Sokol, Shpresa dhe Teme Sejko
Intervistoi Afrim Imaj
Teme Sejko u pushkatua […] Po kështu është pushkatuar edhe Taho Sejko, eshtrat e të cilit nuk dihet ku janë. Tragjedia e familjes Sejko vazhdoi pafundi: Sulo Sejko, vëllai i Temes […] u ndoq e u persekutua nga Sigurimi i Shtetit dhe u gjend i vdekur në thellësitë e një pusi. Sakaq, djali i vogël i Teme Sejkos, Sokoli, ish-punëtor i Kombinatit të Tekstileve në Berat, u pushkatua me akuzën për sabotim të pronës socialiste në moshën 23-vjeçare. E ëma, Shpresa, një ditë teksa po i shpinte bukë të birit në burg, u përball me policin e shërbimit, i cili i tha aty për aty: “Merre me vete çfarë ke sjellë, se Sokoli nuk është gjallë, hëngri gjysmën e lekut dhe iku në atë botë”. Më vonë, Shpresa, një grua fisnike nga Korça, nuk i përballoi dot tragjeditë dhe u hodh nga kati i katërt i shtëpisë, duke i dhënë fund jetës në mënyrë makabre. Rajmondi, djali i madh i familjes Sejko, mundi të mbijetojë i vetëm pas 10 viteve burg që bëri për agjitacion e propagandë.
Ja çfarë tregon Rajmond Sejko, i mbijetuari i vetëm nga Familja e Teme Sejkos.
Cfarë nuk bënë për ta shfarosur strehën e Teme Sejkos. Deshi Zoti dhe nuk u shua. Mbijetova unë për amanetet e të gjithëve. Me pengun e madh që nuk mësova ç’thanë në çastet e fundit dhe nuk di ende ku prehen eshtrat e tyre. Sidoqoftë munda të ringrihem, krijova familje, por në një farë mënyre ringrita edhe ata. Me emrin Teme Sejko pagëzova djalin. Shpresa quajnë vajzën e madhe. Vajza tjetër mban emrin e gjyshes, Didar. Bashkërisht jetojmë në Amerikë. Flas me ta për tragjeditë e dikurshme, duke iu treguar ngjarje nga historitë e babait, nënës e Sokolit, nëpërmjet të cilave dua t’u transmetoj vlerat e jetës së tyre të prerë në mes nga dora mizore. Jam i lumtur që më dëgjojnë me vëmendje dhe u pëlqen të vazhdojnë udhën e tyre…
Pas pushkatimit të babait, arrestimi i Sokolit, vëllait të vogël, ishte tragjedia e dytë që trondiste familjen e Teme Sejkos…
Arrestimi i Sokolit është pjesë e fushatës së arrestimeve masive të fillimit të viteve 70, e cila nisi menjëherë pas Festivalit të 11 të Këngës në RTSH dhe dënimit të grupeve armiqësore në ushtri. Në situatën e krijuar pas këtyre ngjarjeve të pazakonta, krerët e lartë të Partisë së Punës, ideuan aksionin për forcimin e luftës së klasave dhe goditjen e elementëve antiparti, ku pjesa e “luanit” u mbetej strukturave të ministrisë së Brendshme të cilat do bënin finalizimin konkret të tij. Reflektimi ishte i menjëhershëm. Degët e rretheve filluan nga piketimi i kotigjenteve armiqësore. Në Berat fushata nisi me Sokolin…
Kur e arrestuan Sokolin?
Atë e arrestuan në 3 Qershor 73. Më kujtohet si tani ai çast. Kur erdhën për ti hedhur prangat Sokoli po flinte. E rrëmbyen me forcë nga dysheku dhe i thanë se kishin urdhër për ta arrestuar. Nuk kundërshtoi po aty për aty, porositi mamanë që të kthente në biblotekën e qytetit dy librat e fundit që kishte marrë. Me sa mbaj mënd në krye të këtij operacioni ishte nënkryetari i Degës së Punëve të Brëndëshme. Ai pasi urdhëroi policët për ta shoqëruar, i kujtoi Sokolit se shkonte në burg dhe jo me pushime që mendonte për librat. “Ju bëni detyrën tuaj, por unë nuk kam bërë asgjë” ishte përgjigjja i tij para se të delte me duar lidhur. Kaq ishte momenti i arrestimit. Ishte ditë e djelël, diku pas mesditës. Po ne në fakt për arrestimin e tij diçka kishim marrë vesh më parë….
