Pas pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA dhe përfshirjes së saj në kualifikueset e Botërorit 2018, ndarja mes dy shteteve shqiptare u zyrtarizua edhe në futboll. Ditët e fundit tema më e diskutuar ka qënë ajo e zgjedhjes së përfaqësueses nga futbollistët kosovarë, ku Rashica, Meha dhe Shala braktisën Shqipërinë për Kosovën, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve ka vendosur të vazhdojë për ngjyrat kuqezi.
Tifogrupi i kombëtares, “Tifozat Kuq e Zi”, me anë të një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe federatave të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për krijimin e një lige të përbashkët kombëtarja dhe bashkimin në një të ekipeve përfaqësuese.
Më poshtë njoftimi i plotë i TKZsë:
“Një Komb, Një Kombëtare! Të nderuar tifoza, Në prag të ndeshjeve kualifikuese për botërorin, “Rusia 2018”, dëshirojmë të shprehim konsideratën dhe falendërimin për kontributin dhe sakrificën e gjithë lojtarëve që kanë djersitur, po djersisin dhe do të djersisin fanellën e Kombëtares tonë. Ky falenderim shkon për të gjithë ata futbollistë të cilët dhanë më të mirën nga vetja në kohën sa mbrojtën ngjyrat e Kombëtares shqiptare, që veshën bluzat me shkabën e zezë në gjoks, kënduan himnin kombëtar, dhe lartësuan e përfaqësuan kombin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, nga sot, rruga ku ishim bashkë, pati një devijim, devijim ky që do të bashkohet në “udhëkryqin” e radhës. Ne, Tifozat Kuq e Zi, zotohemi se do të punojnë shumë dhe pandalshëm, që ky ribashkim të ndodhë sa më shpejt, dhe besojmë fuqishëm që kur kjo të arrihet, shqiptarët do të kenë një ekip shumë më gjithpërfshirës, jashtëzakonisht më të fortë, dhe të përhershëm. Kombëtarja sot përfaqëson më së miri shtetin e përbashkët shqiptar, duke ofruar ngrohtësi për lojtarë nga pothuaje secila trevë ku flitet shqip, nga Presheva e Kumanova, nga Mitrovica e Gjakova, deri në Kavajë e Korçë. Kjo është Kombëtarja jonë, kjo është ajo që realizuan këta djemë. Kombëtarja sot është shembulli më i mirë i suksesit nga puna e përbashkët e çdo shqiptari, dhe shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijmë të bashkuar. Futbollistët kaq mund të bënin.
Tani topi mbetet te qeveritë dhe federatat respektive të Shqipërisë e Kosovës që në vend të fotosesioneve nga mbledhjet e përbashkëta, të kalojnë në vepra, nxjerrjen e normave dhe ligjeve, ndryshimin e ligjit për sport, për t’i hapur rrugë një kampionati konkurues në futbollin europian, dhe një ekipi kombëtar akoma më të fortë. Tifozat Kuq e Zi O sa mirë me qenë Shqiptar!”
Komentet