Opinion në WashingtonPost më 11 tetor 2023 nga Yuval Noah Harari, autor i “Sapiens”, “Homo Deus” dhe “Unstoppable Us” dhe profesor i historisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.
Izraelitët po përpiqen të kuptojnë se ç’ka ndodhur. Fillimisht, e krahasuam katastrofën aktuale me Luftën e Yom Kipur-it të vitit 1973. 50 vjet më parë, ushtritë e Egjiptit dhe të Sirisë filluan një sulm të beftë dhe i shkaktuan Izraelit një sërë disfatash ushtarake, para se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit të rigrupoheshin, e të kthenin situatën në favor.
Por ndërsa shfaqen gjithnjë e më shumë histori dhe imazhe të tmerrshme rreth masakrës së komuniteteve të tëra, ne kuptuam se ajo që ka ndodhur nuk është aspak si Lufta e Yom Kipur-it. Në gazeta, në rrjetet sociale dhe në grumbullimet familjare, njerëzit po bëjnë krahasime me orët më të errëta të popullit hebre, si në kohën kur njësitë e lëvizshme të vrasjes së Einsatzgruppen naziste rrethuan dhe vranë fshatarë hebrenj gjatë Holokaustit, dhe kur u përdorën pogrome kundër hebrenjve në Perandorinë Ruse.
Unë kam familje dhe miq në kibutzin Be’eri dhe Kfar Aza, dhe kam dëgjuar shumë histori të tmerrshme. Hamasi pati kontroll të plotë të këtyre dy komuniteteve për orë të tëra. Terroristët shkonin shtëpi më shtëpi, duke vrarë sistematikisht familje, duke vrarë prindërit në sy të fëmijëve të tyre dhe duke marrë pengje, madje edhe foshnja dhe gjyshe. Të mbijetuarit e tmerruar u mbyllën brenda dollapëve dhe bodrumeve, duke thirrur ushtrinë dhe policinë për ndihmë që mbërriti shumë vonë.
Xhaxhai im 99-vjeçar dhe gruaja e tij 89-vjeçare janë anëtarë të Be’erit. Të gjitha kontaktet me ta u ndërprenë menjëherë pasi Hamasi mori kontrollin e kibutzcit. Ata u fshehën në shtëpinë e tyre për orë të tëra, ndërsa dhjetëra terroristë bënë masakra. Mora lajmin se mbijetuan. Njoh shumë njerëz që sapo kanë marrë lajmin më të keq të jetës së tyre.
Xhaxhai im dhe gruaja e tij janë dy hebrenj të fortë, të lindur në Europën Lindore në vitet mes dy luftërave. Tanimë ata e kanë humbur një botë në Holokaust. Ne u rritëm me histori për hebrenjtë e pambrojtur që fshiheshin nga nazistët në dollapë dhe bodrume, pa askënd për të shkuar t’i ndihmonte. Shteti i Izraelit u themelua që kjo të mos ndodhte më.
Si ndodhi, atëherë? Si u zhduk në aksion shteti i Izraelit?
Izraelitët po paguajnë çmimin e viteve të mendjemadhësisë, gjatë të cilave qeveritë tona dhe shumë izraelitë të zakonshëm mendonin se ishim më të fortë se palestinezët dhe thjesht mund t’i injoronim. Ka shumë kritika për të bërë në lidhje me mënyrën se si Izraeli ka braktisur përpjekjet për të bërë paqe me palestinezët dhe ka mbajtur për dekada të tëra nën pushtim miliona palestinezë.
Por kjo nuk justifikon mizoritë e kryera nga Hamasi, i cili në asnjë rast nuk ka konsideruar asnjë mundësi për një traktat paqeje me Izraelin dhe ka bërë gjithçka që ka në dorë për të sabotuar procesin e paqes në Oslo. Kushdo që dëshiron paqe duhet të dënojë dhe të vendosë sanksione ndaj Hamasit dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e plotë të Hamasit.
