Toger Abedin Efendi Gora mori një lajm të keq: ushtria greke ishte shtrirë deri në Starovë të Pogradecit. Nuk u mendua gjatë. U dha urdhër ushtarëve të bëheshin gati. Prej shumë kohësh ndodhej në zonën e Quksit. “Do të nisemi që tani!”- ishte urdhëri i tij. Kur dëgjonte që ushtritë e huaja kapërcenin kufirin shqiptar, nuk përmbahej dot prej zemërimit. Dikush e këshilloi të mos e ndërmerrte këtë veprim pa marrë urdhër nga lart, sepse mund të futej në telashe. Qeveria shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali nuk kishte më shumë se 10 muaj që ishte krijuar dhe situata politike ishte delikate. “Përzënia e grekëve nga Starova mund t’i sjellë dëm Qeverisë”, i pëshpëriti këshilluesi. Toger Abedin efendi Gora u step një çast. Si mund të rrinte, ai kishte ardhur enkas nga Janina për t’i dalë në mbrojtje qeverisë shqiptare. Gjatë kësaj kohe kishte patur luftime të shumta dhe ia kishte dalë mbanë me sukses. Ishte i vetmi rast që po i kërkonin të mos luftonte. “Çfarë duhet të bëj në një rast të tillë?”- mendoi. Sikur të isha pranë plakut Ismail Qemali, çfarë do të më thoshte vallë ai?
2
Atë çast iu kujtua një rast tjetër i vështirë. Kryesisë së Bashkisë Elbasan i kishte mbërritur një telegram, dërguar nga ushtria Serbe, e cila kërkonte dorëzimin e armëve. Në telegram thuhej: “Ohër, 15. 4.40, ora e natës. vjeshta e tretë 1328-1912. Kryesisë së Bashkisë Elbasan: Në ju dorëzofshi edhe ju ushtrisë serbe si u dorëzua Dibra, edhe n’i dhënçi armët të gjitha, ju jap fjalën se do t’ju sigurohet çdo gja, domethënë: feja, pasunia, jeta e qetësia e juej. N’asht se ju çoheni me përdorë armë kundër nesh, nuk ka me ju dalë mirë edhe (ta) dini, të sigurtë, se po shtyheni në të keqen e pasunisë e të jetës tuej. Përgjigjen tuej e pres në zyrët telegrafike. Komandanti serb, gjeneral Metoviç”. (Dokumente historike, viti i I, vjesht I-rë 1924, nr. 7, f. 200). Askush nuk dinte si të vepronte. Shumëkush mendoi se në një rast të tillë edhe serbët mund t’i prisnin si miq, por pa dorëzuar armët. Dilema e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Ali Rushdi Saraçi, dhe e parësisë së qytetit të mbledhur me urgjencë, ishte e madhe. Pas shumë përpjekjesh, pa mundur të gjenin zgjidhje, iu drejtuan Ismail Qemalit, i cili që në fillim kuptoi se dorëzimi i Dibrës ishte mashtrim. Në telegramin që ai shkroi si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së ushtrisë serbe, ndër të tjera thuhej: “Asht e ditun se shkelja e tokës shqiptare asht kundër së drejtës, ashtu edhe shkelja e Elbasanit prej jush, do me thanë ju kërkoni me i ngel mbë qafë nji vendi indipendent, i cili nuk dëshiron me luftue me Serbinë. Protestoj veprimin tuaj edhe lutem të prapseni nga ky veprim! Pres përgjigjen tuaj. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Indipendente Shqiptare. Ismail Qemali. (Dokumente historike, viti i I, vjesht’ I-rë 1924, nr. 7, f. 205).
