Ajo ishte nga Rahoveci dhe lotët i çurgonin duke mos e lejuar të formonte as edhe një fjalë. Unë nuk dija si ta ngushëlloja përveçse duke e përkëdhelur lehtë në shpatull. Mundohesha të merrja me mend e kuptoja humbjet e saj, dhimbjen, frikën, tmerrin, masakrën prej së cilës kishte shpëtuar, (më vonë ajo nuk do ta quante shpëtim) por më kot. Unë isha e pazonja qoftë edhe të përfytyroja luftën.
Pas disa ditësh takimesh pa fjalë, munda të dëgjoj copëza rrëfimesh tronditëse, vrasje familjarësh, marrje fëmijësh prej duarsh, mbytje, përdhunime, plaçkitje, dëbime, genocide e spastrime etnike nga forcat serbe.
Bombardimet e NATO-s ishin të vetmet shkëndija shprese për atë grup grash që munda të takoj ato ditë maji të vitit 1999. Të gjitha mezi pritnin kthimin në tokën e tyre në kërkim të çka do kish mbetur gjallë.
Kanë kaluar 22 vite që prej luftës, tek-tuk është gjykuar ndonjë autor, pa i hyrë këtu aspak standardeve të drejtësisë së aplikuar, por ndërkohë viktimat janë ende të pakompensuara për dëmet e pësuara. A janë vlerësuar korrektësisht dëmet dhe a janë njohur ato botërisht nga autorët apo ideatorët? Jo dhe Jo.
Ka disa lloje vendosjeje drejtësie në botë, por që prej viteve ’90-të e në vazhdim kokat e mëdha të politikave orientuese e detyruese kanë arritur në emëruesin e përbashkët të asaj që quhet Drejtësi Restauruese. Kjo lloj drejtësie merr në konsideratë perspektivën e viktimës dhe riparimin e dëmit. Sa është zbatuar? Bëjini vetë llogaritë.
Viktimat e masakrave serbe në Kosovë ende janë në pritje të efekteve të drejtësisë restorative duke filluar me kërkesën për falje nga ana e autorit (Serbisë), njohjen e pavarësisë së Kosovës prej saj dhe më tej me dëmshpërblimet. Këto janë kushtet primare për qytetarin e vuajtur të Kosovës që në tavolinën restorative të kalohet në etapat pasuese të procesit, të ketë negociime për bashkëpunime e shkëmbime qoftë këto edhe kulturore.
E ndërkohë çfarë u ofrohet realisht viktimave të luftës?
“Paqe motër, paqe! Falje motër, falje! Shtype dhimbjen në skutën më të largët të shpirtit tënd dhe mos vono t’i shtrosh tapetin e kuq atij që të dogji xhanin e vrau jetën e porsalindur.
Pse ke nevojë të të kërkojnë falje që të falësh? Thjesht fal dhe kaq! S’ka gajle motër, s’ka, një herë viktimë, gjithmonë viktimë. Për hir të planeve të Ballkanit lipset që ti të harrosh e të groposësh kujtimet. Mos fol për traumat e tua, më mirë përballu “dal vivo” me burimin e tyre në Ballkanin e Hapur. Fillo me mirëkuptimin e artistëve e më pas politikanëve.
Thonë se arti duhet të ngrihet mbi politikën dhe se artistët nuk kanë faj se keqfrymëzojnë përmes simbolizmave të artit të tyre, veprimeve e mosveprimeve njerëz të shqetësuar.
Prandaj fal, duartrokit edhe pse ato tinguj të fyejnë e të lëndojnë shpirtin. Të tjerët thonë janë thjesht art i pafaj dhe ti duhet të hapësh zemrën dhe derën”-sugjerojnë ndër rreshta globalistët e pacifistët që nuk ia kanë haberin e dhimbjes tënde.
Le ta zemë se jemi dakord, por a është ky një standard i përgjithësuar?
Piktori nga Kosova Petrit Halilaj u tërhoq nga pjesëmarrja në Biennalen e Beogradit 2020 pasi organizatorët nuk pranuan t’i njihnin shtetësinë. Njëherë ia kishin grisur pasaportën, a nuk ishte kjo sërish një grisje simbolike e saj? Halilaj i kishte kapërcyer konfliktet e brendshme personale dhe e kishte parë pjesëmarrjen në këtë event si një përpjekje mbipolitike përmes artit, por mesa duket artistët serbë nuk mendonin njëlloj.
Por s’ka gajle. Nuk ka parim reciprociteti mes Serbisë dhe Kosovës sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Është e drejtë kjo? S’ka gajle-thonë pacifistët, globalistët, kozmopolitanët. Ule kokën, hape zemrën, fal, fal, duartrokit madje, hidhu përpjetë e kërce me tingujt e luftës që të vrau, dogji e rrëmbeu jetën e paçmim…
…Nëse do ta takoja sot gruan nga Rahoveci sërish do e gjeja veten pa fjalë ngushëlluese. Dikur ishte një fije shprese për të ardhmen e panjohur, sot ajo e ardhme është bërë e shkuar dhe të mbijetuarit e luftës janë ende të braktisur në harresën politike e të tallur ndjenjash. Ndërsa përgjegjësit janë të zënë me provokime festivale birrash e kulisa ballkanike.
©JetaDedja
Komentet