Organizata ndërkombëtare Transparency International e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara në botë, me një kulturë të pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive dhe me institucione jo shumë të qëndrueshme për luftimin e kësaj dukurie.
Raportet ndërkombëtare flasin për Kosovën të radhitur në vendin e 103-të në shkallë botërore për nivelin e korrupsionit, duke e vendosur atë në një vijë me vendet më të korruptuara në botë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, në një raport të vitit të kaluar të Transparency International, u radhitën si vendet me nivel të lartë të korrupsionit, megjithëse me dallime në shtrirjen në tabelë.
Në bazë të një raporti të Transparency International, Kosova nuk ka shënuar përparime në krahasim me vendet e tjera dhe në shumë segmente është e ngjashme me Shqipërinë.
Artan Canhasi i Institutit Demokratik të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se për dallim nga Kosova, Shqipëria qëndron më mirë në indeksin e organizatës ndërkombëtare.
“Kosova dhe Shqipëria nuk kanë shënuar regres viteve të fundit, të njëjtën nuk mund ta themi edhe për Bosnjën dhe Maqedoninë. Kultura e pandëshkueshmërisë së elitës politike është e shprehur në Kosovë, ngjashëm si në Shqipëri. Shqipëria në ranglistën e Transparency International qëndron më mirë sesa Kosova dhe ka shënuar përparim në vitin e fundit me tre poena, duke lëvizur në vendin e 88-të, derisa Kosova gjendet në vendin e 103-të në botë”, ka theksuar Canhasi.
Sipas tij, korrupsioni i profilit të lartë po ashtu ka shtrirje të mëdha, por nuk ka asnjë rast të dënimit të zyrtarëve të lartë për veprat korruptive.
“Politikanët e nivelit më të lartë, të partive politike, janë ata të cilët udhëheqin një sistem që kontribuon në këtë drejtim të pandëshkueshmërisë së korrupsionit të profilit të lartë”, thekson Canhasi.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë përherë pjesë e deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror, por rezultatet konkrete kanë munguar.
Aktualisht, një ministër në Qeverinë e Kosovës është dorëhequr pas ngritjes së akuzave për shpërdorim detyre dhe fonde për shërim të pacientëve jashtë institucioneve publike, dhe një tjetër deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike është gjithashtu nën akuzat për afera të krimit të organizuar.
Njohës të rrethanave në Kosovë thonë se në vend është ndërtuar kultura e mosndëshkimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, pikërisht për faktin se të njëjtit kanë ndikuar mbi zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, duke pamundësuar ndërtimin e një sistemi të drejtë e profesional të drejtësisë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të pritet nga ata që janë zgjedhur përmes formave të njohura “Pronto” që ta bëjnë luftimin e korrupsionit.
“Në Kosovë ndikimi politik jo formal, por praktik, ka arritur në një kulm saqë prokurorët dhe gjyqtarët nuk janë të pavarur dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni i cili po lulëzon, duke mos u ndëshkuar asnjëherë nga këta që nuk kanë integritet, e ka krijuar këtë kulturë të pandëshukeshmërisë”, thotë Musliu.
Ai tha se Kosovës i duhet një ligj përmes së cilit do të mundësohej një proces i filtrimit në sistemin e drejtësisë dhe ka dhënë shembullin e ndihmës së “SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që në Kosovë në vitin 2009 ta përfundojnë procesin e ri-emërimit dhe emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke bërë, siç thotë, “që një pjesë të individëve të “kalbur” përbrenda sistemit të largohen”.
“Por, si duket, ende kemi probleme të kësaj natyre dhe ne si zgjidhje të vetme e shohim edhe një herë ri-emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i filtruar të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kanë integritet dhe të cilët po e ngufasin zhvillimin e sistemit të drejtësisë dhe të drejtën e qytetarëve të këtij vendi”, thotë Musliu.
Ai ka thënë se mekanizmat ndërkombëtarë duhet të krijojnë një mekanizëm për “bllokimin e atyre individëve brenda sistemit të drejtësisë që pengojnë zhvillimin e tij, dhe të veprojnë ngjashëm si me sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe vënien e sanksioneve ndaj një numri gjykatësish e prokurorësh”.
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë, megjithatë, është shndërruar në temën e zakonshme në vend, por ende asnjë rast nuk është dëshmuar të jetë trajtuar nga gjykatat.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se për 17 vite në Kosovë nuk ka gjykim të korrupsionit të nivelit të lartë.
“Gjykimet e korrupsionit bëhen me raste të vogla dhe në nëse gjyqësori raporton se kanë 30 raste apo aktgjykime dhe asnjë qytetarë nuk e dinë se kush janë ata zyrtarë, në mënyrë indirekte del se kemi të bëjmë me korrupsion të imët. Nuk duhet të neglizhohen edhe këto raste, por e dimë që për gjykimin e korrupsionit për rastet e fuqishme apo “peshqit e mëdhenj” nuk ka që nga pas lufta”, thekson Preteni për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se për tërë këto vite në Kosovë nuk kemi asnjë rast të ndonjë gjyqtari apo prokurori i cili është larguar nga puna për mos rezultate dhe efikasitet. Për të luftuar korrupsionin në Kosovë, shton Preteni, duhet të ketë presion institucional e këtë presion, siç thekson ai, duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës dhe për rezultatet e punës së tyre, në Kuvend, duhet të raportojnë edhe kryeprokurori edhe kryegjykatësit.
Sidoqoftë, kultura e pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelin e lartë vlerësohet se ka ndikuar në zhvillimin edhe ekonomik të vendit dhe në humbjen e perspektivës së të rinjve. Vetëm brenda disa muajve të vitit 2015, dhjetëra mijëra të rinj nga Kosova u larguan drejt vendeve të BE-së.
Kjo e fundit, në pothuajse të gjitha raportet e saj për Kosovën, ka nënvizuar problemin e korrupsionit dhe në veçanti funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si të dobët. (REL)
Komentet