Ribotim në përvjetorin e lindjes së kompozitorit Tish Daija (30 janar 1926 – 3 tetor 2004).
Tish Daija u afirmua me baletin Halili dhe Hajrija që u dha për herë të parë më 13 janar 1963. Prej atëherë veprat e tij muzikore janë luajtur më shumë se 250 herë, një rekord për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ai kompozoi operën Pranvera dhe shumë vepra të tjera muzikore.
Kur mora të lexoja librin “Tish Daija, i veçanti” solla ndërmend autorin Marash Hajati, emrin e të cilit e kisha parë për herë të parë nga fundi i viteve ’50 kur isha student, në faqet e gazetës “Puna”, në të cilën kishte nisur të punonte pas studimeve të larta për gazetari në Bashkimin Sovjetik. Pastaj, vite më pas, u njoha me të kur punonte instruktor në drejtorinë e shtypit të Komitetit Qendror të PPSH-së, punë të cilën nuk besoj se e ka kryer kurrësesi me dëshirë, po të marrim parasysh se ishte larg krijimtarisë publicistike, të cilën edhe pse më 1974 u emërua drejtor i TVSH-së, e rifilloi më me ngulm. Këtë e dëshmojnë disa dokumentarë televizivë, ndër të cilët “Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”, i cili u nderua më 1979 edhe me çmimin e Republikës, si dhe vëllimi me reportazhe “Bijtë e tokës sime”, botuar më 1987. Pas Gjergj Bubanit, drejtorit të parë të Radio Tiranës (1938-1944) dhe Ymer Minxhozit, nëndrejtor i këtij institucioni (1957-1963), Marash Hajati është drejtori i parë i TVSH-së (pastaj i RTVSH-së), që ka dhënë shembull të rrallë si krijues, gjë të cilën nuk e ka bërë aspak Thanas Nano, i cili për 16 vjet që drejtoi këtë institucion nuk shkroi qoftë edhe një reportazh (siç duket ngaqë nuk dinte). Megjithatë ai pati guximin mburravec të botonte dy vjet më parë në një të përditshme artikullin me titull “Si e krijova unë TVSH-në”, kur ky televizion, për hir të së vërtetës nga çdo pikëpamje që ta analizosh, u ngrit me kujdesin ngulmues të Partisë së Punës dhe si konservator pedant dhe dogmatik që ishte u pengua nga i sipërpërmenduri, i shkarkur nga kjo detyrë më 1972, për këto të meta dhe megjithatë, i rikthyer nga vetë Enver Hoxha pas një viti(!?). Edhe tani, thuajse 20 vjet pasi është tërhequr nga çdo detyrë shtetërore, Marash Hajati nuk ndahet nga pasioni për të shkruar. Këtë e dëshmojnë vëllimet “Dera e pasme e shtypit”, “Në kapërcyellin e një shekulli”, një seri shkrimesh të botuara në shtyp. Dhe ja pra, vimë kështu te libri i tij, “Tish Daija i veçanti”. Të them të drejtën u befasova me këtë libër, sepse kësaj radhe autori në fjalë nuk ishte “në ato ujëra, ku me rrema e ka çuar tutje e më tutje barkën e tij”. Kësaj radhe ai paraqitej para lexuesve me një libër, kushtuar njërit prej kompozitorëvë më në zë shqiptarë, fama e të cilit ka kaluar edhe kufijtë e vendit tonë. Dhe që t’i bësh të njohur lexuesit veprimtarinë e këtij kompozitori, duhet të kesh njohuri edhe në fushën e muzikës, sepse veç jetëshkrimit, duhet të analizosh edhe veprën e tij, bazuar në notat e hedhura në pentagram. Megjithatë, Marash Hajati e ka kapërcyer këtë vështirësi objektive, që do t’i dilte përpara çdo publicisti. Për këtë dëshmon edhe titulli i librit: “Tish Daija, i veçanti”, dhe jo “Tish Dajia, jeta dhe vepra” që mund të ishte titulli një vepre të shkruar nga ndonjë kritik, ose studiues në fushën e muzikës. Sidoqoftë, vlerat e Tish Daisë si kompozitor, siç do të shohim më poshtë, dalin në pah në këtë libër nga mendimet dhe opinonet e shumë figurave të njohura të muzikës sonë, duke plotësuar më së miri portretin e tij si krijues. Këtë e vura re kur zura të shfletoj faqet e librit.