Pra, e dinit më parë se do ta arrestonin. Kush u kishte lajmëruar?
Lajmi nuk vinte drejtpërdrejt nga autoritetet, por nga njerëzit hije që përdoreshin prej tyre. Në këtë rast, këtë ia kishin besuar një gruaje fantazmë. Ajo, duke udhëtuar “rastësisht” me mamanë në autobusin e qytetit, i tha në “mirëbesim” se Sokoli e kishte punën keq. “Pse?” Ishte hedhur aty për aty mamaja. “Thonë se ka dashur ti vërë zjarrin Kombinatit të Tekstileve dhe do ta arrestojnë”, plotësoi gruaja e panjohur dhe me “dashamirësi” sugjeroi si të vetmen rrugë shpëtimi arratisjen jashtë shtetit.
Kur e morët vesh me lajmin ndjellakeq për arrestimin e Sokolit çfarë bëtë?
Fillimisht e vlerësuam si provokim. Asokohe në Berat njiheshim me gisht si familje e deklasuar dhe lajme të tilla, në një mënyrë apo në një tjetër dëgjonim shpesh. Në fund të fundit aty nuk na kishin çuar për Kovalishenca. Sidoqoftë, këtë herë njoftimi kishte dhe një detaj shpjegues. Arrestimi që përflitej motivohej me një ngjarje të jashtëzakonshme në Kombinatin e Tekstileve. Ndërkaq, në një farë mënyre..
Ku punonte në atë kohë Sokoli?
Ai menjëherë pas lirimit nga ushtria ishte sistemuar në Kombinatin e Tekstileve. Aty bënte një punë të rëndomtë, por gjithsesi nuk ndjehej fort keq, pavarësisht mënyrës shpërfillëse me të cilën e shikonin të tjerët, sidomos pjesa e besuar e administratës. Pikërisht kjo sjellje e brengoste e hera herës dhe rebelohej…
Si reagoi Sokoli kur mori vesh se përgatitej arrestimi i tij?
Mbaj mënd që mamaja e thirri po atë natë dhe pa i folë për arrestimin, i drejtoi një sërë pyetjesh: “çfarë ka ndodhur në Kombinat?” “Janë dukur andej ata të degës?” “Të ka thirrur ty njeri?” etj. Sokoli si me të qeshur i tha se veç rutinës së përditshme nuk kishte diçka të veçant. E veçant, nëse mund ta quajmë, e sqaroi ai, janë disa fletë-rrufe për shfaqe të huaja dhe një zënkë për një copë pambuk të djegur te fundi i repartit të tezgjahut. Mirë, mor bir mirë, po kujdes se e keqja nuk na ndahet. Pastaj ime më i tregoi çfarë i kishte thënë ajo gruaja-hije në autobusin e qytetit…
Pra, ai nuk e parandjente…
Në prani të mamasë atë natë u mundua të tregohej i qetë, por kur ramë të flemë, më shpjegoi se ndjehej vërtetë i kërcënuar. Sa e pyeta për çfarë, më tregoi gjërë e gjatë historinë pas të cilës mendonte se i kishin ngritur kurthin…
çfarë kurthi?
Ato ditë në një nga repartet e tezgjahut në Kombinat ishte djegur një sasi e vogël pambuku që kishte nxirë vetëm dy dërrasa. Ngjarja në fillim kishte kaluar shpërfillshëm, por pas disa ditësh, kishin thirrur në Degën e Punëve të Brëndëshme njërën nga vajzat që ishte gjendur aty pranë. Ishte pikërisht e dashura e Sokolit, një vajzë ende e parritur…
E dashura në këtë rast, ishte pjesë e skenarit për dënimin e Sokolit…
Pika kyçe, duhet thënë, nëpërmjet së cilës synohej prangosja e Sokolit.
