Në Tiranë, liria e shtypit dhe lajmet e rreme janë ndër shqetësimet kryesore të publikut.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, ftoi në Tiranë një grup gazetarësh të njohur amerikanë dhe europianë për t’u sjellë kolegëve shqiptarë përvojat e tyre në përballjen me lajmet e rreme dhe verifikimin e tyre.
USAID dhe diplomacia britanike në Tiranë po mbështesin konferencën rajonale “Përballja me faktet në Ballkan dhe më gjerë” në përpjekje për të mësuar gazetarët shqiptarë se si të shmangin lajmet e rreme dhe të thellojnë gazetarinë investiguese.
E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, u tha gazetarëve se media e lirë dhe e bazuar në fakte është një gur themeli i demokracisë dhe një nga të drejtat njerëzore, ndaj vendet perëndimore e demokratike po përpiqen të ndihmojnë forcimin e lirisë së shtypit në Shqipëri.
“Një shtyp i pavarur dhe debati i gjallë janë themelore për të krijuar një shoqëri të lirë, ku qytetarët respektohen për pikëpamjet e ndryshme që shprehin. Një media e lirë është roje e lirive të njeriut. Media duhet të tregojë të vërtetën dhe të flasë për të vërtetën. Propaganda, mosinformimi dhe keqinformimi kërcënojnë mediat e pavarura kudo nëpër botë, e sidomos në rajone si Ballkani, ku vendet po punojnë për të vendosur sundimin e ligjit dhe të forcojnë demokracinë” – tha zonja Moses-Ones.
Në Shqipëri ambasada amerikane sapo publikoi rezultatet e një studimi nga IDRA mbi profesionistët e medias, të cilët pohuan se ka një rritje të kontrollit për çfarë raportohet dhe se si mbulohen ngjarjet.
Mbi 50 për qind e tyre pohuan se pronari dhe kryeredaktori u ka kërkuar të bëjnë shkrime të porositura.
Afro 40 për qind e të anketuarve pohuan se e gjithë media censuron vetveten, dhe 36 për qind pohuan se ata vet përdorin rregullisht auto-censurën.
“Anketa tregon se sa shumë punë duhet bërë për të dhënë vend më të gjerë fakteve dhe të vërtetave. Kjo detyrë kurrë më parë nuk ka qenë kaq e rëndësishme, ndaj qeveria e SHBA iu jep juve një mbështetje të plotë, ka mbështetur në vitet e kaluara e ashtu do të vazhdojë në të ardhmen për t’iu krijuar mundësitë që të zbuloni të vërtetën dhe të përhapni të vërtetën” – iu drejtua gazetarëve shqiptarë zonja Moses Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri.
Ajo theksoi se SHBA do të jetë përherë përkrah gazetarëve në përpjekjet për të raportuar pa censurë dhe në përmirësimin e klimës së medias në Ballkan, dhe i ftoi ata ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të punuar së bashku, që të shmanget keqinformimi.
Ndërsa gazetarja e Zërit të Amerikës, Fatima Tlis, solli në konferencë përvojën e Zërit të Amerikës në shmangien e ndikimeve qeveritare përmes të ashtuquajturit mur mbrojtës. Asnjë zyrtar nuk mund t’u tregojë gazetarëve të Zërit të Amerikës çfarë duhet të shkruajnë dhe si ta shkruajnë një raport për një ngjarje, tha ajo.
“Asnjë agjenci shtetërore nuk mund të ndikojë reporterët e Zërit të Amerikës apo të ndërhyjë në raportet tona. Në SHBA është e ndaluar me ligj që ata t’u thonë gazetarëve se çfarë duhet të bëjnë ose çfarë nuk mund të bëjnë. Zëri i Amerikës e ka këtë ligj të veçantë të murit mbrojtës. Mbi bazën e këtyre rregullave profesionale Zëri i Amerikës transmeton çdo ditë lajme edhe mbi Ballkan përmes shërbimeve në gjuhën shqipe, serbishte dhe gjuhë të tjera” – tha reportrja e Zërit të Amerikës, Fatima Tlis. Ajo solli edhe shembuj nga përvoja personale, së bashku me kolegë të tjerë nga shtete të ndryshme, kur janë ndeshur me lajme të rreme dhe si i kanë verifkuar ato, për të qenë sa më të saktë me publikun në lajmet e tyre.
Komentet