Libri i fundit i babait tim, Skënder Rusit, titullohet “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”. E zgjodhi vetë këtë titull, “Është poetik”, më thoshte, e kështu mbeti, deri në botim. Por poetët e dine kur është momenti të thonë gjëra që për njerëzit e zakonshëm janë ende të padeshifruara. Ditën e fundit të majit, 2024, siç kishte qejf ta quante babai im, bota e ndali rrotullimin e saj të zakonshëm për të. Poeti mbylli sytë e në buzë mbajti një buzëqeshje të padeshifrueshme, të qetë, të paqtë, sikur gjithçka e kishte një shpjegim, e qielli ja ku është, na pret të gjithëve. Një javë më vonë, në shtëpi ka një qetësi që të bën të rrish zgjuar. Të shohësh në errësirë, të dallosh dritën e dobët të hënës, që rrëshqet, e zbehtë, e tretur, mbi kopertinat e librave në bibliotekë.
Shtëpia e babait është e gjitha kështu: rafte librash, mobilje që mbajnë mbi vete tituj dhe botë të krijuara nga njerëz që kanë jetuar që nga fillimi i kohërave. Një pjesë të autorëve që kanë shkruar këta libra i kam njohur që në vogëlinë time. Dritëro Agollin, Moikom Zeqon, Petrit Rukën, Petraq Zoton, Demir Gjergjin, Simon Vrushon, Klito Fundon, Ylber Merdanin, Ali Bregun e sa e sa njerëz që dikur kanë ledhatuar flokët e mi të pabindur, më kanë përkëdhelur faqet fëminore, ashtu siç ledhatova e preka unë flokët e tim eti, fytyrën e tij në gjumin e thellë.
Pastaj janë librat e njerëzve që s’i kam njohur kurrë, por ishin emra që i maj përherë brenda vetes, si krijues i kanë dhënë kuptim jetës sime, që i kanë dhënë formë mendimit dhe mënyrës si mund të marrësh frymë në një botë që s’është asnjëherë si duket.
Më tej, janë librat e babait tim. Të radhitur, gjithandej. Kishte shumë qejf kur shkoja ta takoja në shtëpi, gjëja që bënte të parën, ishte të vraponte drejt bibliotekës, të merrte një nga librat e tij e të niste të më lexonte. Por edhe kur krijonte një poezi të re dhe e printonte në disa kopje njëherësh. Çdo anëtari të familjes i jepte nga një kopje, nuk pranonte që fleta të kalonte nga një dorë në tjetrën. E donte përshtypjen menjëherë, njëkohësisht. Dëgjonte, e lumturohej.
Të lumtur, babain tim, me një hije të pandashme prej vetes, me emrin Parkinson, që u shfaq 27 vite më parë dhe u shndërrua në shtjellën që gllabëronte çdo moment të bukur të tijin, e kam parë vetëm pranë poezisë dhe nënës sime.
Në shtëpinë tonë, në jetën tonë, në qytetin e Korçës, kudo ku takohej me njerëz, babai dhe nëna ime ishin një. Nuk e kuptoj dot, si ka mundësi që fati i njerëzve të lidhet aq fort, nga ajo që babai im e ka quajtur esencë të poezisë së tij: Dashuria. Një dashuri e pakufi, që sonte, me këtë dritë të verdhë hëne që lëpin në heshtjen e padurueshme të natës librat e renditur në rafte, më ngjan se e mbajti në jetë për gjithë këtë kohë tim atë dhe poezinë e tij.
Unë po fle në vendin ku deri dje i jepej gjumit dhe ëndrrave poeti. Është shtëpia ime e fëmijërisë. Do të rri këtu sa të jetë nevoja. Dhe e ruaj ende brenda vetes ndjesinë e këtij vendi që të ngjan i njohur së jashtmi e ti guxon e futesh, pa qenë i sigurt në duhet të trokasësh a jo, në ka njeri brenda a jo, në do gjesh dritë dhe ngrohtësi brenda a jo… E dikur doreza përkulej lehtë, dera shtyhej pa pengesë dhe e gjeje veten brenda, ku shihja dikë që më përngjante me kujtimin më të dashur të jetës, të cilit i buzëqeshja dhe ai ma kthente qeshjen.