Më konkretisht…
Historia nisi me ngjarjen e 22 prillit 73 ku u dogj një tufë pambuk në një nga qoshet e kombinatit. Tetë ditë më pas, më 30 prill, u muar vesh se kishin marrë në degë të dashurën e Sokolit, tekstilisten Thëllëza Lundra që punonte aty pranë. Ajo në një farë mënyre ishte përzgjedhur “karemi” për të futur në “valle” tim vëlla. Ende pa u zyrtarizar dëshmitë e saj në hetuesi, në Berat u hap lajmi se pas aktit të saj për ti vënë flakën kombinatit, qëndronte Sokoli, djali i “tradhtarit” Teme Sejko. Ishin vet njerëzit e degës së brëndëshme që i përhapnin këto opinione. Sakaq, “mjeshtrit” e policisë sekrete vazhdonin për të provuar atë që qarkullonte si thashethemnajë në qytet…
Ishte e vërtetë që flakën e kishte ndezur e dashura e Sokolit?
Ngjarja ka qënë e mistershme, por e vërteta është se flakën e ndezi Thëllëza. Në kohën e pushimit, ajo duke luajtur me shprepsen e njërit prej punëtorëve që pinte duhan, ndezi një fije në mjediset e brendshme të repartit. U dogj një sasi e vogël pambuku, aq sa sistemi i leshimit te ujit që funksiononte për këto raste në Kombinat, nuk nisi fare nga leshimi i ujit…
Si u operua me të dashurën e Sokolit për të penalizuar Sokolin për krimin e sabotazhit?
Loja me të vazhoi disa kohë, pasi kuptohet, nuk ishte e lehtë të nxirrje prej saj diçka të pavërtetë. Fillimisht Thëllëza kundërshtoi çdo akuzë në adresë të Sokolit. Për ditë me radhë tregoi e ritregoi para hetuesve atë që kishte ndodhur mesditën e 22 prillit te makina e saj. Po kjo ishte e parëndësishme për ta. Dëshmitë e vajzës duhej të penalizonin Sokolin! Ky ishte objektivi. Më tej gjërat merrnin rrjedhën e tyre: Djali i armikut të popullit, kërkoi të hidhte në erë Kombinatin e Partisë! Pastaj një grusht me plumba dhe “një armik më pak”…
Pra, e dashura u fut në lojë…
çfarë nuk punuan me të hetuesit e Beratit dhe të Tiranës, për ta futur në hullitë e skenarit të parapërgatitur. Presion e tortura nga më të tmerrshmet, por edhe makinacione të ndryshme me agjente qelish. Njëra syresh, e sjellë nga burgu i grave të Kuçovës, më në fund preku “çelsin e artë”. Një çast mirëbesimi Thëllëza i kishte pohuar urrejtjen e Sokolit për njerëzit që i kishin vrarë babain. Mjaftoi kaq dhe gruaja-spiune raportoi te eprorët se Thëllëzën e kishte porositur i dashuri për ti vënë zjarrin Kombinatit. Që këtej vajza e gjorë do tu bindej barbarëve të pashpirt. Legjenda tanimë u konturua e plotë: I biri i Teme Sejkos, në shënjë urrejtje ndaj rregjimit, ka përdorur të dashurën për të hedhur në erë veprën e Partisë “Mao Ce Dun”…
Pastaj erdhën hetimet ndaj Sokolit…
Njëherazi me përpunimin e Thëllëzës, njerëzit e policisë sekrete angazhuan edhe dëshmitarë të tjerë. “Regjisori” kryesor i tërë kësaj drame ishte Dine Caushi, ish operativi i Degës për Kombinatin e Tekstileve. Ai përgatiti rrethanat dhe njerëzit që dolën dëshmimtarë. Një syrsh ishte Viktor Prifti. Me të ishim rritur në lagjen “Kala” të Beratit. Atij i kishin besuar detyrën që ti mbushte mëndjen për tu arratisur, se ndryshe do ta arrestonin. Për këtë, ne mes te majit i dhane dhe lejen e zakonshme. Po Sokoli nuk e hëngri. Si u rrëzua kjo alternativë, vazhdoi varianti tjetër me të tjera inskenime e marrëzi. I tërë procesi u ngrit me intriga e akuza të pavërteta. Fillimisht e akuzuan për agjitacion e propagandë kundër regjimit dhe shfaqje degjeneruse. Pastaj për akte terrori ndaj pasurisë socialiste. Ai nuk pranoi asgjë duke shpërfillur të gjitha akuzat e montuara…
Megjithëatë, siç rezulton nga dokumenti i procesit hetimor, Sokoli ka pohuar se urrej Partinë dhe këtë pushtet të pashpirt…
Më shumë se kaq, gjatë procesit Sokoli ka deklaruar se ka shpresuar tek një ndërhyrje amerikane në Shqipëri, për ti dhënë fund diktaturës dhe për të krijuar një shoqëri demokratike…
Këtë e thoshte nga urrejtja për pushkatimin e babait apo kishte edhe motive të tjera?