3
Sprapsuni nga ky veprim!- kishte qenë fjala e Ismail Qemalit. Të njëjtën përgjigje mori edhe ushtria greke që kërkonte të mbante të pushtuar Kurveleshin dhe Himarën. Ndër të tjera në telegramin e shkruar prej tij, porositej zëvëndësi i Nënprefekturës së Himarës: “Ju bahet me ditë randësisht se duhet të ngrini në viset ushtarake të atjeshme flamurin shqiptar edhe t’ia komunikoni këto komandantit grek, dyke u largue nga çdo vepër që dëmton politikën tonë të sotme, e cila, besojmë se siguron qenien tonë, edhe kërkojmë t’ia komunikoni ashtu si asht, Kadri bej Gjolekës. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Ismail Qemal. (Dokumente historike, viti i I, dhjetor 1924, nr. 10, f. 300). E njëjta porosi iu përcoll nëpërmjet Qemal Mullahut banorëve dhe qeverisë së Lushnjës: “Kur të vërtetohet se serbët, nga çdo anë q’i të jetë, u nisën drejt Lushnje, t’u dilni me të shpejtë përpara edhe t’u komunikoni momerandumin. Këshilla të ketë me vete edhe Flamurin Kombëtar. Nëpër të gjitha zyrat si edhe në zyrën telegrafike, duhet ta mbani ngritë ditë e natë. Ky është urdhëri nga Kryesia. Qemal Mullahu. (Dokumente historike, viti i I, dhjetor 1924, nr. 10, f. 306). Gjithçka që përcillej nga plaku i moçëm Ismail Qemali, ishte e prerë, pa asnjë mëdyshje. Shqipëria ishte e pavarur dhe toka e saj nuk mund të shkelej nga askush.
4
Toger Abedin efendi Gorës i mjaftuan shembujt që kishte dëftyer kryetari i Qeverisë Shqiptare për të marrë vendimin e duhur. “Nisemi djema, drejt Starovës!”- u tha ushtarve të vet. Toger Abedin efendiu ishte ende i ri, por jo pa përvojë. Pasi përfundoi shkëlqyer studimet në medresenë e Korçës, studioi në shkollën ushtarake të Stambollit. Tashmë kishte ardhur koha ta shihte Shqipërinë të qeverisur prej shqiptarëve. Fill pas përfundimit të studimeve ushtarake e dërguan në Janinë, në zonën e Grevenasë, aty ku situata ishte mjaft alarmane. Njerëz të armatosur, kriminelë dhe grabitës ishin bërë bashkë, terrorizonin banorët shqiptarë të Janinës, Thesalisë e gjetkë. Ose bashkim me Greqinë ose jeta juaj do të jetë skëterë!- ishin kërcënimet e tyre. Gjithçka që ndodhte aty mësohet nga raportimet që i bënte Gerenti Jelinek, kontit austro-hungarez, Andrassy: “Janinë, 25-V-1878. Kontit Julius Andrassy: Javën e kalueme, mësa ishte tu u kthye Ragip beu prej Grebeneje në Medshovë, i përcjellun prej tre të vetëve, kje ndalue prej nji çete cubash, por me qenë se kundërshtoi, e mbytën. Valiu, Nazif pasha çoi me të shpejtë kolonel Hasan benë me 50 vetë në Medshovë për me i zanë ata cuba, por ndërkohë mori lajmin se 30 vetë t’armatosun kishin pasë hi në katundin Baja të qarkut të Zagorit, nja 8 orë larg Janine, dhe kishin plaçkitë 3 shpija, dhunue shumë vendas e në fund kishin marrë me vedi të birin e priftit orthodoks si peng, me qëllim me nxjerrë pare për lirimin e tij…”. (Revista Leka, v. 1939, nr. 7-12, f.150). Raportimet ishin të shumta: “Janinë, 2-Xl-1878 Kontit Andrassy. Marashali Ahmet Hamdi Pasha u nis për në Goricë me rojë të fortë më 28 të muajit të kaluar, dhe mbasi të kaloi nëpër Samarinë, Grevena, Meçovë dhe Sirak do të kthehet përsëri këtu; në këtë udhtim do të shqyrtojë ushtarët q’i janë dërgue n’ato vise për të shtënë në dorë cubat”. (Revista Leka, v. 1939, nr. 7-12, f.173-175)
5
