UVIL ZAJMI/ Nga nëntori i vitit 1963, te ky aktual, kanë kaluar ’60 vite, nga dita kur u papritur një e shtënë, dy, tre goditën për vdekje presidentin amerikan JF Kenedi, ndërsa ai po shëtiste me një Limusinë në njërën nga rrugët e Dallasit në shetitin e Teksasit.
E nëse shkon në Uashington, e do preferosh të bësh një vizitë në Arlington Cimitery, aty ndodhet një pjesë e historisë së kësaj familjeje, ajo më tragjikja, pasi pikërisht në atë memorial është varri i tij dhe i familjes së tij.
Me origjinë irlandeze, deputet, pastaj senator i shtetit Masacuset, është i pari president amerikan i fesë katolike. Një karrierë e shkurtër politike, pasi u nda nga jeta në moshë shumë të re. Janë vitet e luftës së ftohtë, pastaj vrasja, kur ishte vetëm 46-vjec. Nga ai nëndor i largët, janë lënë pas disa dhjetëvjecarë, por figura e JF Kenedit vazhdon të mbetet edhe sot shumë e vlerësuar. nga historianë, filozovë, admirues, qytetarë. Sigurisht edhe për shqiptarët, që e kanë përjetuar nga larg atë dramë. Një botë e tërë e kujton sot me nderim, figurën e tij.
MUZETË
Udhëtimin disa ditor në SHBA, në Uashnington e kam të lidhur jo vetëm me qëndrimin me familjen e vajzës, nipin Roi, që prej vitesh jetojnë, punon atje, por në vijim për të parë e riparë sigurisht Shtëpinë Bardhë, United States Capitol, Muzeun Lincoln, Memorialin e ushtarëve amerikanë të rënë në Vietnam, etj, etj. Bashkë me to dhe mrekullitë që të ofrojnë muzetë gjigantë të Uashingtonit, National Air and Space Museum, National Museum of American, National Museum of Natural History, United States Holocaust Museum etj.
Nga kapsula e anijes kozmike Apolo 11, avionët e luftës në Vietnam, ato presidencialë, Enola Gay-n që hodhi bombën atomike në Hiroshima, një Boing B-29, me emrin e nënës së pilotit, kolonelit Paul Tibbets, etj. Të hapura në cdo ditë të javës, hyrje e lirë, por shumë vizitorë, shpesh e pamundur të futesh, pa bërë një prenotim më parë.
VARREZAT
Përveç takimit me të afërm, miq, shokë, për mua ka një tjetër efekt dhe moment emocionues Uashingtoni, një qytet i stilit europian, pa gradiacela, përkundrazi, me një gjelberim të jashtëzakonshëm i shtrirë në hapësira të mëdha. Por, ajo që më shtyn të shkoj te Varrezat e Arlingtonit, te ai memorial kolosal është e lidhur kryesisht me të kaluarën, ngjarjen e madhe tragjike që tronditi botën, siç ka qenë ajo Xhon F. Kenedit dhe historia e tij. Një burrë i pashëm, president në moshë të re, demokrat, i edukuar, koha e tij mbetet edhe sot një stil modern, mënyrë kenediane e të jetuarit, të qenit, sjelljes, me principet kryesore të jetës, elegancës, lirisë për një qytetar, politikan amerikan. Jo vetëm për ata në Shtëpinë e Bardhë por në të gjitha shtetet në Amerikën e Bashkuar.
Pastaj dashuria me Zhaklinën, gruan bukuroshe, deri te vrasja, e cila ka patur një jehonë që vazhdoi gjatë, vite e dekada më pas. Edhe në Shqipërinë komuniste të fillim viteve 60-të, ajo ndodhi pati impaktin e saj, pasi Kenedi ka qenë i simpatizuar nga shqiptarët dhe brezat e asaj kohe. Pikërisht në ato varreza, ku janë të vendosur të gjithë ushtarakët amerikanë të rënë, midis tyre, në një sipërfaqe të kufizuar është edhe ish-Presidenti JFKenedi, gruaja e tij Zhaklin dhe djali i tyre. Në hyrje të paraprin Këmbana e Madhe, dhuratë e Hollandës për SHBA-në si falenderim per ndihmën e dhënë gjatë luftës së dytë botërore, pranë të cilës është Memoriali i Marine Corps, një vepër skulpturale e inspiruar nga një fotografi, kur gjashtë marinsa ngulin flamurin amerikan në majë të malit Suribachi në Japoni, në betejën e Iwo Jima-s gjatë luftës së dytë botërore.
