Më 14 gusht të këtij viti, drejtori i dikurshëm i gjimnazit të Gjakovës, antikomunisti Sulejman Lleshi do të kishte mbushur plot një shekull e 5 vite jetë. Po të mos ishte mbyllur në burgun e Pejës, në famëkeqin Kulla e Sheremetit, e pushkatuar më 11 gusht të 1946-së, profesor e doktor Sulejman Lleshi sot do të kishte një varr ku mund të lexohej “Martir i Demokracisë”, dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më 26 prill 1996
Në këtë 105-vjetor lindjeje e përvjetor vdekjeje, familjarët e kujtojnë Sulën e tyre në heshtjen e një filxhani kafeje, me keqardhjen e përvitshme se nuk mundën kurrë t’i vendosnin një tufë lule mbi krye. Ndër duar mbajnë shkakun e vdekjes së tij, një dokument i marrë nga Arkivi i Kosovës, aktakuza e prokurorit Publik të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, numër 831/46, Pejë, ku lexohet: “Anëtar e pjesëmarrës aktiv i Organizatës tradhëtare të Ballit Kombëtar, i cili veproi gjatë okupacionit të Jugosllavisë, e bashkë me të tjerët vazhduan punën e tyre rrëmuese edhe pas çlirimit të Kosovës e Metohisë duke formuar në Gjakovë, në fror të 1945 organizatën e Mësheftë komplotiste të ashtuquajtur Komiteti Nacional për çlirimin e Kosovës… Sulejman Lleshi mes shqiptarëve bën propagandë për zhvillimin e urrejtjes nacionale ndaj serbëve e malazezëve… në mbledhjet në Gjakovë fliste hapur se çdo popull duhet të shkojë në vendin e vet e se serbët e malazezët duhet të largohen nga Kosova”.
Për të njohur figurën e tiransit nacionalist Sulejman Lleshi citojmë fillimisht historianin e Institutit të Albanologjisë të Kosovës z. Zekeria Cani: “Shqipëria sllavo-komuniste Kosovën e ka shkelur dhe tradhtuar në mënyrë mizore… në Gjakovë nuk qenë shumë shokë të mendimit dhe të idealit. Nevruz Nuro, Sulejman Lleshi, doktor shkence nga Tirana, Skënder Curri nga familja e madhe e Bajram Currit dhe Zef Nekaj, pak veta ishin, po bënë shumë. Sulejman Lleshi e Skënder Curri do të vriten në mënyrë mizore në burgun e Sheremetit në Pejë…”
Për të kuptuar tragjedinë e vdekjes së tij nënvizojmë fjalët e studiuesit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Albert Kotini: “Inskenimi i hapjes së burgut të Sheremetit më 11 gusht 1947 ishte pjesë e një skenari të paracaktuar për “heqjen qafe” njëherë e mirë të kokëçarjes që sillte për shërbimet sekrete jugosllave, mbetja gjallë e intelektualëve, politikanëve dhe nëpunësve të lartë shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, të cilët kishin një “të metë të madhe” të përbashkët: Ishin antikomunistë, atdhetarë ose të paktën, e shihnin me shumë dyshim regjimin e ri të instaluar në të dyja anët e kufirit… Mes tyre ishte edhe shkencëtari i veterinarisë, studiuesi i letërsisë dhe njëherësh profesori nga Tirana, Sulejman Lleshi…”
Antikomunist, nacionalist, dijetar e trim janë karakteristikat me të cilat e përshkruajnë ish-nxënësit e tij kosovarë, por edhe miq e kolegë në ditarë e libra kujtimi. I diplomuar në dy universitete, Sulejman Lleshi qe një nga themeluesit e Gjimnazit shqiptar të Gjakovës, drejtor e mësues në të, frymëzues i lëvizjeve shqiptare antiserbe e antimalazeze në atë fund të Luftës së Dytë Botërore e fillim nisje sundimi të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë, me Kryeministër Josif Broz Tito, por edhe një nga bashkëformuesit e Komitetit Nacional për çlirimin e Kosovës.
Po pse ky djalosh tiranas ndodhej ato vite në Kosovë? I laureuar në dy universitete, doktor shkencash në veterinari e i diplomuar në juridik, pse në atë fund lufte endej me pushkë në krah duke kërkuar kufijtë e Shqipërisë etnike?
Përgjigjet i jep jeta e formimi i tij, me një fakt të rëndësishëm që shumë pak veta e njohin; Sulejman Lleshi qe biri i Muharrem Lleshit, një nga 37 intelektualët e vrarë në masakrën e terrorit komunist të Tiranës më nëntor 1944 e dekoruar “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë nën motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II Botërore”.
