Një shënim i shkruar para 12 vjetësh, atëherë kur Ornela kishte nostalgjinë e madhe për vendin e saj dhe përçartjen cfilitëse të një të kaluare të dhimbshme… Por ndodh që përçartjet vazhdojnë…
Të përshkosh me biçikletë mes për mes Parisin në kohë të bukur është e këndëshme, por jo në kohë me erë dhe kur piklon. Duhet të kaloj buzë Senës, të lë anash Musée d’Orsay dhe Louvre, të zbres bregun krah Conciergèrie apo ish burgut të kohës së Revolucionit Francez dhe pastaj të arrij deri në «Arts et Metiers» dhe të lë biçikletën në një trotuar për t’ju ngjitur apartamentit të Ornela Vorpsit. Janë shkallë të drunjta që të shkasin nën këmbë gjer në katin e pestë ku çuditërisht portreti i Majakovskit i ngjitur në portë nuk të pret si zakonisht me atë vështrimin e tij, sikur të të thoshte se « këtu flitet për poezi revolucionare që tenton të trazojë shpirtërat ». Siç duket, ustallarët që kanë punuar para disa ditëve nuk e kanë duruar vështrimin e drejtpërdrejtë dhe zhbirues të tij dhe e kanë hequr atë, vështrim që për Ornelën duhej të ishte ajo e njeriut në krizën midis lirisë së artistit dhe disiplinës së dhunëshme të Revolucionit apo pushtetit. Megjithatë, kur hyn në atë portë, një tjetër Majakovski të pret, atje në rradhët e para të librave të bibliotekës së sallonit, ku ai është bashkë me të dashurën e tij Lili Brink.
Ornela Vorpsi është një mikeshë që 20 vjetët në Perëndim nuk ia kanë prishur sinqeritetin gati « naiv » që mbart gjithnjë njeriu i mirë. Them «naiv» në sensin e mirë të thelbit të kësaj fjale që nënkupton pastërti shpirtërore. Gazetari francez François Xavier, duke shkruar për librin e saj të fundit “Pini kakao Van Hauten” (“Buvez du cacao Van Hauten”) të botuar nga «Actes Sud », kishte zbuluar një nga shfaqjet e këtij personazhi që s’ka pak kohë që ka hyrë në botën letrare : « Zbarkuar me një vështrim të ri në pasqyrën kapitaliste, Ornela Vorpsi habitet që një çantë « Louis Vuiton », pa markën e shënuar në vetvete, mbetet një çantë tepër e shëmtuar dhe pa interes », pasi ajo «nuk e sheh vlerën të fshehur pas një marke dhe refuzon të shohë botën përmes shpirtit tregëtar ». Ornela Vorpsi e pikturon kopshtin e njerëzimit, – vazhdon ai, – në sajë të poezisë. Vëndi i bukurisë në shqoërinë bashkëkohore, kërkimi i saj empirik dhe i përjetshëm përshkon faqet e këtij libri në lojën e madhe të deziluzionit ».
Në sallonin e Vorpsit ndjehesh gjithnjë në dekorin e artit, jo thjesht pse kur porta mbyllet syri yt pikas nje riprodhim të madh të piktorit aq të njohur Magritte me një « nu » sa klasike aq dhe moderne ; jo pse një lloj « afresku » mbi mur i pikturuar nga Ornela të sjell imazhe të Paolo Ucello-s 600 vjet më parë ; jo vetëm për librat e shumtë estetikë e filozofikë bashkëkohorë ku ajo pikëtakon Bataille, De Beauvoir, Mishima, por veçanërisht në dialogun që vendoset me të, dialog që përcaktohet në shkallë të një interesi shpirtëror. E sigurisht, kur janë dy shqiptarë, kuptohet që paraprin nostalgjia për origjinën dhe krijimtaria që buron prej saj. Si gjithnjë në dialog do të jetë Shqipëria, që siç thotë ajo, «e dua nga larg ». Ajo e do edhe pse nuk ka ardhur shpesh në lagjen e saj të vjetër tiranase që i ka mbetur si një tabllo e pashlyeshme, një afresk i « inkastruar » dhe i pashqitur në trurin e asaj vajze adoleshente që do të merrte udhët e Perëndimit. Eshtë pra rrethi genetik ku ngado që të vërtitesh, në cilindo skaj të botës, ajo që është në Shqipëri, edhe pse e dhimbshme, ka mbetur më humane, ku dashuria njerëzore jepej shumë thjesht, pa para, pasi