VOAL

VOAL

Toponimet shqipe në Sanxhak dhe Bosnjë – Nga ISMET AZIZI

August 23, 2015

Komentet

Studentët nisin bllokimin e tri urave në Novi Sad

Studentë të Novi Sadit dhe Beogradit në nisje të bllokimit të urave më 1 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave të Novi Sadit, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti.

Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat do të jenë të bllokuara prej orës 15:00.

Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.

Urat do të jenë të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.

Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.

Fotografi e 1 shkurtit.

Fotografi e 1 shkurtit.

Studentët e Beogradit kanë pushuar në disa qyteza derisa kanë arritur në Novi Sad, ndërsa banorët lokalë i kanë mirëpritur me ushqime.

Protestës i janë bashkuar edhe rreth 1.000 motoristë që janë nisur prej Beogradit.

Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.

Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat.

Protesta organizohet në tremujorin e tragjedisë në Novi Sad, e cila ka nxitur një valë të madhe protestash, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra persona.

Protestat janë udhëhequr prej studentëve, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete.

Ata besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës.

Deputetët konservatorë nga Britania: Më 11 Maj të rinjtë do mbrojnë pluralizmin që mundësuan prindërit e tyre më 1990, PD-në e mbështesim pa kushte!

Rikthimi i Shqipërisë në shinat e demokracisë, kurimi i plagës së eksodit dhe hartimi i një strategjie për rikthimin e trurit dhe rinisë në atdhe ishte kryefjalë e mesazheve që përcollën dy deputetët Konservatorë nga Britania e Madhe, Martin Vickers, njëherësh Anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Andrew Rosindell, njëherësh Kreu i Grupit Parlamentar Miqësor Mbretëri e Bashkuar- Ballkan gjatë një leksioni të hapur të mbajtur këtë të premte me të rinjtë e Shkollës Politike të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Dy ligjvënësit konservator Martin Vickers  dhe Andrew Rosindell  njohës të shkëlqyer të realitetit në Shqipëri, shprehën keqardhjen për të rinjtë shqiptarë që 5 vitet e fundit janë detyruar të marrin rrugën drejt ëndrrës angleze me gomone, sepse qeveria Rama i ekspozoi përballë varfërisë ekstreme, pasi e kishte pjesë të strategjisë largimin e tyre nga Shqipëria.

 

Ata vlerësuan potencialin e të rinjve të FRPD dhe të rinisë shqiptare, ku theksuan se fati i zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri do të varet nga angazhimi i të rinjve, që sot janë në rrethanat që duhet të mbrojnë pluralizmin që mundësuan prindërit e tyre në vitin 1990.

Dy deputetët konservatorë britanikë u shprehen se keqqeverisja dhe korrupsioni i Edi Ramës ka shpopulluar Shqipërinë dhe se PD është forca politike që do rikthejë bashkë me shpresën edhe të ikurit nga Shqipëria, duke implementuar politika mbështetëse për ta.

Martin Vickers dhe Andrew Rosindell  konfirmuan se PD në zgjedhjet e 11 Majit do ketë asistencën dhe mbështetjen e konservatorëve britanikë, teksa çmuan aksionet e ndërmarra nga të rinjtë e FRPD.

Një tjetër temë që u cek në këtë takim ishte vota e diasporës, ku kreu i FRPD Besart Xhaferri evidentoi se FRPD ka aktivistët e saj në diasporë që janë të angazhuar maksimalisht në takime dhe bashkëbisedim me mërgimtarët për ti bindur ata se vota është arma me të cilën mund të asgjësojnë keqqeverisjen.

Bashkë me dy deputetët britanik pjesë e këtij bashkëbisedimit me të rinjtë e Shkollës Politike të FRPD ishin edhe, Philippa Broom, ish-Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë për Partinë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, njëherësh  anëtare e Bordit të Grave Konservatore si dhe Pierre Plumeajau Këshilltar i  deputetit Andrew Rosindell. bw

Presidenti Trump nënshkruan urdhrin për planifikimin e festimeve për 250-vjetorin e Amerikës

VOA Marrë nga Associated Press

Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën për krijimin e një grupi pune të Shtëpisë së Bardhë për të planifikuar atë që ai thotë se do të jetë një “festim madhështor dhe i denjë për 250 vjetorin e Pavarësisë Amerikane”, të cilin vendi do ta festojë më 4 korrik të vitit 2026.

Urdhëri gjithashtu rikthen planet për të krijuar një kopsht të ri kombëtar skulpturash dhe paralajmëron ndëshkime të ashpra për ata që vandalizojnë ose shkatërrojnë statujat dhe monumentet ekzistuese.

Presidenti Trump do të shërbejë si kryetar i grupit të punës, i cili do të përfshijë një listë të gjatë zyrtarësh të lartë të administratës, përfshirë sekretarët e kabinetit.

Urdhri rigjallëron planet e Presidentit Trump për të ndërtuar një “Kopsht Kombëtar të Heronjve Amerikanë” me statuja që përkujtojnë 250 figura historike.

