Policia shqiptare mbylli sot operacionin “Moglica”, duke kapur dy persona dhe një arsenal të jashtëzakonshëm armësh e municionesh luftarake.
Pas disa muaj ndjekje dhe hetime, policia e Tiranës, në bashkëpunim me prokurorinë dhe gjykatën, dokumentoi veprimtarinë kriminale të shtetasve Adil Mersinllari dhe Bledar Muçollari.
Forcat e rendit sekuestruan armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake, kontrolluan 24 banesa të dyshuarish dhe u shoqëruan 16 persona.
Hetimet vazhdojnë për persona të tjerë të dyshuar, për mënyrën e gjetjes dhe destinacioni i armatimit të sekuestruar.
Policia kapi 57 kallëpe tritoli nga 400 gr. secili, 103 granata sulmuese, 100 ndezës granatash, 1 granatëhedhës, 23 predha granatëhedhësi, 20 kuti eksplozivi me fuqi të madhe, 2 kaseta dhe një kuti për mbajtje fishekësh, gjithsej 1640 fishekë armë automatike.

U kapën po ashtu 1 shtrat trekëmbësh për mitraloz të rëndë, 216 krëhëra mbajtës fishekësh, 2 mitralozë të rëndë dhe trekëmbëshat mbajtës, 20 pjesë mitralozash të rëndë të çmontuar, 1 shirit metalik me 250 fishekë mitrolozi të rëndë model 53.
Forcat policore kapën 3 murtaja me trekëmbëshat dhe pjatat kupore, 1 automjet me targa të Korcës dhe 4 aparate celulari.
Kjo është një nga sasitë më të mëdha të kapura ndonjëherë në duart e trafikuesve.
Sektori kundër narkotikëve dhe trafiqeve në policinë e Tiranës bashkë me prokurorinë akuzoi të arrestuarit për prodhim dhe mbajtje pa leje i municioneve dhe armëve luftarake si dhe për trafikim të tyre.
Për operacionin reagoi edhe opozita. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se kryeministri Edi Rama mundohet t’i fshehë e t’i mbrojë trafiqet e trafikantët.
“Krimet janë të rënda shumë e nuk mbulohen dot prej tij. Këto punë bëhen me lejen e kryeministrit dhe ai mundohet t’i fshehë” – tha zoti Paloka.
Komentet