I befasuar gjindesh sapo futesh në atë gjelbërim kolosal 2.5 km2, ndërsa nis të ngjitësh shkallët, kudo i shoqëruar nga tabelat “Qetësi dhe Respekt”. Njerëz në pafunëdsi që lëvizin në këmbë ose me mjetet e vëna në dispozicion, të gjithë do të kalojnë e ndalojnë aty, domosdosmërisht tek varri i familjes Kenedi. E rrethojnë atë memorjal, ku ndodhet një pllakë e vendosur në tokë një drejtkëndësh 10x 15 metra, e kufizuar me një litar simbolik, të gjithë në heshjte, me aparate nw duar duke bërë foto. Ngjitur me të, në një kodër të vogël është muzeu, i rrethuar me një gjelbërim, qetësi por edhe madhështi.
ROBERT E. LEE
Është kthyer në muze, ajo që quhet Shtëpia e Komandantit të Flotës Robert E Lee Memorial, që ndodhet në majë të kodrës disa metra mbi varrin e familjes Kenedi. Një ndërtesë dy katëshe me një kontroll shumë rigoroz kur futesh. Ajo që të mrekullon përveç çafër është vendosur aty, pjesa më e rëndësishme I përket pavionit të familjes Kenedi, ku janë ekspozuar foto të ceremonisë së varrimit, veshja, tromba e oficerit që drejtonte marshin funebër, detaje të karrocës, kuajve, veshjet, gjithçka që ka lidhje me atë funeral. Të ruajtura me kujdes dhe me informacionin e nevojshëm.
Pastaj pavione të tjerë, ku janë vendosur pjesë të historisë së familjes së komandantit Lee i cili e ja kishte dhuruar shtetit amerikan atë shtëpi. Pastaj dalja dhe qëndrimi në një shesh në gjysme harku ku janë vendosur të gdhendura në mermer thënie, fraza në memorje dhe në nderim të ushtarakëve amerikanë të rënë nëpër botë. Dhe pamja që të ofrohet është një tjetër mrekulli, kur nga lart ke mundësinë të vështrosh në thellësi Memorial Avenue, Arlington Memorial Bridge dhe Lincoln Memorial.
VRASJA
Ka qenë e premte, 22 nëntor të vitit 1963, në Dallas të Teksasit, në orën 12.30, John Fitzgerals Kennedy u plagos shumë rëndë nga goditjet e një arme ndërsa ai po shëtiste në Dealey Plaza me gruan e tij Zhaklin, në bordin e një Limousine presidenciale (Lincoln Continental e vitit 1961). Me to në makinë ishte edhe guvernatori Xhon Kanelli edhe ky i plagosur rëndë, me gruan Nellie.
Ai që e filmoi çastin tragjik, ishte një rrobaqepës Abraham Zapruder, i cili ishte në vendin dhe çastin e duhur në momentin e goditjes. Ai që e qëlloi (me një armë të modelit italian) nga dritaret e një puntorie, ishte një 24-vjecari Li Harvei Osvald, një ish-pilot në marinën amerikane, që një pjesë të jetës e kishte kaluar në Bashkimin Sovjetik. Ai u kap menjëherë, por në mënyrë befasuese u vra nga Xhak Rubi në korridoret e gjykatës në hyrje të rajonit të policisë në Dallas, me 24 nëntor, vetëm dy ditë pasi ai kishte vrarë Kenedin.
DHËNIA E LAJMIT
“Mirëdita zonja dhe zotërinj. Ju lutem kërkoj falje, nëse nuk marr frymë, por rreth 10, 15 minuta më parë ndodhi një ngjarje tragjike në Dallas City”- ishte zëri i spikerit që informonte teleshikuesit. Ndërsa një buletin nga salla e shtypit Dallas njoftonte: “Presidenti Kenedy dhe guvernatori Xhon Konelli u plagosën nga tre të shtëna me armë në qendër të qytetit Dallas».
Në të njëjtën ditë disa gazeta dolën në një edicion të jashtëzakonshëm për të dhënë lajmin. Ndërkohë televizioni, për herë të parë në histori, vijoi me transmetim të drejtpërdrejtë për katër ditë radhazi. Vrasja e Presidentit Kenedi është më i gjati dhe i pandërprerë i lajmeve në historinë televizioneve amerikane, deri në orën 9:00 të datës 11 shtator 2001, kur rrjetet televizivë amerikanë transmetuan drejtpërdrejtë për 72 orë rresht sulmin terrorist në New World Trade Center Jork.