Presidenti Trump së pari njoftoi planet për atë që ai tha se do të ishte “një monument i ri për gjigandët e së kaluarës sonë” në një fjalim të vitit 2020, duke festuar Ditën e Pavarësisë në malin Rushmore në Dakotën e Jugut. Plani parashikonte skulptura të dhjetëra figurave historike amerikane, përfshirë presidentë , atletë dhe ikona të industrisë së muzikës dhe filmit.

Vetë Presidenti miratoi listën e atyre që do të përfshiheshin: Davy Crockett, Billy Graham, Whitney Houston, Harriet Tubman, Antonin Scalia dhe të tjerë.

Megjithatë, nuk u përcaktua ndonjë vend për kopshtin dhe projekti nuk u financua kurrë nga Kongresi. Presidenti Joe Biden shfuqizoi grupin e punës pas zgjedhjes së tij.

Njoftimi i Presidentit Trump bëhet ndërsa konservatorët kanë shtuar reagimet kundër përpjekjeve për të hequr statujat kushtuar udhëheqësve që luftuan për shpalljen e Amerikës konfederatë dhe atyre që kanë mbajtur skllevër. Përpjekjet për heqjen e këtyre statujave u shtuan pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd dhe protestave që pasuan.

“Kopshti Kombëtar do të nderojë heroizmin amerikan pasi dhjetëra monumente për amerikanët, përfshirë Presidentët dhe Baballarët Themelues të kombit, janë rrëzuar ose shkatërruar dhe nuk janë restauruar kurrë”, thuhet në një dokument të Shtëpisë së Bardhë mbi urdhrin që u publikua nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ përpara nënshkrimit.

Veprimi i së mërkurës gjithashtu rikthen urdhërin ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Trump në vitin 2020, të cilin Presidenti Biden gjithashtu e përmbysi, që kishte për qëllim mbrojtjen e monumenteve, memorialeve dhe statujave nga shkatërrimi dhe vandalizmi.

Presidenti Trump e kishte nënshkruar urdhrin gjatë protestave për padrejtësitë racore atë vit pasi policia pengoi një përpjekje të protestuesve për të rrëzuar një statujë të Andrew Jackson-it, presidentit të shtatë të Shteteve të Bashkuara, në një park përballë Shtëpisë së Bardhë.

Ai urdhër i mëparshëm i bënte thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të ndiqte ligjërisht çdo person ose grup përgjegjës për shkatërrimin ose vandalizimin e një monumenti, memoriali ose statuje. Ai bënte thirrje për ndjekjen maksimale të kujtdo që nxiti dhunë dhe veprimtari të paligjshme dhe kërcënoi agjencitë shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit me humbjen e fondeve federale nëse nuk arrinin të mbronin monumentet.

Urdhri i së mërkurës përmend si “shembuj rastet e fundit të kësaj sjelljeje që kërkon rikthimin e këtij urdhri” pas sulmit terrorist të 7 tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe pas përgjigjes ushtarake izraelite në Gazë. Gjatë një demonstrate qershorin e kaluar, protestuesit që kërkonin armëpushim vandalizuan statujat dhe strukturat rreth Shtëpisë së Bardhë me mbishkrime.

Gjatë fushatës së vitit të kaluar, zoti Trump kishte folur për krijimin e feste me aktivitete që do të mbaheshin gjatë tërë vitit, me emrin “Nderime për Amerikën 250 (vjeçare)”. Ai tha se në ditën e tij të parë të kthimit në detyrë do të mblidhte një grup pune që do të ishte përgjegjës për koordinimin me qeveritë shtetërore dhe vendore për të planifikuar festimet, duke filluar në Ditën e Përkujtimit të të Rënëve në Luftra të këtij viti.

Ai tha se donte që plani të përfshinte një “Panair të Madh të Shtetit Amerikan” në Ajova, me pavijone që “do të tregonin lavdinë e çdo shteti, do të promovonin krenarinë për historinë tonë dhe do të shfaqnin vizione novatore për të ardhmen e Amerikës”.

Presidenti gjithas tha se donte të nisë “Lojërat Patriotike”, gara sportive që paraqesin atletë të shkollave të mesme nga i gjithë vendi. Presidenti Trump tha se kjo“do t’i mundësonte të rinjve amerikanë nga çdo shtet të shfaqnin aftësitë më të mira sportive dhe shpirtin amerikan të garës”.

Malkaj: Këtu te ne krimi është ‘intelektual’, nuk largohen këta qelbësira vetëm me thirrjet ‘Rama ik’

Qytetarët janë mbledhur sërish sot në një protestë para Bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen dhe arrestimin e kreut të saj, Erion Veliaj, për shkak të aferave korruptive në institucionin që ai drejton.

Aktori i mirënjohur, Mehdi Malkaj, në fjalën e tij tha: “Jemi vonë për 8 shkurt për protestën, është më mirë ta bëjmë më shpejt, se po marr për shembull ‘komshinjtë’ tanë që për 20 ditë e hoqën kryeministrin.

U kam thënë këtyre që janë këtu, shoferëve, fikni makinat dhe ejani këtu, por jo, nuk vijnë se janë ‘intelektualë’. Këtu te ne është çudi e madhe, pasi edhe krimi është ‘intelektual’.

