Një shpërthim masiv në mëngjesin e së mërkurës në zonën ku janë të vendosura misionet diplomatike në kryeqytetin afgan, la pas vetes të paktën 80 të vrarë dhe mbi 350 të plagosur.
Duke konfirmuar njoftimet, zëdhënësi i ministrisë afhane të shëndetësisë Wahidullah Majroh, tha se numri i viktimave mund të rritet.
Shpërthimi goditi zonën Wazir Akbar Khan ku janë të vendosura misionet e huaja diplomatike dhe zyra qeveritare, duke shkatërruar shumë automjete dhe duke dëmtuar ndërtesat përreth. Sipas njoftimeve të para besohet se mjetet shpërthyese ishin fshehur në një kamion cisternë.

Nuk është e qartë se cila ishte shënjestra e sulmit, por një zyrtar afgan i sigurisë tha se shpërthimi ndodhi jo larg ambasadës gjermane dhe ndërtesës së kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në vend.
Shpërthimi i së mërkurës ndodhi në një periudhë të shtimit të sulmeve të talibanëve mbi forcat afgane, ndërsa besnikët e grupit militant Shteti Islamik, kryen disa sulme gjatë muajve të fundit.
Dhuna e kohëve të fundit ndodhë në një periudhë kur presidenti afgan Ashraf Ghani, po përgatitet për një konferencë me vendet fqinje në Kabul javën që vjen për të diskutuar përfundimin e konfliktit në Afganistan.
Komentet