Sula, siç e thërrasin ende sot të afërmit e tij, lindi në zemër të Tiranës, në një vilë karakteristike të shtresës së lartë të qytetit e që ende sot i ka shpëtuar kohës. Qe i pari nga shtatë fëmijët e Fitnetes e Muharremit, katër djem e tri vajza. Vëllezërit e tij përcjellin kujtimin e një adoleshenti që kalonte shumë orë duke lexuar klasikët. Nënë Teti (Fitnetja) sa qe në jetë përsëriste shpesh në dialekt “se në odën e Sulës drita e kanilit nuk shuhej kurrë, ai studionte deri në t’gdhime…”
Letërsia, politika e sporti ishin pasioni i tij. Studimet e mesme i kryen në Gjimnazin e Tiranës, i cili qe hapur më vitin 1925 me një dekret të posaçëm të Kryeministrit të asaj kohe Ahmet Zogu, e Sulejmani qe një nga të diplomuarit më të mirë të tij. Pasditeve ushtrohej si sportist profesionist i Sport-Klub Tiranës në hedhjen e shtizës, e në vitin 1933 shpallet rekordmen kombëtar në rezultatin 47 m e 75 cm. Po në ato vite fiton çmimin e dytë në konkursin e letërsisë në nivel kombëtar.
Ndërsa po priste të vendoste se ç’rrugë do të zgjidhte formimi i tij profesional, drejtori i Gjimnazit të Tiranës gjuhëtari e studiuesi Karl Gurakuqi i ofron nxënësit më të mirë, Sulejman Lleshit, postin e sekretarit të kësaj shkolle, të cilin e kryen deri në momentin që niset për në Itali.
Vitet ‘30 qenë vitet e lulëzimit ekonomik e social të shtresës së lartë e të mesme autoktone tiranase. Duke pasur fuqinë e duhur ekonomike shumë prej këtyre familjeve pretendonin për fëmijët e tyre studime të larta në universitetet më të mira të Evropës. Italia, Austria, Franca, Gjermania u bënë shtetet më të preferuara për të formuar intelektualisht e profesionalisht mjaft djem tiranas. Mes tyre qe dhe Sulejman Lleshi që më 1935 nis studimet në degën e Veterinarisë, në Universitetin e Torinos, një nga më antikët ndër universitetet italiane, themeluar qysh më shekullin XV. Por kjo nuk i mjafton Sulës, kërkimi i së vërtetës, njohja e ligjit, studimi i së drejtës botërore e evropiane qenë pjesë e kulturës së tij gjimnaziste e interesit për politikën në përgjithësi dhe që e shtyjnë të regjistrohet me korrespodencë në një fakultet të dytë, dega e Juridikut. Merr në Torino diplomën universitare si jurist e veteriner e njëkohësisht mbron doktoraturën shkencore në shkencat e veterinarisë.
Qenë vitet e regjimit fashist në Itali, Musolini proklamoi idenë e krijimit të Imperit kolonial italian, sapo kishte pushtuar Etiopinë e u bë pjesë e luftës civile në Spanjë, përkrah Frankos kundër antifashistëve. Pasioni për klasikët, letërsinë dhe poezinë e shtyjnë të bëhet një frekuentues i rregullt i klubeve dhe ambienteve studentore në Torino, të cilët ndikuan jo pak në formimin e tij si politikan nacionalist. Ndërsa anekënd Italisë ngriheshin bërthama të GUF (grupe studentore fashiste) e nëpër sheshe parakalonte rinia fashiste, tiranasi nga Shqipëria iu bashkëngjit mendimit kundër.
Koshienca e asaj çka diktatura e ideologjia fashiste e Musolinit po shkaktonte me dhunë brenda e jashtë Italisë, bënë që së bashku me studentë të tjerë shqiptarë në Torino, mjaft prej të cilëve tiranas, si ai, Abdulla Shehri, Hamit Shehu, Halim Begeja, Ismail Karapici, Seit Kazazi, Xhezmi Delli, Avdyl Kellezi e Petro Llucani, organizuan më 15 maj 1939 në Torino një atentat kundër Musolinit.
Mosnjohja sa duhej e fuqisë propaganduese e forcës së milicisë fashiste, detajet e paorganizuara mirë dhe rrethanat e pafavorshme bëjnë që ky atentat të dështonte. Por duhet thënë se kjo datë në historinë e Italisë fashiste kujtohet mirë. Më 15 maj 1939 Benito Musolini gjendet në Torino për të mbajtur një fjalim në stabilimentin Fiat Mirafiori. Ishte fabrika e dytë më e madhe e sipërmarrësit Giovani Agnelli, e aftë të punësonte në dy turne 22 mijë punëtorë. Heshtja më të cilën ata e pritën fjalimin e Duçes nervozon diktatorin fashist aq sa gabon (e fakt i rrallë për të) e ngatërron shpesh fjalët, sa braktis podiumin e në Torino nuk kthehet më kurrë.