Krimi është me doreza, është ‘i dashur’ dhe këtu te ne po bëhen krime të mëdha.

O njerëz, i thërrisni mendjes, nuk ikin këta qelbësira duke thënë vetëm ‘Rama ik’. Të shkojmë te kryeministria, ta ‘hedhim nga pallati, ndryshe nuk bëhet ky muhabet”. sn

BERZH: Plakja dhe emigracioni, rrezik i lartë për perspektivën ekonomike të Shqipërisë

Tranzicioni demografik i Shqipërisë, me nivel të lartë emigracioni në moshat e reja dhe me plakje të shpejtë të popullsisë, është një faktor me rrezik të lartë për qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë, vlerëson BERZH në draft-strategjinë e bashkëpunimit 2025-2030.

Nga katër rreziqe që cenojnë sigurinë ekonomike të vendit tonë të tilla si: kapacitetet e pamjaftueshme institucionale, zhvillimet demografike, ndikimi i klimës dhe zhvillimet e jashtme, dy u nga këto, “Faktori demografik” dhe “Pasiguria në tregjet e huaja” u vlerësuan rreziqe me ndikim shumë të lartë.

Rezultatet e fundit të Censit 2023 treguan se popullsia e vendit u tkurr me rreth 14.8% ndërmjet 2011 dhe 2023, teksa mosha mesatare gjatë kësaj periudhe u rrit me 7.5 vite.

Ndryshe nga vendet e tjera të Europës tranzicioni demografik në Shqipëri po zhvillohet për më shumë se tre dekada ku largimet nga vendi janë me shumë se ardhjet. Emigrimi i moshave të reja ka krijuar një hendek në forcën punëtore të vendit dhe po bëhet pengesë për zhvillimin e disa sektorëve të tilla si bujqësia dhe turizmi.

Megjithëse ekonomia e vendit pas Pandemisë Covid-19 është rritur më shumë se mesatarja e dekadës se kaluar sërish një pjesë e madhe e popullsisë edhe me të ardhura mbi mesataren dëshirojnë të largohen.

Një sondazh i “Monitor” me 1044 persona (857 jetojnë në vend dhe 187 jashtë) i cili u zhvillua gjatë shtatorit 2024 përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim) me kampionim rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore evidentoi një trend të ri të emigrimit të personave të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike.

Mbi 94% e pjesëmarrësve ishin me arsim të lartë dhe gati gjysma ishin me gradë PHD. Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri, 40% kishin bërë gati planet dhe infrastrukturën për t’u larguar gjatë dy viteve në vijim. 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grup-moshës 40-49 vjeç,

Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Ja të gjitha arsyet që po largojnë shtresën e mesme.

Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe së fundmi BERZH e vlerësoi faktorin demografik me rrezik të lartë për perspektiven ekonomike të vendit./ Monitor

Pasojat psikologjike të komunizmit në Shqipëri

Studiuesja Lindita Komani në mjediset e Muzeut të Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Uashington

 

Burim Goxhuli

Një ditë më parë në Uashington u mbajt një diskutim mbi komunizmin në Shqipëri dhe pasojat psikologjike të tij, gjatë të cilit studiuesja Lindita Komani prezantoi gjetjet e një hulumtimi mbi ndikimin e diktaturës tek viktimat e komunizmit dhe fëmijët e tyre.

Në një bisedë me kolegun Burim Goxhuli, zonja Komani thotë se ka vërejtur prirje shqetësuese të ankthit tek kjo kategori e shoqërisë.

Sipas një hulumtimi të studiueses Lindita Komani, rreth 22 për qind e fëmijëve të viktimave të komunizmit në Shqipëri vuajnë nga ankthi, një prirje shumë herë më e lartë krahasuar me grupet e tjera të popullsisë, ku kjo shifër është 3.8 për qind.

Nivel shqetësues ankthi, gati 40 për qind, vërehet edhe tek pasardhësit e viktimave të komunizmit që janë shpërngulur në Shtetet e Bashkuara, thotë autorja e studimit.

Sipas studimit, rreth 80 për qind e baballarëve dhe 70 për qind e nënave që janë viktima të komunizmit vuajnë nga trauma.

Këto të dhëna zonja Komani i prezantoi në një diskutim mbi komunizmin në Shqipëri dhe pasojat psikologjike të tij, të organizuar në mjediset e Muzeut të Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Uashinton.

“Ankthi është vetëm një pjesë e problemeve psikologjike që ka ndeshur kjo popullsi, fëmijët e viktimave të komunizmit dhe para tyre viktimat e komunizmit, sepse probleme të tjera janë depresioni, një zemëratë shumë e madhe brenda për gjërat që akoma janë të pazgjidhura sot e kësaj dite, një distancim nga shoqëria e të tjera të ngjashme. Me sa kam studiuar, pjesa më e madhe e njerëzve që kanë qenë viktima të komunizmit dhe fëmijët e tyre janë larguar nga Shqipëria. Sepse kanë dashur që të mbyllin një kapitull të jetës së tyre dhe të fillojnë një jetë nga e para diku tjetër”, thotë zonja Komani për Zërin e Amerikës.

