TIRANË – Në lidhje me debatin e ditëve të fundit dhe reagimin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë për ngjarjet në terrenin ku është kisha e Shën Athanasit në Dhërmi, ka reaguar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë Glevin Dervishi.
Sipas tij, Shqipëria përkujdeset të sigurojë zbatimin e ligjit në tërësinë dhe pacenueshmërinë e tij. Dervishi deklaron se është konstatuar se qëndrimi i djeshëm i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. “Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin evropian të Shqipërisë, të mbështetur nga partnerët e tjerë evropianë, gjë e cila bie ndesh edhe me praktikën e konsultimit dhe qasjes së përbashkët të problemeve mes vendeve qe ndajnë të njëjtën aspiratë evropiane”- thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë .
Dervishi shprehet se ky qëndrim, është larg frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të cilën kishte për qellim të promovonte takimi i fundit i Ministrave Bushati – Kotzias.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreson se deklarata e djeshme, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si qëndrim i një autoriteti që ushtron garanci morale apo kanonike mbi Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe besimtarët e saj, do të mbetet vetëm një insinuatë e izoluar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke”-përfundon Dervishi.
Kujtojmë se ditët e fundit ka patur një debat dhe reagime të ndryshme me pretendimin se po bëhen ndërhyrje në kishën e Shën Athanasit në Dhërmi, ku më pas kanë reaguar edhe Kisha Ortodokse Shqiptare. Në një reagim të datës 21 gusht, Kisha Ortodokse Shqiptare pretendoi se është dhunuar përsëri kisha e Shën Athanasit.
Komentet