Nga Mark Brunga
Në vitin 1959–1960, kohë kur Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, vëndi ynë u armatos me raketa moderne sovjetike, që e rritën fuqishëm potencën ushtarake mbrojtëse, në raport me fqinjët potencialisht armiqësorë. Me ndërprerjen e marrdhënjeve me Bashkimin Sovjetik, u ndërpre si për të gjitha furnizimet, edhe furnizimi me raketat e drejtuara kundërajrore ‘Sam 2’, krenaria e teknologjisë ushtarake të asaj periudhe, që përbënin garanci për fuqizimin e mbrojtjes së Atdheut. Pas prishjes dhe largimit të sovjetikëve nga baza më e madhe Ushtarako Detare e Mesdheut, raketat filluan të furnizoheshin nga shteti aleat më i ri, Republika Popullore e Kinës së Mao Ce Dunit. Transportin kryesor të tyre e kreu trans-oqeaniku “Vlora”, i cili komandohej nga Kapiteni Qemal Hate, “Hero i Punës Socialiste”, i ndarë nga jeta disa vite më parë.
Raketat që vinin nga Kina, për shkak të distancës së gjatë, dhe moslejimit të mjeteve detare për këtë transport, niseshin në fshehtësi të plotë, duke qenë të çmontuara dhe të mbuluara me ngarkesa orizi në vapor. Po ashtu, edhe për avionët ‘Mig’ të variantit kinez dhe armatime të tjera.
Ardhja e tyre dhe vetë raketat që për atë periudhe ishin nga më modernet, qenë kthyer dhe mbeten ende pjesë krenarie kombëtare, sidomos pas largimit të trupave dhe anijeve sovjetike nga baza e Pasha Limanit.
Punonjësit e Portit tregojnë, se këto mallra të rëndësisë së veçantë, janë shkarkuar vazhdimisht natën. Lidhur me transportin detar të raketave me anijen “Vlora”, tregon Ylli Bare, dhëndëri i Qemal Hates, edhe ky ish-kapiten anije transporti, i cili thotë se transportin e raketave nga Kina, e kreu anija “Vlora”.
Kapiteni Ylli Bare, tregon se anija, përveç rrugëtimit nga Kejp Tauni, kalonte kryesisht nëpër Kanalin e Suezit dhe se për këtë anije, shteti kishte gjetur kanale të jashtëligjshme dhe u paguante autoriteteve të egjiptiane, dollarë me valixhe dhe anija i shpëtonte kontrollit të imtësishëm, që mund të rrezikonte ngarkesën strategjike që sillte në atdhe.
Rreth këtij transporti me rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike, Ylli Bare tregon se, raketat futeshin në hambarët e vaporit në pjesën fundore të tyre, nga 8 deri në 10 copë.
“Përveç tyre, në vapor transportoheshin tanke, topa, deri aeroplanët reaktivë ‘Mig’. Madje edhe aviatorët e parë ushtarakë që do të shkonin në Kinë për t’u trajnuar, shkuan me këtë vapor, rreth 17 vetë. U nisën nga Durrësi dhe u kthyen po me këtë vapor, së bashku me avionët e parë nga më modernët të saj periudhe.
Vetëkuptohet që avionët ishin të zmontuar. Duke qenë se paguhej për kalimin në Suez, “Vlora”, nuk rrinte në radhë si anijet e tjera. Dhe duhet të kemi parasysh se këtu, kishte rrallë të madhe për të kaluar nga anijet e tjera, por anija jonë kalonte pa radhë”, thekson Ylli.
“Në Egjipt, duke qenë se dihej që kishte diplomatë dhe oficerë shërbimesh sekrete që rrinë nëpër ambasadat e ndryshme, zakonisht praktika e mallit që transportohej, deklarohej se ishte ngarkesë me oriz dhe mekanizma bujqësore, ngarkesa që mbulonte objektet ushtarake. Ndërkohë në kuvertë, lejohej që të organizoheshin deri mikropanaire, nga tregtarët vendas.
Për pazarin siç i thonin, lejohej që të hipnin në kuvertë 30-40 egjiptianë, që vinin me varka për t’u shitur gjësendi marinarëve. Ishte një manovër e goditur psikologjike, për të hequr çdo dyshim që mund të kishte ndokush, për llojin e ngarkesës e, për të qetësuar vëzhguesit e huaj, se anija nuk kishte ngarkuar gjera të rëndësishme, nga ato që dyshoheshin…!
