Romantizmi qe një Prote me shumë fytyra që pati fytyrën e vet të veçantë në të gjitha kombet në të cilët u shfaq aq sa ndofta mund të flasim siç thonë disa studiues më tepër për “romantizma” se sa për një romantizëm të vetëm.
Romantizmi i vendeve ballkanike ndryshoi së tepërmi nga romantizmi në vendet perëndimore, të cilët nga ana e tyre ndryshonin së tepërmi nga njeri tjetri (romantizmi gjerman ishte i ndryshëm nga romantizmi anglez dhe nga ai francez, këta të fundit ishin shumë të ndryshëm nga romantizmi italian).
Romantizmi në vendet ballkanike nuk u ngjit në ato maja dhe nuk ra në ato gremina që njohu romantizmi i vendeve perëndimore, megjithatë ndonjë poet i veçantë i shquar hodhi me poezinë e vet një urë drejt Perëndimit.
Romantizmi rumun qe tepër i veçantë, sui generis aq sa pati studiues që ia mohuan ekzistencën. Në fakt te “Encyclopedia universalis” mohohej që Rumania të kishte marrë pjesë, qoftë në “revolucionin romantik”, qoftë në klasicizëm dhe pohohej se letërsia rumune i pranonte të gjitha ndikimet perëndimore duke ia përshtatur kushteve të veta[1].
Në këtë mënyrë mohohej ekzistenca e një romantizmi autokton rumun dhe pranoheshin vetëm ndikime të romantizmave të tjera europiane.
Për mendimin tonë, përkundrazi, ka ekzistuar një romantizëm rumun që, ngjashëm me romantizmin shqiptar, jetoi më tepër si praktikë krijuese pa pasur bazën filozofike dhe estetike të romantizmave “tipike” të Evropës Qendrore, një praktikë krijuese që kishte megjithatë tiparet themelore të lëvizjes romantike dhe pati rrënjët në tokën e vet, pra, nuk qe një drejtim “i importuar”.
Romantizmi rumun, i lindur në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, u bë në fillim pasqyrë e lëvizjes kombëtare për çlirim, siç ndodhi edhe me romantizmin bullgar dhe me romantizmin shqiptar, më vonë mori një ngjyresë sociale, duke shprehur aspiratat shoqërore të popullit që e nxori në dritë dhe ishte i shtypur. Ky romantizëm, para se të thithte parimet estetike të romantizmit europian, asimiloi estetikën e folklorit të vet që kishte arritur një nivel të lartë artistik dhe u quajt madje prej ndonjë studiuesi si “fazë klasike të letërsisë rumune”, emërtim ky disi paradoksal.
Nga ana tjetër, romantizmi rumun shprehu psikologjinë e veçantë dhe të papërsëritshme të popullit të vet, siç e njohim nga karakterizimi i studiuesve të atij vendi dhe në mënyrë të veçantë të studiuesit Athanas Joja që e karakterizon në mënyrë sintetike, mbizotërimin e arsyes tek ky popull, një ndjenjë të fuqishme të natyrës, mallin karakteristik (dor-i), humorin dhe gjallërinë, ndjenjën kombëtare të thellë, po të matur, të shoqëruar nga një frymë e ndieshme tolerance, një fuqi e theksuar thithëse, një ndjenjë mase, refuzimin e misticizmit.
Janë këto tipare që shprehin një origjinalitet të thellë dhe një ekuilibër të çuditshëm, larg nga skajshmëritë e romantizmave tipike europiane.
Në poezinë e Emineskut, i quajtur nga shumica e rumunëve si poet kombëtar, dhe në thelb autor romantik, shkrihen tërë këto tipare, po shfaqen edhe tipare që e afrojnë me romantizmat e Perëndimit, si titanizmi dhe “etja për pafundësi”.
Këto tipare mishërohen në shkallë të lartë në poemën “Lucifer” (Ylli i dritës) ku shfaqet heroi tipik romantik, titani që ngrihet mbi mjedisin dhe ndeshet me të. Ky hero simbolizohet me Yllin e dritës (“Lucifer” dhe “Yll” në përkthimin shqip).
Ai rrezaton dritë dhe është i pavdekshëm, përtej pasioneve. Këto janë pikërisht tipare të gjeniut krijues dhe Ylli simbolizon në fakt gjeniun, poetin që rrezaton dritë përmes veprave dhe arrin pavdekësinë nëpërmjet tyre.
