Në syt`e ëmbël feksi drita diellore,
E ndjeva, ishte si valë qumështore.
Shpirt ti ike kur dashuritë pranverore;
harlisen nëpër lirishtat mbrëmësore.
Stuhi me dallgë goditën zëmrën time,
ma terën, ma tretën, ma bënë thërrime.
Oho!Si një tërmet mu trand shpirti sot!
Pa ty e sfilitur jam e mbytur në lot.
E di, n`ëndërr s`jam por shpirti u përvëlua,
shtati mu sos krejt e zëmra mu shua.
Nga mpakja, supet si një thupër më dridhen;
tundet degë e mollës, lulet zën`e bien.
Deteve valë tretur duket horizont i jonë,
shpresëhumbur, nga ty vetëm një çast pres.
Dhe kur pa kufi të buçasë syth`i njomë;
ti do të vish si një urim që freskon dënesë…
Tani i hidhuri lot më rrëshqet nëpër shpirt,
është vërtet iluzion, apo nuk ka dritë?
Vuaj, dhe kjo koha, ngaqë ike po gjëmon?!
Imja zemër s’rresht, veç pikon, pikon…
Zot! Plot hir e nur mbete ndër kujtime,
ku pikë loti shpërthen dhimbja ime.
Për ty ndjenja rrjedh si burim i azdisur,
përndizet si prushi, shpirt i harlisur.
Plot zjarr e afsh mbushur me ty kur shpërtheva,
vezulluan ndjenja të thella, o zot sa të ndjeva!
Të ndjeva dashuri tërësisht me pasione pranverore;
kur puthesha me ty, isha në kopshtet hyjnore!
Shpesh mendova lëndinave me lule e bar,
bukurinë e brishtë të trupit qelibar.
Truphedhur me ty sa shumë e dashuruar;
unë vajzë e re dhe një zjarr i pashuar.
Tani loti më rrëshqet si breshër e nuk ik,
rrëshqet shpirtit, se zemra ime u fik!
Ra e lulëzoi ato hapësirat ku ne nisëm;
puthjet e para me afsh që qëndisëm.
Përherë nga larg më vjen zëri si melodi;
vjen zëri yt i ëmbël plot mall e stoli.
Përflakur jam nga malli, jam ajo stuhi!
Të dy po digjemi në këtë zjarr të ri.
Kjo ndjenjë pasioni kurrë nuk do shuhet,
i ngjanë jetës sime thuret e ç’thuret.
Harlisur do më gjesh të ndezur si shpuzë;
e shpirt i ndezur do digjet mbi buzë.
Dhe netëve që dremisin dehjesh hënore,
desha të isha ëndrra dashurore.
Më e vogla parajsë le të isha për ty;
ky lot i bukur s’do dukej në sy.
Eleganc`e brishtë sa të pëlqente ty!
Me bebëza të zjarrta më pushtoje ti.
Filigran i prushtë për ndritje, oh, oh!
Buzëve hënore fije epshi ngado.
Vallë do të afrohen ato ditë pranverore,
që unë mos të të kërkoj më, prore?!
Sa shumë të kërkoj moj dashuria ime;
udhëve të shpirtit, në zëmrën time!
Heshtja ndez dalldinë tani pa pushim,
dhe flakë ndezur ndihet shpirti im.
Kjo shije dashurie është bekim hyjnor;
buçet zemra ime rreh në kraharor.
Në çastin e parë u deha në syrin tënd,
e denjë, e bukur, në qiell, e shenjtë!
Çaste magjie në lirishtën tënde, Hyri!
Aromë dashurie e trëndafilit të ri.
Jo, kjo s`është një harlisje pranverore;
veç një dashuri ngritur në përmendore.
Ky amshim dashurie i derdhur në ty;
si një valë më vjen përshkënditur puhi.
Haresë miturake dhe gjithë rinisë sime,
i dhashë blerimin plot me ëndërrime.
Dashurinë i dhashë, më të shtrenjtën time;
që sot më vërshon nëpër drit` e hije!
Vezullues shkove kopshteve përrallore,
vall`a do të shfaqem hajthëm, dashurore?!
I mistershëm caku, ku u ndal për mua!