Ndërkohë kur anija dilte nga Kanali, dy nëndetëset tona, e prisnin atë në afërsi të portit të Aleksandrisë dhe e shoqëronin me pas nëpër Detin Mesdhe, gjatë gjithë rrugëtimit të mëtejshëm deri në gjirin e Durrësit. Rrugëtimi i nëndetëseve drejt portit të Aleksandrisë në Egjipt, rakordohej me nisjen e “Vlorë”-s nga Kina.
Kur vinte në Durrës “Vlora”, priste natën përsëri për t’u futur në portin, ku puna ishte e ndërprerë në të gjithë sektorët. Mjetet i shkarkonte ushtria natën dhe i transportonte më pas në kushtet e sekretit të plotë ushtarak, për në destinacion. Zakonisht transportet ushtarake Kinë – Shqipëri, priteshin nga Mehmet Shehu”, tregon kapiten Ylli.
Si erdhën raketat e para Sovjetike në Portin e Durrësit?
Raketa e para të drejtuara kundërajrore, erdhën nga Bashkimi Sovjetik. Ardhja e tyre ishte tepër e rëndësishme për vendin tonë, pasi ishim shteti i 2-të në botë, pas Bashkimit Sovjetik, që pajiseshin me këtë teknologji moderne të sofistikuar, për atë periudhë kohe.
Raketat e para kanë arritur në vendin tonë në vitin 1959. Lidhur me këtë ngjarje shumë të rëndësishme, sipas ish-komandantit të repartit të Raketave Kundërajrore, Lelo Leli, raketat e para tokë-ajër në Shqipëri, erdhën nga ish Bashkimi Sovjetik, në muajin dhjetor 1959.
Ato u pritën në portin e Durrësit dhe natën, me masa të rrepta sigurie e ruajtje, u transportuan në Pezë-Helmës. Atje, me kohë ishin ndërtuar baza e ruajtjes dhe e furnizimit të raketave, si dhe objektet e vendosjes së efektivit e aparaturave radioteknike dhe shtretërit e lëshimit.
Ajo u quajt qendra mësimore. Ndërsa baza e mbushjes, u emërtua reparti teknik ose reparti 3700 k. Ato raketa kishin një gjatësi prej 10.88 metrash. Raketat që kanë qenë pjesë e armatimit të Mbrojtjes Kundër Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, nuk kanë pasur mbushje bërthamore, por kanë pasur vetëm mbushje luftarake, e cila kur shpërthente, ndahej në 3.600 copa.
Pesha e tyre relative, ishte rreth 2 ton. Arsenali raketor i vendit tonë, përbëhej nga rreth 300 raketa të tipave ‘SAM-2’, (sovjetike) si dhe ‘HQ-1’, ‘HQ-2’, të prodhimit kinez. Ato vazhduan të jetë në shërbim të mbrojtjes së vendit, deri në periudhën e shpërthimit të Gërdecit.
Raketat e para në Port, i priti Enver Hoxha
Ish-inxhinieri i Portit të Durrësit, që i ka shkarkuar këto raketa, ka lënë të shkruara në kujtimet e tija para ndarjes nga jeta, se raketat kanë arritur natën e 16 dhjetorit 1959, në portin e Durrësit. Ato janë shkarkuar në fshehtësi të madhe dhe kanë qenë rreth 28 copë raketa tokë–ajër, të blera në Bashkimin Sovjetik.
Ato kanë ardhur me me anije transporti ushtarake sovjetike. Vinçieri që i ka shkarkuar ato me vinçin e tijë, tip “Ganz” në port, ka qenë një nga vinçierët më të vjetër dhe më me përvojë në port, Qirjako Moçi. Shkarkimin e tyre e ka ndjekur pranë vinxhit, vetë Enver Hoxha dhe Kadri Hazbiu. Enveri ishte i shqetësuar për përfundimin e operacionit të shkarkimit.
Vinçieri kujtonte se Enveri, i kishte shkuar te vinçi dhe i kishte thënë: – “Dëgjo Qirjako, këto raketa i kemi blerë me djersën dhe gjakun e popullit, me flori. Ndaj duhet kujdes i madh”. Qirjako kujtonte se si kanë shkarkuar rreth 28 copë raketa atë natë.
