Tirana e përgjakur” – Masakra komuniste, vjeshtë 1944
Kapitulli
“Tre liceistë: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi dhe Fahri Dabulla”, ai ka shkruar:
“Tefta Tashko Koço” quhet në Tiranë rruga, që del nga sheshi “Avni Rustemi” dhe vijon përgjatë deri tutje në afërsi të godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vite me parë, më saktë ndoshta do të ishte të thoshim në atë kohë kur qyteti zuri të rritej nga pikëpamja urbane, kjo rrugë quhej “Pisha”, emërtim ky që rëndom vijojmë ta dëgjojmë edhe sot. E pikërisht mbi gurët e kalldrëmit të kësaj rruge, në terrin e natës së largët të 28 tetorit 1944, hapat e rëndë të një patrulle partizane, prishën qetësinë e asaj mbrëmjeje tiranse, që dalëngadalë po i ndihte krahët ngrohtësisht mbi qytet.
Banorët e rrugës të terrorizuar mbajtën frymën nën ankthin e pritjes, se ku do të ndaleshin! Me afrimin e forcave partizane në rrethinat e kryeqytetit, lajmet që qarkullonin brenda tij ishin nga më tronditëset. Gjithsesi atë natë, rrapëllima e hapave të rëndë mbi kalldrëm u sos përpara portës së shtëpisë së Ymer Dërhemit, ku banonte me qera Akil Sakiqi, oficer i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që gjatë gjithë kohës kishte shërbyer në kufi dhe në sektorin e prapavijës. Akil Sakiqi kishte vite që ishte vendosur me banim në Tiranë, ndërkohë ishte lindur në vitin 1907 në Dibër të Madhe.
Familja e tij, për t’i shpëtuar dhunës dhe reprezaljeve të shovinistëve serbë, fillimisht u vendos me banim në Turqi. Por nga dashuria e madhe për dheun e të parëve, prindët e tij vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Duke u stabilizuar përfundimisht në Tiranë. Akili, djalë i zgjuar i etur për t’i pasuruar e përsosur sa më shumë dijet, pasi përfundoi shkëlqyeshëm Liceun e Korçës, kreu me rezultate të shumë të larta edhe Akademinë Ushtarake në Romë të Italisë, në degën e ‘Rojës së Financës’. Pas kësaj kthehet në atdhe dhe punon me përkushtim e devotshmëri së pari në Durrës, më pas në Shkodër etj. Pushtimin fashist të Italisë së Duçes më 7 prill të viti 1939, e priti me indinjatë të thellë e urrejtje të madhe.
Madje, bashkë me mikun e tij Myftar Jegenin dhe oficerë të tjerë atdhetarë, luftuan kundër agresorëve fashistë. Dëshpëruar keqas, ngaqë nuk arritën ta zmbrapsnin pushtuesin, u veçua nga gjithçka, duke mos u përzier fare me asnjë parti politike dhe përfundimisht u mbyll në jetën e tij civile. Natën e 28 tetorit të vitit 1944, kur partizanët e armatosur deri në dhëmbë trokitën në shtëpinë e tiransit zemërbardhë Ymer Dërhemi, nuk kishin punë fare me të zotin e shtëpisë.
Destinacioni i demonëve të kuq kishte qenë Akil Sakiqi, që në ato çaste po darkonte me miqtë e tij, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën, që të tre oficerë të karrierës, bashkënxënës që në Liceun e Korçës. Me që ishin duke ngrënë, Akili që i donte dhe i respektonte shumë zakonet e mrekullueshme shqiptare, i fton mysafirët e paftuar të asaj nate të uleshin e të hanin bashkërisht në tryezën e shtruar. Tek demonët e kuq, babëzia e mbushjes së barkut, ishte e njëjtë me atë të etjes për të shuar jetë njerëzish. Ndaj pa ngurrimin më të vogël, zunë vend në tryezën bujare të familjes Sakiqi dhe hëngrën sa u zhdëpën. E zonja e shtëpisë kishte gatuar mrekullisht. Vallë kush e di se sa herë e ka mallkuar atë çast më vonë ajo zonjë e fisme, tek është kujtuar, që u ka shtruar për të ngrënë vrasësve të të shoqit, atyre që do ta vishnin përjetësisht me të zeza dhe do ta rropatnin ndër vite për të rritur jetimët. ‘Haram iu qoftë buka që u dhe ti moj nënë e dhembshur. Farmak iu bëftë dhe i helmoftë e i zezoftë të gjithë brez pas brezi, këta gjakpirës bukëshkalë’.