Botën shoh tronditur, nën këmbët e tua.
Dashuri që botën e tërë e zë për fyti,
zapton maja malesh, qëkur bota nisi!
Vetëm ti e jep atë zhurmë lumturie;
që ëmbël e ndjeva n`ato ditë stuhie.
Që të ngjajë dashuria me dejat e pranverës;
siç val` e detit kur fle përgjatë stinës së verës?!
Jo! Unë e dua dallgë, stuhi, baticë ndjenjash;
rrëmbyeshëm të derdhet flakë brenda zëmrash.
Dashuri, largësinë s`e dua, është plot djegësirë,
ma fsheh, ma tret, ma humb atë ndjenjë të dëlirë.
Me prush ia ndeza zjarret këtij shpirti erëmirë;
për ty, një rreze drite që ndez një errësirë…!
Në çast përmbytem e tëra në krahë të Kupidonit,
e lumtur drithërimash e ndjej veten buz` honit.
Më shumë ëndrra vijnë, e shthuren jashtë logjikës;
Pastaj, në shtrat të zëmrës hyn ti si maj`e thikës.
Sonte në natën e vonuar kur del ylli si ngaherë,
Përsëri unë qaj e përpëlitem dhe pres e mjerë.
Gjunjëzuar lutem qiellit, hënës, me lot të kërkoj;
veç për ty qaj me lot, s’ndjej gjë për të tjerë!
Një rreze dielli të duket me grimca lumturie,
matanë horizontit me shenja dashurie,
me kallëzat e grurit pranverave nxito!
Fushave të blerta do më gjesh kudo.
Si dikur njëherë, ashtu fare papritur;
thuamë:” jam i yti”, mos ëndërroj sfilitur.
Me mua ato vite u ende dallgë e mall,
i freskët ndër korije si shkëndijë pa strall.
Në dëshpërim mos bjerë, jam shpirti yt i dehur!
Se prej vitesh e ndezur pasionesh nuk shpëtova.
Me buzëqeshjen e ëmbël e me trupin e derdhur;
mbi shtatin tënd të bukur mijëra puthje mëkova.
Ëndrrash të kap të ngacmoj nëpër gji,
dashuri, ti nxiton, më jep blerim të ri.
Lozim e qeshim, ah, gajasemi të dy,
puthemi dhe shtrati gëzon përsëri.
Dua të qas kohën të bukur, plot blerim!
Fushës do të takoj, o tek një burim.
Aty të ndezim zjarre, shpirtin me freski,
kroi, ti dhe unë, në mes, një marrëzi.
Shumë lot, kjo ndarje më sjell, e trishtim
kur fare pafajshëm të kërkon syri im.
Dhe, shpresëshuar në heshtje po ankohem,
që të humba ty, e për ty përgjërohem!
Eh shpirt ç`përballove gjithë këtë zjarrmi!
Për ty e mbaj zëmrën se shpirti je ti.
Gjithë gaz e shpresë, e shenjt`ëndërr qeshur;
mes lotit fontanë të pret zjarre ndezur.
Të vrapoj më ke bërë e me vete të flas;
si një zog i hutuar, mbushur me maraz.
Ndjenj` e pabindur kërkon si një vullkan;
zemrës të shpërthejë, gjoksin po ma çan…!
Ah, sikur të isha pranë teje e lehtë si një flutur,
para kësaj pranvere kaq mizorisht e lumtur!
Përqafuar të t`mbaja me krahë fort shtrënguar;
e ti t’më pushtoje me këngë dashuruar!
Dashuria ime, o ndijim i shikimit aq verbues,
për të parën herë kur zbulova ata të ëmbël sy,
ai vështrim magji ndezur si hëna që përtëri;
ti më ngjite atje ku vetëm sorkadhja mbërri!
Atëherë mbi sferat e tua u ngjita, lart u ngjita!
Sferë më sferë si diell nëpër diej.
Dh kurrë deri tek caku nuk mbërrita;
mbeta si yll që ndjek yllin nëpër qiej…
Atij vështrimit tënd që feksur ka e mbyllet,
dhe që i mbyllur e ndriçon brendësin`e tij,
atij i druhesha si zjarrit që kërcënon lulet;
e që mundësi s`ka të shuhet nga një shi…
Pa bujë u futa në atë dashurinë e madhërishme;
hyra si shigjetë dhe përjetova burime tronditëse.
