Të mbaj mënd që si bir komunisti, por edhe funksionar i lartë që ka qënë yt atë në atë kohë, ti shoku ynë i klasës, mos harro se ke bërë një fëmijëri mjaft të këndëshme. Shtëpia dy katëshe me oborr përpara e një ish tregtari të njohur në atë qytet, u bë e juaja dhe ti e dije apo nuk e dije këtë gjë, nuk jam i sigurtë, sepse ke qënë i vogël, por di që ti kënaqeshe duke luajtur atje me moshatarët e tu, të gjithë sigurisht me prindër nga paria e atij qyteti.
I privilegjuar ke qënë edhe në shkollë, por sidomos nga drejtori, i cili sa herë që do hynte në klasë, do interesohej të pyeste për ty, por edhe për shëndetin e babait tënd. Kaq kishe nevojë ti, që të quheshe pastaj më i përkëdheluri nga ne të gjithë, të vije në mësim me vonesë dhe kurdo që të delte gjumi, të delje gjithmonë pa faj në ndonjë zënkë me nxënësit e tjerë, të kishe bile edhe kurajo që të kundërshtoje mësuesen tonë të mirë, kur ajo nuk t’i plotësonte ndonjëherë tekat e tua.
Edhe pse ishim ende fëmijë, nuk na vinte sigurisht mirë për këtë diferencim të dukshëm që bëhesh ndaj teje, por ti e kishe fituar këtë gjë me “statusin e kohës” dhe s’guxonte njeri që ta ndryshonte.
Edhe sot i mbaj mënd se kush ishin nxënësit më të dobët në mësime në klasën tonë, ashtu si edhe më të mirët dhe ti, megjithëse anoje nga grupi i parë, emëri yt nuk mungonte asnjëherë, pa u vënë në tabellë nderi. U diskutove, më kujtohet një rast, sepse një mësuese e re matematike dhe e porsa ardhur, të kapi duke bërë kopje më provim dhe ti që sigurisht nuk e pranove këtë gjë, dole pa leje nga klasa dhe i rrevoltuar shkove tek drejtori për t’u ankuar. Të nesërmen, për ta sqaruar këtë “incident”, tek ne erdhi jo vetëm drejtori, por edhe babai yt që e patëm parë nga larg vetëm për ditë festash kur delte në tribunë, ndërsa atë ditë që na u ndodh aty afër, më bëri përshtypje, sepse m’u duk jo vetëm më i shkurtër, por edhe sa shumë që ngjanit ju të dy! Vetëuptohet që mësuesja e gjorë e morri vetë përsipër “fajin” e atij incidenti dhe e detyrua bile me sy të përlotur, që të kërkojë falje edhe ty.
Kur ne shumica e moshatarëve tënd, pushimet e verës i kalonim buzë Shkumbinit, për ty merrnim vesh se si pionier i përzgjedhur, të kishin caktuar për të vizituar një nga ato vëndet e Demokracive Popullore, me të cilat në atë kohë ne kishim miqësi dhe kur në shtatorin e ardhëshëm ti ktheheshe përsëri në shkollë, mburreshe me këmishën apo bluzën e bukur që mbaje veshur, të cilat nuk i gjeje të shiteshin nëpër “Mapot” tona, por i pate blerë në Çekosllovaki, Bullgari apo diku gjetkë.
Kur mbaruam gjimnazin, për fatin tënd të keq, porsa ishim prishur me Sovjetikët si edhe me të gjitha vëndet e tjera të Kampit Socialist, por kredia e babait tënd ishte e madhe dhe për ty u akordua një bursë këtë radhë për në Kinën e madhe të Mao Ce Dunit. Kur u ktheve mbas katër vjetësh, mbaj mënd që të pamë në atë xhiron e përnatëshme që bëhej zakonisht mbrëmjeve në qytetin tonë, i shoqëruar si gjithmonë nga tutori yt, babai, tashmë i moshuar, por që na u duk si një paradë, për të prezantuar një kuadër të ardhëshëm që do e zëvëndësonte së shpejti atë dhe pikërisht ky ishe Ti.