Në këtë figurë Eminesku projekton vetveten, i vetëdijshëm, siç është për nivelin e lartë të poezisë së tij. Këtë figurë e kanë krahasuar me “Demonin” e Lermontovit; mund ta krahasojmë edhe me Manfredin ose me Kainin e Bajronit ose me heronjtë stoikë të Alfred de Vinjisë.
Çuditërisht kjo poemë që e afron Emineskun me romantizmin europian, ka në bazë të vet një motiv nga folklori rumun, dashurinë e një ylli me një vajzë, një bijë njeriu.
Eminesku e përdor këtë motiv fantastik për të nënvizuar greminën që i ndan dy të dashuruarit: heroin, “yllin”, krijesë që ka në vetvete “etjen për pafundësi” dhe vajzën e re, të bukur fizikisht, po me horizont të ngushtë, të cilin s’e kompenson as me ndonjë bukuri shpirtërore, me një “mençuri të zemrës”, a thellësi të ndjenjës (të dashurisë në formën e Erosit dhe “agapes”), siç ndodhte përkundrazi me Margaritën e Gëtes.
Figura e vajzës është vizatuar sipas modelit romantik të “gruas fatale” (edhe kjo një figurë e romantizmit tipik evropian) po ajo ka edhe një tipar që e lidh me realitetin, egoizmin karakteristik të klasave të larta (është bijë mbreti).
Midis këtyre dy qenieve lind dashuria, një dashuri pasion, po nga ana e vajzës kjo dashuri është një trill njeriu egoist që është mësuar t’i plotësohen të gjitha dëshirat, ajo kërkon që i dashuri të flijohet për të, s’është gati të flijohet vetë. Kurse “Yllit” kjo dashuri – e thellë dhe pa kufi – i frymëzon sakrificën më sublime, do të flijojë pavdekësinë e vet për hir të së dashurës.
Po vajza nuk arrin t’ia shpërblejë këtë dashuri, as me besnikëri. Besnikëria e saj është jetëshkurtër si dashuria e saj. Fati i heroit ndjek një kurbë të lakuar: në fillim ai ndodhet përtej pasioneve, kështu që kur i shfaqet vajzës, i ngjan si një i vdekur i gjallë
(… shkëlqen pa jetë/ e gjallë jam, ti jetë s’ke/ ndaj akull më ke mbetë)
(Mihai Eminesku, Vjersha dhe poema të zgjedhura, Tiranë, 1983).
Mandej ai ndizet nga pasioni, po vajza nuk arrin t’i bëjë ballë këtij pasioni (shikimi yt si zjarr më djeg/ nga ata sy të ballit).
Më vonë ai arrin në sakrificën sublime (Pavdekësinë më kërkon/ që të të puth një herë?/ Ja, ardhja ime të dëshmon / sa fort për ty jam bjerrë! / … kam lidhur me amshimin fat/ por dorë kam për të hequr.
Dhe ndeshet me Perëndinë dhe i kërkon të rilindë si i vdekshëm, po Perëndia ia bën të qartë pamundësinë e realizimit të kësaj dëshire dhe përfundon me pyetjen kuptimplote dhe të hidhur:
“Për kë do vdisje sot madje?” dhe vjen zhgënjimi i madh: Ylli e sheh të dashurën në krahët e një tjetri; ajo ka guximin (a paturpësinë) ta thërresë përsëri, ai i kthen përgjigjen e hidhur “O idhull balte, kot pse pret/ t’vij unë apo të tjerë?/ Në rreth të ngushtë rroni tok/ Një short ju josh i ngrohtë/ teksa në botën që unë rrok/ jam i pamort e i ftohtë”.
Ylli bëhet përsëri i ftohtë si në fillim, po tani ai ngrihet mbi pasionet, se i ka provuar dhe është zhgënjyer. Si Moisiu i de Vinjisë ai përjeton vetminë e gjeniut.
Luciferi i Emineskut është një figurë vigane nëpërmjet së cilës mishërohet titanizmi tipik i romantizmit evropian dhe shpreh frymëmarrjen evropiane të poezisë romantike të Emineskut.
[1] Encyclopedia universalis, v.5, Paris 1989, f. 195.