Por pavarësisht se sa faj ka Izraeli, kjo nuk e shpjegon mosfunksionimin e shtetit. Historia nuk është një përrallë për moralin.
Shpjegimi i vërtetë për mosfunksionimin e Izraelit është populizmi dhe jo imoraliteti. Për shumë vite, Izraeli është qeverisur nga një njeri i fortë populist, Benjamin Netanyahu, i cili është një gjeni i marrëdhënieve me publikun, por kryeministër i paaftë. Ai ka preferuar vazhdimisht interesat e tij personale mbi interesat kombëtare dhe e ka ndërtuar karrierën e tij në ndarjen e kombit. Ai ka emëruar njerëz në poste kyçe bazuar në besnikërinë ndaj tij më shumë se në kualifikimet e tyre, ka marrë meritat për çdo sukses, duke mos marrë kurrë përgjegjësi për dështimet dhe i jepte pak rëndësi thënies apo dëgjimit të së vërtetës.
Koalicioni Netanyahu i krijuar në dhjetor të vitit 2022 ka qenë deri tani më i keqi. Është një aleancë me fanatikë e zelltarëve mesianikë dhe oportunistësh të paturpshëm, të cilët injoruan problemet e shumta të Izraelit, duke përfshirë situatën e përkeqësuar të sigurisë, dhe u përqendruan në marrjen e pushtetit të pakufizuar për veten e tyre. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ata miratuan politika tejet përçarëse, përhapën teori skandaloze konspirative për institucionet shtetërore që kundërshtonin politikat e tyre dhe etiketuan elitat në shërbim të vendit si tradhtarë të “shteteve të thella”.
Qeveria u paralajmërua vazhdimisht nga forcat e saj të sigurisë dhe nga ekspertë të shumtë se politikat e saj po rrezikonin Izraelin. Megjithatë, kur shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit kërkoi një takim me Netanyahun për ta paralajmëruar për implikimet e sigurisë të politikave të qeverisë, Netanyahu refuzoi ta takonte. Kur ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ngriti alarmin, Netanyahu e shkarkoi. Më pas ai u detyrua të rikthente Gallantin vetëm për shkak të një shpërthimi të zemërimit popullor. Një sjellje e tillë ndër vite bëri që Izraelit ta godiste një fatkeqësi.
Pavarësisht se çfarë mendon dikush për Izraelin dhe konfliktin izraelito-palestinez, mënyra se si populizmi gërryen shtetin izraelit duhet të shërbejë si një paralajmërim për demokracitë e tjera në mbarë botën.
Izraeli ende mund ta shpëtojë veten nga katastrofa. Ende gëzon një avantazh vendimtar ushtarak ndaj Hamasit, si dhe ndaj shumë armiqve të tjerë të tij. Kujtimi i gjatë i vuajtjeve hebreje tani po e nxit kombin. Forcat e Mbrojtjes dhe organet e tjera shtetërore po rikuperohen nga tronditja e tyre fillestare. Shoqëria civile po mobilizohet si kurrë më parë, duke plotësuar shumë boshllëqe të lëna nga mosfunksionimi i qeverisë. Qytetarët qëndrojnë në radhë të gjata për të dhuruar gjak, për të mirëpritur refugjatët nga zona e luftës në shtëpitë e tyre dhe për të dhuruar ushqime, rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Në këtë moment nevoje, ne gjithashtu u bëjmë thirrje miqve tanë në mbarë botën të na qëndrojnë pranë. Ka shumë kritika për të bërë për sjelljen e të shkuarës së Izraelit. E shkuara nuk mund të ndryshohet, por shpresojmë se sapo të sigurohet fitorja mbi Hamasin, izraelitët jo vetëm që do të vënë para përgjegjësisë qeverinë tonë aktuale, por edhe do të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë mesianike dhe do të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të realizuar idealet themeluese të Izraelit për demokracinë në vend dhe paqen jashtë vendit./syri.net
Opinion /The Hamas horror is also a lesson on the price of populism/ By Yuval Noah Harari/ October 11, 2023 at 10:54 a.m. EDT