Trajneri i përfaqësueses së BeH-së Mehmet Bazhdareviç para nisjes tha se ndeshjet miqësore janë gjithmonë miqësore por shumë të rëndësishme në aspekt të lojës së re
SARAJEVË – Futbollistët e përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) sot nga aeroporti i Sarajevës udhëtojnë në Shqipëri ku të martën do të luajnë ndeshjen miqësore me kombëtaren e këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja miqësore me kombëtaren e Shqipërisë do të luhet më 28 mars në Elbasan, tre ditë pas ndeshjes kundër Gjibraltarit në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Botëror “Rusi 2018” të cilën të përzgjedhurit e Mehmed Bazhdareviç e fituan me rezultatin 5:0.
Trajneri i përfaqësueses së BeH-së Mehmet Bazhdareviç para nisjes tha se ndeshjet miqësore gjithmonë janë miqësore por shumë të rëndësishme në aspekt të lojës së re dhe ofrimin e mundësive për lojtarët me minutazhë më të vogël nga ndeshjet e kaluara.
Siç ka thënë, ende nuk ka vendosur cilit do ti ofrojë mundësi në ndeshjen me Shqipërinë, por kur bëhet fjalë për lëndimet konfirmoi se janë Edi Vishça, Ermin Biçakçiç, Avdija Vërshajeviç janë në pikëpyetje.
Në pyetjen se si e sheh kombëtaren e Shqipërisë, pjesëmarrësen e Kampionatit Evropian vitin e kaluar në Francë, Bazhdareviç tha se bëhet fjalë për një kombëtare të mirë me lojtarë cilësorë.
“Kjo ngjan në atë që ne na pret në qershor. Për ne është me rëndësi të luajmë ndeshje serioze dhe të tregojmë edhe një herë se kemi edhe disa gjëra të reja dhe lojtarë të rinj për atë që ne na pret në ndeshjet e ardhshme kualifikuese. Pres lojë të mirë. Nuk shkojmë të presim humbje por diç pozitive”, tha Bazhdareviç.
Ai gjithashtu komentoi edhe ndeshjen e mbrëmshme kundër Gjibraltarit, e cila, tha ai, mund të ishte më serioze dhe agresive, por në fund më të rëndësishme janë tre pikët.
“Sa i përket këtij grupi vërejmë se gjërat komplikohen, ndoshta edhe në kuptimin pozitiv, të gjithë mbeten në lojë për vendin e parë dhe të dytë, që neve na gëzon. Tani patjetër duhet të kemi fuqi dhe njohuri por edhe pak fat siç kishin grekët mbrëmë. Çdo gjë është në duart tona, ashtu që duhet patjetër të jemi të përgatitur për atë që na pret në ndeshjet e ardhshme kualifikuese, ta bëjmë atë në mënyrën më të mirë”, tha trajneri i BeH-së, Bazhdareviç.
Portieri i BeH-së, Asmir Begoviç tha se me Shqipërinë pret lojë të mirë, ndërsa theksoi se në ndeshje të tilla më e rëndësishme është që të punojë në cilësinë dhe strukturën e lojës.
“Ne duam një rezultat të mirë. Loja e mirë është me rëndësi që ne të përgatitemi për ndeshjen me Greqinë ashtu siç duhet”, tha Begoviç.
Komentet