kujtimi i gjyshes apo «ijes» siç përshkruan ajo, një nga personazhet e dashura të saj, nuk është trill romanesk por personazh si ato që shkruan Garcia Markez, pasi edhe pse larg «realizmit magjik» Ornela, pa e kuptuar, është duke shkuar në një mënyrë moderne drejt saj, madje duke goditur fort, për më tepër ashpër, siç do të thoshte dikush. Ja pse Xavier, në “Liberation” (Littéraire) do të shtonte rreth saj se «Plot magji e të papritura, ky libër shumëplanësh çpon si një yshtë në zemrat e njerëzve, pasi ai ngre valën e mrekullueshme që flë tek ta». Përse kjo yshtë? Vallë pse siç thotë ajo «çka jetova në Shqipëri ka shijen e një ëndre të keqe» apo ngjizja e saj me atë që është e pandryshueshme dhe që mbetet atje sa e dhimbëshme aq dhe domethënëse : vite ku njeriu pikëtakon pranverën dhe botën efemere që do të jetojë për ca kohë… Nevoja për të shkruar duket tek ajo si një nevojë ekzistenciale, gati frojdiane, pasi është shkrimi i një ekzorcizmi që duhet nxjerrë, i një makthi të përjetuar në vite : një baba në burg, një nënë e detyruar të ndahet dhe të jetojë e « klasifikuar » nga shoqëria (për më tepër kur je dhe e bukur e sensuale), nën peshën e vështrimeve hakërruese të një shoqërie të trembur dhe të kastruar sensualisht nga forca brutale e një shteti totalitar…
Ornela Vorpsi, është e drejtpërdrejtë në bisedë, gjithnjë e hijshme, si në një tabllo të hershme të Modiglianit, çka më kujton tani kënaqësinë e Jusuf Vrionit kur bisedonte me të. Aq më tepër, që pas kurrizit të saj, varur në mur është një gravurë e vjetër, e blerë nga ajo tek një antikuar s’dihet ku dhe ku duken ëngjëj të shpëtuar nga kushedi ç’ferr. – Ç’është kjo tabllo e bukur ? – i them kurioz. – “Rënia e ëngjëjve” ! ( “La chute des Anges”) – më përgjigjet ajo, duke përtypur bajame dhe rrufitur një çaj, si zakonisht. Ajo sapo është kthyer nga Gjeneva ku kishte takuar një botues të njohur si dhe një mikeshë galeriste, Barbara Polla e galerisë « Analix Forever». Eshtë e gëzuar dhe e mbushur në vetvete, por gjithnjë modeste. Po, modeste si në bisedën që kishte patur me Patrick Poivre d’Arvor, në emisionin « Vol de nuit » që s’është pak për një shkrimtar nga Ballkani.
– Para disa kohësh, – më thotë ajo, – botimet « Take Five Éditions » në Gjenevë më kërkuan një shkrim të gjatë për një botim tepër të veçantë dhe ku libri vërtet është një vepër arti më vete, pasi ai nuk është si librat e tjerë që botohen zakonisht, por me një koncept modern, ku bashkohen teksti me krijimin e një plasticieni dhe grafisti dhe ku libri kthehet vetë në një krijim artistik. Kështu lindi dhe libri im më i fundit « Vetri Rosa » apo « Xhamat roze» që e shkrova në italisht.
Më 2006, Xhamat roze, kjo « lamtumirë e pafajësisë dhe pikëtakim i dashurisë dhe i vdekjes » apo « zbulim i vërtetë i Jetës », do të jetë vërtet një botim krejt i veçantë për botën e letrave shqiptare, pasi ky libër do të botohet vetëm 50 ekzemplarë, dhe ku autorët kanë të drejtë të kenë vetëm 1 ekzemplar, pasi ai është tepër i kushtueshëm : 3000 euro një libër. Të duket marramëndëse një shumë e tillë, por është vlera e tekstit të Vorpsit që ngjizet me dizajnin e të famshmit Philippe Cramer, grafizmin e Philippe Millot dhe fotot e Mat Collishaw, libër ky që shkon në koleksionet e njohura të muzeumeve më të mëdha në botë si « The Whitney Museum of American Art » e New York, « The New York Public Library », « The National Museum of Women in the Arts », në Washington, « Maison Européene de la Photographie » e Parisit, « Museo nacional » e Madridit, etj.