Atje ku puthjet ngjiza, lumturin` time të vërtetë,
tundohej shpirti engjëllor që s`mëkaton aq lehtë.
Pasionet djaloshare që ti derdhe përmbi mua;
kaluar kaltërsisë, te fush` e lulëzuar.
Aty tek një kasolle ku gjente vend mjerimi,
aty i hapën zëmrat petalet e gëzimit…
Ndjenjë e mallëngjyer që feks tani në çast;
të përfshin në dej atje ku s`ka cak!
Puthja të këndell me epshin nëpër buzë,
dhe çel pranvera në det të bruztë.
Në valë ndjenjash po më pret krahëhapur:
Nga pasioni kurrë nuk jam prapsur.
Sepse gjithandej ndodhesh ti, këtu, atje!
Zhytur në zëmrën time ti jeh…e jeh!
I shtrenjti im, të shoh e të flas, je pranë me dashuri,
Papritmas më këndell me dhelka që di vetëm ti!
Më thua: ”sa botën të dua pushtuar nga dielli”,
përmes syve si yje që s`i numëron dot qielli…
Që të thuash të dua, nuk është aq e thjeshtë!
Zëmra përmes fjalës zbrazet e nuk hesht!
Në shtjellën që përpin ajo nuk përmbahet,
lëshon shtrat ngado, si deltë lumi ndahet.
Të përfshin në deje, të përfshin në gjak
dhe marrëzin`e lumtur ta robton nga pak.
Në të gjitha çastet, zgjuar dhe në gjumë
shkrihem gazavaj, plaga s`shuhet kurrë!
Rruga jonë e ndjenjës ishte dashuri,
më bën që të dridhem por është vonë tani…
Qielli terratiset, unë trishtoj vetminë,
shkreptimë në zëmër, në shpirt vetëtinë!
Eh dashuri, përjetim i çastit që s`u harrua,
më grishe dhe hyra brenda mureve të tua.
Përndezur nga dehja, prisja si një drenushë;
shtatin të ndeja, të rrinim gushë më gushë!
Vazhdon të lodrosh përmes valësh të mia,
e unë, e brishtë mbështetur gjinj zbuluar.
Jo, s`janë pjesë romani a ëndrra të thyera;
por ndjenja të vërteta ku lindi e përkryera…
Eh, dashuri, dashuri je një shpërthim i rrallë!
Me ty provova unë një ndjenjë të paparë.
Me ty i hapa krahët si mjellma n`përqafim,
me ty o engjëll pranë, e pranë qytetin tim.
Kur rrinim të dy na kish zili dhe dielli,
sepse shkëlqimin ia kishe marrë atij!
Po hëna na donte, rrezonte gjithë qielli;
netëve rrezonte kur bënim dashuri.
Kush shpjegoi filozofinë e dashurisë,
forcën, puthjen, ëndrrën e djalërisë?
Ato puthje, pasione që vinin nga ty;
më këndellnin zjarr afsh e dashuri.
Ej ju o çaste kthehuni edhe një herë!
Te pragu i derës do rri do ju pres.
Me shpresë në duar me këngë bilbili
me afsh në zemër, me lule prilli.
Tani vetmuar shtrihem flladit të erës,
dal të kërkoj është stinë e pranverës.
Turbullohen çastet, vjen shfaqesh ti!
Qaj me vete, grindem, dehem përsëri.
S’ harroj kurrë kasollet gjithë baltë!
Syrin e përlotur dhe diellin e artë.
S’ harroj që ngritëm në shtrëngatë;
çastet intime në flatra të zjarrtë.
Do të doja t`më shtrëngoje gjer në rënkim,
kjo zëmër e mjerë të mos kishte lëngim!
Ato pasione ç`ti bëj, ku ti çoj, më thuaj?
Jo! Në thellësitë e shpirtit dua që t’i ruaj.
Gjithë rrëfimet e mia në një udhë më shpien,
mirëpo egërsisht dhimbjet ngrihen e ndihen.
E puthjet të humbasin kot fare mes zhurmës!
