Një raport gjithpërfshirës, i pari i këtij lloji i organizatës Transparency International për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimi e institucioneve kryesore të saj dhe roli i tyre për të luftuar kundër korrupsionit, nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.
Raporti “Themelet e Sistemit Kombëtar të Integritetit” analizon 4 sektorë kryesorë: politiko-institucionalë, social-politikë, social-ekonomikë dhe social-kulturorë. Sipas tij “të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.”
Raporti përmban kritika të ashpra për punën e gjyqtarëve, për mungesë të theksuar profesionalizmi. Sipas tij “Gjyqtarët jo vetëm që kanë treguar nivele të ulëta të të kuptuarit të disa prej nocioneve kyçe të korrupsionit, si për shembull përfitimet, influencimi apo qëllimi, por as që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë prova në raste kur kjo ka qenë e nevojshme. Asnjë zyrtar i lartë nuk është shpallur fajtor për korrupsion”.
Duke iu referuar një studimi tjetër për Shqipërinë, Indeksit “Bertelsmann” të Transformimit, raporti thekson se “në krahasim me vendet e tjera paskomuniste transformimi i Shqipërisë ka mbetur më pas. Një prej shqetësimeve kryesore të viteve të fundit është pafuqishmëria e shtetit për t’u bërë ballë interesave private dhe atyre të biznesit që ndikojnë në vendimet politike”. Raporti thekson se “kultura e mosndëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar janë çështje që duhen trajtuar në mënyrë urgjente”.
Në disa prej kritikave të ashpra të organizatës Transparency International, përmendet fakti që, megjithëse korrupsioni është i kudogjendur, është vështirë të gjendjet një rast dënimi i zyrtarëve të lartë. “Shqipëria ka pothuajse zero historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh për korrupsionin politik të nivelit të lartë. Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit”.
Raporti vazhdon me tej duke përmendur raste pandëshkueshmërie. “Pothuajse të gjithë udhëheqësit e tanishëm të partive të rëndësishme politike janë gjykuar për akuza korrupsioni e më vonë janë nxjerrë të pafajshëm. Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, Ministër i Mbrojtjes në vitin 2008, u gjykua për tragjedinë e Gërdecit, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen në vitin 2012 me argumentin se krimi për të cilin po gjykohej Mediu ishte pjesë e një amnistie me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Ministër Transporti në vitin 2005, u hodh në gjyq tre vjet më vonë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së procedurave në tendera publike për atë që njihet si “Rruga e Kombit” me një dëm ndaj shtetit shqiptar të përllogaritur në shifrën 337 milionë dollarë. Çështja gjyqësore kundër Bashës u deklarua e pavlefshme për arsye procedurale”.
“Në 2011, Ilir Meta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), u gjend në epiqendër të një skandali korrupsioni, që krijoi zemëratë të madhe të publikut e më pas çoi në protestën e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër protestues. Meta u deklarua i pafajshëm nga gjykata me argumentin kryesor se videoja që tregonte Metën dhe ish Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë tek flisnin për ryshfete në sasi të mëdha, nuk ishte e vërtetë, pavarësisht opinionit të kundërt që patën ekspertët ndërkombëtarë që ishin ftuar ta shqyrtonin videon.”
Sipas raportit “korrupsioni politik është i dukshëm në rastet e financimit të partive, keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë zgjedhore ose në rastet e blerjes së votës të raportuar në media”.
Analiza vlerëson se korrupsioni ka lidhje të drejtëpërdrejtë edhe me lulëzimin e krimit të organizuar. “Një vlerësim i vitit 2015 për krimin e organizuar në Shqipëri e vendos nivelin e lartë të korrupsionit në polici dhe institucionet e zbatimit të ligjit si një nga arsyet kryesore që e lejon krimin të lulëzojë”.
