Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore dhe Organizata Citizens Channel publikuan sot një studim, mbi tregun e sotëm të medias dhe kushtet e punës së gazetarëve të rinj.
Studimi zbuloi se pjesa dërrmuese e reporterëve të rinj shfrytëzohen nga drejtuesit e mediave gjatë të mbiquajturave praktika pune, duke cënuar dinjitetin dhe pritshmëritë e tyre.
Mbi 85% e gazetarëve të punësuar në media thonë se e kanë gjetur vetë këtë mundësi ose i kanë referuar të njohurit e tyre.
Vetëm një gazetar thotë se ka aplikuar për vendin e punës. Mbi 60% e studentëve të punësuar thonë se nuk kanë një kontratë të nënshkruar me punëdhënësin.
Ndërsa mbi 26% e gazetarëve të punësuar me kohë të plotë pohuan se nuk kanë një kontratë të nënshkruar më punëdhënësin.
Të pyetur “nëse janë thirrur ndonjëherë nga punëdhënësi i tyre për të diskutuar çështje të kontratës së punës”, shumica e gazetarëve të intervistuar, ose afro 60% e tyre, u përgjigjën jo.
Afro 30% e tyre thanë se janë informuar pak ose aspak mbi detyrimet që punëdhënësi ka ndaj tyre, të përcaktuara në kontratën e punës.
“Është krijuar një mentalitet në profesionin e gazetarit, ku kontrata e punës në shumicën e herëve merret si e mirëqenë dhe nuk kërkohet të ketë një proces negocimi përpara, apo edhe thjesht diskutimi për çështje të kontratës. Të dhënat tregojnë se punëdhënësit dhe punëmarrësit, nuk janë pro-aktivë shumicën e herëve për të diskutuar çështje të kontratës” – thuhet në studim.
Mbi 30% e studentëve të gazetarisë të punësuar me kohë të plotë në media thonë se nuk po paguhen rregullisht për punën e kryer. Madje edhe mbi 18% e gazetarëve profesionistë thonë se nuk po paguhen rregullisht për punën e kryer.
“Problemi kryesor mbetet pamundësia e tyre për të lidhur kontrata pune si afat-shkurtëra ashtu edhe afat-gjata. Në shumicën e rasteve këto kontrata janë të cënueshme lehtësisht nga ana e punëdhënësit ose nuk ekzistojnë fare. Nuk ekzistojnë kurrfarë garancie për gjithë punonjësit e medias, sepse disa punojnë pa kontrata, dhe disa kanë kontrata fiktive” – Roden Hoxha, përfaqësues i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore.
Sondazhi me afro 500 studentë të gazetarisë në Tiranë, Durrës, Elbasan e Shkodër, 50 gazetarë profesionistë dhe 16 menaxherë mediash zbuloi se afro 3/4 e gazetarëve pohuan se u janë shkelur të drejtat dhe se nuk kanë patur kontrata pune në periudhën e provës, ndërsa 1/3 e të anketuarve pohuan se nuk po paguhen rregullisht për punën e kryer.
Mbi 80 për qind e gazetarëve profesionistë pohojnë se kanë pasur një periudhë prove para se të punësoheshin me kohë të plotë. Sipas studimit, mbi 80% e gazetarëve profesionistë thonë se kanë pasur një periudhë prove para se të punësoheshin me kohë të plotë.
Afro gjysma e tyre pohuan se kjo periudhë ka zgjatur tre muaj, ose më shumë se tre muaj. Mbi 70% e gazetarëve profesionistë pohuan në sondazh se nuk kanë pasur një kontratë të nënshkruar për periudhën e provës me punëdhënësin, ndërsa 50% e gazetarëve profesionistë thonë që nuk janë paguar për periudhën e provës.
Pagat dhe oraret janë shkaqet më të shpeshta të mosmarrëveshjeve me drejtues të redaksive. “Afatet e tejkaluara të orareve te punës shihen si një gjë normale nga menaxherët e medias dhe çdo reagim i gazetarëve në këtë pikë shihet si pretendim i tepërt” – thekson studimi.
Pronarët apo menaxherët e mediave u përgjigjën në shumicë se nuk kanë asnjëherë problem me pagat, apo vonesa, por gazetarët profesionistë pohuan se situata me vonesat në paga është përkeqësuar, krahasuar kohë më parë.