Për gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, Shqipëria u përball me një nga diktaturat më të ashpra ku mijëra vetë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën e internuan. Populli shqiptar ishte i izoluar nga pjesa tjetër e botës, plotësisht i varur dhe i nënshtruar nga partia dhe diktatori, me njerëzit që jetonin nën frikë të vazhdueshme.

Sipas studiueses Komani ndër pasojat e dukshme të shoqërisë janë mosbesimi tek njëri tjetri, dorëzimi para udhëheqësve të fuqishëm, frika për t’u shprehur dhe mungesa e vullnetit për ta përmirësuar gjendjen në vend.

“Mentaliteti i izolimit mendoj se mund të ketë mbetur tek brezat shumë të vjetër, që edhe pas rënies së komunizmit nuk kanë pasur mundësinë të lëvizin dhe të shohin botën përreth. Por brezat e rinj janë përballur me botën, shumë kanë qenë emigrantë. Kanë njohur se si është të jetosh në një realitet tjetër dhe nuk është se janë më të izoluar. Por ajo që ka mbetur është ideja e udhëheqësit të palëkundshëm, të pamposhtshëm e udhëheqësit që është i padiskutueshëm. Pra njerëzit vazhdojnë sot fatkeqësisht, të kërkojnë një figurë të fortë që të jetë aty gjithmonë dhe të kujdeset për t’i zgjidhur punët”, thotë zonja Komani.

Fondacioni i Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit është një organizatë e themeluar para 30 vitesh, ndërsa muzeu i saj në Uashington është hapur para tre vitesh.

Milda Mataçiunaite-Boyce, drejtore e Bursave dhe Bashkëpunimeve thotë se kjo organizatë ka dyert hapur për diskutime të tilla, sepse siç u shpreh ajo, vetëm kështu luftohet dezinformimi dhe propaganda nga vendet autoritare.

“Natyrisht historia mund të përsëritet. Kjo është ajo që ne po përpiqemi të shmangim. Një shprehje thotë se jemi një gjeneratë larg një regjimi potencial autoritar ose totalitar autokratik. Prandaj, duhet edukimi, diskutimet për këtë çështje, e vërteta, luftimi i dezinformimit dhe propagandës që vjen nga shumë vende autokratike si Rusia apo Kina komuniste”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Zonja Mataçiunaite-Boyce thotë se vendet si Shqipëria janë mjedise të brishta dhe terren më i përshtatsëm për përhapje të propagandës.

“Grupe të caktuara dhe grupmosha të caktuara të shoqërisë që kanë vuajtur trauma psikologjike, jo domosdoshmërisht e dinë ose janë në dijeni të përjetimeve të tyre traumatike. Ato grupe janë më të kërcënuara që të ndikohen nga propaganda dhe keqinformimi. Prandaj ne duhet të kujdesemi dhe të mbrojmë këta njerëz”, shton ajo.

Sipas studiueses Komani ka vetëm një rrugë për ta ndihmuar një shoqëri që ka përjetuar regjimin komunist.

“Pa u zgjidhur këto probleme të traumës së viktimave të komunizmit shoqëria shqiptare nuk do të fitojë asnjëherë kohezionin social, sepse nuk është kërkuar asnjëherë falje dhe ajo që duhet të ndodhë është kërkimi i faljes, fillimi i një procesi afrimi dhe me të vërtetë një ngjizje e re e shoqërisë shqiptare në mënyrë që të shohim nga e ardhmja”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit më shumë se 100 milionë njerëz janë vrarë nga regjimet komuniste në botë, ndërsa mbi 1.5 miliardë njerëz vazhdojnë të jetojnë nën komunizëm sot.

Berisha paralajmëron: Nëse nuk votojnë emigrantët me dokumente të vendeve ku jetojnë, protesta të fuqishme para ambasadave

Kreu i PD Sali Berisha, në fjalën e tij në parlament tha se shqiptarët që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokumente shqiptare duhet të votojnë.

Berisha u shpreh se janë 1 milion shqiptarë që jetojnë jashtë e që nuk kanë dokumente. Ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, do ketë protesta të fuqishme përpara ambasadave.

Sali Berisha: Së pari, dua të informoj shqiptarët brenda dhe jashtë vendi se, kreu i narkoshtetit, Edi Rama po bën gjithçka për të sabotuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë Shqipërisë për votime. Ai, në mënyrën më absurde po kushtëzon të drejtën e qytetarëve shqiptarë, me shtetësi shqiptare, me pasjen ose jo të dokumenteve të prodhuara në Shqipëri, ndërkohë që, shqiptarë ata i bën shtetësia, pavarësisht nga dokumenti që ata kanë marrë në vendin ku jetojnë.

Dhe ky standard, është standardi i atij që ka frikë dhe tmerr nga vota e diasporës dhe e shqiptarëve. Nuk ka akt më absurd, më antishqiptar, më antidemokratik se t’u thuash mbi 1 milion shqiptarëve që nuk dispononi dokumentet e lëshuara në Shqipëri, por kanë dokumente të sigurta biometrike të vendit ku jetojnë, në SHBA, në Kanada, në Gjermani, në Angli, në çdo vend tjetër.