Historia hap pak rrugë
Fillimthi hodha sytë te përmbajtja: Pjesa e parë: Vitet e fëmijërisë; rinia, studimet; “Historia hap pak rrugë”; Pjesa e dytë: Krijimtaria muzikore, veprat skenike, instrumentale e simfonike; Pjesa e tretë: Tish Daija, studiues dhe analist në fushën e muzikës, publicist. Këto tri pjesë përfshijnë nënkapituj që zbërthejnë në drejtimet e mësipërme figurën e kompozitorit Daija. Cilido nga ne, në një mënyrë a në një tjetër i njeh krijuesit. Në qoftë se nuk i njeh së afërmi, njeh të paktën disa nga veprat e tyre. Kështu, duke i hedhur një vështrim kapitullit të fundit të librit “Krijimtaria muzikore e kompozitorit Tish Daija”, u ndala te opera “Pranvera”. E kam parë këtë opera, e dyta në historinë e muzikës sonë, pas operas “Mrika”, të kompozitorit Preng Jakova, më 1960, kur nuk isha veccse 22 vjeç, gazetar në Radio Tirana dhe kur në programet radiofonike kisha dëgjuar tek- tuk ndonjë këngë të krijuar nga Daija. Mbase kjo opera nuk është nga veprat më të goditura të autorit, por, sidoqoftë, sicc pohohet edhe në librin e Marash Hajatit, la mbresa të dukshme. Më kujtohet se fjalët më të mira patën shprehur atëherë për të, veç të tjerëve, edhe kompozitori Abdulla Grimci, që ishte përgjegjësi i redaksisë së muzikës në Radio Tirana, si dhe gazetari Fadil Kokomani, që përgatiste emisione muzikore radiofonike. Por kjo vepër nuk pati jetë të gjatë. Shkaku- një nga personazhet ishte…edhe rusi Ivan. Opera “Pranvera”, -vë në dukje Marash Hajati, -u bë e pavlefshme nga ana ideologjike, nga e përmbajtjes, sepse që në vitin 1961-‘62 ne u ndodhëm në kampe të kundërta me sovjetikët”. (“Tish Daija, i veçanti”, faqe 102). Dhe të mendosh së këtë fat patën filmat “Skënderbeu”, (1954) dhe Furtuna”, (1959), sepse ato ishin bashkëpunime… sovjeto-shqiptare. E gjitha kjo vazhdimësi e marrëzive të diktatorit Enver Hoxha.
