Gjatë një vizite të Edi Ramës në Lezhë, kur ky po i afrohej disa banorëve të dëmtuar nga tërmeti, kamerat e filmuan duke i dhënë një të shtyrë të lehtë Erjon Braçes, si për t’ia frenuar hapin që po e parakalonte. “Gabimi” i Braçes ishte se po ecte pak më shpejt se ç’duhej. Në vend se të ndiqte, po udhëhiqte. (Video këtu)
Një skenë e ngjashme ndodhi të martën në mbrëmje. Erjon Veliaj ishte duke folur në tribunë gjatë ceremonisë së hapjes së fushatës për Tiranën. Në rreshtin e parë të të ftuarve ishte Rama dhe një grup socialistësh. Takimi ishte konceptuar si festë, në një nga hapësirat e gjelbërta të Liqenit të Farkës.
Papritur, kur po falenderonte shefin për praninë e tij, Veliaj lëshoi një batutë. E prezantoi Ramën si “katunar” të zonës. Kjo, sepse socialistët ishin mbledhur në Farkë, ndërsa Rama banon në fshatin ngjitur, në Surrel.
“Sot kemi një mik të veçantë që dua ta përshëndesim. Në fakt i kemi ardhur ne atij në shtëpi, se ai është një katunar prej kohësh; shoku ynë, vllai ynë dhe kryeministri ynë, Ediiii!” thirri Veliaj nga tribuna.
Ç’është e vërteta, Veliaj nuk përdori as më shumë e as më pak, fjalët me të cilat Rama flet për veten në takimet me qytetarët. Por autoironia është tjetër. Dhe kur ta hedh vartësi si kunjë, ka tjetër konotacion.
Kur i dëgjuan veshët etiketimin si “katunar“, Edi Rama duket në filmimet e kamerave teksa zgurdullon sytë. Instiktivisht kthen kokën për të parë, nëse njerëzit po e qeshnin. Shfaq në fytyrë një gjysëm ngërdheshje dhe… shkon drejt podiumit për t’ia marrë Veliajt mikrofonin nga dora.
Që ishte me nerva kuptohet, se i drejtohet Veliajt me “ky”. Kunjën ia ktheu aty për aty, duke e nxjerrë kryebashkiakun gënjeshtar safi.
“Ej shiko! E di pse erdha unë? Ky më çoi mesazh. Lal tha, këtej nga Farka tha ka qofte, ka birra, ka qingja, ka bërxolla, ka keca, ka pula… Hajde më tha po pate qejf, se edhe mileti është mbledh. Po ha, po pi. Vij. Për ça erdha? Për të dëgju fjalimin e këtij tani? Se nuk e kuptoj. Për ça erdha? Të dëgjoj fjalimin tënd tani?” ishin fjalët e Ramës.
Dihet që raporti i Veliajt me të vërtetën është pika më e dobët e tij si politikan. Tani, siç pohoi Rama, kuptuam se Veliaj nuk e ka për gjë të gënjejë edhe kryeministrin. Në takim nuk kishte as mish, as pula, as qofte dhe as birra. Në fakt, Ramën e kishte thirrur për t’i mbajtur fjalim.
Turma qeshte. Edhe Veliaj qeshte, por nga sikleti. Me gjysëm zëri, si pa e kuptuar mirë nëse Rama tallej apo e kishte seriozisht, i thotë: “Po do bëjmë edhe një Gezuar, t’i përshëndesim të gjithë që na kanë nderu, apo jo?”.
Por Rama, të cilin pak sekonda më parë e kishte quajtur “katunar” vazhdoi ta trajtojë si gënjeshtar.
“Po ti shko mbill ndonjë pemë, se e bëjmë “Gëzuar” vetë. Po kështu është me Lalin. Kështu është me Lalin. Dhe jo vetëm kaq, por mbasi të mbaroni këtu e të dëgjoni fjalimin, do ikni në shpi e do thoni “Kemi pi birra e kemi ngrënë” vazhdoi Rama.
I ligë në ironinë e tij dhe pasi u sigurua se nuk i la kusur, kryeministri ia dorëzoi mikrofonin Veliajt që të vazhdonte me fjalimin dhe u kthye në rreshtin e parë.
Keqtrajtimi publik që Rama i bën Veliajt nuk është më lajm. Në raste të ngjashme, e ka urdhëruar të çohet në 5 të mëngjesit të lyejë hyrjen e një pallati, apo një herë tjetër i ka vendosur ultimatum t’u gjejë lopën banorëve të një fshati aty pranë.
Por kësaj radhe, nervozizmi i kreut të Partisë Socialiste nuk qe rastësi.
Fushata e 14 Majit është e huaj për Edi Ramën. Atij i kanë veshur kostumin e Erjon Veliajt dhe të paktën deri ditën e zgjedhjeve e kanë porositur ta mbajë veshur.
Ceremonia e hapjes për 61 kandidatët u zhvillua në lulishten përballë Bashkisë së Tiranës, jo në kryeministri. Shpërndarja e mesazheve pozitive dhe jo gjuha e urrejtjes janë zgjatime që i shkojnë Veliajt dhe jo i Ramës. Edhe simbolika e mbjelljes së pemëve me paratë e KQZ-së tregonn se kryefjalë e fushatës do jetë Veliaj, jo Rama.
Mesazhe si këto lexohen menjëherë nga socialistët. Qendra e gravitetit në parti ka lëvizur, të paktën deri në 14 Maj. Këtë Edi Rama nuk e ka të lehtë ta gëlltisë.
Prandaj nuk toleron asnjë shaka nga vartësi i tij, i cili po i mbivendoset si një sëmundje e butë që afrohet pa e kuptuar. Prandaj Rama ia dha një të shtyrë të lehtë njësoj si ajo që i dha Erjon Braçes, një lëvizje instiktive e krijuar edhe nga eksperienca e shkuar e tij në Partinë Socialiste./Lapsi.al