Shtëpi, shkolla dhe spitale u bënë rrafsh me tokën. Qytete të tëra u boshatisën.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia, që nisi tre vjet më parë, shkaktoi shkatërrime masive.
Vlerësohet se një në dhjetë shtëpi në të gjithë vendin u dëmtua ose shkatërrua.
(Qyteti lindor i Ukrainës, Bahmut, ishte vendi i një prej betejave më të përgjakshme në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. I njohur për industrinë e tij të verës së gazuar, Bahmuti ishte i banuar me 70.000 njerëz përpara pushtimit. Në maj të vitit 2023, kryetari i bashkisë së qytetit, Oleksiy Reva, tha se Bahmuti është në “rrënoja e hi”. Zyrtarët vlerësuan se rreth 500 njerëz kanë mbetur në qytet.)
Hulumtuesit e të drejtave të njeriut thonë se 576 objekte arsimore në Ukrainë u dëmtuan ose u shkatërruan në vitin 2024, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin paraprak.
Organizata ndërkombëtare joqeveritare, Save the Children, tha muajin e kaluar se mijëra fëmijë në Ukrainë mësojnë online ose në klasa nëntokësore.
“Bombardimi i objekteve arsimore në Ukrainë është kundër ligjit ndërkombëtar humanitar dhe është absolutisht i papranueshëm. Sulmet duhet të ndalen menjëherë”, tha në janar Sonia Khush, drejtoreshë e organizatës në Ukrainë.
(Shkolla nr. 66 në Mariupol – qytet port në brigjet e Detit Azov në Ukrainën lindore – u rinovua në vitin 2018 dhe u përshkrua si objekti më modern arsimor i qytetit. Shkolla u bombardua më 10 mars, 2022. Shkatërrimi i saj mbetet i dukshëm.)
Një raport i përbashkët i Bankës Botërore, Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Evropian, i publikuar në shkurt të vitit 2024, vlerësoi se kostoja e rindërtimit të Ukrainës kap vlerën e 486 miliardë dollarëve.
(Qyteti lindor i Ukrainës, Marjinka, kishte një popullsi prej rreth 9.000 banorësh para pushtimit rus, në shkurt të vitit 2022. Në nëntor të atij viti, qyteti ishte i pabanuar, pasi u shkatërrua pothuajse plotësisht. Ai mbetet i pabanuar edhe sot e kësaj dite.)
Zëvendëskryeministri ukrainas, Oleksiy Chernyshov, tha këtë muaj se Ukraina duhet ta dyfishojë bruto prodhimin e brendshëm, për t’iu rindërtuar. Në postimin e tij në Facebook, Chernyshov tha se në nivelin aktual të produktivitetit, Ukrainës i mungojnë deri në 4.5 milionë punëtorë.
(Qyteti i minierës së kripës, Soledar, në Ukrainën lindore ishte vend i luftimeve intensive që nga nisja e pushtimit të plotë rus. Shumica e infrastrukturës së tij u shkatërrua.)
Një sondazh i kryer në pranverë të vitit 2024 zbuloi se shumë njerëz në Irpin, pranë Kievit, dhe në qytetin juglindor të Harkivit i rindërtuan shtëpitë me fondet e veta.
Rreth një e treta e banorëve të Harkivit u intervistuan për këtë sondazh dhe gjysma e atyre në Irpin thanë se aplikuan për ndihmë në kuadër të programit eRecovery të Qeverisë ukrainase. Por, më shumë se 70 për qind e atyre që i shpenzuan paratë e veta, thanë se nuk besojnë se këto fonde do t’u rimbursohen.
(Disa nga luftimet dhe shkatërrimet më të mëdha në qytetin lindor të Ukrainës, Rubizhne, ndodhën në mars të vitit 2022. Qyteti mbeti nën pushtimin rus që nga maji i atij viti.)
Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, Qeverisë së Ukrainës, Komisionit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, të bërë në dhjetor të vitit 2024, më shumë se një në dhjetë shtëpi në Ukrainë ishte dëmtuar ose shkatërruar plotësisht që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.
(Severodonjecku në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, ishte në shënjestër të bombardimeve të vazhdueshme ruse në vitin 2022. Forcat ruse u dëbuan për një kohë të shkurtër nga qyteti në qershor të atij viti, por më vonë ato e rimorën qytetin.)
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një intervistë këtë muaj se Shtetet e Bashkuara duan të kenë rol në pavarësinë afatgjate të Ukrainës, duke investuar në ekonominë e saj – përfshirë edhe në sipërmarrje të mundshme të përbashkëta për të drejtat e mineraleve të Ukrainës.
Rubio tha se kjo do ta ndihmonte Uashingtonin t’i kompensonte miliarda dollarët që shpenzoi në Ukrainë dhe se një pjesë e tyre “do të investoheshin sërish në Ukrainë, për të rindërtuar gjithë shkatërrimin që ka ndodhur atje”.
(Dikur i banuar me 14.000 njerëz, Orihivi në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhja, ishte qytet i vijës së parë të frontit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Raportet thonë se aty kanë mbetur tani vetëm disa qindra njerëz.)