Ka të ngjarë që edhe mund të kesh parë ndonjë nga neve shokët e tu të shkollës në atë xhiro, por nuk denjove që të merrje mundimin, as të na pëshëndesje.
U emërove sa erdhe, si prokuror në Tiranë dhe qysh nga ajo ditë, ti nise një rrugë që e ke patur të trashëguar dhe të pëlqyer njëkohësisht nga ty vetë, por në sytë tonë, ish nxënës dikur të një klase, krijove një opinion vërtet të dyshimtë.
Drejtoje, me sa merrnim vesh gjyqe; Jepje dënime me pushkatim, burg e interrnime të pa fund dhe me mëndjen tënde, ky “lloj aktiviteti” po të dukej se po kapje majat më të larta të asaj sfere që ti gjatë gjithë jetës tënde, si duket e paske ëndërruar, por ky “sukses” në realitet ishte vetëm brënda atij ambienti dhe shoqërie të korruptuar ku ti ndodheshe, ndërsa tek ne, ti ish shoku ynë i klasës, po bëheshe tashmë gjithmonë e më shumë një figurë jo vetëm e dyshimtë, por edhe e urryer.
Po ja që një ditë shtjellimet e ngjarjeve, siç ndodhte zakonisht në atë sistem, u rrokullisën dhe ti papritmas morre drejtimin, këtë radhë për teposhtë. I akuzuar nga “Bosi I Madh” që kishit ju të gjithë mbi kokë, se kishit punuar gjoja për të minuar sukseset e arritura të Pushtetit tonë Popullor, të futën edhe ty në atë “Gojë të madhe Kuçedre”, e cila me motivin për ta lënë Partinë sa më të Pastër, kishte filluar të kollofiste, bile edhe me ngutje, nga që dukej sikur nuk i mjaftonte as koha, nga tre apo katër njëherësh nga ju komunistët më fanatikë që kishit sakrifikuar aq shumë për ta mbajtur sa më agresive atë diktaturë. Por Zoti, që ti ish shoku ynë i klasës, nuk e pate besuar asnjëherë, ta ruajti këtë herë jetën dhe për ty morrëm vesh se kishe përfunduar në kampin e “Spaçit”, ndërsa familjen tënde me gjithë djalin dhjetë apo dymbëdhjet vjeç në atë kohë, i interrnuan në një nga fermat e punës në Myzeqe.
Nuk e di se çfarë ndjenë shokët e tjerë të klasës, tani më të shumtit të shpërndarë, kur e morrën vesh, por unë, të them të drejtën, ndjeva një farë keqëardhje dhe mendova se nuk do të mbaja mëri edhe nëqoftëse një ditë do na binte rasti që të takoheshim.
Por ja që erdhi së fundi viti nëntëdhjetë, i cili shënoi edhe rënien e komunizmit dhe fillimin e demokracisë. U pamë një ditë pikërisht në Tiranë, por nuk qëndruam edhe shumë, sepse ti më the që nguteshe, nga që ishe duke pergatitur disa dokumenta. “Do ikësh nga Shqipëria fare, të pyeta, sepse edhe unë pothuajse të njejtën mendim kam”
“Kërkoj që të reabilitohem, m’u përgjigje. Po jo sigurisht që të bëhem edhe njëherë pjesë e atij grupimi, të cilët më pa të drejtë në atë kohë më dënuan me aq vjet burg. Dhe duke më shkelur njëkohësisht syun, vazhdove; “Këtë herë, më the, dua që të përfitoj “Statusin e të Persekutuarit Politik”.
E di që më habite përsëri ti ish shoku ynë i klasës, sepse edhe mua në fakt, që pata qënë vërtet i persekutuar, s’më kishte shkuar ndërmënd deri atë ditë, kjo gjë!
