(Me rastin e 540-vjetorit të lindjes)
– Të rrallë, vetëkuptohet të paktë, por absolutisht të pazëvendësueshëm, janë njerëzit në historinë e njerëzimit si Tomas Mor (Thomas Morus).
Ai dukej se ngjan se i përket racës parake, adamike, i takon asaj specie njerëzore të mrekullueshme me vetitë midis njerëzores dhe hyjnores, në mitologjinë greke mund të quhej një Herkul, mund të quhej një Akil, të lindur nga dy prindër, njëri prej të cilëve është hyjni dhe tjetri është njeri. Kjo racë e ndërmjetme, ndoshta tashmë është zhdukur.
Por Tomas Mor, ka lindur për të mos u zhdukur asnjëherë.
Tomas Mor është njeriu që përfaqëson njerëzimin në prirjen për të fituar pavdekësinë.
Tomas Mor ka një bindje kolosale tek fuqia morale e pashtershme e njerëzimit.
Kështu, ai projekton brenda vehtes ëndrrën e njerëzimit.
Projekti i tij mund të quhet, e ardhmja e humanizmit, një kryeprojekt i hatashëm dhe i pashlyeshëm.
***
Sër Tomas Mor (1477-1535), ka lindur 540 me pare , në Angli.
Ishte filozof, burrë shteti, utopist, vizionar.
Vizionarizmi për të, mbështetej tek faktet, forca e njeriut për Tomas Morin, nuk është një fantazi e zbrazët. Në kohën e mbretit Henriku 7, Tomas Mori ishte deputet në Parlamentin anglez, në 1529 ai arriti zenitin e karrierës si Lord Kancelar i Anglisë.
Tomas Mori refuzoi ta bëjë betimin ritual përpara Henrikut 8, kundërshtoi pozitën që mëtonte mbreti i Anglisë si kryepar i Kishës Anglikane.
Henriku 8, u hakmor sa të gjitha inkuizicionet e marra së bashku.
E paditi për tradhëti dhe e ekzekutoi.
Më vonë, sër Tomas Mor u shpall martir i Kishës Katolike.
Jeta e tij vetjake ka një tragjikë të pashembullt. Nuk pranoi të heqë dorë nga bindjet e tij. Tregoi se frika ndaj vdekjes, është një alibi për të jetuar.
Ashtu si Sokrati, u dënua me vdekje. Edhe të tjerë të ngjashëm si fjala vjen Jan Husi dhe Bruno, përsëritën krenarinë e papërballueshme për të vërtetën.
E vërteta e jetës dhe e botës, është tema që ata e vaditën me gjakun e tyre.
Pema e emrit të Tomas Morit, rritet dhe lulëzon në të gjitha kohërat.
***
Tomas Mori ishte një dijetar i madh.
Njihte Platonin nëpërmjet veprës së Marselio Fiçinos.
Njihte Piko Dela Mirandolën.
I ndikuar nga Aristoteli, mendonte seriozisht për të ardhmen njerëzore të shtetit.
Ishte miku më i madh i Erazmit të Roterdamit. Erazmi, e shkroi pikërisht në shtëpinë e Tomas Morit, kryeveprën e vet “Lavdërimi i marrëzisë”.
Erazmi i Roterdamit, meditonte gjatë udhëtimit i hipur në kalë, po kur zbriti tek shtëpia e Tomas Morit, melankolik dhe inteligjent, plot shpotira vezulluese, pa sesi me anë të ironisë mund të dyzohej shpara ndëshkuese – Eskalibari i Shën-Mikelit (kryeëngjëlli).
Për librin e tij me titull si një lojë greke-latine, sepse me “Encomium Moriae” mund të kuptohet si Lavdërimi i Morit, ose Lavdërimi i Marrëzisë. Në latinisht, mund të thuhet më qartë “Stultiticae Laudus”.
Kryevepra e Erazmit të Roterdamit, ka ndryshuar tërë mendësinë e Mesjetës.
Erazmi ishte si një sternip pasardhes i Lukianit, duke i paraprirë Shekspirit.
