Policia zviceriane ka deklaruar sot se është përfshirë në operacionin europian të zhvilluar në Belgjikë, Francë, Holandë, Gjermani, Itali dhe Austri kundër një organizate kriminale shqiptare që çoi të martën në arrestimin e 17 personave.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në Zvicër janë arrestuar 3 persona. Organizata kriminale shqiptare e shpërbërë merrej me trafik droge dhe grabitje me armë.
Aktivitetet e saj u shtrinë edhe në Zvicër. Gjatë operacionit të zhvilluar të martën në Zvicër, policia ka sekuestruar 9 kilogramë heroinë dhe 2 kilogramë kokainë. Dy anëtarë të tjerë të bandës janë arrestuar më parë në Holandë dhe Zvicër.
Ndërkohë, sipas mediave italiane, nga hetimi rezultoi se organizata jo vetëm transportonte dhe shiste drogë, por bashkëpunonte edhe me një grup tjetër kriminal shqiptar për të grabitur drogën e klaneve rivale.
Kjo bandë e dhunshme kishte në dispozicion një arsenal mbresëlënës armësh zjarri dhe në të kaluarën ishte përfshirë në një atentat ndaj një rivali në Shqipëri. Po ashtu flitet për një grabitje të armatosur të një ngarkese me 395 kg marijuanë në mes të shkurtit të kryer në Bruksel.
Sipas burimeve, 11 prej të arrestuarve janë kapur në Belgjikë, 2 në Itali dhe 4 të tjerë në shtetet e tjera europiane ku u shtrinë kontrollet me qëllim ekstradimin në Belgjikë.
Një nga të arrestuarit në Itali rezultonte në kërkim, i dënuar nga Gjykata e Arezzos me mbi 34 muaj burg për drogë lidhur me ngjarje të ndodhura në Civitella Val di Chiana (AR) në 2016.
Sipas hetimeve, anëtarët e organizatës kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin dhe të gjithë vijnë nga Vlora.
Bëhet fjalë për një lloj mafie shqiptare, siç thonë mediat italiane, që merret me gjithçka që lidhet me kokainën, nga importi tek prerja, tek riciklimi dhe më në fund tek trafiku i armëve.
Ndër veprimet që i atribuohen organizatës, ka edhe episode të dhunshme të lidhura me kriminelë të përshkruar nga prokurorët belgë si veçanërisht të rrezikshëm dhe të vendosur.
Emrat e të dyshuarve nuk janë aspak të rinj për të organzet e zbatimit të ligjit. Në vitin 2014, krerët e bandës ishin dënuar në Francë me burgim nga 10 deri në 12 vjet, ndërsa të tjerët me role të vogla kishin marrë dënime nga 3 deri në 7 vjet. Por edhe kështu ata nuk u dekurajuan dhe përkundrazi vazhduan rrugën e tyre kriminale.
Kërkimet në kuadër të operacionit kanë cuar në kapjen e 100 kg drogë të llojit kokainë dhe amfetaminë, 6 armë zjarri, kimikate, uniforma policie dhe jelekë antiplumb, 265,000 euro para cash, 20 telefona të kriptuar, automjete etj.
Grupi i trafikantëve të hetuar nga Policia e Antëerp në Belgjikë ishin të specializuar në shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës që më pas transportoheshin në vende të ndryshme me mjete të pajisura me hapësira të fshehta. Hetimi nga policia gjyqësore ka të bëjë me një organizatë që mësohet se ishte aktive në importin e kokainës nga Amerika e Jugut dhe pastrimin e parave nga trafiku i kokainës.
Në Belgjikë u bënë 12 kërkime në Antwerp, Schoten dhe Sint-Niklaas. Ato u kryen në bashkëpunim midis policisë gjyqësore federale dhe policisë lokale në Antwerp. bw