Por nuk ndodhi kështu me baletin “Halili dhe Hajria”, i pari balet kombëtar, premiera e të cilit u dha në janar të vitit 1963. E mbaj shumë mirë mend jehonën që pati shfaqja e këtij baleti të Tish Daisë, me libret dhe koreografi të baletmaestrit të njohur, Panajot Kanaçi, sipas disa motiveve të dramës së shkrimtarit të njohur, Kolë Jakova, me të njëjtin titull, edhe sepse ato ditë unë festoja 25-vjetorin e lindjes dhe ndër të parët që më uroi ishte shoku im, Fadil Kokomani, me të cilin pamë premierën e këtij baleti. Ai atëherë përgatiti një radioreportazh të goditur muzikor kushtuar këtij baleti, i cili, siç më tha, do të kishte jetë të gjatë në skenat tona, ndërkohë që në shtypin e atyre ditëve, u shkruan një sërë artikujsh nga kompozitorët Tonin Harapi, Abdulla Grimci, Gaqo Avrazi, baletmaestri Skënder Selimi, të cilët vinin në dukje meritat e këtij baleti. Por parashikimi i Fadil Kokomanit, i cili në gusht të atij viti do të arrestohej në përpjekje pë t’u arratisur dhe më 1979 do të pushkatohej, tregoi se ishte tepër largpamës. Zanafillën e tij, ky balet, siç dëshmon Marash Hajati në librin e tij, e ka nga fundi i viteve ’50 kur Tish Daija së bashku me koreografin Panajot Kanaçi, ishin ende studentë në Konservatorin e Moskës. Atëherë ata krijuan vallet që do të ishin bazë e këtij baleti, të cilat u interpretuan nga studentët kërcimtarë sovjetikë, midis të cilëve edhe Nurejevi që do të bëhej i famshëm edhe në botë. Pastaj do të vinte shfaqja e parë, siç përmenda më 1963, deri më 1991 pa harruar që ky balet u rivu në skenë më 2003, me rastin e 40-vjetorit të premierës së tij, tri javë pasi kompozitori të ndahej nga jeta. Ja disa nga tituj e librit, që dëshmojnë jetëgjatësinë e baletit “Halili dhe Hajria”: “Një ditëlindje origjinale” , “Halili” u nis nga Moska për në Shqipëri”; “Halili dhe Hajria” shkon në Kosovë”, (ku ky balet jo vetëm u shfaq, por edhe më pas u vu në skenë nga vetë artistët kosovarë), “Baleti “Halili dhe Hajria” në tokën greke”, “Përse ne e keni fshehur këtë perlë?”, për jehonën e këtij baleti në Greqi,”; “Pranverë franceze në baletin shqiptar”, kushtuar këtij baleti të vënë në skenë në Francë”; “Ostuna, mbretëresha e ullinjve”, me tingujt e Tish Dajisë”, në të cilin përshkruhet paraqitja dinjitoze e baletit “Halili dhe Hajria” në një festival ndërkombëtar në Itali, shoqëruar me jehonën e gazetave italiane “Spettacoli”, “Il Giorno”, “Corriere della Sera”, “Il giornale”, “L’unita”, (nga faqet 115, deri 144, të librit “Tish Daija..”).
“Flakë e borë”
Duke vazhduar të lexoj kapitujt e mësipërm të këtij libri u ndala pastaj te këngët e kompozura nga Tish Daija, rreth 150 e midis tyre edhe “Flakë e borë”. Dhe jo më kot kjo është kënga që ai paraqiti në dhjetor të vitit 1963 në Festivalin e Dytë të Këngës në Radio, prezantues i të cilit kam qenë unë dhe folësja e njohur Vera Zheji. Ndoshta kjo këngë mund të kishte zënë pak vend të këtë libër, në qoftë se autori i librit do të ishte njohur me këtë histori, të cilën po tregoj më poshtë: Ishte nata e 25 dhjetorit të vitit 1963, nata e fundit e Festivalit të Dytë të Këngës në Radio dhe ndërkohë Besnik Taraneshi, një nga këngëtarët e festivalit, sapo kishte mbaruar së kënduari këngën e Agim Krajkës “Djaloshi dhe shiu”, të cilën do ta këndonte vite më pas edhe këngëtarja jonë e madhe, Vaçe Zela. (Këngët interpretoheshin atëherë nga dy këngëtarë). Kjo këngë ishte e bukur, pavarësisht se u kritikua, ashtu si edhe festivali, për ndikime të huaja në artin tonë të realizmit socialist dhe këngëtari Besnik Taraneshi që e interpretoi u zhduk përfundimisht nga skena. Pas kësaj kënge dola para shikuesve në sallë, një pjesë e mirë ishin të rinj, sidomos në galeri, për të paraqitur këngën “Flakë e borë” të Tish Daisë, të cilën do ta këndonte këngëtarja e re Nikoleta Shoshi. Por publiku këmbëngulte me duartrokitje dhe nuk më linte të flisja. Kjo gjendje e nderë vazhdoi një copë herë për më tepër kur Besniku doli në skenë dhe u bë gati të këndonte përsëri, ndonëse në një festival që ishte konkurim dhe jo shfaqje e zakonshme, një veprim i tillë nuk lejohej. Dukej sikur “Djaloshi dhe shiu” do të errësonte këngën e Tishit dhe Nikoletën e vogël. Por nuk ndodhi kështu. Pas interpretimit të kësaj kënge, po ai publik duartrokiti këtë këngë dhe po me atë entuziazëm. Dhe unë që isha prapa kuintave, pranë Tishit, pashë se ai përgëzoi Nikoletën, ashtu siç më përgëzoi edhe mua për paraqitjen, sipas tij, të bukur të festivalit së bashku me Vera Zhejin. (Por, siç dukej, qenkësh… gabuar, sepse edhe unë me Verën kishim… shfaqur ndikime të huaja ndaj, megjithë përvojën e madhe që kishim në mikrofon, nuk u ftuam më për të paraqitur ndonjë festival tjetër).