Patjetër që pushkatimi i babait, ishte një nga motivet e forta që e shtynte në këtë lloj rebelimi. Po nuk ishte vetem kjo. Sokoli, e kishte bërë edukatë të dëgjonte rregullisht “Zëri i Amerikës”. çdo natë sa shkonte ora e emisionit, futej në dhomë dhe e dëgjonte fshehurazi. Shpesh herë fliste me ne për të rejat që mësonte. Nuk e di nga se nisej, po kishte një shpresë të brendëshme që një ditë Amerika do ndërhynte për ta përmbysur situatën politike në Shqipëri…
Këto i shfaqi edhe gjatë procesit gjyqësor…
Gjyqi u zhvillua dy ditë me radhë në janarin e vitit 74 në pallatin e kulturës të Kombinatit të Tekstileve. Ideja për ta bërë publik, kishte parasysh forcimin e represionit për të ngjallur frikën. Edhe aty ai nuk pranoi gjë, megjithëse u shpreh hapur se urrej sistemin, pushtetin dhe partinë.
Aty e dënuan me pushkatim…
Që ky do ishte epilogu i tërë asaj historie me intriga e dëshmi të sajuara, as që diskutohej. Me të njëjtin vendim fatal u procedua dhe në shkallët e tjera të gjykimit. Shpresa e vetme mbetej në mëshirën e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Po a ka mëshirë i pamëshirshmi! Këtë e kishte bindje Sokoli, prandaj nuk nënshkroi asnjë kërkesë për falje. Atë që refuzoi ai e bëmë ne familiarët, por ishte e kot. E pushkatuan një ditë dimri pas mesnate diku në periferi të Beratit…
Fjalët e fundit para skuadrës së pushkatimit më 6 mars 1974
Sokol Sejko pushkatarëve: Afrohuni edhe pak e qëlloni!