AMERIKA NË ZI
Lajmi i vrasjes së Kenedit shtangu gjithë Amerikën e mbarë botën. Gra e burra duke qarë, njerëz të mbledhur në qendra të mëdha tregtare duke ndjekur televizorin që vazhdimisht transmetonte ngjarjen. Trafiku u bllokua dhe shkollat në të gjithë Amerikën deri në Kanada u mbyllën. Qeveritë e mjaft vendeve ngritën në shenjë solidariteti flamurin në gjysëm shtize. Në radio dhe televizionet e shumë vendeve të botës, pasi kishin ndërprerë transmetimet, jepnin muzikë funebre dhe njoftime lidhur me vrasjen e presidentit.
Ambasadat amerikane në të gjithë botën, hapën “Librin” e ngushëllimeve. Ndërkohë televizioni, për herë të parë në histori, vijoi me transmetim të drejtpërdrejtë për katër ditë rradhazi. Vrasja e Presidentit Kennedi është transmetimi më i gjatë dhe i pandërprerë e lajmeve në historinë televizive amerikane. Ky fakt deri në orën 9:00 të datës 11 shtator 2001, kur rrjetet transmetuan drejtpërdrejtë për 72-orë radhazi sulmin terrorist në New World Trade Center Jork.
FUNERALI
Zonja e Parë Zhaklin Kenedi, në konsultim me Robert F. Kenedin, vëllain e Xhonit, dhe sekretarin e Mbrojtjes Robert McNamara, miratoi varrimin e presidentit në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Më 25 nëntor 1963, në orën 13:00, filloi funerali shtetëror dhe ndër udhëheqësit e shteteve pranë varrit të tij ishin Presidenti I Francës Charles de Gaulle, Kancelari i Gjermanisë Ludwig Erhard, Perandori Haile Selassie i Etiopisë dhe Princi Philip i Mbretërisë së Bashkuar. 50 avionë të Marinës dhe të Forcave Ajrore fluturuan të ndjekur nga aeroplani i presidentit, Air Force One.
Bazamenti fillestar i varrit ishte 20×30 metra i rrethuar nga një gardh i bardhë. Gjatë vitit të parë më shumë se 3.000 njerëz në një orë kanë vizituar varrezën e Kenedi-t, ndërsa në fundjavë rreth 50.000. Tre vjet pas vdekjes, më shumë se 16 milionë njerëz kishin ardhur te varri i tij. Për shkak të turmës së madhe, zyrtarët e varrezave dhe anëtarët e familjes Kenedi menduan që të ndërtohej një bazament më i përshtatshëm, i cili filloi në vitin 1965 dhe përfundoi më 20 korrik 1967.
E ndezur nga Zhaklin Kenedi gjatë varrimit, Flaka e Përjetshme e vendosur në qendën e një guri rrethor me granit në krye të varrit, vazhdon të digjet edhe sot. Vetëm dy presidentë të SHBA janë varrosur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Tjetri është William Howard Taft, i cili vdiq në vitin 1930.
TRAGJEDITË QË GODITËN FAMILJEN KENNEDI
Në fillim të fushatës për zgjedhjet presidenciale Kenedi dhe Zhaklin të martuar në 12 shtator 1953, zhvilluan së bashku gjithë turin në SHBA. Në zgjedhjen e 8 nëntorit 1960, Kenedi triumfoi ndaj Richard Nixon, duke u shpallur Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur ishte vetëm 43-vjec. Zhaklin e diplomuar në George Town University Uashington, u bë Firts Lady më e re, vetëm 34-vjece. Ajo kujtohet për raporet me median, admiruese e modës, me veshjet e krijuar për të nga stilisti Oleg Kasini, një ikonën e njohur për nga eleganca.
Po kështu për menutë që zgjidhte gjatë pritjeve në Shtëpinë e Bardhë. Aftësinë e saj në aspektin social sidomos në marrëdhnëiet ndërkombëtare, shpesh herë decizive në politikën e bashkëshortit Xhon, duke filluar nga raportet me Parisin e Sharl De Gol, deri me Rusinë e Nikita Krushovit. Gjithmonë në vijën e parë në evenimentet sociale dhe kulturore, duke krijuar një rreth miqësor me artistë të famshëm. Pas vdekjes së bashkëshortit, dhe me rrezikun që e kanoste gjithë familjen Kenedi ajo vendosi të largohej nga Amerika. Me 20 tetor 1968, martohet me armatorin grek, miliarderin Aristotele Onasis i cili ndërpreu “Love story-in” me këngëtaren Maria Kalas.
