Emrin ua fale(t) shkallëve të qiellit gjer tek retë
E shpirtin hinorëve të poezisë me fjalët plot mall
U bërë frymëzim për bukëmisrin në prushin e nxehtë
Gatuar në magjen e vatrës në çerepin e lashtë.
Ti shfaqesh në gjethe lisash si libra të palexuar…
Blaton e rinohet emri yt si pranverë dhe në dimër
Edhe Learti në perëndim e mësoi emrin(at e te) e amëshuar
Qëndisur me shkronjën shqipe me këngën e palindur.
Frushkuj frymëzimesh e porosish mbeti vargu lazdran
Rrënjët e zanoreve nuk i ndryshk koha që vjen si lumi
As lëmashku i myshkut në lëndinat e gjoksit thinjëbardhë
As orteku që zbret nga bjeshka me furi si plumbi.
Legjendat kthehen sèrish tek unë si një stinë që vjen
Që t’i zbusim bashkë buzët e çara të malit në vendlindje
Nga dashuria e malli t’u heqim shkrumbin e nxehtë
Në atë sukë gjoksi, koka plisbardhë me frymë perëndie.
Se edhe vetë perënditë mbajtën plisin dhe xhoken e bardhë
Këtu u fol shqip me emrin që ua fale zanave në bjeshkë
Ecën me sokolat e rrafshit të pellazgëve vargut prijatar
E djajve ua theve qafën në rrapëtimën e Përroit të Keq…
Komentet