Të dua ty dallgë, kasnec`i furtunës!
Për çdo natë të dua të ndezur në shtrat!
S`e duroj vetminë që përgjon në prag!
Dua që të vish vullkan në vezullime;
fllade pranverore ti biesh zëmrës sime…
Të dua në shtratin tim stisur me dantella,
të du`e lartohem me ndjenja të thella,
S’e dija kurrë, e kurrë nuk e mendoja;
ty duke të puthur vërtet e jo gjoja…!
Lotin mos ma ndal se do të ta puth pa leje,
dehje duke ndjerë, aty, afër teje!
Dhe afsh do të gjesh tek zemra ime ngarë,
Aty do të gjesh dashurin`e vrarë…!
E imja jetë mos vallë, mbeti e shfrenuar;
që më rrjedh loti nga zëmër e tërbuar?!
At`herë të dashuroja, ti më mbaje gjallë,
Tani mbeti malli, e më gërget si valë.
Por ky mall e afsh me zjarr e suferinë;
ëmbël shpirtin ngroh dhe ma përtërin.
Lotin brenda meje, mblidhe o shtegtar!
Dashuruam të dy, s`jemi mëkatarë!
Ky vrull e ky afsh vallë përse s`më duron?
Ndoshta, them me vete, ngaqë më mungon.
Kur natën ta kalosh si n`ëndërr tek mua;
do derdh freski ndjenjash ujëvarë e krua…
Dashuri ti ke qenë thellë zëmrës sime,
mirëpo kur u shkule më le lot e dhimbje.
Lënë ke vetminë sa shpirti më s` mban,
psherëtimat ndjehen dhe kjo zemër qan…
Ah, kjo jetë e bukur me drithërim dashurie,
dhe me forcën që ka rrahur zëmra ime;
tani do t`ishte peizazh përrallor mes hijeve,
nën të freskëtat gjethe të ullinjve.
Kujtimet mbërthyer fort kudo më shpien,
ndër fusha vreshta rënkimet ndihen.
Dua që psherëtimën, ëndrrën me ty ta ndaj;
flaka të harbohet o ndryshe të qaj.
Pres nga ty një ndezje që të mos lëkundet!
Thellë në mua shpirti të përkundet.
Zëri pafaj ende të fton nëpër këtë lëndinë;
eja ti me yjet dhe puthe dashurinë!
Nga e imja dashuri po buron lumturia,
që dashkam të tregoj pafajësit’e mia?!
O ngazëllim dehës, Zot më flijo që tani;
për ndjenjën e lartë pranverë pa kufi!
Syt`e tu m’u shfaqën krejt papritur, ashtu,
më vonë u shfaqe ti si princi kaltër blu.
Shkrepi! I fola vetes, ëndrra përnjëmend;
dhe e zëmrës rrahje mbet përher` e shenjtë…
Nuk harroj atë çast që syt`e tu ndeshën,
tek syt`e mi që vetëtinë e qeshën!
Përkëdhelën shpresën, shijen, dashurinë;
dallgëve të shpirtit njohën dalldinë.
S`duhet që dashuria ime të presë gojë!
Prandaj s`rri e qetë, shpirtin zë rrëmoj!
Ndër vargjet e mia vezullon ajo,
porsi lule shege kuqëlon ngado!
Gjëmoj në thellësi tronditëse lëngime,
s’i bëj dot ballë kësaj zëmrës sime!
Të qetë do ta bëjë dallgën hijerëndë;
vetëm përtëritj`e buzagazit tënd.
Ta dish se ç`ka qenë dashuria për mua,
me gjith` mrekullitë të kisha rrethuar…
kjo magji ndjenje më ka përthithur sot;
kam frikë ta kap, tronditet një botë!
Pa dashur shpërthej në monolog këlthitës,
më ngjan se shuaj krejt ankthet e ditës.
Lodrues vjen mendimi duke më pushtuar,
dashuria ime më ndez e trazuar.
Në të sajat kthetra u hodha me aq zell,
në prushin e saj u dogja në hell.
Diell, det, i gjeta dhe varkën lundruese…
më joshi ajo në netët drithëruese!
Ulem e përkulem në kët` valë ëndrre,
dhe shoh atë pasion së largu me ëndje.