Bëni kështu rekord i vetmi në botë i vetmi vend që nuk njihni dokumentet biometrike, as të BE-së, as të hapësirës të NATO-s, as të vendeve tjera, sepse keni frikë dhe tmerr nga vota.

Unë i bëj thirrje shqiptarëve të pregatiten për demonstratat më të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit, në qoftë se nuk votohet në këtë parlament ligji i cili u njeh atyre, njëlloj siç bën kosova, njëlloj siç bën Maqedonia, njëlloj siç bën çdo vend tjetër, dokumentet biometrike që faktojnë identitetin e tyre plotësisht. bw

Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

Radio Evropa e Lirë

Eurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

Lajçak më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet e shteteve me bllokut.

Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë.

Osmani: Sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje të enjten për forcim të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, dhe ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën për qëndrueshmërinë kombëtare.

“Sulmet hibride, që përfshijnë edhe operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, më mirë të them dezinformative në këtë rast, janë sfida reale për stabilitetin tonë kombëtar”, ka thënë Osmani, duke bërë thirrje për trajnim ekspertësh dhe bashkëpunim me partnerët strategjikë për ndërtim të kapaciteteve për të garantuar mbrojtje.

“Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar”, ka thënë Osmani, duke përmendur se investimi në armatim, personel ushtarak dhe mirëqenien e tyre është jetik, ashtu sikurse investimi në institucione tjera të sigurisë.

Ajo ka përmendur edhe sigurinë energjetike si shumë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

“Shteti ynë duhet të investojë në përmirësim të infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova vazhdon që t’i bashkërendojë të gjitha përpjekjet e saj në drejtim të anëtarësimit në NATO.

“Ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë në to”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përmendur se përveç qëndrueshmërisë ushtarake, në epokën e avancimit të teknologjisë, rezistenca kibernetike është parësore.

“Sulmet kibernetike nuk njohin kufij dhe mund të destabilizojnë qeveritë, ekonomitë, dhe sistemet e infrastrukturës kritike. Ndërtimi i rrjeteve të sigurta dhe aftësia për rimëkëmbje të shpejtë duhet të jetë prioritet i çdo strategjie”, ka thënë ai.

Zyrtarët e Kosovës përmendin vazhdimisht se synojnë anëtarësimin e vendit në këtë NATO, ndonëse janë të vetëdijshëm se anëtarësimit në këtë aleancë veri-atlantike duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Projekti qeveritar ngre kambana alarmi për survejim masiv në Shqipëri

Marrëveshja sekrete mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie nga Emiratet Bashkuara Arabe- e dyshuar për lidhje me autoritetet kineze, për të instaluar një sistem kamerash inteligjente në qytetet shqiptare ngre shqetësime mes organizatave për të drejtat e njeriut dhe ekspertëve të privatësisë.

BIRN

Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI‘ – pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ky projekt nuk është vetëm një investim në teknologji, por një investim në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë,” deklaroi Balla pas nënshkrimit të memorandumit.

Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale.

Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji.

Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42′ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mbildhet nga sistemi.

Marwa Fatafta, një eksperte e të drejtave digjitale në Rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut për organizatën ‘Access Now‘ i tha BIRN se natyra sekrete e kësaj marrëveshjeje ngre shqetësime serioze për qëllimet e qeverisë shqiptare.

“Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë teknologjish po përdorin autoritetet në qytetet e tyre dhe përse; çfarë të dhënash do të mblidhen dhe përpunohen dhe për cilat qëllime; dhe më e rëndësishmja, cilat agjenci publike apo private do të kenë qasje në të dhënat e tyre personale,” tha ajo.

“Në mungesë të kësaj njohurie, do të jetë më e vështirë për njerëzit të sfidojnë sistemet e zbatuara ose të kërkojnë drejtësi kur ndikohen në mënyrë të padrejtë,” shtoi Fatafta.

Kompania “Presight AI” nuk i përgjigj një kërkese për koment nga BIRN në lidhje me shqetësimet e ngritura për projektin e saj me qeverinë shqiptare.

Projekti ‘Smart City’

Në përgjigje të një kërkesë për informim, Ministria e Punëve të Brendshme i tha BIRN se projekti ‘Smart City’ vinte si produkt i një memorandumi bashkëpunimi midis Tiranës dhe Abu Dhabit për luftën kundër krimit të organizuar dhe çështjet e lidhura me fushën e sigurisë.

Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe Sistemit të Analizimit të të Dhënave, projekti ‘Smart City’  synon rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërinë urbane, përmirësimin e sigurisë publike duke parandaluar dhe dokumentuar veprat penale nëpërmjet investimeve teknologjike dhe edukimit te komunitetit,” tha MPB.

Sipas Ministrisë, ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua bazuar në ligjin Nr. 145/2020 “Për Ratifikimin e Marrëveshjeve për Bashkëpunimin Ekonomik Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Në një intervistë për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan më 30 maj 2024, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla tha se projekti do të shtrihet në Tiranë dhe 19 qytete të tjera të vendit.