Në raportin e saj TI analizon dobësitë e institucioneve shtëtrore e publike por dhe sektorëve privat apo shoqërisë civile e mediave
Ekzekutivi, Legjislativi dhe institucionet e pavarura
Në sistemin shqiptar, Ekzekutivi zakonisht kontrollon një shumicë apo maxhorancë të caktuar në Kuvend. Kjo ka sjellë një mbikëqyrje të dobët parlamentare të Ekzekutivit dhe politizimin e emërimeve tek institucionet e pavarura, për të cilat zakonisht kërkohet shumicë e thjeshtë, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Këta të fundit kanë të drejtën të ndjekin penalisht e të gjykojnë zyrtarë të lartë të vendit për vepra penale si korrupsioni. Dënimet e vetme që janë dhënë ndaj deputetëve nga Gjykata e Lartë apo gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë të Tiranës, kanë qenë për ligjvënës të opozitës të akuzuar për shpifje nga Kryeministri i tanishëm apo nga fëmijët e Kryeministrit të mëparshëm.
Ekzekutivi, sektori publik dhe ai privat
Nepotizmi dhe korrupsioni raportohen gjerësisht, edhe pse administrata tatimore dhe ajo doganore u bënë së fundmi pjesë e shërbimit civil. Sipas kompanisë “Crown Agents”, firma që kontraktoi qeveria për të përmirësuar performancën e administratës doganore, korrupsioni dhe kontrabanda janë arsyet kryesore për mosarritjen e objektivave për të ardhurat buxhetore. Burime të ndryshme kanë treguar se disa elementë të përbashkët që mund të gjenden në të gjitha administratat janë nepotizmi në emërime në sektorin publik dhe në strukturat menaxhuese të ndërmarrjeve shtetërore, kontratat e parregullta publike dhe abuzimi me burimet shtetërore, përfshirë NSH-të, si edhe vendimmarrja e pjesshme.
Policia, Prokuroria, Gjyqësori
Të gjitha institucionet përgjegjëse për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit janë nën presion të fortë politik, edhe me anë të emërimeve politike në pozicione kyçe, të cilat kanë ndikim tek i gjithë funksionimi i tyre
Këshilli i Prokurorisë nuk ka pushtet të vërtetë llogaridhënieje tek Prokurori i Përgjithshëm, emërimi i të cilit është tejet i cenueshëm nga politizimi. Prokurori i Përgjithshëm është në krye të një institucioni tejet të centralizuar. Në Gjyqësor, emërimet për në Gjykatën e Lartë janë tejet të cenueshme nga politizimi dhe anëtarët e Gjykatës nuk janë llogaridhënës.
Në përgjithësi, suksesi i hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve për korrupsion vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Dënimet janë shpesh të lehta/ulëta pa justifikim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partitë Politike
Në përgjithësi, kuadri ligjor garanton lirinë politike dhe pluralizmin, por jo mbikëqyrjen. Përveç ndikimit që ka politizimi, KQZ-së i mungojnë burimet për mbikëqyrjen efikase të financimit të partive politike. Në praktikë, partitë i raportojnë shpenzimet e tyre për fushatën në shifra shumë më të ulëta.
Aktorët joshtetërorë dhe pushteti politik
Nga vlerësimi biznesi, media dhe shoqëria civile dalin si shtylla të dobëta, të cilat nuk mundin jo vetëm për të funksionuar në mënyrë të pavarur, por edhe për ta mbajtur nën kontroll pushtetin politik – një rol ky tejet i rëndësishëm sidomos për dy të fundit. Biznesi operon në mungesë stabiliteti legjislativ, në informalitet të konsiderueshëm, korrupsion dhe arbitraritet në administratën publike, përfshirë tatimet dhe doganat, dhe në gjyqësor. Gazetarët punojnë në mungesë parashikueshmërie dhe në pasiguri të lartë, kryesisht pa kontrata pune, në media në pronësi të bizneseve të tjera që kërkojnë të arrijnë objektivat e tyre në biznes në sajë të ndereve politike, ndërkohë që shpifja është jo vetëm vepër penale, por edhe shkelje civile.
Roli i watchdog-ut i organizatave jofitimprurëse (OJF) është i dobët, në sajë të kombinimit të burimeve të pamjaftueshme, të të qenit në një zonë të caktuar dhe të politizimit.
Komentet