Të shoh pranë meje poezi ndërthurur;
dhe unë me gaz në prehrin tënd ulur.
Më thuaj si më do kur dy zëmra kallen?
Të hijshme, të bukur agimesh kur zbardhen?!
Lozonjare, buzë ndezur si pranverë;
a çapkëne më do, leshra derdhur ngaherë?!
E di ëndrrën tënde që gjithë jetën ndoqa;
nëpër fushë e mal udhësh të tërthorta.
Zëmër-rrahjet të ndoqa ngado që ti ece,
çdo qelizë të ndjeu kjo vajzë kryeneçe.
Thonë dashurinë ma mori pranvera!
Jo, jo, ajo mëkoi pasione të reja.
Për ty, jo tjetër, në botën e amshuar,
vetëm për ty dhe me ty e dashuruar.
Më doje gushën aromë që deh përtëritjen,
më doje vrullin, vajzërinë, mërmëritjen;
më doje shpuzë, dallgë, stuhi në mes të verës,
puhi më doje, të çelja lulet e pranverës!
Më dhurove ëndrrat më të bukura xanxare;
kur ndonjë valë dridhje na shfaqej tinëzare.
Portreti yt më dha melodinë e dashurisë,
buqeta lulesh plot, pranverën e lumturisë!
S`e harroj dot të madhërishmen e jetës time,
Ato ditë gazavaj mbushur me ngazëllime!
Dua të përtëri atë ndjenjë, brenda kraharorit;
dhe dhimbjen e vërtetë ditëve të dhjetorit.
O dashuri, o puthje të falem njësoj si perëndisë!
Se magjepsur shpërtheva me hovin e rinisë!
Ashtu të ndiej akoma, të dua vështrim patretur!
Dashuria ime, e pavdekshme ke mbetur…!
Pashë xhepat e zëmrës plot letra e kujtime,
i mblodha të gjitha dhe humba nëpër dhimbje.
Lexoj çdo germë, çdo frazë, e metafora vjen
njësoj si atëherë aq ëmbël më këndell.
Fre s`i vë dot pasionit, madje as kufi!
Ndjenjës së parë rrotull i vij përsëri.
Ah sikur ta kisha zëmrën prej magjie;
e pranë të të vija në çaste dashurie!
Kur yjet të zbresin në gjinjtë e zbuluar;
dashuria do të duket kopsht i lulëzuar.
Kur hëna zë e bën dashuri me diellin,
magjikë unë e ti me xixa ndezim qiellin…
Ah, sa pranë e dua zjarrin tënd të dëlirë!
Dhe pasionin tënd fort e kam dëshirë.
Do rrëzëllejnë zëmrat dashuri e flakë,
ç`më josh dashuria, më grish këtë natë!
S`u stepa kurrë nga flaka e pasionit!
Shpirtit s`i vura pranga, as kraharorit.
U lumturova me ty gjer në amshim,
ti lirishtë mes pyjesh, ndjenj` e ashtit tim.
Flakërime i dhashë oh, zëmrës sime,
e përndezur tutje, larg në perëndime.
Hyjnesha Afërditë kjo mëmë e ëndjeve
përherë na gjente te “kënga e këngëve”.
Seç ligjërova si zogjtë e pranverës;
kur këngët plot ndjenja unë ja dhashë erës.
Të prisja plot ëndrrash si blerimi kur çel,
si një mollë e virgjër që kurrë s’ishte vjelë.
Flakërimë e prushtë mbeti nëpër flatra,
në vaj e lot shkrehem e fjalë të arta.
Tëndin portret, o dashuri lartësova;
dhe në vargje safi prushin tim lëshova.
Tashmë e humbur jam, kam nevojë për ty,
ëndrrash t’u afrova e plotë si selvi.
Në dhimbje të plotë të klithte vështrimi;
prej syve të mi t’u dha ledhatimi.
Dhe ti u ngrite befas, i fortë si askush,
më puthe më deshe oh, më ndeze prush!
Pastaj më dhe ëndrrën, pasionin e parë;
Më dhe afsh dashurie, përjetim të marrë.
Tani dashuria merr shpërthime të reja.