Në këtë gjendje e gjeti zonën e Janinës toger Abedin efendi Gora. Për shqiptarët bashkimi me Greqinë mbetej i papranueshëm: “…Shqiptarët i njoftuen Portës me shkrim vendimin e tyne të marrun se aneksionin e këtij vilajeti me Greqinë do ta kundershtojnë me të gjitha mënyrat”. (Revista Leka, v. 1939, nr. 7-12, f.171). Kundërshtimet vinin edhe nga të krishterët: “Tash të krishtenët e këtij qyteti, zejtarë e tregtarë apo edhe pronarë, nuk janë ma aq entuziastë për këtë bashkim, sepse kanë fillue m’u tremb se tu hy nën qeverinë greke kanë për t’u rrënue ose paksue vijat (rrugët) e marrëdhënieve, kanë për t’u shtue taksat e kanë për t’u marrë ushtarë, e kështu, padyshim, kanë nisë m’u shqetësue se kanë për t’ u dalë ngatërresa të papëlqyeshme”. (Revista Leka, v. 1939, nr. 7-12, f.173-174). Toger Abedin effendi Gora qëndroi në zonën e Grevenasë, deri ditën që Ismail Qemali u nis drejt Vlorës. Atë ditë bashkë me trupën e tij ushtarake u nis drejt Shqipërisë në mbështetje të Pavarësisë. Ishte i pranishëm kur u ngrit flamuri. Qeveria e Janinës tregoi kujdes të veçantë për mbarëvajtjen e punëve të Ismail Qemalit, gjë që vihet re edhe tek telegramet: “Lushnjë 11 vjeshta e tretë 1328-1912. 7, ora e natës. Tepër urgjente. Nënprefekturës Kavajë: Ju bajmë me ditë se në telegrammet të Komandës së Trupit ushtarak të Janinës, më datë 6 vjeshta e tretë 1328, e cila na u komunikua sot, asht dhanë urdhën qi kur të urdhonjë zotni Ismail Qemal Beu këtu, të pritet mirë dhe të qetësohet. Nënprefekti i Lushnjës Nail. (Dokumente historike, viti i I, prill 1924, nr. 2, f. 37).
6
Këto kujtime e nxitën toger Abedin efendi Gorën të nisej sa më shpejt drejt Starovës për t’i nxjerrë grekët prej andej. Përleshja ishte e ashpër, por toger Abedini, i mësuar me sulmet, me pritat, shtigjet, pabesitë dhe të papriturat cubave të Janinës, bënte vetëm përpara. Dhe ndërsa luftohej për jetë a vdekje, dikush kërkoi me ngulm që toger Abedin efendi Gora të linte urgjentisht Starovën dhe të kthehej në Qukës. Braktisja e Starovës kërkohej me këtë arsyetim: “Është afër mendjes që zbrazja e Starovës nga grekët bëhet me një qëllim të caktuar që të futen aty serbët, të cilët për këtë qëllim kanë ardhur në Strugë. Hyrja në Starovë e togerit Abedin Efendi, pa pasur një urdhër, është një veprim i gabuar, dhe si pasojë i rrezikshëm. Arsyeja është se Qeveria Shqiptare nuk është në luftë as më Greqinë as me Serbinë; është e paanshme. Qeveria jonë sot nuk merr, as nuk do të marrë ndonjë qendrim që të sjellë në dyshim e armiqësi qeveritë fqinje. Qeveria jonë, pa qenë e sulmuar prej kujt, s’do t’i japë shkak lindjes së asnjë incidenti. Vetëm përpara një sulmi ne jemi të detyruar të ruajmë e të mbrojmë tokat tona deri në fund. Prandaj është i gabuar takti i Abedin efendiut. Me qenë se ka mundësi që Serbi të futet në Starovë, si u theksua më sipër, duhet të bëhen vëzhgime të vazhdueshme dy-tri orë larg rreth e përqark, dhe të tërhiqet fuqia jonë nga Starova, për në kufi, po qe se ushtria serbe është nisur në drejtim të këtij qyteti. Për këtë do të lajmëroni menjëherë Abedin Efendinë”. (Marrë nga botimi “Qeveria e Përkohshme e Vlorës”, f. 209). Pra, toger Abedin efendi Gora duhej të kthehej në Qukës. Lajmi iu dha me telegram më 17 shtator 1328-30 shtator 1913, por vendimi i toger Abedinit ishte i prerë: Në Qukës do të kthehemi, kur në Starovë të mos ketë mbetur asnjë grek!