Dikur, ama. Por që nga dita e fundit e majit të këtij viti, jo më. Kjo ka qenë bota e tij, E poetit Skënder Rusi, e unë gjendem në shtëpinë e babait tim, ku flinte dhe zgjohej njeriu. E ku tani do të flerë e do të zgjohet përgjithmonë poezia.
- O bab’! – më vjen të thërras. Por hëna e verdheme, në qiell, më shpërqendron, ka hedhur dritën mbi kopertinën e librit “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”! E njoh me detaje përmbajtjen e këtij libri. Gjergji dhe Eralda që më kërkonin të zgjidhja poezitë me babain, e im atë, që donte të nxitoja, sa më shpejt, libri të dilte sa më parë, të shpërndahej e të ribotohej përsëri. Në çdo poezi, më ngjan sikur im atë ka dashur të thotë diçka. Të tregojë që mishi dhe gjaku, janë asgjë pa shpirtin, pa atë esencë që do të mbetet e do të kthehet në qiell, edhe kur të mos jemi më. Akoma më tej, im atë zgjedh të thotë diçka me një tjetër poezi të tij: “Nuk dua të ik i zemëruar”. Dhe iku i qetë. Pa iu rënduar kujt. Me asnjë, në jetën e tij, që të mbante inat, apo të donte t’i bënte keq. Dhe qyteti i Korçës, miq, të afërm, lexues, erdhën dhe e nderuan me lule pa fund në homazhin solemn, një ditë pas vdekjes. Gjithçka ishte si e shkruar me dorë prej tij. Në fund, të gjithë rrotull autorit, me aktorët që recitonin poezi, me njerëzit që prekeshin dhe me zemrat që mbusheshin me frymë. E tillë është jeta. Di të emocionojë, nga artistët, edhe në vdekje.
Kishte atë mirësi në jetë, im atë, që e ka marrë me vete edhe në rrugëtimin e fundit të tij. E donte Korçën, njerëzit e këtij qyteti, lexuesit që mblidheshin e dëgjonin poezitë e tij. Shtëpia e babait tim ishte dhe do të mbetet poezia. Më kujtohet kur më tregonte botimin e librit të tij të parë, në vitin 1975, “I njomë ishte bari”, lirika. Kur mori vesh që më në fund, pas nëntë herë refuzimesh, libri i tij do të botohej, im atë shpërtheu në lot. E lotët ishin të mëdhenj, si kokrra breshëri, që binin mbi tavolinë. Binin lotë, breshër që bënin zhurmë. Qante poeti. Me ngashërimë.
Sot, gjysmë shekulli më vonë, qajnë lexuesit. Poeti bëri sërish një zgjidhje si të tijat. Vendosi të ikë, pa lajmëruar, pa mërzitur askënd. Me një buzëqeshje në buzë, I paqtë, I mirë, si askush tjetër!
“Bab’!”
Këto fjalë i thashë njëherë, shumë herë, kur e gjeta pa jetë, teksa i ledhatoja flokët, në gjumin e thellë, në dhomën e ndenjes, ku pengohej e rrëzohej ndonjëherë. Nuk m’u përgjigj. E mua më erdhi në mend poezia e tij. Shpirti i tij. Që vinte, në këtë formë:
DO TË KEM IKUR
Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë bli,
Përgjatë rrugës me hënë të fikur,
Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë gur,
Nëpër kalldrëmet ku dikur jemi rritur,
Kur të shohësh se nuk do të ketë më
asnjë oborr,
Me fëmijë që sapo kanë lindur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më
asnjë kitarë,
Që të shpërndajë nëpër sokaqe
tinguj,
Kur të shohësh që nuk do të ketë më
asnjë dritare,
Që të rrijë e hapur duke pritur,
Kur të shohësh se nuk do ketë më
asnjë puthje të re
nga të gjitha puthjet që janë shpikur,
Dije,që, atëhere,
Unë do të kem ikur!
Tashmë, me vullnet të Qiellit, si për çudi shtëpia e fundit e tim eti, në varrezat e qytetit të Korçës, është nën hijen e një bliri të madh, gjetheshumë. Edhe në rrugën me hënë të fikur, im atë do ta ketë përherë blirin e tij, që do të thotë se nuk ka ikur akoma, që do të thotë se nuk do të ikë kurrë, im atë, poeti, i kthyer në shpirt.