Italia, një shtyllë e demokracisë evropiane, po përballet me një sulm të hapur ndaj lirisë së medias, dhe shënjestra kryesore duket të jetë emisioni investigativ “Report” në RAI 3. Pas publikimit të reportazhit tronditës mbi marrëveshjen e fshehtë Rama-Meloni për çështjen e emigrantëve dhe ekspozimin e lidhjeve të mundshme mes korrupsionit shqiptar dhe krimit të organizuar, gjithashtu dhe për reportazhe të tjera të cilat duket se kanë shqetësuar qeveritë në Tiranë dhe Romë, RAI ka ndërmarrë hapa që të tingëllojnë si censurë e qartë ndaj gazetarisë së lirë.
Reportazhi i “Report” shpalosi të vërteta shqetësuese jo vetëm mbi marrëveshjen për emigrantët, por edhe mbi skandalet që përfshijnë vetë strukturat qeveritare në Shqipëri. Në qendër të vëmendjes ishte emri i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit shqiptar Edi Rama, për të cilin “Report” zbuloi të dhëna ekskluzive që e lidhin atë me një grup narko-trafikantësh shqiptarë. Dokumentet e prokurorisë italiane tregojnë se Olsi Rama përdorte të njëjtën makinë me anëtarë të një karteli droge shqiptar, të dënuar tashmë për aktivitetet e tyre kriminale. Edhe pse emri i tij përmendet në hetimet fillestare, ai nuk është marrë asnjëherë në pyetje, dhe më shqetësuese, është fshirë nga dosjet gjyqësore.
Ky raportim pason një seri skandalesh që kanë dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë si një shtet të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Emisioni investigativ solli gjithashtu dëshminë e prokurorit të njohur italian Nicola Gratteri, i cili e cilësoi mafian shqiptare si një nga më të fuqishmet në Europë, falë lidhjeve të saj me struktura të korruptuara brenda vetë shtetit shqiptar.
Duket se raportime të tilla nuk i kanë pëlqyer qeverisë italiane dhe drejtuesve të rinj të RAI-t, të cilët tani po përpiqen të kontrollojnë çdo aspekt të prodhimit gazetaresk në televizioni publik. Qarkorja e fundit e firmosur nga administratori i përgjithshëm i RAI-t, Gianpaolo Rossi, që kufizon autonominë editoriale të programeve investigative, është një përpjekje e hapur për të heshtur zërat kritikë si “Report”. Të ndalosh drejtuesit e programeve nga marrja e vendimeve editoriale dhe t’i vendosësh nën mbikëqyrje të plotë nga një “strukturë editoriale e jashtme” është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë së pavarur.
Në këtë emision u trajtua në një reportazh marrëveshja Rama-Meloni, një marrëveshje që sipas “Report” ngre shumë pikëpyetje mbi transparencën dhe etikën e saj. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është akuzuar se po përdor Shqipërinë si një “depo” për emigrantët e padëshiruar në Itali, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama akuzohet se ka bërë një marrëveshje të errët për përfitime politike.
Ky reportazh tronditës u transmetua ekskluzivisht në Shqipëri nga Syri TV, duke bërë jehonë të madhe në publik dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi përfshirjen e qeverisë shqiptare në çështje të dyshimta të emigracionit dhe korrupsionit.
Kjo ndërhyrje ndaj “Report” është një precedent i rrezikshëm jo vetëm për Italinë, por edhe për lirinë e medias në përgjithësi. Qeveria Meloni dhe drejtuesit e RAI-t po e transformojnë televizionin publik nga një institucion që i shërben publikut në një vegël të kontrollit politik.
Përveç artikujve të medias italiane, burime për Syri.net pranë emisionit “Report” bëjnë me dije se kjo masë po i paraprin dokumentarëve tronditës që emisioni pritet të transmetojë në ditët në vijim. Një përpjekje e tillë për të heshtur investigimet e ardhshme tregon qartë se çështje edhe më të ndjeshme mund të dalin në dritë, duke e bërë këtë situatë edhe më shqetësuese për ata që kërkojnë lirinë dhe transparencën në media.
Publiku italian dhe ai shqiptar meritojnë të dinë të vërtetën. Heshtja e zërave kritikë dhe kontrolli mbi informacionin nuk duhet të jetë tipar i një demokracie evropiane. RAI, si një institucion publik, duhet të mbajë përgjegjësi dhe të sigurojë që liria e medias dhe e vërteta të mos bëhen viktima të presioneve politike dhe interesave të ngushta. Përndryshe, çfarë do ta dallojë atë nga propagandat shtetërore të regjimeve autoritare?/ E.S, Syri.Net
![Image](https://www.syri.net/uploads/syri.net/images/2025/January/26/auto_2488798f-79c9-4e37-a80e-b931a90aa14e1737893710.jpeg)
![Image](https://www.syri.net/uploads/syri.net/images/2025/January/26/auto_232a19f3-b50b-425f-97fb-0800d49392361737893712.jpeg)
![Image](https://www.syri.net/uploads/syri.net/images/2025/January/26/auto_54f6e6ae-b97f-4cf6-893f-f92b98a071f81737893715.jpeg)
![Image](https://www.syri.net/uploads/syri.net/images/2025/January/26/auto_3a08add7-8ba9-494b-8d5d-9450d8f2e8ee1737893717.jpeg)
![Image](https://www.syri.net/uploads/syri.net/images/2025/January/26/auto_1cb85ec9-a280-495b-8e10-55541dd0fcd41737893719.jpeg)