Pas Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës, të tjera afrime të rëndësishme priten te Shqipëria. Sipas asaj që bëhet e ditur në “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi është fare pranë kalimit te kuqezinjtë. Trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli mësohet të ketë thënë: “Armend Thaqi është shumë afër Shqipërisë”.
30-vjeçari i lindur në Prishtinë ka debutuar me Kosovën në 13 nëntor të vitit 2017 dhe me këtë përfaqësuese numëron 5 ndeshje. Vlen të theksojmë se lojtari në fjalë nuk është thirrur nga Kosova, pavarësisht nevojës së madhe të “Dardanëve” për futbollistë në një repart kaq të rëndësishëm.
Armend Thaqi ka luajtur për skuadra të ndryshme në Kosovë si Gjilani, Prishtina dhe së fundmi Ballkani. Për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho do të ishte një alternativë e mirë në prapavijë. Gjithsesi, përderisa mungon zyrtarizimi, nuk mund të thuhet asgjë më shumë. Ndeshja e radhës për Kombëtaren tonë është ndaj Çekisë në shtëpi me 12 tetor, në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Euro 2024.