Pas largimit të terroristëve, në dhomën ku po rrinte Akil Sakiqi bashkë me dy miqtë e tij, Nazmi Uruçin e Fahri Dabullën, hyri edhe i zoti i shtëpisë Ymer Dërhemi. Me mprehtësinë që e karakterizonte ai kishte arritur të nuhaste diçka jo të mirë, madje, ishte i bindur plotësisht, që gjakpirësit do të ktheheshin sërish, ndaj me qetësi i këshilloi të largoheshin përkohësisht nga aty. Por, Akili dhe shokët nuk e ndjenin veten aspak fajtorë, ngaqë nuk kishin bërë asnjë të keqe, faj, apo krim qoftë, vendosën të qëndrojnë. Aq më tepër iu duk i drejtë ky vendim, kur jo vetëm nuk kishin bërë ndonjë padrejtësi, por përkundrazi e kishin ndihmuar luftën aktivisht.
Por pas kësaj, kur akrepat e orës po i afroheshin dymbëdhjetës, në portën e shtëpisë u dëgjuan trokitje. Hienat ishin kthyer sërish për të rrëmbyer gjahun. Nuhatja e plakut të mirë Ymer Dërhemi kishte qenë e saktë. Pas kësaj patrulla partizane i mori të tre me vete, teksa vetëm njëri prej tyre kishte pëshpëritur nëpër dhëmbët e krimbur sloganin vdekjeprurës: “Ju kërkojnë në komandë për një sqarim”. Dhe ishin po ato njerëz, që vetëm pak orë më parë ishin ngritur bark nginjur nga tryeza e asaj shtëpie shtruar bujarisht e zemër plot.
Pas kortinkave të dritares e trishtuar në kulm, me shpresën se do të kthehej shpejt, zonja e shtëpisë e ndoqi të shoqin me sy plot ankth, bashkë me dy shokët e tij, deri sa i përpiu terri i natës, tutje poshtë rrugës që varej bregut të Lanës, tek mulliri, pa e ditur dhe pa i shkuar aspak nëpër mend, se ishte kjo hera e fundit që e shihte. Aty, duke pritur me ballin mbështetur mbi xhamin e ftohtë, e gjetën rrezet e para të diellit, që feksën si të trembura përmbi Dajt. Dhe Akil Sakiqi me të dy shokët e tij liceistë, Nazmi Uruçi e Fahri Dabulla, nuk u kthyen kurrë më. I pushkatuan po atë natë më 28 nëntor të vitit 1944. Ashtu si Akil Sakiqi edhe Nazmi Uruçi, ishte nga Dibra e Madhe. Bashkë kishin studiuar në Liceun e Korçës. Edhe Fahri Dabulla po ashtu kishte qenë liceist i Korçës. Që të tre Enver Hoxha i kishte njohur si nxënës të shkëlqyer në mësime, si atdhetarë të flaktë dhe si njerëz të respektuar, të ndershëm e korrektë. E pikërisht për këto veti, të cilat ai i urrente në mënyrë patologjike, i futi në ‘listat e zeza’ të vdekjes.
Dokumentet arkivore dëshmojnë se ekzekutimi i ushtarakëve dhe Akil Sakiqit u bë me urdhër të Enver Hoxhës