Një rol të jashtëzakonshëm në ndeshjen me Serbinë do të kenë padyshim “Tifozët Kuq e Zi”. Me përkrahjen e tyre të jashtëzakonshme kanë merituar etiketimin si shpirti dhe zemra e Kombëtares, që ndjen praninë dhe mbështetjen e tyre edhe gjatë seancave stërvitore që po zhvillon në Durrës.
Një përfaqësi e reduktuar e grupimit “Tifozët Kuq e Zi” kanë qenë dhe në ambientet ku akomodohet Kombëtarja, ku kanë patur një takim me futbollistët dhe trajnerin Gianni De Biasi, çka konfirmohet edhe nga postimi që ka bërë tifo-grupi i skuadrës më të dashur për gjithë shqiptarët në faqen e tij në internet.
Gjatë takimit me De Biasin është diskutuar në lidhje me mbështetjen e zjarrtë që tifozët kanë garantuar për Kombëtaren, duke patur si qëllim që mbrëmja e 8 tetorit të kthehet në një festë të vërtetë në funksion të kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian që zhvillohet vitin e ardhshëm në Francë.
Komentet