– Do të jetë vërtet një botim i rrallë, një libër i botuar njëkohësisht në gjuhët anglisht, frëngjisht dhe italisht, me një dru të çmueshëm ku janë ngjitur kristale të Swarovskit dhe në fleta prej një lënde të veçantë. Pas përurimit të tij më 16 mars të këtij viti, vetëm gjashtë muaj më vonë do të botohet në italisht nga botuesja italiane e « Nottetempo », Ginevra Bompiani, e bija e të famshmit Valentino Bompianit.
Ornela Vorpsi sot ka në vetvete diçka tjetër të gëzueshme që ajo e mban të fshehur brënda saj, pa dashur ta shfaqë, edhe pse unë kam dëshirë të flas rreth kësaj : çmimi i fundit me të cilin ajo është nderuar në Itali, « Grinzane Cavour ». – Një çmim vërtet i rëndësishëm, – i them Ornelës, – kur mendon se shumë nobelistë kanë kaluar nga ky çmim, si José Samarago, Nadine Gordimer, Wole Soynika, Gunter Grass, Bohumil Hrabal…
I krijuar që në vitin 1982, çmimi « Grinzane Cavour » (i kthyer tashmë dhe në një Fondacion të fuqishëm kulturor në Itali) ka rilevuar talentet që botoheshin në Itali nga e gjithë bota. Ismail Kadare u nderua me këtë çmim për botimin e romaneve të tij në gjuhën italiane, por krahas tij janë nderuar dhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj si Julien Green, Carlos Fuentes, Oe Kenzaburo, Czeslaw Milosz, etj. Ishte pikërisht letërsia që shkroi Ornela drejtpërdrejt në italisht dhe eksperienca e përjetimit në këtë gjuhë, që solli tek lexuesit italianë një letërsi të një lloji tjetër, të parë me sytë e një fëmije apo adoleshente që përjetonte vitet absurde të një shteti totalitar. « Vëndi ku nuk vdiset kurrë » apo « Il paese dove non si muore mai » (në frëngjisht Le pays où on meurt jamais, u botua së pari në Francë nga «Actes Sud » dhe pastaj nga « Enaudi » në italisht. Siç do të shkruante dhe një nga anëtarët e jurisë së këtij çmimi atipik në botën e çmimeve letrare, për edicionin XXV, kroati Pedrag Matvejevitch, shkrimtar, historian dhe estet, (krahas tij në juri janë dhe shkrimtarët e njohur Tahar Ben Jellou, Bjorn Larson, Luis Sepulveda, etj) : « Ajo i përket jo një vëndi, por fatit të atij vëndi që duhej të përjetonte. Ndonjëherë shkrimtarët që nuk shkruajnë në gjuhën amëtare, i sjellin idiomës së gjuhës tjetër një freski të jashtëzakonëshme metaforike dhe stilistike ».
Ornela është e ndërgjegjëshme për këtë. Asaj i pëlqen ta skalisë fjalën, edhe pse nuk është gjuha e saj amëtare.
– Vite më parë ke qenë një « outsider » i botës shqiptare, – i them. – Letërsia, ndryshe nga fotografia po bën atë që ju të hyni në këtë botë disi ndryshe, pa dashur të ballafaqoheni drejt për drejt me lexuesin apo kolegët tuaj, pa dashur të thuash « ja ku jam », por duke hedhur një urë ajrore për të mos ndjerë pasazhin e ftohtë të vijës kufitare në Rinas, apo ndarjen e vjetër me vendin ku të mbyti veç dhimbja. Megjithatë, duket se është falë kësaj bote që ti ke hapur një faqe të re të romanit shqiptar. Ndoshta duhet të kesh pësuar që të tregosh diçka. Çfarë ju jep ende bota shqiptare me gjithë traumën dhe ngazëllimin e vet dhe çfarë mbetet ende tek ty ? Për sa kohë ?…
– Nuk mund te them që një shkrimtar është ose bëhet shkrimtar sepse ka jetuar diçka wordpress shumë të fortë, sepse atëhere shumica e shqiptarëve, të burgosurve politikë apo të kriminelëve që kanë vrarë, (flas për njerëz që kanë jetuar ekstreme), atëhere gjithë këta individë me këtë material jete të jashtëzakonshëm duhen të ishin Dostojevskij, Thomas Bernard ose Yukio Mishima. Eshtë një e vërtetë që kam një histori personale, por pak a shumë si të gjithë. Bota shqiptare më ka rritur, ndjehem thellësisht shqiptare, ndaj dhe peisazhi ku vendosen perzonazhet e mi është akoma Shqipëria. Kam një keqardhje për Shqipërinë e sotme që bën mundime drejt rrugës së zhvillimit : keqardhja është se njerëzit e zgjuar, të shkolluar në pikat kyçe të këtij vëndi vuajnë akoma nga një mentalitet i mbyllur klanik i shijes së një kohe të vjetër. Kjo ngadalëson rrugën tonë dhe na dënon të jemi akoma në mes të pluhurit.