Fakti i dështimit të atentatit nuk e dekurajoi të vijonte aktivitetin e tij antifashist derisa më gusht të 1939-ës arrestohet e burgoset në ishullin Shën Nikolla, pjesë e arkipelagut të ishujve Tremiti në rajonin e Pulias, buzë Adriatikut. Qëndron i burgosur deri në vitin 1941 e menjëherë pas lirimit, rikthehet në vendlindjen e tij, Tiranë. Tani nuk qe më ai gjimnazisti që adhuronte letërsinë apo sportisti kampion i qytetit, Sula qe formuar profesionalisht e politikisht. Vitet e jetës në një Itali fashiste, njohja nga afër e ideologjisë së diktaturës, ballafaqimi me idetë e eksperiencat e një rinie evropiane e burgimi kishin krijuar idealin e tij politik: patriotizmi.
Suejman Lleshi nisi punën në Bashkinë e Tiranës si veteriner, u bë një frekuentues i rregullt e i njohur i ambienteve nacionaliste e politike të kohës. Bashkë me atdhetarë e nacionalistë vendas pret mjaft mirë më 1942 krijimin nga Mit’hat Frashëri të organizatës së Ballit Kombëtar. Me tre tiranasit e tjerë, Abdulla Shehri, Halim Begeja e Hamit Shehu, Sulejman Lleshi qe pjesë e qarkorit të Tiranës së Ballit Kombëtar e më 1943 merr pjesë në Konferencën e Mukjes. Çlirimi i vendit nga Italia fashiste, ideali i një Shqipërie të Madhe, etnike, me kufij natyralë, pa copëtimin e sjellë nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit e të Konferencës së Ambasadorëve, mbetën frymëzimi i aktivitetit të tij politik. Por jo vetëm kaq, pasi shumë shpejt Sula i penës e i mendjes vari në krah pushkën duke iu përgjigjur thirrjes së Mit’hat Frashërit për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së Kosovës që po dhunohej e vritej nga serbët. Më 1944 batalioni “Besnik Cano” krijuar me të rinjtë ballistë mes të cilëve Sulejman Lleshi e miqtë e tij bashkëstudentë në Torino, Halim Begeja e Seit Kazazi, luftuan në Kosovë në mbrojtje të tokave shqiptare. Pas rikthimit në Tiranë aktiviteti i qarkut ballist të Tiranës kishte hyrë në kontakte me Lëvizjen e Legalitetit për t’iu kundërvënë pushtuesve gjermanë. Më 1944, Sulejman Lleshi së bashku me mikun e tij Musa Demnerin e çetën e tij, u nisën drejt fshatit Mëzez të Tiranës, për një takim me të dërguarit e Abaz Kupit e Abaz Ermenjit për të diskutuar mbi këtë bashkëpunim. Para se të mbërrinin në vendtakim sulmohen nga çeta partizane e Brigadës së Tretë duke rënë njëkohësisht pre edhe e një sulmi gjerman. Komandant i batalionit partizan të Brigadës së Tretë që i sulmoi qe miku i fëmijërisë e bashkëstudent me të në Torino, Hamit Keci, fakt ky që përdoret nga Sulejman Lleshi për të lejuar largimin e anëtarëve të çetës së tij vetëdorëzimin në besë. Dëshmitari i ngjarjes, Musa Demneri, kujton: “Mbasi u dorëzuam, na çuan së bashku me të plagosurit edhe 10 tregtarë të ndodhur në Priskë. Kur mori vesh Gogo Nushi se kush ishte kapur, erdhi menjëherë për të na bërë gjyqin, bashkë me komandantin e brigadës III, Hulusi Spahiu. Pse keni dalë në mal? – na thanë. Për të luftuar kundër gjermanëve – iu përgjigjëm ne. Përse nuk e luftoni gjermanin me ne? U thamë se “edhe me ju e luftojmë gjermanin, sepse për ne nuk ka rëndësi se me cilën palë luftojmë”. Gjyqi vendosi të na lironte. Po të kishim folur ndryshe, na kishin pushkatuar”.
