Libri “Njeriu “Pa” “ Atdhe” i shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha,
Ky libër, i cili është i dyzeti me radhë i këtij krijuesi, që është i karakterit autobiografik, brenda pesëqind faqeve, ngërthen rrugëtimin jetësor të autorit, e përmes këtij rrugëtimi, reflektojnë shumë ngjarje, shumë periudha kohore e historike të dhembshme, të lumtura e krenare, që provokojnë për t’i ndier e përjetuar ato, por edhe për t’i analizuar gjërat që kanë kapërthyer jo vetëm jetën dhe rrugëtimin e shkrimtarit. Dhe, përmes kësaj vepre, autori, jep një mesazh të thellë njerëzor dhe shumëdimensional.
Ja se çfarë thotë ai për materien e “ngujuar” në këtë libër, e që e shoqërojnë dhe e bëjnë edhe më me peshë, mbi 160 fotografi dhe dokumente: … Dua të theksoj, se tërë këtë rrugëtim shkrimi, e shtrova në këtë libër, për ta mposhtur dëshpërimin dhe për ta madhështuar lumturinë, krenarinë dhe fatin e njeriut!
Por, në të përfunduar të këtij libri, respektivisht, deri sa po i shkruaja këto fjalë, brenda meje më dhembte historia, sepse, toka ime edhe sot është e copëtuar, dhe, sikur po rrugëtoj me zemër bosh…!
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, në një nga manifestimet letrare
Dëshmia e themeltë si kapital për dëlirësinë shpirtërore
Ky libër le të jetë ajo dëshmia e themeltë dhe e përgjithmonshme, por edhe si kapital për dëlirësinë shpirtërore, për punën gjithmonë të sinqertë, që do të jetë krenari dhe dokument i ndritshëm brez pas brezi për madhështinë e qëndresës, për moralin e nderin për të jetuar e mbijetuar ndershëm dhe me atë mundësinë, edhe nëse është modeste, për t’i kontribuar lumturisë dhe fatbardhësisë së njeriut e njerëzimit.
Ky libër, le të jetë dokument, i cili i ngjanë fanarit të pashuar ndër decenie mbase edhe ndër shekuj, i cili, nuk u lë vend thashethemeve dhe as rrenave e shpifjeve, me të cilat, ndoshta dikush do të mund të përpiqej të njollosë shenjtërinë dhe punën time. Andaj, edhe njëherë, fëmijët e mi, nipa, mbesa e stërnipa, gjithnjë ecni vertikalisht, pa u trembur për të kaluarën, për rrënjët, për trungun dhe as për kurorën e pemës së familjes. Me këtë sermije, por edhe me punën dhe veprat tuaja, në jetë, gjithnjë qëndroni vertikalisht, ashtu edhe siç e meritoni. E theksova këtë, sepse, jeta i ngjanë obeliskut të cilin, nga të gjitha anët e rrahin erërat dhe furtunat…!
Dhe ja, tani, pasi e përfundova së shkruari librin tim të dyzetë, jam vetë i katërdhjeti! Ama bash vetë i katërdhjeti… Unë e di, se për arsye. Apo, e dini edhe ju…! Nëse nuk e dini, kur ta lexoni, ose, vetëm kur ta shfletoni, padyshim se do të bëheni edhe ju vetë të katërdhjetët. Jam njeri me fat, që me përkushtim, me punë, me përgjegjësi, me dhembje e krenari bashkë, ndërtova pothuaj çdo gjë në jetë, që bën dritë, si shpirti që rri vetëm duke shëtitur e duke bërë dritë. Nuk ka asgjë më me fat se që ka ndodhur kështu…!
Jeta është si një monstrum global, pa të cilin nuk bën,
Ndërsa, historia është rob i saj, dhe e kundërta
Autori, duke “shëtitur” nëpër labirintet e jetës, sikur edhe vetë shndërrohet në formulë dhe në të njëjtën kohë edhe si matematikë e analizë jete. Andaj, ai në mes tjerash thotë:
“Jeta është një monstrum global, pa të cilin nuk bën, ndërsa, historia është rob i saj, dhe e kundërta. Për atë, drejtësia, sinqeriteti, njerëzorja dhe respekti, janë faktorë, që njeriut, popujve, njerëzimit përgjithësisht, u sjellin fatalitet, tmerr, depresione, vuajtje dhe marri, të cilat janë të mbështjella me lumturinë, me shpresën, me gëzimin, me synimet e ëndrrat, e që bashkë, kurrë dhe askush nuk mund t’i sqarojë dhe as t’i shpjegojë as në aspektin shkencor, as në atë psikologjik, por, nuk mund t’i shpjegojë dot as filozofia, as sociologjia dhe as shëndetësia…!