7
Kërkesa për t’u tërhequr nga Starova, toger Abedin efendi Gorës iu duk më shumë se e çuditshme. Në Shqipëri bëhej luftë, shqiptarët nuk kursenin as jetën e tyre, kurse tani po u kërkohej që të tërhiqeshin! Si ishte e mundur. Deri atëherë ishin krijuar formacione të rregullta ushtarake: Qamil efendiu ishte komandant i Përgjithshëm; Halit bej Kolonja, kryetar i Shtatit Madhnor t’Ushtrisë së Vardarit; Ferik Zeqi, komandant i Ushtrisë së Vardarit; kolonel Sami, komandant i Rgjimentit 61; Xhavidi, komandanti i Divizionit 21; gjeneral Mahmut Hajret Jella, komandant i Fuqive të Përgjithshme të Kufinit të Malit të Zi; Ali Riza, komandant i Ushtrisë së Perëndimit; Ferik Mehmet Seid, komandant i të Pestit Trup Ushtarak; Zija pashë Zogolli, komandant i Zonës së Manastirit; toger Abdullah efendi, komandant i Veprimeve Ushtarake Berat; Demir Tefiku, komandant i Xhandarmërisë dhe shumë formacione të tjera. Deri në këtë kohë edhe Esad pashë Toptani kishte qenë komandant i Forcave të Mbledhura. Qëllimi i tërheqjes së ushtrisë nga Starova nisi të kuptohej ditë më vonë. Esad Pasha me t’u kthyer nga luftimet për mbrojtjen e Shkodrës, e shpalli veten mbret të Shqipërisë. I dhanë postin e ministrit të Brendshëm, por përsëri nuk hoqi dorë; krijoi në Durrës një qeveri të dytë. Fill pas kësaj, shtypi grek nisi ta lavdëronte: “Gazeta “Embros” shkruante: në Shqipëri mbretëron anarkia, vetëm në Durrës dhe në Tiranë, ku qeveris Esad pasha, ka qetësi të plotë dhe sigurim”. Përlindja e Shqipërisë pyet: Si tepër e lëvdojnë grekët Esadin, qysh shpjegohet vallë kjo dashuri? (Përlindja e Shqipëniës Vit’ i I, N. 20, e shtunë, 5/18 vjesht’ e II, 1913, f.6). Gjithçka u bë e qartë: kërkesa për tërheqjen e toger Abedin efendi Gorës nga Starova, kishte qenë vepër e njerëzve të Esad pashë Toptanit. Me greket dhe serbët kishte marrëveshje të fshehta.