Erazmi ia kushton kryeveprën e tij Tomas Morit, Erazmi shkruan për Tomas Morin: “Demokriti i ri, sodit dhe trajton me të qeshur punët e jetës njerëzore, sepse Mori, falë gjenisë së vet dhe talenteve të tij të shkëlqyera qëndron mbi të gjithë njerëzit e tjerë”.
Vetëm ky kushtim do ta bënte të pavdekshëm Tomas Morin.
***
Por substanca e pavdekshmërisë së Tomas Morit, qëndron në librin e tij “Utopia” të cilin e botoi në vitin 1516, 501 vjet më parë.
Ky libër, deri në vitin 1689, u ribotua 24 herë, u përkthye me shpejtësi në të gjitha gjuhët evropiane.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm.
Ishte hera e parë që në historinë e Evropës, dikush diskutonte dhe ngrinte pyetje serioze për lumturinë e njeriut dhe përsosmërinë e tij. Në njëfarë mënyre, kjo gjë ishte si një shpronësim dhe herezi ndaj premtimit klerikor për Përtejjetën.
Tomas Mori e shpiku ishullin e Utopisë. Jemi në epokën e zbulimeve të mëdha gjeografike. Udhëpërshkrimet ishin thelbi i letërsisë. Të gjithë flisnin për tokat e reja. Të gjithë flisnin për kontinente dhe ishuj të rinj.
Për herë të parë, gjeografia e planetit po rilindte nga vetvetja, ose siç ka thënë një filozof, planeti lindi si një foshnjë në maternitetin e detarëve kolombas.
***
Kanë kaluar 5 shekuj, mijëvjeçari i tretë i kompjuterave dhe i kibernetikës, ka një racionalitet të pashpirt. Fantazitë dixhitale, hollivudiane, mbështeten mbi matematikën e Bulit, Ajnashtajni ka krijuar një relativitet të ” frikshëm” në konceptet tona për kohën.
Doktrinarët utopikë, pas eksperimenteve tragjike të totalitarizmit, përbuzen dhe mohohen. Megjithatë, libri i Tomas Morit, nuk është harruar.
Ky libër më shumë sesa projektin e shtetit të së ardhmes, ka projektin e humanizmit. Kush mund t’i shmanget këtij projekti?
Nëse njerëzit nuk janë humanistë, atëjerë përse duhet të jenë njerëz?
Nëse njerëzit nuk besojnë në moralin njerëzor, atëherë përse qytetërimet mund të quhen njerëzore?
Nëse humbet humanizmi, ç’kuptim ka planeti i makinave?
Makinat nuk kanë shpirt. Njerëzit i kanë krijuar makinat.
Mos vallë njerëzit janë skllevër të makinave? Mos vallë përllogaritjet kanë zëvendësuar emocionet dhe ndjenjat?
Mos vallë fuqitë shpirtërore kanë shterur?
Mos vallë njeriu që po pushton kozmosin, është kthyer në një mutant, apo klonim i robotëve?
Nëse humanizmi është një koncept universal, si mund të quhet jetë njerëzore, jeta e pakicës?
Ndërsa jeta e shumicës është nën nivelin ekzistencial njerëzor?
Këto pyetje, nuk kanë vdekur. Nuk ka pyetje më të mëdha dhe më tronditëse se pyetjet e humanizmit.
Nuk ka pyetje më tragjike, më jetike sesa pyetjet e mbijetesës së moralit njerëzor.
Në këtë konceptim të përgjithshëm, libri i Tomas Morit, është një ungjill i besimit, forcës njerëzore, ëndrrës për të mirën dhe të bukurën.
***
Utopia (U- topos, greqisht do të thotë një vend që nuk është asgjëkundi), është një ishull në formë gjysmëhëne dhe 54 qytete të mrekullueshme. Nuk njihet prona private, nuk pranohen lojërat e fatit, qeverisja i takon popullit. Aty përçmohet floriri, është kaq konvencional, saqë me të bëjnë uturakë. Aty punohet vetëm 6 orë në ditë. Ka një bollëk të paparë.
Luftohet jeta në plogështi.
Virtyti është të ndihmosh të tjerët.
Utopianët mendojnë se morali është prirja më e mundshme dhe më e mirë.