Po ka shfaqur edhe dyshime se ky shkarkim, ishte vëzhguar nga ndonjë shërbim i huaj zbulimi, pasi në një distancë të konsiderueshme një person që gjuante peshk me grep te moli i peshkimit, për çdo raketë të shkarkuar shënonte një shenjë + në një paketë cigaresh “Diamanti”.
Qiriako Moçi, që shkarkoi raketat e para që erdhën në portin e Durrësit, ka punuar si vinçier nga viti 1952 deri në vitin 1989, kur doli në pension. Ishte vinçieri më jetëgjatë në Portin e Durrësit. Në të gjitha rastet e tjera, kur vinin raketat nga Kina, ato në port i priste ish-kryeministri Mehmet Shehu dhe zv/kryeministri e ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku.
Dëshmitë e Kajo Hima, ish – marinari i transoqeanikut “Vlora”
Kajo Hima, është një marinar i vjetër, i cili ka punuar 38 vite në det. Nga këto vite, 9 prej tyre, ai i ka kaluar në anijen “Vlora”, dhe kujton momentet kur transportonte raketat si dhe objekte të tjera të rëndësishme ushtarake. Ai sjell në kujtesë se si, edhe në Kinë, raketat ngarkoheshin natën. Masat e sigurisë edhe atje ishin shumë të larta, sidomos kur në port, kishte anije sovjetike.
–“Na nxirrnin në Radë dhe prisnim që të binte nata për të hyrë në port dhe të ngarkoheshim. Hambarët e anijes kishin 3 kate. Në katin e poshtëm, ngarkonim raketat dhe tanket që ishin të paketuara në arka. Ngarkesën e bragonim fort me kavo dhe me shumë kujdes, me qëllim që, nëse gjatë lundrimit do të kishte furtunë, ato të mos luhateshin dhe dëmtoheshin nga përplasjet që shkaktonin dallgëzimet e mëdha në detëra e oqeane.
Mbi armatimet e rralla ne hidhnim ngarkesa orizi dhe gruri. Që të maskonim udhëtimin me transportin e ushqimeve, kur vinim në Durrës, “Vlora”, po natën hynte në port, për t’u shkarkuar, në kushte maksimale sigurie dhe fikeshin të gjithë dritat.
Lejohej vetëm një korridor drite për shkarkimin, ndërkohë punonjësit tradicionalë të portit, kishin bllokuar turnin dhe shkonin në shtëpi. Po ashtu edhe policia. Në ato momente, porti ruhej vetëm nga oficerët e Sigurimit të Shtetit. Ndërsa ekuipazhi i anijes pajisej me një lejë të posaçme dhe kur linim shërbimin, kontrollohej nga oficerët e Sigurimit që vëzhgonin gjithçka.
Madje nga rigoroziteti i tyre, një natë pata edhe një incident me ta. Bëra një dush dhe u nisa me nxitim. Kur me kontrolluan, u kërkova që të kthehem në anije, për ta marrë lejen. Po ata s’më besuan dhe më dërguan direkt e në dhomat e izolimit të Degës se Punëve të Brendshme. Pas pak kohe, u desh ardhja e Kryetarit të Degës, Kopi Niko, i cili më njihte dhe e zhbllokoi situatën”.
Kajo thotë se; anija “Vlora” ishte nga më të mirat e Flotës Detare Tregtare të vendit tonë, me kapacitet transportues 12.600 ton. Ajo kishte vetëm një vit që ishte prodhuar, kur u ble në Xhenova të Italisë, në vitin 1961, me rreth 4 milionë USD. Anija punonte edhe me solar.
Sapo hyri në përdorim të Flotës sonë Tregtare, duke qenë se ishte piketuar për transportin e raketave dhe mjeteve të tjera ushtarake që furnizonte në atë periudhë shteti kinez, po në vitin 1961, stafi i saj u kompletua me oficerë të Marinës Luftarake Detare.
Anija “Vlora”, kujtohet nga njohësit e saj dhe marinarët, si një mjet detar shumë i fortë, pasi nuk kishte ndodhur të bënte asnjë defekt rrugës. Edhe kur kishte përballuar lundrime të gjata e tajfune në oqeanet që përshkonte. Memorie.al