Vetëm dy nga 16 prej tyre përmendin krijimin e pavarësisë editoriale si kusht i rëndësishëm për të pasur një gazetari cilësore, ndërsa shumica përmendin mënyrën e drejtimit, mjediset e punës dhe marrëdhëniet mes stafit.
“Gazetarët e rinj thonë se problemi më i madh në tregun e punës janë pagat dhe oraret e tejzgjatura, ndërsa pronarët përgjigjen krejt tjetër, se pagat vijnë në kohë, se nuk kanë patur kurrë vonesa. Tema se gazetarët marrin trajtim të dobët në redaksi ka mbetur si legjendë se ata ashtu gjithmon ankohen, por ne duam ta bëjmë këtë një temë debati konkret për të diskutuar më njëri tjetrin” – tha Lorin Kadiu, përfaqësues Organizatës Citizen Channel.
Studimi është pjesë e projektit mbi “Përmirësimin e Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare”, që mbështetet nga Bashkimi Europian, Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Shumica e studentëve të gazetarisë, afro 39% të të anketuarve, pohuan se dëshirojnë të nisin një karrierë në televizion pas përfundimit të studimeve, por ka edhe një rritje të përqindjes së studentëve që duan të punojnë në fushën e marrëdhënieve me publikun.
Mbi 70% e gazetarëve profesionistë u përgjigjën se “kanë pasur raste gjatë përvojave të punës, që kanë menduar se iu janë shkelur të drejtat”, dhe shkeljet kanë të bëjnë me punë jashtë orarit, mospagesa në kohë, mos-nënshkrimi i një kontrate pune. Mbi 20% e studentëve të gazetarisë përgjigjen se “kanë pasur raste gjatë përvojave të punës, që kanë menduar se iu janë shkelur të drejtat”, të llojit mos-nënshkrim kontrate, mbajtja në periudhë prove për më shumë se 3 muaj dhe mospagesa pas periudhës së provës.
Studimi vëren se vonesat në pagesa janë më të zgjatura në rastin e studentëve sesa në rastin e gazetarëve profesionistë. Numri i studentëve që punojnë dhe që i marrin rrogat me vonesa 3 mujore, 6 mujore apo edhe një vit, është më e madhe sesa përqindja e gazetarëve profesionistë, për të cilët shumica e vonesave në paga janë për periudha një mujore.
“Tregu mediatik është i tejngopur, përtej nevojave të vendit dhe jashtë logjikës ekonomike. Kemi 12 TV me formatin lajme 24 orë, kemi 56 TV të tjera, kemi 20 gazeta të përditshme, kemi 200 TV kabllorë, kemi 3 platforma digjitale; të gjitha këto janë për një publik 2.7 milionë banorë. Këto nuk funksionojnë si treg, se përndryshe do të duhej të kishte falimente” – tha pedagogu i gazetarisë Lutfi Dervishi.
Sipas studimit, shumica e themeluesve/menaxherëve të mediave të intervistuar thonë se nuk kanë marrëveshje të nënshkruara bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë, për qëllimin e praktikave të studentëve, por disa prej tyre pranuan që kanë marrëveshje bashkëpunimi joformale me disa nga institucionet e arsimit të lartë për praktikat e studentëve të gazetarisë.
Menaxherët e mediave u shprehën se kanë vullnetin e mirë për të pranuar studentë për praktika profesionale por identifikojnë ‘frikën nga tatimet’ si pengesë për këtë sjellje pasi ka paqartësi për përcaktimin ligjor dhe detyrimet e medias për rastet e praktikave të studentëve.
Studimi sjell një pamje të plotë mbi aspiratat e gazetarëve të rinj, përballë përvojave dhe mundësive konkrete për praktika profesionale dhe zbulon probleme reale nëpër redaksi lajmesh, ku sfidat kanë të bëjnë nga etika profesionale e deri tek trajtimi dinjitoz i punonjësve.
Ai pasqyron pikëpamjet e grupimeve të ndryshme si studentët, gazetarët, menaxherët dhe pronarët, ndaj bëhet një ndihmesë të madhe për të gjithë aktorët dhe institucionet që mund të angazhohen në përmirësimin e situatës.
Komentet