Islanda po dridhet, toka po çahet. Mali Etna në Siçili po nxjerr zjarr dhe hi. Ndërsa supervullkani ‘Fushat Flegraike’ pranë Napolit gjithashtu ka shkaktuar shqetësim të madh te ekspertët prej javësh.
Sa e rrezikshme është toka që po zien? A po shpërthen gjithçka përpara syve tanë?
BILD jep përgjigje.
Para se gjithash: Tri vendndodhjet me aktivitetin aktual vullkanik nuk janë të lidhura. Janë ngjarje individuale.
Vlimi në Islandë
Profesori Thomas Walter, kryevullkanolog në Qendrën për Gjeokërkime në Potsdam, thotë për BILD: ‘E gjithë Islanda është me origjinë vullkanike dhe ka pasur trazime të mëdha në ishull për vite me radhë. Kishte tre shpërthime në tre vjet. Por situata atje ndryshon nga ora në orë, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë tani’.
Fakt është se në rajonin përreth qytetit të evakuuar të Grindavikut, është formuar një tunel magme prej 15 kilometra i gjatë, që shtrihet deri në det.
Shqetësimi kryesor është se nëse ndodh një shpërthim nën det, do të krijohen sasi të mëdha tymrash toksikë që përmbajnë acid klorhidrik, gjë që mund të kërcënojë edhe kryeqytetin e vendit, Reykjavik (me popullsi 140 mijë banorë).
Vullkani më i madh në Europë
Shpërthimi në kraterin juglindor të Etnës u parashikua nga ekspertët. Profesori Walter thotë: ‘Kam qenë atje para pak kohësh, shpërthimi aktual nuk është asgjë e pazakontë. Kjo ndodh në Etna një ose dy herë në vit’.
Supervullkani pranë Napolit
‘Supervullkani’, i njohur ndryshe edhe si Fushat Flegraike, është një zonë prej afërsisht 150 kilometra katrorë pranë Napolit, që përbëhet nga një numër vullkanesh individuale.
Një ekip kërkimor nga Kolegji Universitar i Londrës dhe Instituti Kombëtar i Kërkimeve për Gjeofizikën dhe Vullkanologjinë në Itali, së fundmi kanë ekzaminuar gjigantin nëntokësor. Rezultati: Ka disa vite që ka shenja të reja të rritjes së aktivitetit.
Profesor Walter thotë: ‘Diçka aty ka zier për dekada, por situata është qetësuar për momentin’. Kjo do të thotë se edhe pse mund të ndodhë një shpërthim i kufizuar, vullkanologët nuk presin një shpërthim masiv supervullkani që do ta zhyste tokën në një dimër vullkanik dhe do të shkaktonte një epokë të vogël akullnajash.
Por çfarë i bëjnë vullkanet klimës sonë? Profesor Walter: ‘Këto ngjarje aktualisht janë shumë të vogla për të shkaktuar ndryshime klimatike’.