Zhaklin Bouvier Kennedy Onassis, vdiq më 23 maj 1994, dhe trupi i saj u vendos pranë varrit të Xhon Kenedit në Arlington. Tragjedia e familjes Kenedi është e lidhur edhe me vdekjet e fëmijëve, Arabella që lindi e pa jetë, dhe Patrik, që vdiq dy ditë pas lindjes, të cilët janë vendosur pranë Xhon e Zhaklinë. Ndërkohë Karoline ishte vajza e parë dhe pas saj djali Xhon Kenedy Junior, i cili u rrëzua me avionin e tij bashkë me gruan dhe hirin e trupave të tyre u shpërnda në oqean aty ku ra avioni në korrikun e vitit 1999. Pranë memorialit të Xhon Kenedit është edhe varri i vëllait, Robert Kenedi ish-ministër e drejtësisë në administratën e Xhon Kenedit, më pas senator i Njy Jorkut i vrarë edhe ky gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 1968.
“ARMIKU I PËRBASHKËT …”
Ndonëse largësi e madhe, me një censurim total, shqipatërt e kanë ëndërruar Amerikën dhe lidhjet me të kanëqenë të gjithë mënyrave. Nga tentativat, arratisjet e bujshme të shqiptarëve drejt Amerikës, diversantët e ardhur në Shqipëi deri te slogani i njohur komunist:”Imperializmi amerikan armiku i përbashkët I të gjithë popujve”.
Filmi rus “Vizita e Krushovit në Amerikë”, shfaqur në kinema në fillim të viteve 60-të, ishte ndër të parët që solli pamje nga Amerika ku krahas filmit shihje gradaçielat e Neë Yorkut. Ndërsa ai që tronditi mjedisin ishte filmi “Armiku i përbashkët” që u shfaq rreth vitit 1963 në kinema “Partizani” e “17 Nëndori” në kryeqytet. Njerëz që vërshonin për të parë filmin ku tregohej jeta në Amerikë, njëkohësisht castet elektrizuese kur këngëtari i famshëm i Rock and Roll, Xherri Ljuis, ekzekutonte në piano dhe të pranishmit që ndiqnin ritmin duke kënduar nën zë. Por, vetëm tri ditë qëndroim u hoq me shpejtësi.
Për të vijuar sërish me filmat hollivudianë me Merilin Monro, aktorin Stive Rives, ato Western me Klint Istvud, apo “Tango e fundit në Paris” me Marlond Brando i parë fshehurazi në orët e vona të natës. Më pas serialët “Dallas”, “Dinasty”, apo “This is Amerika”, të transmetuar nga kanali i dytë i televizonit jugosllav, JRT, të ndjekur nga tiranasit cdo të hënë e të enjte në mbrëmje. Pastaj këngëtarët Rey Calls, Tom Xhons, Frank Sinatra, mbreti i Rock and Roll Elvis Presly, që kur vdiq pati një impakt edhe në Shqipëri. Për të ardhur te letërsia me librat e verdhë të ndaluar, atë “Tragjedi amerikane” të Teodor Drajzer, për të vijuar me “Brodaway-in e famshëm shqiptar në Rrugën e “Dibrës”, pijen “Coca Cola”, pasionin për pantallonat kauboj, ato blue jeans, dhe një cimcakiz Bruklin”, etj.
Tre njerëzit e parë që që zbritën në hënë astronautët amerikanë Kollin, Oldrin dhe Armstrong me Apolo-n 11-të, lufta në Vietnam, kur gazeta “Zëri i Popullit”, njoftonte se forcat vietnameze kishin rrëzuar një avion dhe numri i tyre shkonte nga 453, në 454, pastaj 455….dhe pilotë të zënë robër. Historia e boksierit Klei, dhe si e kanë ndjekur shqiptarët fshurazi me televizorë me vete, takimin me Xhorxh Foremanin në tetorin 1974. Kur atleti Tomi Smith ngriti grushtin lart në podiumin e Olimpiadës Meksikë ’68, te stili Fosburi që habiti botën në kërcimin së larti, si dhe yjet e basketbollit të NBA-së me kolosin Jabar.
Shahisti amerikan Bob Fisher që çmendi rusët në matcin e paharruar, skandali i “Wotërgeit-it”, notari Mark Spic, fitues i 7 medaljve të arta në “Mynih 1972”. Jeta intensive amerikane, dashuritë e famshme të aktorëve të njohur, Hollivudi, te Selia e Kombeve të Bashkuara, etj. Dhe kur Oransoda, skuadra kampione e basktebollit të Italisë në dhjetorin e 1968-tës erdhi në Tiranë dhe në formacion kishte dy amerikanë. Një takim që u mbyll 73-73, ndaj të cilëve Agim Fagu shënoi 48 pikë. Por edhe kush kishte lindur atje, ose me prindër që kishin jetuar në Amerikë ishte pak i vecantë në Shqipërinë e atyre viteve.