Sipas ekspertëve, sistemi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së të dhënave në Shqipëri është i dobët, ndërsa survejimi masiv i popullsisë nëpërmjet kamerave konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rënda në privatësi, ndaj si rrjedhojë, rreziqet nga projekti ‘Smart City’ konsiderohen të larta.

“Për çdo ndërhyrje dhe kufizim të të drejtave themelore, autoritetet duhet të garantojnë ligjshmërinë, proporcionalitetin dhe llogaridhënien – duke zgjedhur masën më pak kufizuese apo dëmtuese, dhe [duke] ofruar arsyetimet përkatëse në mënyrë transparente,” tha Megi Reçi, juriste dhe studiuese për sigurinë digjitale.

“Në dijeninë tonë, qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë apo vlerësim të saj mbi këtë çështje, por vetëm ka komunikuar masën,” tha ajo.

“Mbi të gjitha, duhet të ofrohet informacion mbi masat e sigurisë digjitale që janë marrë për këto teknologji, duke përfshirë vlerësimet e rrezikut, auditimet, dhe procedurat që zbatohen për të siguruar mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, lirisë së shprehjes dhe masat kundër diskriminimit gjatë përdorimit të tyre,” shtoi ajo,

Sipas Reçit, për zbatimin e një projekti të tillë nevojitet transparencë për llojet e pajisjeve dhe teknologjive të survejimit që do të përdoren, për të dhënat që do të mbledhin, aftësinë për njohjen e fytyrës ose forma të tjera të identifikimit biometrik, informacion mbi buxhetin e përdorur, vendet nga të cilat janë blerë këto teknologji, procedurat e prokurimit dhe prodhuesit e këtyre teknologjive.

Ajo theksoi se projekti përfshin edhe përdorimin e inteligjencës artificiale (AI), ndërsa Shqipërisë i mungon baza ligjore e duhur për të ofruar garancitë bazë për të mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e shtetasve, si për shembull ndalimi e survejimit biometrik të fytyrave në hapësira publike. Ajo theksoi se metodologjia për AI e miratuar nga qeveria në 2024 nuk përbën akt ligjor, është shumë e kufizuar dhe nuk adreson shqetësimet e shumta që ngrihen nga përdorimi i AI në survejime masive.

Sipas Marwa Fatafta, qeveritë dhe kompanitë shpesh përdorin narrativa tekno-optimiste për të promovuar projekte qytetesh “të zgjuara” [smart city], “krijuese”, “të qëndrueshme” ose të “përshtatshme”, por këto të ashtuquajtura “qytete të zgjuara” janë, në thelb, projekte mbikëqyrjeje, të ndërtuara mbi mbledhjen dhe përpunimin masiv të të dhënave personale të njerëzve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

“Përkundër pretendimeve që promovojnë për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe sigurisë publike, instalimi i sistemeve të mbikëqyrjes të drejtuara nga AI, si teknologjitë e njohjes së fytyrës nëpërmjet të dhënave biometrike, mundëson mbikëqyrje masive dhe diskriminim përmes mbikëqyrjes,” tha ajo.

“Këto mjete kanë kapacitetin për të identifikuar, ndjekur dhe monitoruar njerëzit kudo që shkojnë, duke cenuar të drejtat dhe liritë e tyre themelore – përfshirë të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave, lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe të asociimit, si dhe të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim,” theksoi Fatafta.

Ajo shtoi se ndikimet e një arkitekture të tillë mbikëqyrjeje janë edhe më të rënda në vende jo demokratike ose me demokraci të kufizuar, ku transparenca, sundimi i ligjit dhe qasja në procese të drejta ligjore janë të dobëta.

“Nën vëzhgimin e shtetit, krijohet një efekt frenues që ndryshon sjelljet e njerëzve dhe cenon më tej të drejtat e tyre,” shpjegoi Fatafta.

Lidhjet kineze

“Presight AI” është një kompani të dhënash dhe inteligjence artificiale e regjistruar në Abu Dhabi. Ajo është pjesë e grupit të kompanive G42. Kryetari i bordit të kompanisë është Tahnoun bin Zayed Al Nahyan, këshilltari i sigurisë kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili është dhe aksioneri kryesor i saj. Ndërkohë, drejtuesi ekzekutiv i saj është Peng Xiao.

Përpara se të drejtonte G42, Xiao ishte drejtues i Pegasus LLC, pjesë e kompanisë së sigurisë kibernetike ‘DarkMatter‘ nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kompani është hetuar më parë për punësimin e ish-agjentëve sekretë amerikanë për të punuar për autoritetet në Emirate, si pjesë e një programi që shenjestronte aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.

Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka ngritur gjithashu dyshime për lidhjet e kompanisë G42 me autoritetet kineze, duke i kërkuar Departamentit të Tregtisë që ta hetojë atë dhe kompanitë e lidhura – përfshirë Presight AI.

Në një letër drejtuar këtij departamenti në Janar 2024, Komisioni i Posaçëm për Partinë Komuniste Kineze ngre pikëpyetje serioze mbi Xiaon dhe lidhjet e tij me Kinën, si dhe përfshirjen e kompanisë DarkMatter në shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Sipas dokumenteve të lexuara nga Komiteti, drejtuesi i G42, Peng Xiao, operon dhe është i lidhur me një rrjet të gjerë kompanish me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kinën, të cilat zhvillojnë teknologji me përdorim të dyfishtë dhe mbështesin në mënyrë të konsiderueshme konglomeratin ushtarak-civil të Kinës, si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut,” shkruan kreu i komisionit, Mike Gallager.

