Cecilia Sala, gazetarja italiane e arrestuar në Iran më 19 dhjetor, mundi të bënte tri telefonata të mërkurën: nënës, babait dhe partnerit të saj. “Nxitoni”, ishte apeli i saj.
VOAL- Sala foli me familjen e saj për kushtet e saj të tmerrshme të paraburgimit: reporterja – siç raportohet nga Corriere della Sera – është e mbyllur në një qeli të vogël në Evin, burgu i Teheranit, ajo nuk ka dyshek dhe fle në dysheme, në të ftohtë, me dy batanie. I janë konfiskuar syzet. Ajo ndodhet në izolim të plotë dhe nuk ka parë njeri që nga 27 dhjetori, ditën kur u takua me ambasadoren italiane. Ajo nuk i sheh as rojet, sepse ata ia kalojnë ushqimin – shumë hurma – nga një çarje e derës.
Prindërit, të cilët kanë mundur të flasin me vajzën e tyre pas ditësh izolimi, thonë se ajo është shumë e lodhur dhe se shpesh herë gjatë telefonatës përsëriste: “Duhet bërë shumë shpejt”.
Gazetarja, ndryshe nga sa është thënë nga autoritetet iraniane, nuk ka marrë as pakon (me nevoja elementare, cigare dhe maskë për t’u mbrojtur nga drita neoni që është ndezur në qeli 24 orë në ditë) e cila i është dërguar nga qeveria italiane. Cecilia Sala i bëhet i njëjti trajtim si të burgosurve politikë që grumbullojnë qelitë e burgut që është kthyer në simbolin e represionit të Republikës Islamike.
Të mërkurën, ambasadorja në Teheran i dorëzoi një kërkesë zyrtare qeverisë iraniane në të cilën Italia kërkon “lirimin e menjëhershëm” të Cecilia Sala. Shënimi përmban gjithashtu një kërkesë të prerë dhe të përsëritur për qartësi mbi kushtet e paraburgimit, mbi mundësinë e sigurimit të sendeve komode dhe garancinë që ato të dorëzohen realisht. Dhe të enjten ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi në Twitter se kishte thirrur ambasadoren iraniane në Romë: “Qeveria, që nga dita e parë e arrestimit të saj, po punon pandërprerë për ta sjellë në shtëpi”.
Ndërkohë, edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm të reporteres italiane”. “Askush – nënvizoi Kallas – nuk duhet të ndalohet për të bërë punën e tij: gazetaria nuk është krim. Çdo gazetar duhet të ketë lirinë për të raportuar pa frikë nga arrestimi apo persekutimi. Ndërsa bota po përballet me krizën, roli i gazetarisë është më thelbësor se kurrë,” shtoi ajo. RSI
Komentet