Si është e mundur: një paragraf i shkruar nga halli në vitin 1974 kundër Fishtës, pra, gjysmë shekulli më parë, të shërbejë si motiv pakënaqësie dhe në mortin e shkrimtarit?! Kush e mban gjallë këtë frymë jezuitësh? (Edhe Konica e quan Naimin bejtexhi, por, më pas, e ndryshoi rrënjësisht qasjen, gjë që kalohet si një kurjozitet, ndërsa ndaj Kadaresë tentohet penalizimi, si dikur për një fjalë goje?!) Fishta ka qenë më i mallkuari ndër të ndaluarit, sikurse Kadare më i anatemuari ndër të lejuarit. Të paudhë e të pafe, për të legjitimuar ligësinë e tyre, përmendin ndonjë klerik katolik, i cili me një gjuhë shkishëruese e ka lëshuar gojën kundër shkrimtarit tonë me famë botërore. Keq me Hoxhë e keq me prift?! Të predikosh faljen dhe të mos falësh, sikur nuk shkon?! Në disa shkrime, intervista, sikurse në një bisedë të gjatë në “Hyllin e Dritës”, Kadare shpjegohet në mënyrë shterruese se si zoti i mori mendjen për një çast dhe shkroi atë paragraf “të mallkuar”, që përdoret si të jetë një “mbetje radioaktive”, krejt në stilin komunist me ja ç`ke thënë para 50 vitesh, se ç’ka shkruar para disa vitesh s’ia quajnë hiçmosgjët?! (Në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët, dikush gjoja në emër të popullit i kërkon llogari, pse kishte takuar gazetarin amerikan Sulzbergerin, të cilin Enver Hoxha në librin “Dy popuj miq” e kishte bërë rezil. “Ka shkruar keq, ë?!
Po pse për Shtrausin çfarë s`kemi shkruar ne?! E mbaj mend tek “Hosteni” si Geringu. Dhe kur e takova me të vërtetë dukej si Geringu. Po ç`t`u desh që e takove atë, më thonë?!”) Historitë e këtyre harrohen, ndërsa shkrimtarit s`i falin gramin?! “Duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë kanë bërë lojën e komunistëve.”-shprehet Kadare në “Hylli i Dritës”, ndërsa bobozarët e duan në turrën e druve. Nuk na u nda ky “armiku imagjinar”: dje si fanitje paranojakësh dhe sot mitomanësh?! Ja reflektimi i Ismailit: “Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja.”-shkruar në vitin 1974, kur Enver Hoxha mprehu shpatën edhe njëherë për situatën në Shqipërinë ateiste. (Çuditrisht, Hoxhës, Shehut, Haxhiut, Myftiut ia ndërronin fenë duke i quajtur “komunistë ortodoksë”?!) Një liberal, shkrimtar allafrenga, i brezit të viteve `60-të, i afirmuar në polemika të ashpra me anakronikët, vetvetiu do shfaqte rezerva për një konservator. Edhe pse quheshin njësoj të rrezikshëm, plenumi IV dënoi vetëm krahun liberal. E doni një shembull?
Po citoj shkrimtarin Fatmir Gjata, kur Kadaresë i bëhej mbledhja auto-dafe për poezinë “Pashallarët e kuq”: “Ismaili ka marrë nga të gjithë izmat e huaja. Edhe para se të shkruante këtë vjershë, Ismaili ka qenë në opozitë të heshtur me Partinë. Me vjershën që desh të botonte, tregoi se dolli në opozitë të hapur me partinë…Ka besim më tepër tek e shoqja sesa te shokët e vet…Në veprat e Ismailit nuk del njeriu i kohës sonë. Unë kam kritikuar mjaft nga veprat e Ismailit… Mendoj se Ismaili duhet të largohet më shumë nga ato libra që e kanë infektuar…Ne dimë se kundërrevolucioni filloi nga shkrimtarët dhe po të botohej ajo vjershë ne duhet të quheshim Klubi “Petef”… Mendoj të rikthehet kandidat dhe të pastrohet. Në shtyp të mos botohet. T’i hiqet vërejtje e rëndë me shënim në biografi. Të shkojë poshtë, të ndiejë pulsin e kallove të popullit.” Se mos vetëm ky ka folur me këtë gjuhë, nuk merren në konsideratë, ke sharë Fishtën?! Po pse e bëjnë këtë? Se u duhet sherri, të mbajnë gjallë një armiqësi, që dikur e ushqenin vetë. “Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorialë përpiqen të heqin nga supet e tyre barrën e turpit, për ta zbrazur mbi të tjerët.”-shkruan Kadare për shërbëtorët e regjimit, të kudondodhur: që nga blloku deri tek postblloku. “Shkrimtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për çoroditjen e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtës, të Koliqit e të tjerëve. Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, kur unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën.”