“Flakë e borë”, me tekst të poetit Llazar Siliqi, fitoi çmimin e parë të Festivalit të Dytë të Këngës në Radio dhe ka mbetur po aq freskët edhe sot. Këtë e dëshmon edhe vlerësimi që i ka bërë kompozitori Shpëtim Kushta, më 30 janar 1996, në 70-vjetorin e lindjes së kompozitorit tonë të shquar:”…Kur kënga shqiptare vuante jo pak nga një lloj kozmopolitizmi banal dhe nga ekstreme të foklorizmit, përzier me amatorizmin, Tish Daija kompozonte këngën “Flakë e borë”, e cila sillte atëherë intimitetin, poezinë, ngrohtësinë e flakës, por edhe brishtësinë, bardhësinë dhe freskinë e borës.” (Tish Daija, i veçanti”, faqe 161). Në larminë e prodhimtarisë së bollshme të Tish Daisë-vepra simfonike, vokalo-simfonike, vepra skenike, muzikë filmash, përpunime… kuptohet se Marash Hajati e ka pasur të vështirë të bëjë analizë të këngëve të krijuara prej këtij kompozitori. Por, megjithatë, në historinë e kësaj morie këngësh, ai ndalet te “Himni i batalionit “Antonio Gramshi”, (1943), jo sepse ajo paraqet interes të veçantë artistik, por për një arsye tjetër: Atë vit në shtëpinë e Tishit, 17-vjeçar, erdhën fshehurazi dy partizanë italianë, njëri prej të cilëve ishte komisari Bruneti, të cilët i kërkuan atij të kompozonte një himn për këtë batalion. Djaloshi pranoi me gjithë dëshirë. Do të kalonin 30 vjet, kur Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, i kryesuar nga Tish Daija, gjatë një turneu të jepte shfaqje në Milano dhe midis shikuesve në sallë, të ishte edhe ish-komisari Bruneti, së bashku me një grup ish-partizanësh italianë. Pas shfaqjes ata u takuan me artistët tanë dhe ambasadorin e mirënjohur Misto Treska. “Komisari Bruneti, -shkruan Marash Hajati, -filloi të tregonte pikërisht për himnin e kompozuar në Shkodër nga një çunak që quhej Tish Daija. Të gjithë shtangën.
-E po, -i thotë ambasadori ynë, – një surprizë për komisarin mbas kaq vjetësh dhe thirri Tishin”. Kështu pas kaq kohësh ata u takuan përsëri me shumë përzemërsi.
“Eh, ato jaret!”
