Sa bukur qenka të jetosh në Shqipëri
aty ku njerëzit në vend të zarzavateve
hanë gazeta dhe politikë.
Të jetosh në Shqipëri
me hajdutë dhe politikanë,
me poetë dhe matrapazë,
trutharë dhe liberalë…
Të përgjosh anijet që vijnë nga brigjet e huaja,
t’i kthesh sytë diellit në lulishten “Rinia”
Sa bukur qenka të jetosh në Shqipëri
me policë dhe poetë,
të burgosur politikë dhe studentë
me komunistë dhe agjentë,
me ideologë dhe disidentë…
E megjithatë
diçka e keqe ikën prej nesh përgjithmonë
dhe diçka vjen…
i ngjan polenit të luleve të prillit,
Toka e dashur lëviz, lëviz,
si qenie e gjallë drejt perëndimit.
Komentet