Testë partie më në xhep në nëtëdhjetën aktualisht ti nuk kishe, sepse ta patën marrë qysh ditën kur të arrestuan dhe si i tillë vetëvetiu “Komunist” më nuk quheshe, por edhe për djalin tënd tashmë i rritur dhe sigurisht me pretendime, askush nuk kishte gojë që të fliste për punë biografie, sepse mbas vitit shtatëdhjet e pesë, ai kohën e mbetur e kaloi në interrnim. Nuk di se ç’farë qëndrimi mbajtën ndaj tij ata që ai gjeti atje, kur morrën vesh se ishte pikërisht djali yt, që para disa vjetësh u kishe dhënë dënimin edhe atyre për të qënë aty! Megjithëse nuk e besoj që të jenë sjellur keq, sepse të persekutuarit në përgjithësi kanë natyrë që edhe harrojnë, aq sa edhe sot e kësaj dite ata për çudi qëndrojnë krejt indiferentë për probleme të tilla!
Ja pra ti, ish shoku ynë i klasës, se si venë punët ndonjëherë; Për dy a më shumë dekada u ndamë dhe nuk i flisnim fare njëri tjetrit, sepse ti u bëre pjesë e diktaturës, ndërsa tashti u njehësuam, bile u emërtove edhe ti njësoj si mua, “Bashkëvuejtës” të atij sistemi!
M’u kujtua e gjithë kjo që përmënda, të cilën e hodha në letër, sepse para pak kohe në interrnet më zuri syu një person, i cili ishte në takim me një grup dipllomatësh dhe m’u duk si fytyrë e njohur. Nuk mund që të ishe përsëri ti, ish shoku ynë klasës, sepse qysh atëhere kanë kaluar shumë dekada dhe i gjithë ne ay grup i atyre viteve, jemi bërë tani pensionistë dhe kemi hyrë si i thonë fjalës në atë grupin e tretë, por kur u interesova dhe pyeta pak më shumë, doli se ai ishte pikërisht yt bir, që të ngjante aq shumë ty, por edhe nga i gjyshi i vet, m’u duk se kishte marrë njëkohësisht mjaft.
U çudita, sepse ai qe emëruar tani në një detyrë shumë më të vështirë dhe delikate nga ajo që keni bërë në atë kohë ti dhe babi yt; Po përfaqësonte këtë radhë Shtetin tonë Demokraik Shqiptar dhe “po mundohej” që të bindëte kolegët e tij të huaj, që tek ne komunizmi jo vetëm si ideollogji, por edhe nga elementë që i kanë shërbyer atij sistemi, është plotësisht i pastruar. Dhe këtë detyrë më tepër se kushdo tjetër, kush mund që ta kryejë përsëri aq “Mirë’ se sa fëmijët tuaj, të cilët e kanë jo vetëm me trashëgimi, por edhe me traditë familjare?
Të trashëguar këta mund që të kenë ndofta një farë nostalgjie për atë sistem, meqënëse ju prindërit, do u keni folur shpesh, për përfitimet që kini patur aq shumë dhe pa mund e djerrsë. Por edhe një farë urrejtje ndofta përsëri të trashëguar për ish klasën e të persekutuarve, sigurisht që e kanë, por as që bëhet fjalë për t’i krahasuar me ju prindërit e tyre. A mundet përshëmbull që të jetë njësoj djali tënd, ish shoku ynë i klasës, me ty, që ne që të kemi njohur dhe të mbajmë mënd, se sa persona dhe familje të pa fajëshme ke marrë në atë koë më qafë. Në asnjë mënyrë!
Atëhere pyetja mund që të bëhet, se pse asnjë nga fëmijët e familjeve të persekutuara, nuk i shohim kurrë në këto pozicione edhe pse janë po aq të shkolluar si edhe ata? Nuk di se si mund t’i përgjigjem kësaj pyetje, të them të drejtën, por mos ndofta edhe këtyre ashtu si dikur neve, u mungon përsëri “Biografia”!
E për ç’farë dosjesh kërkojmë ne që të hapen? (që s’kanë për t’u hapur asnjëherë), pyeta veten dhe e mbylla këtë shkrim, duke vënë buzën në gas……!