Sidoqoftë, në kapitullin “Eh, ato jaret!”që janë këngë qytetare shkodrane, autori ndalet në një nga këngët më të njohuara të Tish Daisë, “Qytetit tim”. “Ai realizim i përsosur nga ana kompozicionale, -shkruan Marash Hajati në librin e tij, -njohu një interpretim të veçantë e ndoshta nga më të suksesshmit, kompozitor-këngëtarë, mes Tish Daisë dhe Justina Aliajt” (“Tish Daija..”, faqe 52). Kur po lexoja këto radhë m’u kujtua Justina, që jeton prej vitesh në Nju Jork, e cila e këndoi këtë këngë në një koncert të dhënë në Boston, në vitin 2000 dhe pastaj në shtëpinë time, ku këtë radhë e shoqëruam ne, një grup familjarësh dhe miqsh të saj, me shumë mall për Shkodrën dhe Shqipërinë. Duke qenë se shkruan për një kompozitor që është, pra, një ndër krenaritë e Shkodrës (doemos edhe të Shqipërisë), kuptohet që në libër shpaloset gjerësisht historia e familjes Daija, ku Tishi u rrit i ushqyer me dashurinë për muzikën dhe ku bëri hapat e parë në botën mes tingujve të magjishëm muzikorë, njohja e tij me padre Filip Mazrekun, që ishte mësuesi i tij i parë, pastaj me shokët, Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Lukë Kaçaj, Simon Gjoni, (të tërë, mjerisht, u shuan para kohe), të cilët do të studionin pastaj jashtë shtetit dhe do të bëheshin muzikantë të dëgjuar shokë të tjetë, si Zef Gruda, Tonin Rrota e doemos edhe Prengë Jakova që ishte më i madh në moshë se ata dhe për më tepër, edhe më me përvojë. Për këta shokë dhe më pas, Pjetër Gaci, Pjetër Dungu, këngëtarë si Ibrahim Tukiqi, Avni Mula, Xhoni Athanas, Marije Kraja, Luçie Miloti, Naile Hoxha, valltarë, si Besim Zekthi, Lili Cingu e plot të tjerë, Tishi donte të shkruante, siç shkroi librin tërheqës “Në skenat e tri kontinenteve”, duke dëshmuar se është, jo vetëm kompozitor, por edhe publicist i talentuar. Më ka pasë bërë përshtypje se si në krijimtarinë e publikuar në librin “Tish Daija…”, gjen vetëm dy krijime me temë sportive: operetën “Sportistët”, të kompozuar më 1949, kur ishte mësues muzike dhe futbollist i “Flamurtarit” të Vlorës dhe këngën “Gol,gol,gol!”, disa vjet më vonë. Shumë pak, po të kemi parasysh se ai e donte sportin dhe jo më kot biçikleta, siç përshkruhet në libër, u bë si gjymtyrë e trupit tij prej atleti. Dhe pikërisht majë biçikletës së tij legjendare e kam takuar një herë Tishin nga fillimi i viti 1984. Më përgëzoi se në komentet e mia të ndeshjeve të futbollit në TVSH, përdorja edhe terma muzikorë, ndonëse pa kalur disa muaj, ashtu siç e përshkruaj më lart në ngjarjet e Festivalit të Dytë, përsëri pas këtyre përgëzimeve të Tishit, me urdhër …nga lart, më hoqën nga mikrofoni dhe kamera, veç të tjerash, edhe pse këto terma nuk kuptoheshin nga dëgjuesit(!?). E falenderova dhe i shpreha keqardhjen se përse nuk kishte pranuar të kompozonte muzikën e filmit me temë sportive: “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, skenarin e të cilit e kisha shkruar së bashku me Gëzim Erebarën që ishte edhe regjisor i filmit. “Jam shumë i zënë me të tjera kompozime, -më tha. -Por një herë tjetër do të pranoj me gjithë dëshirë”. Ndoshta këtë dëshirë deshi që t’ia plotësonte i biri, Gusti, i cili, së bashku më të shoqen e Tishit, Lalin, dhe me vajzën Anin zë vënd në librin e Marash