Ornela Vorpsi padyshim ka një stil origjinal që është nënvizuar në shumë artikuj kritikë si Corriere della sera, La Republica, L’Espresso, Nouvel Observateur apo revistat e tjera Elle, Vogue, etj, një stil ku gjithshka është e qëmtuar dhe me një simbolikë mjaft moderne. Nga libri në libër, duke i qëndruar besnike frymës dhe filozofisë së saj, pra të njëjtës optikë të vështrimit të botës, ajo na tregon gjëra të thjeshta në dukje, ku nuk ka as luftë, as tragjedira të mëdha, as heronj që vdesin në mënyrë martire apo legjendare. Jo, jeta na shfaqet lakuriq, si në një “nudo” të saj që ka mbetur ende rozë ose në gamën e ngjyrave të së kuqes, pasi pikërisht kjo ngjyrë e ka hipnotizuar që në fëmijëri. Imagjinoni një të kuqe të fortë që ju verbon sapo hapni sytë, nga shalli i pionerit tek banderolat e 1 majit dhe mbulesat e tribunave, apo fotografitë e udhëheqësve të “botës së re”…
– Ornela, Vëndi ku nuk vdes kurrë, Pini kakao Van Houten, Xhamat roze, Të udhëtosh… Në letërsinë tënde është interesant fakti se ndryshe nga shkrimtarë të tjerë, që ndjekin evolucionin e një personazhi apo ngjarje, duke ndjekur shkrimin tënd, linjën dhe tingullin e fjalës, ndjehesh çuditërisht si përballë një kaleidoskopi, ku imazhet, tablotë, shpirtrat, plotësojnë gradualisht njëri tjetrin, krijojnë një harmoni, një kolektiv njerëzor, një dialog shumë-zërash si në koret e vjetra, që dëshmojnë në mënyrë origjinale dhe haptas rrëfime nga jeta jonë e përditëshme. Të ngjan kështu se ky lloj kaleidoskopi nuk është i atyre ngjyrave të ëmblave verbuese, por është një kaleidoskop maramendës në atë çka ndodhur dhe përsenë e tyre…
– Do të doja që kaleidoskopi im t’i ngjante ngjyrave të jetës, – më përgjigjet ajo, – dhe nuk di nëse mund të ketë ngjyra më interesante. Ndoshta nuk janë gjithmonë të ëmbla dhe verbuese, nuk shkruaj si Paulo Coelho apo të tjerë. Nuk shes endrra. Kam dëshirë të takohem me lexuesin në toka të tjera.
« Tokat » e tjera të Vorpsit janë padyshim territoret e shpirtit, pasi shpirti njerëzor është i ngjashëm si në Shqipëri dhe në skajin tjeter e të fundmë të botës. Gjërat dhe fatet në këtë botë janë universale, pasi ajo që ka ndodhur në mjedisin ku ka jetuar ajo, ajo që ka ndodhur në Shqipëri, në fund të fundit ka ndodhur dhe në njerëz që kanë banuar kufij dhe kohra të tjera.
– Pini kakao Van Hauten është një nga idetë qëndrore të librit tënd ku brënda ndihet një protestë e thellë dhe e dhimbëshme që s’mund të godiste në mënyrë më madhore se sa përmes figurës se blerjes gjer dhe shpirtit njerëzor…Na ngjan sikur kështu, në portat tona, pas një rrugëtimi të gjatë, troket dhe hyn vrullthi një Mefistofel modern i metafizikës së shpirtrave. Vallë letërsia a mund ta bëjë më të hidhur sot « kakaon Van Houten » ?