“HARRI FULTZ” DHE “TOKA E AMERIKANE”
E para e njohur dhe me kontribut të madh në vitet 30-40-të në të cilën janë arsimuar shumë shqiptarë në profesione të ndryshme. Shkolla “Harri Fulz”, kështu është njohur, pastaj Politeknikumi “7 Nëntori”. E njëjta ndërtesë është edhe sot. Ndërsa “Toka” kujtohet të paktën nga disa breza pas viteve 50-të, dhe bëhet fjalë për një hapësire, truall tokë në jug të Muzeut Lenin-Stalin, përballë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, e cila ka qëndruar në vite e lirë, pa mundur që askush të bëjë një ndërtim aty. As vetë shteti diktatorial.
Thuhej se “është tokë, truall amerikan, të cilën Mbreti Zog, me dëshirën që amerikanët të ishin prezentë në Shqipëri ja kishte shitur shtetit amerikan, të cilët nuk mundën të vinin, vecanërisht pas ardhjes së komunizmit dhe raportet e tensionuara që ishin krijuar me SHBA-në. Për këtë arsye nuk mund të zaptohej. Ky informacion qarkullonte për kohën dhe sa herë që do të kaloje në Rrugën e Elbasanit do të shikoje atë zonë të gjelbëruar. Sot aty është ambasada amerikane.
POLITIKA, KUR HRUSHOV DHE NIKSON NDRYSHUAN KURSIN
Janë dy momente të rëndësishme, që lidhen direkt edhe me politikën, që ndikun dhe ndoqi Shqipëria pas viteve 60-të. Fillimisht me turneu amerikan të Nikita Hrushovit, i cili filloi më 15 shtator 1959 cka në kthim ai ndryshoi përfundimisht drejtimin e kampit socialist, duke iu referuar perëndimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dhe ajo e vitit 1972, kur pas bisedimeve, të Henri Kizinger me Cu En Lain, në të famshmen lojën e pingpongut, pas të cilës Presidenti asokohe Mao Ce Dun priti Presidentin amerikan Richard Nixon në Pekin, duke sinjalizuar një politikë të hapjes së Kinës, e cila u avancua nga Ten Ciao Ping dhe qeveritarët kinezë, që edhe ata nën ndikimin amerikan ndryshuan linjën, me ide, dëshirë drejt perendimit. Vetëm Shqipëria i qëndroi besnike parimeve marksite-lenisniste.
SHPRESA
E tillë ka qenë, ora dhe zëri që vinte përtej oqeanit. Shumë shqiptarë në ato vite e më pas e kanë ndjekur sistematikisht, me kureshtje, fshehuarzi, kur në 18.00 të mbrëmjes uleshin me veshin te radio për të dëgjuar“Zërin e Amerikës” në shqip, nga i cili prisni, dita-ditës për ndryshime, hapje. Gjithcka që përcillej nga zëri legjendar e Elez Biberajt, zëri i shpresës, zëri perendimit. Sa kanë besuar shqiptarët tek ai zë. Të nesërmen në grupe konfidenciale fillonin diskutimet, interpretime, hamëndje për atë cfarë ai kishte thënë.
Gjithcka ndryshoi pas ardhjes së Beker-it në vitet 90-të në Shqipërinë e etur për demokraci. U rikthye ambasada amerikane, filloi aplikimi i lotarisë amerikane, shqiptarë që shkonin e vinin në Amerikë. Por edhe “Ok”, që pak mund ta dëgjoje ose aspak në ato vite, kjo frazë nisi të shfaqet normale në komunikimin popullor.
Dy gërmat që nuk praktikoheshin, ishte frikë ti shqiptoje, një dygërmësh karakteristik i komunikimit amerikan, jo vetëm në SHBA por në të gjithë globin, në Shqipëri gjeti përdorim vetëm pas viteve 90-të. Dhe në mbyllje, kontaktin që morrëm me Amerikën, na ofroi edhe libri i Ylli Pangos “Amerika”, e parë dhe e trajtuar nga një këndvështrim kurioz, interesant dhe informues nga një personalitet e jetës inteletuale shqiptare, i cili e kishte prekur atë vend, duke na i sjellë me detaje në librin e tij.