Çdo gjë gjykohet nga arsyeja.
Jepet kështu një mënyrë apo strukturë të menduari.
Një model qeverisës, ndoshta jo më i përsosuri dhe jo më përfundimtari, por gjithsesi mbetet “materia ideale”, ku dëshirojmë të kridhemi, por jo të mbytemi.
***
Libri i Tomas Morit, nis me një dialog midis një udhëtari Rafael Hidlode, detar mik i Ameriko Vespuçit, me Pier Zhij.
Dialogu lidhet me problemet politike të mprehta, për tiraninë, tundimet, padrejtësitë. Tema është si ajo e dramave të Shekspirit.
Pra, libri i Tomas Morit, ka një problematikë shekspiriane. Eshtë paraprijës. Mbreti Henri 7 i Anglisë është despot.
Në librin e Tomas Morit, ky despot është objekt i kritikës. Qëllimi i pushtetit, duhet të jetë përkujdesja dhe mirëqënia e shtetasve.
Qeveritari që nuk mendon për mirëqënien e popujve, është i dështuar.
Tomas Mori zbaton një pedagogji të tërthortë për monarkët.
Ishulli i Utopisë, është i konceptuar si Venetiku në Evropë. Por me një pamje të së ardhmes.
Tomas Mor si Makiaveli, është kundër ushtrive mercenare që bënin kërdinë në Evropë. Tërë projekti i Tomas Morit, lidhet me respektimin e të drejtës.
Shpërfillja ndaj të vërtetës, është pengesë dhe varri i lirisë. E drejta duhet identifikuar me të vërtetën, shteti me moralin.
Në këtë kuptim, libri i Tomas Morit, është një nga pamfletet politike më të mëdha të të gjitha kohërave.
Tomas Mori, arsyeton për karakterin e pasurisë, të pushtetit, duhe i vënë në një ekuacion me lumturinë, ku të kundërtat mund të zhdukin njëra-tjetrën.
Tomas Morii ngre himn punës së lirë dhe është kundër luftës.
Ai shkruan: “Hajdutët janë ushtarë të shkëlqyer, ashtu si ushtarët kryesisht janë hajdutë. Janë dy zanate që puqen më së miri”. Tomas Mori ngrihet kundër shfrytëzimit të pashpirt. Meqënëse në Anglinë e kohës së tij, feudalët i largonin fshatarët nga toka, për të rritur delet, leshi i të cilave shërbente për fitime të mëdha në industrinë e tekstilit, Tomas Mori ka thënë parabolën më tronditëse se “delet hanë njerëzit”.
Kujdesi për kafshët në vend që të jetë në lartësinë e njeriut, kthehet në një paradoks antinjerëzor.
Tomas Mori flet për kriminalitetin që pllenohet nga padrejtësitë dhe kushtet kriminale. Ai arrin deri tek mendimi që duhet të hiqet dënimi me vdekje.
Ai mendon se rregullimi shoqëror mund të bëhet nga arsyeja.
Eshtë dakord me Platonin se filozofët duhet të drejtojnë shtetin, duke parakuptuar statusin më të lartë intelektual për politikanët.
Ai thotë: “Gjithsesi, është e vështirë të quash mbret një individ që ndjen kënaqësi të bëjë një jetë të shkëlqyer, ndërsa rreth tij vuajnë dhe ankohen.
Ai duket si një roje burgu.
Shkurt, do të ishte një doktor mjeran, ai që do të mjekonte një sëmundje duke shkaktuar një tjetër.
Në të njëjtën mënyrë, një mbret që arrin të kontrrollojë rendin shoqëror, vetëm duke ulur nivelin e jetesës së shtetasve, duhet të pranojë se nuk është aspak në gjendje të qeverisë njerëz të lirë”.
***
Tomas Mor: “Nëse nuk mund të çrrënjosen plotësisht gabimet, as luftojmë kundër veseve, ashtu siç duhet, nuk duhet të tërhiqemi prej saj. Do të ishte si të braktisnim një anije në furtunë, vetëm sepse nuk jemi në gjendje të mposhtim erërat.
