Ti, Perëndesha ime! Sido që të jetë dëshira që më ndiell
Për të më pasur sa më afër:
Të lutem shumë mos më tërhiq në Qiell.
Ty, Fllad-Shpërndarësja ime! Erë-Lutje. Dënesje-Gjethesh.
Shungullimë orteku e duhmë ethesh.
Si të të kap? Me çfarë dorëza magjike mund të të kap,
o e “Pakapshme”?
Ti, e Pakrahasueshmja ime! Me kë të të krahasoj?
Me këtë yllësi që nuk duket.
Me këtë plagë që nuk zhduket.
Me këtë gurrë që nuk shterret.
Me këtë Dritë që nuk erret!
Me këtë kavo (çmendurie) që nuk e këput as elefanti.
Me këtë varg brilant
Në Gurin e një varri…
Ti, Gënjeshtarja ime!
Sa herë më ke ftuar në Parajsë, pa u ulur mirë.
Pa më këndellur me një buzëqeshje.
Pa të ndjerë (së paku) parfumin e flokëve. Pa më gostitur.
Pa më selitur qoftë dhe një vështrim. Pa më pritur
Qoftë për kortezi e mirësjellje.
Më ke dëbuar nga shtëpia! Më keq se Perëndia
I zemëruar: Dy Mëkatarët e Përjetëshëm.
Ti, Magjistarja ime! Kur të më yshtësh e të ngjizësh për mua Magjinë tënde.
Kërko që Dashuria të zgjasë sa vakancat në Sharm El Sheik a së paku
Sa bishti i gjatë i kësaj komete të shkurtër.
Komentet