8
Përhapja e lajmeve mbi Esad pashë Toptanin e tronditën shpirtin e toger Abedin efendi Gorës. Nuk donte ta besonte. Nëse ato që thuheshin ishin të vërteta, atëherë ato ishin një dhimbje e madhe për Shqipërinë. Toger Abedin efendi Gora e kishte parë atë dhimbje te sytë e shqiptarëve, që teksa luftonin, befas kuptonin se u ishin mbaruar fishekët. Nuk kishte trishtim më të madh. Dërgoheshin telegrame ngado për gjetjen e municioneve: Ja një prej tyre: “Berat. 18, Vjeshta e Tretë 1328-1912.Vlonë. Telegramma q’i u muer ndashti nga ndënprefektura e Himarës në Kuç, thotë se lufta po vazhdon me rreptësi edhe kërkon me u ndihmue me municione. Këtu, le q’i municione s’ka, po edhe kuaj asht vështirë me gjet. Lutemi, pra, bani ç’asht për të bamun. Aziz Vrioni”. (Dokumente historike, viti i I, dhjetor 1924, nr. 10, f. 302). Shpesh u ndodhte që kur ktheheshin nga lufta nuk gjenin as ushqim. Përsëri telegrame: “Berat, 18 vjesht e tretë 1328-1912. Vlonë. Përveç ushtrisë q’i ndodhet këtu, e cila pandehet t’i ketë kalue njizet mijët, marrim vesh se edhe Mahmmud Ferid Pasha, ushtrinë e vet q’i asht ma tepër se tri mijë, po e dërgon këtu. Ushqimet u mbaruan; lutemi tregomëni si do të përmbahen e si do të ndahen”. (Dokumente historike, viti i I, dhjetor 1924, nr. 10, f. 301). Edhe financat ishin të pamjaftueshme: “Berat 1 gusht 1330-1914. Kryetarit të Këshillës, Shkëlqesisë së Tij, Musa Qazim efendiut, Tiranë. “Arka e Financës së këtushme s’ka fare të holla. Kështu qi s’mund t’i jap Shefqet efendiut paret e ushqimit. Në Pazar opinga s’ka fare. Ju bajmë me ditë se opingat, asht nevoja t’i gjeni aty edhe t’ia çoni Shefqet efendiut. Mylazim Abdullah”. (Dokumente historike, viti i I, prill 1924, nr. 3, f. 77).
9
Megjithatë, shqiptarët arrinin t’ia dilnin mbanë. Kjo duket në njoftimet që vinin nga lufta: “Elbasan, 7-8, vjeshta e tretë 1382-1912, 11 ora e natës. Komandës s’Ushtrisë së Perëndimit. Korçë: “Ju bajmë me dije se Prefektura e Dibrës, e mbështetun në lajmin e ndënprefekturës së Dibrës së Poshtme, lajmon se në luftë të rreptë qi zgjati njëzet e katër orë, anmiku u prish e u shkatërrue keq, edhe dyke u ndjekun, asht tërhekun gjer në katundin Bicaj të Lumës. Afro nji mijë mauzerë serbi janë pushtue, janë vramë tre oficerë dhe ushtarë pa numur. Serbët, dyke mos mundur me i qendrue sulmeve burrnore të Dardhasvet e të Reçvet, nji shumicë e tyne për me mos u dorëzue janë hudh në Drin dhe janë mbyt. Lufta ndashti po vazhdon në Bicaj edhe shpresohet gjer mbrama t’i pushtohen armikut topa mitraloza e shumë armë”. (Dokumente historike, viti i I, tetor 1924, nr. 7, f.225- 226). Toger Abedin efendi Gora nuk e mendonte dot si mund t’u kërkohej patriotëve të mos luftonin me grekët dhe serbët, kur ata sakrifikonin aq shumë?! Megjithatë, ai i nxori grekët nga Starova. Toger Abedin efendi Gora ishte i vendosur t’i priste me pushkë edhe serbët. Ndërkaq një lajm tjetër prej Qeverisë së Ismail Qemalit i mbërriti nëpërmjet Aqifi pashës, prefektit të Elbasanit, ku i bëhej e ditur se tashmë detyra e tij do të ishte mbrojtja e kufijve, dhe mbështetja për vendosjen e xhandarmërive në qytete. Por duke patur parasysh atdhetarinë e Toger Gorës, e porosisnin që armiku të mos ndiqej përtej kufirit shqiptar, pasi një gjë e tillë mund të krijonte probleme.
