-1-
Ti eja në Paris
Siç vijnë stinët
I bukur eja, i vërtetë
(Askush këtu nuk endet me maska).
Hidh supeve pak vjeshtë
Dhe nje diell që shndrit shumë
E nxeh pak, fare pak…
Ti eja, eja Paridi ynë
Se Sena tek rrjedh damarëve të qytetit
Do të t’i nanurisë mendimet
Më ëmbël se çdo grua…
-2-
Në Versajë fshihet kopshteve një qytet i tërë
Qyteti ka njerëz, gjelbërime dhe muzikë
Më tepër nga të gjitha fshihet muzika.
Është një turmë si dallgë në kopshtet e Versajës
Që ëndërron më kot t’i gjejë ku janë tingujt.
Gjelbërimet heshtin si pelegrinët netëve
Nga frika mos dikush ua lexon të vërtetat.
– 3 –
Turmat në Luksemburg jane më pak të tejdukshme
Ato u ngjajnë luleve
Përhapen si aroma
Pjalmohen ngado papritur e papandehur.
Kopshteve të Luksemburgut
Njerëzit jane si stinët, Paridi im
Presin e përcjellin çdo udhëtar të rastit!
-4-
Parisit mund të humbësh si një fëmijë tekanjoz
I etur të shkëputet nga dora e prindit.
Në këtë qytet t’i shkëputesh nga vetja
Dhe nis të këndosh zanoret e Rembosë
A është ajri
O jane oleandrat
Eifeli je ti…
S’të ka ndodhur kurrë të jesh një kullë lëvizëse
Me trishtimin e gjithë shirave mbi shpatullat e tua?
Se ke takuar kurrë Atlasin në Paris?!
Nëse jo, Atlasi ka qenë vetja jote tjetër
Që arratisej Senës me nje varkë vikingësh
Ndërsa copa kaltërsish binin mbi qytet
Binin supeve tona
Në një hapesirë më të kthjellët se vetë drita.
-5-
Këtu mos e përmend kurrë fjalën vetmi Parid
Është blasfemi qe s’ta fal kush!
Këtu të del e të tepron vetvetja
Dhe turmat që enden në kërkim të gjithckaje. .
-6-
Po të lodhi një çast vozitja nëpër Senë
Kridhu aromave sa të ta ketë ënda
Këtij qyteti, çdo femër mund të jetë Helenë
Pa lënë pas krahëve asnjë Menela…
Andaj nisu, nisu për Paris rrugëhumburi im!
E vetmja betejë që na pret këtu është koha
Këmbanat që bien parreshtur në Notrëdam.
Komentet