– Kisha dëshirë të “ritregoja” në mënyrën time shpirtin e komplikuar dhe kontradikor të njeriut, – flet shtruar Ornela, duke përkëdhelur Popin, macen e saj që hidhet mbi tavolinë si të dojë të bashkohet në atë diskutim letrar, mbi njeriun dhe artin. – Dhe meqë njeriu është pasioni im, këtij libri i kushtova këtë titull, titull që tregon thellë luftën në shpirtin njerëzor. Letërsia mund vetëm ta ëmbëlsojë pak “kakaon Van Houten” dhe të gdhendë pak më bukur mendimin dhe zemrën. Për mua “shpëtimi” i njerëzimit apo dalja nga një ferr si ajo e kombit tonë mund të jetë e mundur vetëm në sajë të të edukuarit dhe të kulturuarit. “Range-Rover”- et, “mercedeset” dhe parat e pista s’do na nxjerrin nga balta.
Ornela lexon shumë dhe veçanërisht estetikë, filozofi, kritikë arti dhe fate artistësh. Libri më i fundit që po lexon është Jeta intime e filozofëve (La vie intime des philosophes), e autorit francez Pierre Rifard, ku filozofët, ashtu si dhe artistët, kanë një jetë që del nga e jashtëzakonëshme, pikërisht nga pikëtakimi me njeriun dhe fatin njerëzor, me lirinë dhe krijimin, me dhunimin e lirisë dhe ngazëllimin e proçesit krijues dhe të mendimit.
– Historikisht, historia njerëzore, është bërë nga individë dhe jo nga masat siç kemi mësuar nga librat tona të shkollës, – i them Ornelës, – pra është bërë së pari nga idhujt shpirtërore e iluministë si profetët e Torah, Biblës apo Kuranit e më pas nga shtetarë, ideologë dhe zotërues të pushtetit. Ndryshe ka ndodhur me letrarët, artistët dhe filozofët, të cilët mjerisht, bota, edhe pse është joshur e entusiazmuar me ta, nuk i ka ndjekur, madje më se shumti i ka përndjekur. Artisti ka vuajtur më shumë shpirtërisht se sa ai që ka patur pushtetin apo ai që e ka pësuar atë. Një mijëvjeçar i ri ka nisur tashmë dhe nuk dimë në se kjo do ti sjellë letërsisë dhe artit shanse për të ndryshuar botën? Ç’rol mund të luante letërsia?
– Nëse njeriu ndalet tek letërsia apo artet, roli i tyre është definitif në formimin e tij. Të paktën kështu ka qënë në rastin tim. E thashë dhe pak më lart: për mua «shpëtimi i njerëzimit» është edukata e vetvetes. Por kjo është e mundur nëse njeriu i jep një shpresë letërsisë apo artit…
Ornela hesht një çast të gjatë. Ndoshta heziton në atë që i thotë shpirti dhe ajo çka ndodh realisht. Kërkoj ta thyej heshtjen dhe ta pyes për proçesin e saj krijues.
– Gjatë proçesit tënd krijues, është imazhi apo mendimi (fjala) ai që paraprin ?… Cila është vlera e imazhit dhe cila e fjalës ? Si arrihet kjo alkimi e vështirë dhe pasionante ?
– Eshtë mendimi që paraprin dhe ndoshta akoma më herët është procesi i të ndjerit që paraprin, procesi i njohjes, i perceptimit. Alkimia është organike si edhe alkimia kur një fytyrë e bukur të pëlqen dhe kur dëshira të ngren krahun e dora bëhet e ëmbël dhe përkëdhel faqen e bukur. Vetëm që në shkrim mbas të shprehurit «organikisht» d.m.th dëshirës për të treguar diçka, prapa vjen një punë e madhe për të kontrolluar «pasionin», për të vështruar nëse ky i fundit s’ka bërë shumë dëme. Duhet situr shkrimi me një filtër më të «ftohtë» për «tu parë» më mirë me qartë. Duhet «écrire» (shkruar), pastruar, gdhëndur…
Mbi tavolinë zgjas dorën dhe hap dorëshkrimin e fundit të saj « Si viaggiare » që do të botohet nga «Actes Sud» më 2007, apo Të udhëtosh nëse do mund ta përkthenim në një mënyrë tepër të thjeshtëzuar. Dhe habitesh që në çdo rresht, lapsi i saj ka shuar dhe vendosur një fjalë apo një frazë tjetër, një proçes që ka të bëjë me laboratorin e saj krijues. Fjala, gjithnjë fjala, edhe pse ajo nuk është e shkëputur asnjëherë nga imazhi, fotografia apo pasioni i kinemasë për të parë një Bergman, një Pasolini apo Felini. « Ky libër është një udhëtim në sensin e kujtimeve dhe të refleksioneve, një udhëtim që fillon dhe mbaron në Sarajevë, po ku brënda hyjnë dhe ngjarje e histori që lidhen me Italinë, Shqipërinë, Francën, Ballkanin…
– Po fotografia? – e pyes Ornelën, duke hedhur vështrimin në një nga fotografitë e mëdha, në tone rozë, të varur në mur.