10
Ky lajm, i ardhur nga Qeveria e Ismail Qemalit, e bëri me krahë toger Abedin efendi Gorën. Fill pas vendosjes së xhandarmërisë në Starovë, njoftoi për realizimin e detyrës së re që sapo kishte marrë: “Sot ora 11 e gjysmë erdhëm në Starovë dhe u pritëm në një mënyrë të shkëlqyer nga ana e popullit të vendit. Në qytet ka një gëzim të përgjithshëm. Buçitjet “Rroftë Shqipëria” arrijnë në qiell, përgëzojmë dhe urojnë njëri-tjetrin. Qetësia është siguruar. Hysref beu ndodhet në Korçë, punët qeveritare do të rregullohen nga komisioni që ndodhet këtu dhe me anën e gjindarmërisë si fuqi zbatonjëse. (A.Q.H. i R.P.SH. F. 71, D. 4, Dok. 11.780). Tashmë toger Abedin efendi Gora mbante nën kontroll situatën në kufi me Greqinë dhe Serbinë. Informatorët e tij ishin të kudogjendur. Shpesh, ndërsa përpiqeshin të zbulonin veprimet e armikut, rrezikonin dhe jetën. Për gjithçka informonte në vijimësi qeverinë dhe merrte urdhëra prej saj për veprime të mëtejshme. Toger Abedin efendi Gora ishte i gatshëm të sulmonte në çdo kohë: Ja dy prej raportimeve të tij: “Letra juaj me dt 4 tetor 1913 u muar, mirret vesh se më 2 tetor 1913, ditën e enjte, ora 18, kanë ardhur 10 ushtarë serb dhe të nesërmen 60 të tjerë. Dërgimi i një njeriu në Pogradec për të marrë informata është punë e vështirë, mbasi zonat e Pogradecit, Leskovikut, të Gorricës e të Granishtës janë zënë me roje. Sipas fjalëve të informatorit tonë që mundëm të nisim sot, i cili u zu e u lëshua nga roja serbe, sot për sot në Pogradec ndodhen nja 70 ushtarë serbë dhe në kishë është vënë flamuri i serbisë. Në rreth të Pogradecit nuk ka ndonjë gjë me rëndësi; në kufirin tonë të vjetër, ushtria serbe nuk ka ardhur akoma. Zotin Tafil nuk e dimë ku ndodhet. Sa për zotin Muharrem, ky nganjëherë ndodhet pranë meje dhe ngajëherë në vendet e caktuara” (Marrë nga botimi për 50-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, f.218). Kurse në informacioin tjetër thuhet: “…Në velçan të Gorrës ndodhen afërsisht 30 ushtarë grekë. Njerëzit tanë të armatosur ndodhen në vendet ku duhet…”. (A.Q.H. i R.P.SH. F. 71, D.4, Dok. Nr.11829).
Qeveria e Ismail Qemalit i dha gradën e kapitenit.
11.
Kështu vijoi jeta e tij edhe më pas me qeverinë e princ Vidit dhe me qeverinë e Tiranës. Në qeverinë e Fan Nolit, kapiten Abedin efendi Gora përfaqësoi prefekturën e Korçës me të drejtë vote. Edhe nga mbreti Zog pati vlerësim maksimal, vijoi të përfaqësonte Korçën, edhe pse njihej si përkrahës i Nolit dhe jo i monarkisë. Me të dalë në pension u vendos në fshatin Vloçisht, por nuk qe e thënë të vdiste nga pleqëria; u vra nga italianët më 3 gusht 1943, kur këta të fundit hynë në zonën e Korçës dhe sulmuan drejt fshatit Vloçisht. Bashkë me të u vra edhe Tahir Sejdollari. Dy fotografitë e dëshmorëve u vendosen në vatrën e kulturës së fshatit, por 1963, nipi i Sejdollarit u arratis. Atë natë erdhën disa njerëz dhe e hoqën foton e Tahir Sejdollarit, por, me që ishin që ishin aty, e hoqën edhe foton e kapiten Abedin efendi Gorrës. Ky ishte shpërblim që morën për gjakun e tyre të derdhur. Edhe sot e kësaj dite nuk përmenden më emrat e tyre, por njerëzit nuk e kanë harruar. Kur Abedin efendi Gora përfundoi studimet në Stamboll, krahina e Gorës, duke ia njohur trimërinë, e zgjodhi si përfaqësues të Këshillit të saj, që z. Gora të ngrinte zërin në institucionet perandorake për të drejtat e gorarëve.
Shënim: ky shkrim u referohet dokumenteve te cituara në material dhe kujtimeve familjare të Astrit Gorës, nip i Abedin efendi Gorës
Komentet