Disa dhjetëra banorë të lagjes së lagjes periferike të mbiquajtur Unaza e Re protestuan sot para drejtorisë së policisë së kryeqytetit pas ndalimit të disa banorëve, që njihen si drejtues të protetave të zonës kundër planeve që prishin shtëpitë e tyre për të zgjeruar rrugën.
Familjarë të personave të ndaluar nga policia kërkuan lirimin e tyre, të mbështetur nga shumë banorë të tjerë që preken nga projektet për rrëzimin e shtëpive të tyre në këmbi të zgjerimit të rrugës.
Policia ndaloi mëngjesin e sotëm disa nga personat që njihen në zonë si organizatorë të protestave në lagjen e Unazës së re, pas hyrjes në fuqi të masave të reja shtrënguese në Kodin Penal, sipas të cilave bllokuesit e rrugëve dënohen deri në 3 vjet burg.
Ndryshimet e reja ligjore shtojnë dënimet pë rata që vendosin pengesa në rrugë ose ndalojnë qarkullimin e automjeteve të transportit.
Policia njoftoi se arrestoi në flagrancë tre shtetas në rrugën “Teodor Keko” në lagjen e Unazës së Re për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të automjeteve”.
Dje pasdite, ata në bashkëpunim dhe me persona të tjerë u grumbulluan në vende të kalimit publik, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor, tha policia.
Protestat e banorëve të lagjes së Unazës së Re po vazhdojnë prej mëse një viti duke bllokuar çdo pasdite rrugën pranë shtëpive të tyre në shenjë proteste kundër projektit për zgjerimin e atij aksi.
Protestës së banorëve pranë drejtorisë së policisë iu bashkuan ish deputetë të opozitës, të cilët i quajtën provokime ato ndalime të banorëve që kreu policia.
Banorët kërkojnë dialog me autoritetet për të bërë ndryshime në projektin që prek banesat e tyre dhe që i nxjerr ata të pastrehë.
Komentet