Kur nisa të konceptoja dy vite më parë (korrik. 2021) gazetën online “Tirana Diplomat”, më duhet të gjeja referenca të ngjashme në tematikë, përtej kufijve të Shqipërisë: SHBA dhe Izrael.
Në Izrael është një nga njësitë inteligjente më të famshme në botë: “8200”, ku në një zyrë të vogël mund të gjesh duke diskutuar plot pasion: një shkëncëtar të armëve bërthamore; një programues të “Kupolës së Hekurt”, sistemit më të avancuar anti-raketor në botë; një agjent të Mossad, shërbimit sekret të Izraelit; një bloger të kontraktuar nga Google, Microsoft apo Oracle apo një kurator imazhi të mediave sociale.
“Tirana Diplomat” është një portal i ri, i bazuar në gjashtë parime, që në një farë mënyre të kujtojnë edhe gjashtë brinjët e dy trekëndshave që ndërthuren në mënyrën më të përsosur tek “Ylli i Davidit”, i cili simbolizon edhe flamurin e Izraelit:
(1) Fakt (2) Paanshmëri, (3) Argument, (4) Burime, (5) Përmbatje dhe (6) Paraqitje e bukur!
Të gjashta këto, të harmonizuara në kërkim të perfeksionit. Një thënie e gazetarit të mirënjohur, enciklopedist Besnik Dizdari është edhe thelbi i asaj që bëj: “Nëse shkrimi tënd i sotëm është më i keq se i djeshmja, atëherë duhet ta lësh këtë zanat”.
Si të gjithë, edhe unë kam “Listën time” të pesë individualiteve të spikatura në botën e medias, që kanë infuencuar te mua, për të gjetur “Ekuilibrin”, me të cilët edhe kam punuar në gazeta të ndryshme, të përgjithshme apo sportive:
– Këndvështrimi i mprehtë i LUTFI DERVISHIT opinionet e të cilit, kudo që i ka botuar, ndikojnë fuqishëm te mua, për gjetjet e bukura, largpamësin, dhe jo rastësisht ai është një nga figurat qëndrore të Institutit të Medias dhe lektor në aktivitetet e mbështetura nga Ambasada Amerikane. Luti më ka botuar tek “Albania” një cikël prej dhjetë shkrimesh mbi “Mafian Ndërkombëtare”. Dhe bëhet fjalë për vitin 2001, 22 vjet më parë.
– Elokuenca e gazetarit të mirënjohur, ALEKSANDËR ÇIPA, i cili është edhe një poet i mrekullueshëm. Befasohem gjithmonë nga aftësia e tij për t’u shprehur si askush me një kolorit jashtëzakonisht kreativ e me fraza të bukura, që tregojnë lexueshmërinë e tij. E kam pasur kryeredaktor tek gazeta “Albania”.
– Ftohtësia analitike e HABJON HASANIT themeluesit të Hashtag.al, i cili fare mirë mund të ishte një analist i suksesshëm shërbimesh inteligjente të kalibrit botëror, si CIA në SHBA, MI6 në Britaninë e Madhe, apo MOSSAD në Izrael. Kur punonim bashkë tek “Albania”, u shndërrua në një pikë referimi për investigime e tij, shumë të detajuara.
– Euriditi shumëplanësh, ERVIN BAKU, me frazën elegante të të shkruarit. Të shkurtër. Plot informacion. Një raportues i gjeopolitikës nga Brukseli apo Strasburgu, por dhe një komentator i shkëlqyer sportiv nga eventet më të mëdha futbollistike në botë. Arkivi fotografik i tij është i jashtëzakonshëm, ashtu si garderoba e tij me fanella sportive. Kam punuar me të te “Sport Plus”.
– Gazetari i “titujve të bukur”, POLI HOXHA, vazhdon të impresionojë edhe sot që ai drejton Alfapress.al. Shumë modern në të shkruar, argumente të pakundërshtueshme, logjikë e ftohtë dhe për më tepër një “poet i gazetarisë”. Me një “ADN” prej gazetari profesionist, Poli është një “Akademi e hapur online”, për këdo që do të mësojë dhe të futet në botën e medias së shkruar.
“Tirana Diplomat” është një media e vogël, ende nuk ka arritur një 1000 ndjekës, por dinamizmi i saj është mbresëlënës. Statistikat janë të fuqishme. Jam i bindur se do të rritet shpejt.