Mesnata e 6 marsit ‘74 shënoi aktin e final të tragjedisë së Sokol Sejkos. Para krismave fatale “në vendin e caktuar”, një grusht njerëzish të armatosur deri në dhëmbë, i bënë thirrje 23-vjeçarit rebel për të shprehur dëshirën e fundit. “Afrohuni dhe pak e qëlloni!”. Gati në formë urdhri i dënuari me vdekje shqiptoi çfarë mendonte, pa vrarë mendjen për reagimin e palës tjetër. E dinte logjikën e procedurës kriminale, e megjithatë nuk mund të rrinte pa shprehur atë që e gërryente nga brenda prej kohësh. Serbes e me kurajë, foli shkoqur e me zë të lartë duke u paraprirë plumbave vrastarë. Vetëm në pak minuta pas kësaj gjithçka u pushtua nga breshëritë e krismave. Prokurori që ka përpiluar procesverbalin e ekzekutimit, sipas rregullit të detyrës, është munduar t’i përmbahet ngjarjes pikë për pikë. Sakaq, të tjera dokumente të dosjes “Sokol Sejko” përmbajnë mistere të shumta nga prapaskenat e makinës represive të shtetit komunist ndaj djalit të vogël të Teme Sejkos…
Gjyqi ndaj Sokol Sejkos ka nisur në 25 janar 74 dhe ka përfunduar në pasditen e së nesërmes. I kryesuar nga Irakli Puka me ndihmën e Zengjine Dollanit dhe Xhoxhi Cimbidhit, trupi gjykues pas pretencës së prokurorit Orhan Frashëri, ka finalizuar çfarë ishte servirur nga sigurimi i shtetit. Në procesverbalin përkatës, pasi përshkruhen procedurat zyrtare, shtjellohet dinamika e veprimtarisë armiqësore të të pandehurve, ku Sokol Sejko artikulohet si kreu i grupit kriminal. “Sokol Teme Sejko, nënvizohet në dokument, si armik i betuar i pushtetit popullor duke ushqyer ndjenja të hakmarrjes kundër RPSH, vite me radhë është përpjekur që në rrugën e armiqësisë të bashkohet me elementë të degjeneruar dhe së bashku me ta të hidhet në veprimtari të hapur e të organizuar për përmbysjen, minimin e dobësimin e pushtetit popullor në Shqipëri dhe të fuqisë ushtarake të tij e tipareve kryesore të revolucionit popullor në fushën ekonomike, politike dhe shoqërore. Ai në krye të një grupi ka bërë planin të hedhë në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”.
Procesi: Si funksiononte grupi
“Të pandehurit Artan Qirko, Andrea Vjeshta dhe Thëllëza Lundra nën shtytjen dhe me iniciativën kryesore të Sokol Teme Sejkos sipas marrëveshjes së arritur në një datë të 10 ditorit të parë të janarit 73 mblidhen në takim të pare në lagjen “çlirimi” të Beratit dhe aty, pas diskutimesh e rrahje mendimesh vendosin që të krijojnë organizatën kriminale dhe treshen e tyre e quajnë “grupi kryesor” duke zgjedhur si kryetar të tyre të pandehurin Artan Foni Qirko. Në këtë takim që ata e quajtën mbledhjen e parë të grupit kriminal, si dhe në fazën para thirrjes së kësaj mbledhje, të tre të pandehurit arrijnë në përfundim duke përdorur qëllimet e platformën e tyre në kryerjen e disa krimeve kundër shtetit të parashikuar dhe të dënueshme penalisht nga kodi jonë penal. Ata unanimisht vendosën që të zgjerojnë radhët e organizatës së tyre në formën e “tresheve” të tjera, treshe këto që do të formoheshin nga secili prej tyre në vete, duke u mbajtur secret grupin kryesor. Sipas qëllimit që i vunë vetes, secili prej tyre duhej të zhvillonte agjitacion e propagandë me elementë të lëkundshëm e të shthurur, t’i rekrutonin në organizatën e tyre kriminale dhe duke i hedhur pastaj në mënyrë të organizuar e drejtuar prej tyre në kryerjen e krimeve kundër pushtetit popullor.”
“Sokol Sejko në bazë të neneve 64 e 76 të Kodit Penal, dënohet me vdekje me pushkatim. Artan Qirko me 25 vjet. Andrea Vjeshta me 20 vjet dhe Thëllëza Lundra me 6 vjet burg.” Ky është kapitulli i fundit i procesit të bujshëm të janarit 74. Ndëkaq, dosja mbyllet me urdhrin e kreut të Ministrisë së Brëndëshme për zbatimin e vendimit të gjykatës që mban datën 2 mars 1974 dhe raportin e skuadrës së pushkatimit që i përket datës 6 mars 1974. Ndër të tjera në këtë të fundit janë rregjistruar dhe fjalët që ka shprehur Sokol Sejko para ekzekutimit. “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ka shqiptuar ai, ashtu siç nuk më takuat kur isha nëntë vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. Afrohuni edhe pak edhe shtini”.
Komentet