Një tjetër pacient me COVID-19 humbi jetën në Shqipëri, megjithë terapinë intenstive 10 ditore në Spitalin Infektiv.
Pacienti 49-vjeçar nga Tirana i shtruar prej 13 ditësh në Spitalin Infektiv, vuante edhe nga diabeti. Kanë humbur jetën 5 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Edhe drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj, rezultoi i prekur nga COVID-19 pas analizave.
Lajmin e konfirmoi ministria e shëndetësisë. Ai është njëherësh edhe anëtar i shtabit shtetëror të emergjencës.
Në 24 orët e fundit u zbuluan edhe 19 raste të reja me COVID-19 pasi janë kryer 74 testime.
Gjithsej janë gjetur 123 persona të prekur nga 930 raste të testuara.
Në Spitalin Infektiv janë 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre në terapi intensive, pjesa tjetër në gjendje të qëndrueshme.
Në hartën e zonave të prekura nga COVID-19 u shtuan edhe Lezha, Hasi dhe Berati, ndërsa qytetet më të prekura janë Tirana, Fieri e Korça. Tirana ka 72 persona të prekur, Fieri 12, Korça 9, Durrësi 8, Lushnja, Vlora e Kavaja nga 4, Elbasani, Rrogozhina, Shkodra e Hasi nga 2 qytetarë, Lezha e Berati nga 1 pacient me COVID-19. Njoftohet edhe dalja nga spitali e 10 qytetarëve të shëruar.
Qeveria miratoi me aktin e fundit normaltiv edhe lirimin nga burgjet të afro 600 personave të dënuar me rrezikshmëri të ulët, që për shkak të sëmundjeve të tyre, mund të jenë të prekshëm nga COVID-10.
Lajmin e konfirmoi ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila shtoi se do të karantinohen në shtëpi personat e dënuar që ju kanë mbetur deri në 3 vjet burgim, ata që ju kanë mbetur deri në 5 vjet burgim, por që janë mbi 60 vjec dhe vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike.
“Përjashtohen ata që kanë kryer krime të rënda, pjesëmarrje në organizata kriminale etj”, – tha ministrja e drejtësisë. Sipas saj, deri tani nuk ka asnjë të prekur mes të burgosurve, dhe takimet me familjart janë zëvendësuar me lidhjet përmes internetit.
Komentet