Babai, dy djemtë e tij, 19 e 14 vjeç dhe nipi 20 vjeç kanë dashur të ndihmojnë njëri-tjetrin, por nuk kanë mundur t’ia dalin. Tërheqja ka qenë më e fortë dhe të katërt janë mbytur.
Shefi i zjarrfikëses së Gramshit, Ilir Llapushi zbulon se çfarë mund të ketë ndodhur pasditen e 21 korrikut 2023 në liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë të Gramshit, me Arben Zogun, 46 vjeç, Rubensin 19 vjeç dhe Estin e vogël 14 vjeç si dhe nipin e tij Melsi Zogu, 20-vjeç..
“Kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është mbytur i pari, ka shkuar tjetri për ta ndihmuar, dhe më pas tjetri dhe më pas djali tjetër. Nuk kanë ditur not”.
Liqeni i HEC-it të Banjës karakterizohet nga gropa, për të cilat duket se asnjë nga viktimat nuk ka qenë në dijeni.
“Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e bërjes së HEC=it të Banjës. Kanë marrë dhe për HEC-in. Kur janë futur për t’u larë, nuk kanë ditur gjë për gropat dhe kanë tërhequr njëri tjetrin”.
Liqeni i HEC të Banjës nuk frekuentohet për të bërë plazh dhe për shefin e zjarrfikëses kjo tragjedi është e papritur.
“Në këtë liqen nuk lahet njeri. Këtu nuk është plazh. Ata nuk e di mbase kanë ardhur për peshk, nuk e di. Ne patrullojmë vazhdimisht këtu dhe këtu nuk lahet njeri. Edhe dje ishim. Patrullojmë liqenin me gomone, por fatkeqësisht sot nuk erdhëm”, tregon më tej .
Ai ka një apel për të gjithë, kujdes nëse nuk dini not. “Një që nuk di not, nuk duhet të futet në liqen sepse është shumë e rrezikshme”.
Policia u njoftua rreth orës 19:00 nga familjarët për zhdukjen e tyre, ndërsa vonë u arrit nxjerrja e trupave të pajetë nga liqeni. Polumbarëve të RENEA-s u janë dashur rreth 90 minuta kërkime për të gjetur trupat e pajetë të babait, dy djemve të tij dhe nipit 20 vjeçar.