“DarkMatter është një filial i koorporatës G42 që zhvillon ‘spyware’ dhe mjete survejimi që mund të përdoren për të spiunuar disidentë, gazetarë, politikanë dhe kompani amerikane,” shtoi ai.

Sipas Marwa Fatafta nga Access Now, fakti që qeveria shqiptare po e mban sekrete marrëveshjen me kompaninë ‘Presight AI’ ngre shqetësime serioze, veçanërisht duke marrë parasysh rekordin e dyshimtë të G42 – kompanisë së saj mëmë, lidhur me të drejtat e njeriut dhe lidhjet e saj me aktivitete survejimi.

“Projekte të tilla, që mund të përbëjnë rreziqe serioze për publikun dhe të drejtat e tyre, duhet të realizohen në transparencë të plotë dhe në konsultim me ekspertë të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së të dhënave në vend,” tha ajo.

“Autoritetet shqiptare duhet të prioritizojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të tyre për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave,” përfundoi Fatafta.

Kamberi: ‘Era e ndryshimeve’ në Serbi duhet shikuar me kujdes

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka folur mbi zhvillimet e fundit në Serbi pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe protestave të studentëve e qytetarëve ndaj regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në Facebook, Kamberi ka thënë se “flijimi” i Vuçeviq nuk solli ndërprerjen e protestave studentore siç priste Vuçiq, pasi që ato po vazhdojnë në shumë qendra të Serbisë dje dhe sot.

Kamberi ka folur mbi opsionet e Vuçiq pas dorëheqjes së Vuçeviq – propozimi i mandatarit për krijimin e qeverisë së re, në afatin prej 10 ditësh, ndërsa qeveria e re duhet të zgjidhet në afatin prej 30 ditësh nga dita e konstatimit të dorëheqjes së qeverisë aktuale.

Në këtë rast Vuçiq ka dy mundësi: të propozojë një mandatar nga radhët e partisë së tij, me partnerët aktual (SNS, SPS, pensionistët, hungarezët dhe boshnjakët e Zukorliqit e Laiqit) duke u munduar që në këtë përbërje të fusë edhe dikë nga opozita aktuale, që me shumë gjasë do të shkaktonte revoltë edhe më të madhe të studentët dhe gjithë protestuesit tjerë, ose të pranojë opsionin tjetër që i mbetet, të pranojë kushtet e protestuesve dhe të krijojë “qeverinë kalimtare”, me detyrë për përgatitjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet, por, fillimisht duke ndryshuar legjislacioni zgjedhor, ka thënë Kamberi.

Ai përkujton se këtë opsion Aleksandar Vuçiq e ka hedhur poshtë me mesazhin për studentët dhe opozitë: “Duhet të më vrisni për ta realizuar”.

Akoma arrogant në paraqitje dhe në shprehje, Vuçiq, si një autokrat, po vlerëson opsionet e pakta që ka në disponim për të përballur me gjendjen e rëndë aktuale, të cilën edhe vet e cilësoi “dramatike” duke pranuar se gjendet në “knockdown” të cilit po i “gëzohen shqiptarët e kroatët”.

Vuçiq, siç edhe po e shpreh hapur, preferon zgjedhje në nivel lokal dhe parlamentar. Zgjedhje me kushtet e njëjta, të cilat ia kanë lehtësuar atij vjedhjet masive të votave, për një pushtet të pakontrolluar. Preferenca e tij është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës si e papranueshme, shton tutje Kamberi.

Ai thotë se nëse nuk do të arrijë ta thyejë rezistencën e protestuesve, Vuçiqit do t’i mbetet opsioni i dorëheqjes si president, për të ndikuar zgjedhjet e parakohshme në të gjitha nivelet, gjë e cila sipas Kamberit do ta çonte situatën në kufijtë e dramatikes.

“Era e ndryshimeve po fryn në këtë kontinent” në një fjalim para parlamentit të Afrikës së Jugut, vend ky në të cilin partia e të bardhëve në pushtet kishte krijuar aparteidin si simbol të sundimit, kishte deklaruar më 3 shkurt 1960, kryeministri i atëhershëm britanik, Harold Makmillan.

“Era e ndryshimeve” po fryn edhe në Serbi. Ndërsa Vuçiq akoma nuk tregohet i gatshëm për kompromise, bashkëngjitja e shtresave të ndryshme të shoqërisë studentëve dhe kauzës së tyre për të sjellë para drejtësisë fajtorët e tragjedisë në Novi Sad, po bëhet gjithnjë edhe më e madhe.

Edhe pse është herët të flitet për epokën post-Vuçiq, mbetet të shihet rezultati i ndryshimeve që pritet të sjellë vala e protestave disamujore. Që prej Millosheviqit deri te Vuçiqi, Serbia, ka provuar opsione të ndryshme politike, ama, asnjëherë nuk i ka dhënë mundësi asaj që njihet si “Serbia tjetër”.