Nga ana tjetër, nuk shërben për asgjë, të diktosh me forcë ide të reja, që nuk do të ndikonin aspak kundër paragjykimeve të njerëzve”.
***
Rrallë ka ndodhur si me rastin e “Utopisë”, që njerëzit të ngazëlleheshin, madje të martirizoheshin nga ëndrra.
Në kohën e Tomas Morit, filluan të vizatonin harta ilustruese të ishullit të përmendur, si edhe të shpiknin një alfabet për banorët e tij të palindur.
Në mënyrë sfiduese, Oskar Uajlldi shkruan: “Një hartë e botës që nuk përfshin “Utopinë”, nuk vlen as t’i hedhësh sytë, sepse lë jashtë tokën e vetme, ku ka zbarkuar i gjithë njerëzimi”.
***
Natyrisht që Tomas Mori, nuk ishte as naiv dhe as “utopik”.
Ai njihte shumë mirë realitetin e mjeruar.
Njihte gjendjen kontradiktore të njerëzimit.
Libri i tij nuk ishte thjesht një manual politik. nuk e pranonte një utilitarizëm vulgar. Vizionarizmi i tij, ishte si ai i Homerit dhe i Xhomiltonit.
Ai nuk ishte i pari që krijoi një projekt të tillë ngazëllues, por edhe paradoksal.
Edhe Tomas Kampanela, me veprën “Qyteti i Diellit”, edhe Frensis Bekoni me veprën “Antlatida e re”, edhe Miltoni me veprën “Parajsa e humbur”, edhe Volteri me veprën “Kandidi”, ecën në këtë hulli.
Kjo hulli humanistike, është e pavdekshme.
***
Që në epokën helenistike, Jambuli shkroi romanin “Qyteti i Diellit” (titull i imituar edhe nga Kampanela), doli për banorët heliopolitë, por shumë më përpara tij, modeli ekzistonte.
Ky arketip, mund të gjendet në letërsinë mistike të Lindjes, në Biblën e Shenjtë. Kopshti i Edenit, është një ravijëzim i idesë fillestare të Tomas Morit. Edhe koncepti i Olimpit, ose i ishujve të të Lumturve, në mendimin antik, rrezatojnë njësoj.
Tomas Mori, nuk shkruajti një fantazi romaneske, as një libër platonian.
Ai përmend me rreptësi gjendjen tragjike të shekullit 16, kur humanizmi u bë një çështje e krejt njerëzimit.
Në këtë kuptim, ai është një nga politikanët më të guximshëm dhe më pa kompromis të botës. Utopia e tij nuk është një tipar hiereglifor. As një kriptologji e ëngjëjve.
Ai mbështetet tek realiteti për ta fuqizuar dhe për ta shndërruar në një realitet të pranueshëm. Ai bën një aktualizim të ëndrrës së njeriut.
Hebrejtë e vjetër, por edhe të krishterët, kanë krijuar projektin më të madh utopik. Ata besojnë tek ardhja e një Bote të Re.
Kështu tek libri biblik Apokalipsi, flitet për një të ardhme ku do ketë një tokë të re dhe një qiell të ri. Utopia e të krishterëve, zgjati 4 shekuj persekutimi.
Shumë ide shkencore në fillim janë dukur utopike, pas Njutonit çdo ide tjetër, mund të ishte një utopi.
Ajnshtajni mund të quhet një utopi, por që sot një është më një e tillë.
Kompjuteri i ditëve të sotme, do të ishte një utopi për Zhyl Vernin,apo Blez Paskalin. Por sot, nuk është një utopi.
Projekti i Evropës së Bashkuar, është quajtur një projekt utopik përrallor.
Por sot, është sendërtuar nga realiteti.
Por jo çdo ide utopike, mund të pranohet nga realiteti.
Komunizmi ishte një projekt utopik, por u shndërrua në totalitarizëm.
Këtë më mirë se kushdo e ka shpjeguar Karl Poper,por edhe Hanah Arend.
***
Ives Guchet, ky filozof i madh i ditëve tona, ka shkruar për librin e Tomas Morit dhe e quan projekt padyshim të humanizmit.