– Hë për hë po merrem me letërsinë. Eshtë e pamundur ti bëj të dyja. Arti kërkon energji dhe përkushtim…
Kuptohet, që ajo e ka ulur një moment aparatin nga dora për të shijuar aventurën e të shkruarit, edhe pse mua më pëlqen që kjo të rikthehet në vazhdimin e një libri të dytë me fotografi, siç i u botua nga botimet zvicerane «Scalo» para disa vitesh Nothing Obvious, ku për herë të parë një fotograf shqiptar i një niveli europian botohej në Perëndim. Dhe kjo jo se ishte vajza e bukur Ornela Vorpsi, por se ishte arti i Vorpsit dhe drithma që sillte ajo përmes «dhomës së errët» ku ngjizej magjia e një arti të mirëfilltë dhe autentik. A nuk jemi habitur me «nudot rozë» dhe deshifrimin e trupit njerëzor? Alfabeti i trupit… a nuk ekziston një i tillë, siç e kemi parë në magjinë e vet tek koreografia e një artisti të mbetur genetikisht shqiptar si Angjelin Prejocaj? « Në punën time fotografike jam përpjekur gjithnjë të krijoj nuditetin e trupit femëror, një raport që vendoset përtej sensualitetit të trupit dhe që heton mbi veprimin e kohës mbi të. Ky proçes i prishjes së trupit, lufta që bën njeriu gjen shprehje të veçanta tek Mishima, dhe ja pse ndjehem e afërt me të.
Në sajë të një disipline të hekurt Mishima deshte ta zotëronte këtë proçes evolucioni të trupit që të ishte i denjë për shpirtin dhe mendimin që kishte. Mishima në fakt ishte tronditur nga bukuria e Shën Sebastianit të Guido Reni-t…»
Nudot e kuqe të Ornelës i kemi parë në sallonet e «Galerie 213» të Parisit të prezantuar nga galeristja Marion de Beaupré. Nudo të deformuara diku enkas, si në një «nu» të Bacon, deformuar nga një presion i jashtëm apo një ngërç i brëndshëm shpirtëror. Vallë erotikë në kufijtë e dhimbjes. Përse?…
Ndërkohë që bisedës sonë i ka ardhur fundi, është Davide, burri i saj që vjen. Një italian simpatik, me një mirësi që i shprehet menjëherë në fytyrë. Jeta e tyre në Paris është e këndëshme, edhe pse larg lluksit dhe shkëlqimeve që ajo vetë nuk i ka dëshiruar ndonjëherë. Bota e saj është gjithnjë diku, në oborrin e një arti të vërtetë dhe të ndjerë, pavarësisht nëse gjëndet në Paris, Tiranë, Milano, Londër, apo diku gjetkë në Ballkan, pasi bota e saj është libri, fotografia, arti, deshifrimi i pulsimit njerëzor, në njeriun e ngazëllyer apo të zhgënyer, të trishtë apo në ankthin e asaj që do të vijë nesër…Një e nesërme që për Ornelën, si dhe për të tjerë, sjell diçka. Ajo nuk mund të jetë një trajektore në boshllëk, pa pikëtakime, apo shkallë që ngjiten. Ajo është një trajektore që e pikëtakojmë gjithnjë e më shumë, kur prezantohen titujt e rinj të saj në libraritë e njohura “Cahiers de Colette” apo në “Ecume des Pages” në Saint-Germain de Près të Parisit, një trajektore ngazëlluese për ne, por që përshkon shpirtra të shumë njerëzve dhe të shumë popujve…
Komentet