milionë euro më shumë se sa aktualisht. Të gjitha këto para, sipas Belind Këlliçit do të investohen për shërbime publike për qytetarët.
“Sikur me vetëm 20% më shumë ta rris unë mbledhjen e taksave, do të thotë 60 milionë euro më shumë në Tiranë në vit. Do të thotë transport publik falas, do të thotë nja 25 shkolla të reja, do të thotë investime në rrugët e Tiranës, dhe janë qindra kredi të buta për çiftet që nuk ia dalin dot jetesës në Tiranë. Mbas 14 majit do të ketë luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Të gjitha taksat që do të mblidhe në kryeqytet, do të kthehen në shërbime për ju” – tha Këlliçi me banorët e Njësisë Nr.9. syri.net