366 ditë më parë, në orën 16:30 të 26 gushtit 2015, nënshkruhej në Vjenë marrëveshja për demarkacionin (vijën kufitare) mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Për palën kosovare marrëveshja nënshkruhej nga ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ai i Brendshëm Skënder Hyseni. Për palën malazeze marrëveshja nënshkruhej respektivisht nga homologët Igor Lukshiç dhe Rashko Konjeviç. Mali i Zi atë ditë nënshkruante edhe demarkacionin me Serbinë, një sukses i madh, sepse përmbyllte kësisoj shënimin e kufijve të vet shtetërorë. Thaçi dhe Hyseni atëherë deklaruan se kështu përmbushej një nga kërkesat e Bashkimit Evropian për nënshkrimin e MSA-së. Nga ana e tij, Hashim Thaçi, iu përsëri gazetarëve deklaratën se marrëveshja është në “përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Kosovës”.
Më rezulton që Hashim Thaçi të jetë nga Drenica, krahinë në Kosovën qendrore (nja 270 kilometra katrorë), ndërsa Skënder Hyseni të jetë nga Llapi, krahinë në verilindje të Kosovës.
Nisma për miratimin e marrëveshjes u miratua në qeveri në mëngjesin e 5 gushtit 2015, pra 21 ditë para nënshkrimit. U tha se pas një pune trevjeçare të komisionit për shënimin e kufirit tashmë është koha që marrëveshja të miratohet. Kryeministri Isa Mustafa tha në hapje të mbledhjes se iniciativa për nënshkrimin e Marrëveshjes me Malin e Zi, është tepër e rëndësishme për zhvillimin tonë, sepse kjo shënon një fazë të rëndësishme të përkufizimit shtetëror të Kosovës me vendet fqinje dhe ndërtimit të marrëdhënieve të reja mbi bazën e respektimit të kufijve shtetëror”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të gjitha ata që kanë punuar në këtë fushë, dhe duke shtuar se ky është një proces i cili do të vazhdohet edhe në javët e tjera në Qeveri derisa të përmbyllet.
Ndërsa Hashim Thaçi, siç shkruajnë kronikat e kohës, duke propozuar miratimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes për vijën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, ka vlerësuar punën e Komisionit:
“Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të Republikës së Kosovës, ka punuar tash e tri vjet rreth përmbylljes së çështjes së demarkacionit me shtetin e Malit të Zi. Tani Kosova në kuadër të forcimit të subjektivitetit të vet ndërkombëtar dhe ndërtimit të raporteve, marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit në veçanti me shtetet fqinjë, është duke punuar intensivisht që të përmbyllë këtë çështje që është si kusht dhe standard, natyrisht edhe ndërkombëtar por edhe në kuadër të konsolidimit si shtet. Prandaj, pas përmbylljes së kësaj çështje të demarkacionit me Maqedoninë, është punuar intensivisht tash e tri vite nga ky Komision që kjo çështje të përmbyllet edhe me Malin e Zi. Komisioni ka bërë një punë profesionale, prandaj kam nderin t’iu informoj në pika të shkurtra sot rreth nismës për lidhjen e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi. Marrëveshja e lartpërmendur përveç rëndësisë dhe përmbajtjes së saj do ta avancoj edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Përmes kësaj marrëveshje, ne konfirmojmë angazhimin reciprok për të kontribuar në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sigurinë, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë. Ne i kemi dhënë mbështetje të fuqishme punës profesionale të Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, duke u udhëhequr gjithnjë nga dëshira për të përmbushur obligimet që dalin nga e drejta ndërkombëtare, duke pasur parasysh respektimin e plotë të parimit të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe zgjidhjen paqësore të çështjeve dypalëshe. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, pra Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, Marrëveshja e lartpërmendur i nënshtrohet procesit të ratifikimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, andaj kërkohet sot që kjo nismë të aprovohet nga Qeveria fillimisht.”
Kabineti Qeveritar, pas fjalës së Hashimit, pa diskutime, e ka miratuar nisën për lidhjen e Marrëveshjes për vijën shtetërore kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Kryeministri Isa Mustafa më rezulton se është nga Gollaku, krahinë në verilindje të Kosovës, ngjitur me Llapin.
Mbledhja e Qeverisë për marrëveshjen dhe nënshkrimi i saj ndodhën në kohën kur Kuvendi i Kosovës ishte me pushime. Jo rastësi. Në tri vite të punës së tij, puna e Komisionit qeveritar për demarkacionin nuk iu nënshtrua asnjëherë diskutimit në komisionet kuvendore, nuk iu nënshtrua debatit publik, nuk u ndriçua për asnjë çast në asnjë nga mediat. Kështu opozita, shoqëria civile, mediat u përjashtuan tërësisht nga procesi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Transparenca e vërtetë mungon edhe sot e kësaj dite.