Filozofë të tjerë, kanë thënë se shpërdorimi i utopisë, nuk duhet të tjetërsojë ëndrrën e madhe për humanizmin. “Vetëm kafshët, nuk kanë nevojë për utopi” ka shkruar Maks Frish.
Nëse njeriu do të hiqte dorë nga përsosja e vetvetes, atëherë çdo gjë do të rutinizohej në mënyrë të frikshme.
Një betejë e madhe heraklitiane, bëhet nga njeriu për t’u njerëzuar krejt historia.
Në të kundërtën, dështimi do të ishte i pashmangshëm.
***
Ives Guchet, tregon se në shekullin e Tomas Morit, projekti i humanizmit parapëlqehej nga të gjithë.
Shkrimtari gjenial francez Fransua Rable, në 1532 botoi kryeveprën “Gragantua dhe Pantagryeli”.
Në këtë libër, në një kapitull flitet për Abacinë e Pelemit, ku u edukua Gargantuai fëmijë, sipas koncepteve humaniste.
Në këtë kapitull reflektohet ndikimi i pashmangshëm dhe i patjetërsueshëm i Tomas Morit.
***
Libri i Tomas Morit, krijoi zhanrin e letërsisë parashikuese.
Më vonë, shkrimtarë gjithashtu gjenial, Xhonathan Suift, në librin “Udhëtimet e Guliverit”, krijoi një tjetër projekt utopik mbi shtratin e një ironie.
Ai flet për një vend ku ekzistonte një republikë kuajsh. Që ishin më të mençur sesa njerëzit.
Kjo kritikë ndaj njerëzve bashkëkohorë, duke lartësuar virtytet e kuajve, që nuk e njihnin vrasjen, mashtrimin, shfrytëzimin, intrigën, është një nga parabolat artistike më të mëdha të botës.
***
Sibila e Kumeas e shkruar prej shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani,te libri “Ceta e Profeteve “ parathonë një të ardhme më të bukur.
Ky është një tjetër projekt humanizmi. ndonëse metaforik, i ngjashëm me atë të Tomas Morit.
Më vonë, shkrimtarët e kultivuan këtë trillë, edhe në formën e utopive negative.
Do të përmend këtu shkrimtarin Aldus Haksli (1894-1963).
Në 1934 botoi romanin “Bota shumë e re”, ku parashikon një njerëzim të kibernetizuar, të futur në formula shkencore, ku mungon liria dhe njerëzorja.
Kjo utopi negative, ishte nën ndikimin e një tjetër romancieri rus, të quajtur Evgjeni Zamiatini,autor i romanit “Ne”
Nuk duhet harruar në asnjë mënyrë më i tmerrshmi në utopitë negative, Xhorxh Oruell, me romanin e tij “Viti 1984”, që parashikoi renien per shoqëritë totalitare, sidomos të perandorisë komuniste.
Një tjetër shkrimtar anglez, Herbert Uells shkroi gjithashtu projekte utopike në formën e futurologjisë shkencore.
Librat e tij “Makina e kohës”, “Lufta e botërave”, si edhe “Ujëdheza e dr. Morosë”, janë ekranizuar dhe njihen nga të gjithë.
E habitshme, por shumica e filmave hollivudianë, parashikojnë një të ardhme apokaliptike, ku njerëzit e kompjuterave, çnjerëzohen.
Ndoshta ky është apeli më i thekshëm i epokës sonë.
***
Në kohën kur jetoi dhe u vra Tomas Mori, një tjetër artist i madh Sebastian Brant, pikturoi diçka të tmerrshme “Anija e të çmendurve”.
Ideja se njerëzimi shkatërron vetveten, lidhet me mosrespektimin e esencës njerëzore. Ky ishte edhe motivi kryesor erazmik.
Çuditërisht në ditët e sotme, është filozofi Mishel Fuko, që u mor seriozisht me çmendurinë njerëzore.
Historia e njerëzimit është edhe historia e kësaj çmendurie.
***
Kthimi tek njeriu, është shpëtimi i njerëzimit.
Kjo tingëllon kaq aktuale, për të gjithë.
Le të shpresojmë.
Komentet