Jeta i ngjanë një pakoje defterësh me fytyrë e pafytyrë, që, edhe lumturojnë edhe tmerrojnë, me “fakte” paqeje e luftërash, me dhunime e përdhunime, me ndërtime e rrënime pallatesh e objektesh me pesha dëshmie e pa dëshmie të historisë, të cilat vjellin çmenduri! Që të gjitha janë matematika çnjerëzore e të mbështjella me shkencën e pseudoshkencën, të shtruara me stofrat më të mira të lumturisë, e që e tërë kjo, nuk është gjë tjetër veçse shkrime në mes fletoreve me dëshmi e dokumente më të përçudshme e të rreme…!
Kjo është jeta dhe e gjithë vlera e saj!”.
Nëse puna ime vret mendjen…
Duke vënë në peshë punën dhe vlerën krijuese, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, e thekson edhe këtë: “Përmes librave të mi, pra, edhe përmes kësaj vepre, përpiquni të më kuptoni, ose, edhe mund të më urreni, mund të më doni, ose, mund të më thoni, se, duke shkruar e kam humbur kohën, e kam rënduar jetën!
Nëse puna ime ua vranë mendjen, mund edhe ta komentoni mesazhin tim, edhe nëse ai gjendet diku duke i vizituar “labirintet” e shpirtit, lirisht, flisni e shkruani çfarë të doni! Sepse, në fund, të lodhur, thellë do të ofshani, do ta lëshoni frymën nga fundi i barkut duke thënë: uh, po sa jam lodhur! Kështu, ose, do ta mbyllni përgjithmonë këtë “mundim”, ose, ndoshta Ju pëlqen, dhe vlerat e punës sime do t’i mbani si kujtim loti e krenarie”.
Kontributi i Sejdi Berishe në dyzet veprat e tij letrare shkëlqen në të gjitha segmentet në botën shqiptare
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, deri me tash i ka botuar dyzetë vepra nga fusha të ndryshme letrare. Nga fusha e historiografisë, shquhen veprat-monografitë, “Zejtarët e Pejës”, “Teatri i Pejës” dhe Monografia “Kombinati i lëkurë-këpucëve të Pejës”. Ka botuar edhe shumë vepra me poezi, prozë dhe dramë, si: “Çmenda në rreth”, “Vrasësi i gjumit”, “Lumturia e dhembjes”, “Freskia e pluhurit”, “Piramida e ironisë”, pastaj librin me poemë,a “Fjala e gjakut”, “Dashuro një minutë”, “Homazhe tek mendja”, “E bukura e rrugëtimit”, “Kërkoj dhembjen time”, “Mallkimi i heshtjes”, “Përtej shkrimit”, “Konflikti me vetveten”. Ka botuar edhe librin me analiza dhe këndvështrime letrare, “Gërshetimi krijues dhe urat letrare edhe librin me poezi në gjuhën greke.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja”. Është themelues i Radio-Pejës. Është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të gazetarëve të Kosovës. Berisha jeton dhe vepron në Pejë ku disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist të Pejës, anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve, kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë. Është laureat dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve nga të gjithë trojet e botës shqiptare. Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, u nderua me çmimin “Krijues i dalluar i vitit”. Në Tiranë u nderua me çmimin e dytë për poezinë më të mirë.
U nderua me çmime për poezi në Klinë, në Gjakovë në Mitingun e poezisë. Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Ai është i prezantuar në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora ku poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë vepër.
Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare në Sarandë, nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e Dea Hyjnesha në Fron e Butrintit. Kurse, në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij” që u mbajt në Sarandë, monologu nga monodrama “Obelisku pa adresë”. Publicisti, shkrimtari dhe intelektuali i mirënjohur i shume aktiviteteve tjera është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare, publicistike dhe kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Komentet