Kjo farë e keqe, e aftë të bëjë trafikim influence, vazhdon të helmojë atmosferën krijuese, sikurse dhe atëherë, kur Mitrush Kuteli ankohet në letrën e tij amanet lënë familjarëve: “Profesionismi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije.” Këta vrastarë dinë t`i fshehin këmbët si dhe gjarpëri. Këtë bukë të hidhur nuk e njohin veç ata, që, çdo ushqim: ua gatuajnë me sheqer. “Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ua kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhënjen?” Ngadhnjimi i gënjeshtrës nuk ndodh vetëm për shkak të mashtruesit, por dhe të atyre që i gëzohen rastit bujar, që, me një “vrasës pa pagesë” të lajnë dhe hesapet e tyre. Poeti kombëtar, sikurse Naimi dhe Fishta, shprehet Kadare tek “Hylli i Dritës”: krijon me kombin e tij raporte të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik dhe shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont. Opo lëri këto, ke sharë Fishtën?! Në kohë të vështira recitohet Naimi, Fishta, Pashko Vasa, Ali Asllani, ndërkohë që trafikanti i opinioneve kèrkon zullume. Në netët plot ankth të prillit, kur demonstruesit shkuan në pallatin e mbretit duke kërkuar armë, një i paudhë dhe i pa fe u thotë të mos bërtisnin se Naltmadhënia po flinte. Të revoltuarit, të zhgënjyer, shkojnë tek varri i Naim Frashërit dhe betohen për t`i dalë zot vendit, sikurse i dolën, kujton në librin e tij autobiografik “Jeta e një historiani”, Kristo Frashëri.
Të paudhët e të pafetë s`lënë vend pa e futur mikrobin e shejtanit. “Ne të dy, Dritëro Agolli dhe unë, kemi qenë për një kohë tepër të gjatë shokë të ngushtë… Ne kishim mendime pothuajse të njëjta kritike ndaj regjimit komunist…kur Dritëro Agolli u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve bisedat tona politike vetvetiu u rralluan, por aspak në mënyrë dramatike. Rrallimi ishte i natyrshëm nga të dy anët, madje mund të quhej një mirëkuptim i heshtur, për të mos e vënë në pozitë të vështirë njeri tjetrin. (Si kryetar Lidhjeje ai më ka kritikuar disa herë, por unë jam përpjekur ta marr këtë si një kritikë të detyrueshme prej pozitës së tij.) Kisha një shpresë të brendshme se ai ruante mendimet e mëparshme. Kureshtja për një gjë të tillë, më ka shtyrë, siç e kam treguar, që në vitin 1983 kur u gjendëm të dy, vetëm për vetëm, në një kafene të Parisit, të rihap një nga bisedat e vjetra delikate dhe të rrezikshme. Gëzimi im ishte i madh kur shpresa ime u vërtetua. Biseda jonë u zhvillua sikur të ishte vijim i bisedave të vjetra… Ajo që më habit sot është se ka mjaft njerëz që nuk u pëlqen kjo e vërtetë pajtuese, por e kundërta e saj. Ata gjuajnë gjithkund për të kërkuar grindje dhe mohim. Për fat të keq, kjo rendje pas së keqes është bërë sot modë në Shqipëri.”-rrëfehet Kadare. E njëjta ankesë, për të njëjtën kategori njerëzish, për të paudhët e të pafetë, të cilët: jo me një paragraf, por dhe me dy gisht letër të bënin gjëmën. Por, më të pakuptimtë janë ata, që në vend të merren me persekutorët e tyre e konturojnë “figurën e krimit” tek ai, që është me zotin dhe i zoti…