Gjatë punës së Komisionit për Shënimin e Kufirit Kosovë-Mali i Zi eksponentë të lartë të opozitës e kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër tendencës së dukshme për t’i dhuruar republikës fqinje tokë të Republikës së Kosovës. Edhe banorët e Rugovës, zonë kufitare me Malin e Zi, të prekur drejtpërdrejt nga ky veprim i komisionit qeveritar, kanë kundërshtuar vazhdimisht shënimin e gabuar të kufirit shtetëror Kosovë- Mal i Zi, që ua rëmbente atyre bjeshkët e ia kalonte vendit fqinj.
Një nga mbështetësit konsekuentë të marrëveshjes, para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, është Lutfi Haziri. Më rezulton se ky është nga Anamorava, krahinë juglindore e Kosovës.
I theksoj këto hollësi, sepse toka që humb Kosova nga Marrëveshja e Demarkacionit e 26 gushtit 2016, është në Dukagjin, krahina më e madhe e Kosovës, që zë 35 për qind të territorit dhe mbi 40 për qind të popullsisë, në perëndim të vendit. Nëse do të ishte fjala për territor të Drenicës, Llapit, Gollakut apo Anamoravës, sigurisht marrëveshjen nuk do ta miratonin, nënshkruanin dhe mbronin me aq lehtësi Hashim Thaçi, Skënder Hyseni apo Lutfi Haziri.
Dukagjini është krahina nga vjen Presidenti Ibrahim Rugova. Prej këndej vjen edhe ish kryeminstri Ramush Haradinaj. Ibrahim Rugova personalisht ju pat premtuar banorëve të vendlindjes së tij, Rugovës, se ata do t’i trashëgojnë për jetë të jetëve trojet e tyre deri në Çakorr dhe deri te Kulla e Zhlepit.
Nënshkrimi në Vjenë i marrëveshjes së Demarkacionit, paraprihej nga nënshkrimi në Bruksel – një ditë më herët – i marrëveshjes së Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa dhe nga kryeministri i Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiçi. Opozita e çoi në Gjykatën Kushtetuese si marrëveshje antikushtetuese dhe gjykata e rrëzoi marrëveshjen si të tillë në disa nga nenet e saj kryesore.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e stepi koalicionin PDK-LDK edhe sepse filluan t’i mungojnë votat nga radhët e deputetëve të koalicionit. Kjo i shtoi edhe radhët e kundërshtarëve të marrëveshjes së Demarkacionit. Tashmë kundër saj do të ishin përveç deputetëve e zyrtarëve nga Dukagjini, përveç deputetëve të opozitës edhe shumë deputetë nga koalicioni qeveritar si dhe intelektualë të fushave të ndryshme, eksperttë të çështjeve përkatëse të cilët sollën fakte dhe dokumente që vërtetojnë se marrëveshja ia humb Kosovës dhjetëra hektarë tokë.
Mbrojtësit e marrëveshjes – Thaçi, Mustafa e të tjerë – këmbëngulin se me marrëveshjen e Demarkacionit, Kosova nuk humb asnjë metër katror, se harta e Kosovës nuk ndryshon pas marrëveshjes. Mirëpo harta e Malit të Zi, pas 26 gushtit 2016, ka ndryshuar. Asaj i janë shtuar 82 kilometra katrorë, thonë disa ekspertë, apo 88 kilometra katrorë, siç thonë disa të tjerë. Nga territoret e Shqipërisë Mali i Zi nuk ka marrë asnjë milimetër, nga territoret e Kroacisë, Bosnjës apo Serbisë nuk ka marrë asnjë milimetër. Atëherë ato kilometra katrorë të përfshira në hartën e tij pas 26 gushtit 2016 janë nga territori i Kosovës.
Kur u nënshkrua marrëveshja, qeveria tha se bëhej për hir të MSA-së, kur kërkon ratifikimin, thuhet se bëhet për hir të liberalizimit të vizave. Nëse i nënshtrohet referendumit, me siguri Kosova nuk pranon që demarkacioni, kështu siç është, të shkëmbehet në natyrë me libralizimin e vizave.
Edhe pse këta kilometra katrorë janë të Dukagjinit, ata janë tokës e Kosovës, prandaj është në dëm të gjithë Kosovës, është tokë shqiptare, prandaj është në dëm të të gjithë shqiptarëve. Kjo i ka vënë hapur, si asnjë politikan shqiptar më parë, Thaçin, Mustafën e të tjerë, kundër interesave shtetërore të Kosovës, kundër interesave kombëtare të shqiptarëve.
Komentet