Ideja nacionaliste e çlirimit të trojeve shqiptare nga pushtuesi u bë qëllimi i tij më i afërt politik e më nëntor të 1944-ës si anëtar partizan i Brigadës së Tretë mbërrin në Kosovë. Ndërsa udhëtonte drejt Prizrenit, i mbikëqyrur e plot dyshime nga anëtarët e çetës partizane, Sulejman Lleshi nuk e dinte se në derë të shtëpisë, në një natë vjeshte, fund tetori, u pushkatua nga partizanët babai i tij, Muharremi. Terrori partizan në atë prag pushimi lufte nëpër rrugët e Tiranës përgatiti terrenin për vendosjen në vend të diktaturës komuniste. Sulejman Lleshi e mori vesh më vonë këtë lajm, e pa e ditur ende zgjedhjen e tij e kishte bërë.
Sapo mbërrin në Prizren jep dorëheqjen nga brigada e u bashkohet veprimtarëve kosovarë për mbrojtjen e trojeve shqiptare, përhapjen e gjuhës shqipe dhe arsimin e brezave. Inspektori i Arsimit të Kosovës, Zekeria Rexha, i beson ngritjen e drejtimin e Gjimnazit të Gjakovës i cili inaugurohet më janar të 1945-ës. Drejtor qe tiransi Sulejman Lleshi, me arsimtarë Skënder Curri, nga fisi i Bajram Currit, Nevruz Nuro nga Gjakova e Zef Nekaj nga Mirdita.
Kultura perëndimore, ideali nacionalist, patriotizmi e trimëria ndikuan aktivitetin e tij politik në Kosovë, ndërsa regjimi i Titos rëndonte çdo ditë e më shumë. Ashtu siç e dëshmon dhe aktakuza e arrestimit të tij në Pejë të paharrueshme qenë për gjakovarët fjalimet e tij në emër të shqiptarizmit e kundër serbëve e malazezëve që u kishin pushtuar tokën. Sulejman Lleshi formon në Gjakovë Organizatën Nacional-Demokrate Shqiptare, qe kryetar i saj me degë që shtriheshin në Prizren, Drenicë e Istog. Pas dy herë tentativash arrestimi, organizata sekrete jugosllave e ushtrisë OZNA arreston Sulejman Lleshin së bashku me arsimtarët e tjerë të Gjimnazit të Gjakovës, Skënder Curri e Zef Nekaj. Sulejmani mbyllet në kullën e gurtë të Sheremetit në Pejë, një burg famëkeq e i frikshëm i kohës. Pas 5-6 muaj hetimi profesor doktor Sulejman Lleshi dënohet në një gjyq pa dëshmitarë me një aktakuzë që lexon: “Anëtar e pjesëmarrës aktiv i Organizatës tradhëtare të Ballit Kombëtar, i cili veproi gjatë okupacionit të Jugosllavisë, e bashkë me të tjerët vazhduan punën e tyre rrëmuese edhe pas çlirimit të Kosovës e Metohisë duke formuar në Gjakovë, në fror të 1945 organizatën e Mësheftë komplotiste të ashtuquajtur Komiteti Nacional për çlirimin e Kosovës… Sulejman Lleshi mes shqiptarëve bën propagandë për zhvillimin e urrejtjes nacionale ndaj serbëve e malazezëve… në mbledhjet në Gjakovë fliste hapur se çdo popull duhet të shkojë në vendin e vet e se serbët e malazezët duhet të largohen nga Kosova”.
Sulejman Lleshi dënohet me 12 vjet burg. Por vendimi me vdekje qe marrë që atë natë kur u mbyll në Kullën e Sheremetit e është pjesë e asaj historie që në Kosovë njihet si Masakra e Pejës. Ndërsa kërkon hulumtimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje për hir të historisë e kujtimit të të burgosurve e të pushkatuarve, profesori kosovar Ahmet Kelmendi nënvizon: “Me një skenar të ndyrë kanë vepruar edhe më 11 gusht 1946, kur në mënyrën më tinëzare inskenuan ikjen e të burgosurve nga burgu i ngritur në Kullën e Sheremetit, për t’i vrarë nëpër prita pastaj nga policia dhe ushtria”.
Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Ali Lajçi, do të shprehej: “Ishte koha e viteve të thyerjeve të mëdha dhe e përpjekjeve të veprimtarëve të Ballit Kombëtar e të NDSH-së për t’iu kundërvënë ideve komuniste kundër çdo gjëje shqiptare. Një pjesë e këtyre veprimtarëve u gjendën në burg dhe prandaj për t’i likuiduar me lehtë e në të njëjtën ditë ishte inskenuar një thyerje burgu”.
Të burgosurit e të pushkatuarit në atë natë të 11 gushtit 1946 në Pejë do t’u liheshin kufomat për ditë radhazi nëpër rrugë derisa era e keqe kishte marrë udhën e më pas do të mbuloheshin në një varr të përbashkët pa u gjendur më kurrë. Mes tyre dhe tiransi profesor doktor Sulejman Lleshi.