Shkrihet, mrekullohet në drithërimë hareja,
kur e trupit trajtë qan nga dashuria;
Të fortat reflekse shpojnë ndjenjat e mia!
Dashurinë mos e lerë si lulja të vyshket;
sepse kroi i saj po nuk rrodhi ndryshket!
Është delikate si flet` trëndafili,
aromë lëndinash plot lule blerimi.
Ç`forcë e madhe mbetet dashuria tek ti!
Një melodi fyelli që merr timbër të ri…
Aty ndjeva dridhjen e zemberekut tënd,
dhe lulishte, bri teje ari, anekënd.
Këtë zjarr kaq pashuar si poete që jam;
ta dhashë flakadan po tani s`të kam!
Të kisha, apo jo, pyetja vjen e më vret,
dhe loti më vret nga syri kur zbret!
Në çastin kumbues ndjenjat si poete,
të gjelbra ti dhashë, sythe edhe gjethe!
Erdha t’i dhurova me afshe pranvere;
burim dëlirësie për të qenë pranë teje.
E pastaj kur heshtja neve na përfshiu,
brenda zëmrash tona një zë psherëtiu.
Ah, sa dhëmb ky zë, që vjen si vikamë,
ndjehet brenda meje, e thellë kjo dramë.
I mbrëmjes ky tis më mbështjell vetmuar,
thua të mungon shpirt`i ledhatuar?
Të më puthësh, eja, të jem shpirt praruar;
pa ty, se shtyn dot, kjo murgesh` e ndëshkuar.
Murgeshë dashurie se shpirti më vuan,
pa ty vitet erdhën, ashpër më trazuan.
Shpirti përpëlitet, digjet nën çarçafë,
tisi mëngjesor gjen prushin në flakë!
Që këngët e zogjve gjithnjë në të aguar;
t’i dëgjojmë të dy s`do të kish’ krahasuar!
As me shtatë dete lumturia s`do matej
nga kjo flakë, trupi, s`do të shmangej.
Puhi edhe timbër po na sjell kjo stinë.
Gjaku na valon, e hedh poshtë qetësinë!
Dhe duke kujtuar fushë-bredhjen bashkë;
Flakë ndizen mendimet që ti hedh në kartë.
Ditëve një ëndërr më pritet në mes,
lutem për ty shumë, them: eja! Të pres!
Dhe të dua shumë, fjalët me ty ndaj,
frazat lakuriqe vetëm s`mund ti mbaj!
Lartësitë e mëdha që përjetova,
zëmrën tënde dhe timen i përvëlova.
Livadhet valëviteshin për rreth nesh;
lënduar i shoh, ngatërruar mes resh!
A thua, ëndrrën tonë na i mori era;
që zëmrën ma thau, sa erdh pranvera?
Dhe ne na la ngurosur nën një vel gri,
apo tymnajë e largët e mori me furi?!
Tek ca lule të thara, tek shtëpia e vjetër,
atje ku fort më puthe s’ka mbetur gjë tjetër!
Pa ty, as blerimin më duket s`e se shoh,
as tënden dihatje, që prej vitesh njoh!
Vendit ku më puthe një lule ka mbetur,
Ashtu ëndërr bardhë me sytë përlotur!
S`di në e mban mënd sa u turbullova;
Në limfë pasioni, sakaq çeli molla…
Dhimbja brenda shpirtit ëndrrat shkokëlon.
Meditoj, lëndohem, zëmra më sëmbon.
Këtë dashuri ta duash më shumë!
Pambarim çastin ta prura veç unë!
Mendimi për ty po më mban gjallë.
I nis këto fjalë të shuash një mall.
Larg, afër në tokë, apo qiell të jesh,
një gur i thepisur do qëndrojë në mes…
Çirrem kot e qahem me shpirt të lënduar,
si një det me dallgë më gjen të tërbuar.
Shtatë herë e puth fjalën, më jep një besim,
britma ngazëllimi n`horizontin tim.
Kundronim të dy hënën tek barakë e vjetër;
me afsh e prush rinie si asnjëherë tjetër!
Me zemër puthja sytë me dëlirësi qiellore,
në dritën e argjendtë të rrezeve hënore.
Tis i ëmbël u mbështoll me natën hyjnore,
mes asaj dashurie të zjarrtë xixëllore.