Hajatit, duke dëshmuar që Tishi ishte dhe baba shembullor. Gustit, që kishte mbaruar për kompozim në Akademinë e Arteve, i dhashë një libret timin, me subjekt nga jeta e akrobatëve. Por pas ngjarjeve të viteve ’90, ai u vendos në Greqi e pastaj në Nju Jork, ku sot jep mësime muzike dhe ka fituar gradën pasuniversitare, bachelor”. Hodha kështu vetëm disa mbresa nga leximi i këtij libri, pa pretenduar kurrësesi se kam thënë shumë. Sidoqoftë, më duhet të shtoj se te kapitulli “Do të doja që muzika shqiptare e festivale të ishte shqiptare”, Marash Hajati analizon këtë dukuri që Tish Daija vërente në disa prej festivaleve pas viteve ’90. Dhe e papritura-kapitulli me titull”. Arkiva familiare-Festivali i 11-të dhe politizimi i tij sot është i panevojshëm”, ku del në pah se kompozitori ka ruajtur dhe dorëzuar në Arkivin e Shtetit tërë tekstet dhe partituarat e këngëve të këtij festivali, që u dënua mizorisht, kur, siç del nga analiza e tyre, ato nuk kanë pasur asnjë gabim ideor, se tri këngët fituese të Pjetër Gacit, Agim Prodanit dhe Agim Krajkës, ishin dhe janë edhe sot të bukura, por diktatori Hoxha, duke u nisur nga paraqitja e jashtme e tij, gjeti shkas ta sulmonte atë dhe pastaj artin dhe kulturën me thirrjen: “Ku po shkojmë, nga do t’i kemi sytë, nga bota e shitur e kapitalizmit, nga bota e shfrytëzimit dhe e degjenerimit, apo të qëndrojmë në pozicionet e socializmit. (“Tish Daija,…”faqe 181). Është interesant të vëmë në dukje se për këtë festival, siç vihet në dukje në libër, Tishi gjatë periudhës së diktaturës nuk shkroi asnjëherë. Libri i publicistit të njohur, Marash Hajati, “Tish Daija, i veçanti”, me konsulent shumë të vyer, të vëllanë e kompozitorit, muzikologun, Tonin Daija, libër për të cilin autori shkruan se “…Për 55 vjet si publicist …asnjëherë nuk jam futur aq shumë në mendime për ato që shkruaj”, është me të vërtëtë i veçantë, një libër i mrekullueshëm, në kuptimin më të plotë të fjalës, që zë një vend nderi në serinë e librave jetëshkrimorë të botuar deri tani në Shqipëri. Ai është shkruar me një gjuhë që të rrëmben, që nxjerr në pah me art ngjarjet e jetës aq të larmishme të Tish Daisë, i cili u nda nga ne më 26 tetor të vitit 2003, në moshën 77- vjeçare, i çmuar dhe vlerësuar madje edhe nga personalitete të mëdha të muzikës botërore, si Jorgo Leocakos (Greqi), që e cilësonte si “korifeun e muzikës shqiptare”, kur kishte ende për të thënë në fushën muzikës. Ai është një libër shumë tërheqës, veçanërisht për stilin plot frymëzim, përshkruar edhe me nota humori, siç ishte plot humor edhe vetë kompozitori, si dhe me një ndërthurje origjinale ndërtimi, dukuri që nuk ka qenë aspak e lehtë.
Në “Parathëniën e pambarueme…”, siç e quan ai hyrjen e këtij libri, midis të tjerash, Marash Hajati shkruan: “Ajo pianoja e Tishit është një arkivë pa statistika, por që përmes tastierës së saj, me mendjen dhe gishtat virtuozë të kompozitorit, ka pushtuar e ka ngazëllyer me emocionet e veta qindra mijëra artdashës, jo vetëm në Shqipëri, por në dhjetëra shtete…”
Dhe kur lexon këtë libër jetëshkrimor, të duket sikur Tishi, del nga faqet e librit dhe na thotë me buzëqeshjen e tij të miradijshme: “Unë u ktheva përsëri, për të qenë gjithnjë midis jush”.
Komentet