Një opsion qytetar, që nuk eksporton kriza te fqinjët, që heq dorë nga ambiciet hegjemoniste dhe ekspansioniste të këtij shteti që vetvetes nuk ia njeh kufijtë.

Një opsion që heq dorë nga projekti destruktiv “Bota serbe”; i aftë dhe i gatshëm për tu përballur me të kaluarën e vet të dhunshme: pranimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit; që njeh realitetet e krijuara në rajon veçmas në Kosovë.

Një Serbi tjetër, natyrisht duhet të dëshmojë qasje krejtësisht tjetër, progresive ndaj pakicave. Lugina e Preshevës dhe shqiptarët që, për dekada, janë në thumb të qeverive të këtij vendi, do të jenë test i rëndësishëm i ndryshimeve eventuale në këtë shtet.

Nëse ndodh kjo, mundësia e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Ballkan do të rritet. Në të kundërtën, Serbia do të vazhdojë me eksportimin e krizave dhe sfidave të sigurisë në këtë rajon.

Kujtojmë, Millosh Vuçeviq ka dhënë dje dorëheqje të parevokueshme nën presionin e protestave studentore dhe qytetarëve për më shumë se dy muaj pas shembjes së tendës hekurudhore më 1 janar 2024 në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona dhe disa të tjerë u lënduan.

Në Serbi, sipas Kushtetutës, presidenti detyrohet të fillojë procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së re, që nëse nuk zgjidhet brenda një muaji nga dorëheqja e kryeministrit paraprak, kreu i shtetit detyrohet ta shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhjet e reja. sn

“Tendencë alarmante”- Shqipëria mes katër vendeve europiane me rënien më të lartë të numrit të fëmijëve

Shqipëria u rendit në vendin e katërt në Europë, pas Estonisë, Finlandës dhe Italisë për rënien e madhe të numrit të fëmijëve 0-5 vjeç, thuhet në një raport të fundit të Bashkimit Europian për ecurinë e arsimit në Europë. Në këto vende numri i fëmijëve u ul me më shumë se 20% ndërmjet 2013-2023.

Sipas BE-se kjo tendencë alarmante shtrihet në shumë vende të tjera. Europa po plaket. Tani njerëzit po jetojnë më gjatë se kurrë më parë, por njëkohësisht kanë lindur më pak fëmijë.

Më 1 janar 2023, jetonin 25 milionë fëmijë nën moshën 6 vjeç në BE ose 2 milionë më pak se një dekadë më parë. Për më tepër, parashikimi i popullsisë tregon se prirja pritet të vazhdojë me 1 milionë fëmijë më pak deri në vitin 2030.

Ndërkohë që numri i fëmijëve është në rënie popullsia e përgjithshme në BE-27 ka qenë në rritje. Numri në rënie i fëmijëve në shoqëri mund të sjellë më pak vëmendje për nevojat e fëmijëve ose, anasjelltas, mund të nxisë politikat për rritjen e niveleve të lindjeve.

Bashkimi Europian analizon se rritja e përgjithshme e shpenzimeve mbi arsimin parashkollor si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) sugjeron se shumica e vendeve po shkojnë drejt së opsionit të dytë, nxitjen e lindjeve.

Në vitin 2023, kishte 8.1 për qind fëmijë më pak se më 2013, por në BE, mesatarja e shpenzimeve publike për fëmijët deri në 6 vjeç u rrit nga 0,67 % e PBB -së me 2014 në 0,71 % në 2021.

Gjatë viteve të fundit, rritja më e lartë e financimit të nevojave të fëmijëve vërejtur në Gjermani, Estoni, Letoni, Lituani, Zvicër dhe Islandë. Por Suedia dhe Islanda shquhen për investime shumë më të larta ndaj fëmijëve duke tejkaluar 1.6 % të PBB-së së tyre. Në të kundërt, Shqipëria Irlanda, Greqia, Qiproja dhe Turqia shpenzuan më pak se 0.3 % të PBB-së së tyre për fëmijët.

Sa i përket numrit të fëmijëve të vegjël, Italia dhe Spanja panë rënien më të madhe me mbi 700,000 fëmijë më pak ndërmjet 2013 dhe 2023. Franca dhe Turqia pësuan rënie të 550, 000 dhe 515, 000 fëmijë gjatë kësaj periudhe.

Disa vende devijuan nga kjo prirje gjithëpërfshirëse. Numri i fëmijëve mbeti relativisht e qëndrueshëm gjatë dekadës së fundit në Danimarkë, Qipro, Hungari, Sllovaki dhe Suedi.

Në disa vende, ka pasur rritje të konsiderueshme. Psh në Gjermani, popullsia e fëmijëve brenda intervalit 0-5 vjeç është rritur me 18 për qind nga 2013-2024. Për më tepër, Luksemburgu dhe Malta kanë shënuan rritje me përkatësisht 13.3 dhe 10.5. Në Austri dhe Zvicër, numri i fëmijëve të vegjël është rritur përkatësisht me 9.9 dhe 8.4 pikë për qind./ Monitor


Send this to a friend