Aty kemi brenda rininë e çasteve magjike,
si ëndërr mbërthyer në vargjet lirike.
Puthmë dashuri me dallgën e ngrohtë,
tek ty dua të vij por ah që s`vij dot!
Atje ku pranverave mbollëm lule Maji;
dy emra gjenden te shelgu i bardhë.
Sytë xixëllonjës dhe zëmrën e dëlirë,
nën dritën e natës i shihja më mirë.
Poshtë atij shelgu t’i puthja aq shumë,
mrekullinë e stinës ta sillja veç unë.
Nuk qe një dalldi e vogël, e mekur,
por ndjenjë e pastër thellësisht e pjekur!
Si pelegrini që ndjeshëm mban një besim
ashtu edhe unë mbaj fort dashurinë.
Si një tingull muzike më vjen zëri yt!
ngatërruar keqas mërzitja më mbyt.
Më mungon një vegim e fjalëza “të dua”,
ç`ishe unë për ty, e ç`ishe ti për mua!
Dalëngadalë shpirti që rron pa moshë;
ty do të të ndjekë ngado që të shkosh…
Kur të shposh kujtimet të shohësh në jetë,
në honet e zëmrës do më gjesh vërtet!
Aq`ëmbël t’u afrova ato ditë e net;
edhe ti vrullshëm tamam si një mbret!
Na sundoi papritur stuhi e tërbuar,
dhe u ndjemë të dy plot afsh përqafuar.
Të lumturat momente i ruaj një nga një.
I kam ndjerë të gjitha eh, ç`ti kujtoj më?!
Por ja që nuk mundem, pa to dot s’ rroj;
ilaç i vetëm mbetën, plagën të mëkoj.
Për puthjen e djalit si dallgë shtrirë pafund,
aq më rrahu zëmra sa dheu m’u tund!
Prekmë pak i dashur, puthmë gjer në gji,
që t`na gjejë pranvera gonxhe për stoli.
Në ditët e majit kur qengjat blegërojnë,
kur fushat e gjëra ndizen e gjelbërojnë,
kur milingonat vrapojnë me gaz e hare,
e mes tyre ne të dy gëzojmë gjer në re!
Mes ne të dyve u dynd qetësi e madhe.
s`i deshëm e s`i duam këto halle!
Oh, çfarë deshëm o trëndafil i bardhë,
dashuri si qelq që kris pa u çarë…?
Kur dashurohesh është triumf madhor;
luhatje e brishtë e një trupi epshor.
Përse s’vjen? kërkojnë sytë engjëllorë!
Triumf dashurie momentin hyjnor.
Duket e nuk duket, po çel një zambak,
aromë trëndeline e ngjyra përqark.
Më kanë erëzuar përmbi lulëzime;
saqë lulja, jetë, merr nga fryma ime!
Gjithë bota ndizet bukurish femërore!
Prej shekujsh prishen kurora mbretërore!
Sy shkrepje njëherë, vështrim butë pastaj;
Dhe bota himnizohet nën pushtetin e saj!
Kujtimin e ëmbël të brishtë e të qartë,
për të qen`e shpejtë në prushin e flaktë,
marr llavën thellë ndjenjave të çmuara;
për të mjekuar zëmrat e copëtuara.
Sa herë uraganet dhe erërat të fryjnë;
do të sjellin zërin tim në të gdhirë!
Kur deti të qajë të ofshajë, dallgëzojë,
vajza e valëve për ty do këndojë…
Qesha dhe qava me bukuritë natyrore!
Se puthjet erdhën në ditët pranverore.
Zgjova ëndrra, dashurinë e preka kudo;
arave të mbjella ku fluturova në kohë.
Atje ku u zhveshëm nën zjarrin e ngrohtë;
mes akujsh ku çamë dhe detin e ftohtë!
Atje do të pres, mbështetur te vela pa erë,
do buçasë poshtë yjesh pasioni kët’herë.
Bashkë do hapim limane, porta e shtigje,
me varkë do të çajmë dallg’ e brigje!
Horizonti do çelë mëngjesin pa mjegull,
Varka do ndrijë në shekuj, në shekuj…
Komentet